Të zgjedhurit e popullit po merren me përplasje të ashpra e batuta në Kuvend

Të zgjedhurit e popullit po merren me përplasje të ashpra e batuta në Kuvend
Të zgjedhurit e popullit po merren me përplasje të ashpra e batuta në Kuvend

Faik Krasniqi

  • 15 June 2021 - 07:54

Shkruan: ANALISTI - Faik Krasniqi

Edhe kjo legjislaturë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, po e vazhdon avazin e vjetër të legjislaturave të mëparshme, duke miratuar shumë pak ligje dhe duke u bërë arenë e përplasjeve në mes të partive politike. Ose më mirë të themi,  arenë e deputetëve për  batuta dhe sharje. Kjo Qeveri nuk guxon që Kuvendin ta shndërroj në një arenë të tillë. Kanë vota të mjaftueshme për të kaluar shumicën e ligjeve në Kuvend. Nuk guxojnë të sillen si qeveritë e mëhershme.

Deri më tash nuk kemi parë diçka më ndryshe nga qeveritë e kaluara. Diçka që e ndryshon jetën e qytetarit. Gjëra të prekshme. Ministrat nuk kanë qenë në nivelin e duhur në gati tre muaj qeverisje, përveç që nuk kemi parë deri më tash ndonjë aferë korruptive, edhe pse është herët të flitet për një gjë të tillë. Por nga ana ekonomike dhe ajo e drejtësisë, asnjë rezultat të prekshëm. Opozita u ndëshkua rëndë për pisllëqet e bëra për më shumë se dy dekada.

Kjo qeveri ka premtuar që do të jetë ndryshe. Ka bërë premtime jashtëzakonisht të shumta. Gjërat janë duke shkuar me hapa të breshkës. Duhet të na dëshmojnë që janë më ndryshe, dhe jo fokusin kryesor ta kenë në emërime dhe shkarkime të bordeve. Jo fokusin kryesor ta kenë akomodimin e familjareve dhe militantëve partiake. Kam thënë gjithmonë që ekonomia është çelësi i zgjidhjes të të gjitha problemeve. Banka Zhvillimore është dashur të bëhet brenda 100 ditkëshit të parë, dhe atëherë do të ishte më e relaksuar për të raportuar para deputetëve në Kuvend se çfarë punë të mira kanë bëre në 100 ditët e qeverisjes. Kështu nuk e di se çfarë do të raportojnë. Për qytetarin nuk është interesante dyfishimi i buxhetit për ushtrinë e Kosovës, sepse kjo nuk ndikon në mirëqenien e tij. Zgjedhjet lokale janë në vjeshtë.

Një test i mirë për pozitën dhe opozitën. Nëse pozita del shumë mirë në këto zgjedhje duke fituar një pjesë të madhe të komunave, atëherë qytetaret janë duke e vlerësuar punën e tyre, pavarësisht që janë shumë larg premtimeve të tyre. Por nëse fitojnë shumë pak komuna, atëherë është sinjal që kanë punuar jashtëzakonisht dobët. Duhet të hiqet nga fjalori fjala "shkopi magjik". Qytetari e dinë që askush nuk e ka atë shkop magjik për t'i zgjidhur gjërat, por duhet të punojnë në gjëra që janë të prekshme. E kuptoj që u mungon përvoja dhe njerëzit me përvojë, por nëse duan njerëz ka sa të duash. As idetë nuk mungojnë. Por vetëm punë dhe punë. Duhet të zgjohen nga gjumi!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".