Pas Moskës, Serbia do ta njohë Kosovën ?

Pas Moskës, Serbia do ta njohë Kosovën ?
Pas Moskës, Serbia do ta njohë Kosovën ?

Prof. Dr. Mehdi Hyseni

  • 16 June 2021 - 09:09

Barometri diplomatik

Shkruan:Prof.Dr.Mehdi HYSENI

*** Dialogu i Brukeselit nuk është “patentuar”, që Serbia ta njohë Republikën e Kosovës, por të kundërtën-zhbërjen e shtetësisë së saj. Këtë e dëshmon edhe tërheqja e njohjeve ndërkombëtare nga ana e “18 shteteve”, si rrjedhim i propagandës lobuese  të politikës dhe të diplomacisë së Serbisë (2008-2021). Mirëpo, dikush është verbuar politikisht dhe diplomatikisht, dhe po sheh “ëndrra në diell” se gjoja Beogradi zyrtar, do ta njohë Kosovën në Bruksel. Kjo nuk do të ndodhë para se Moska ta njohë Republikën e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

*** Vetëm nëse presidenti rus Vladimir Putin arrin ndonjë marrëveshje me presidentin amerikan Joe Biden në Gjenevë, më 16 qershor 2021, atëherë ekziston mundësia, që Moska ta njohë Republikën e pavarur të Kosovës. Ndryshe jo.

*** Njohja e Kosovës nga ana e Serbisë nuk varet nga Albin Kurti (kryeministër) dhe, nga  asnjë lider tjetër politik shqiptar, por vetëm nga Kisha Ortodokse Serbe. Pa dhënien e pëlqimit të saj, as presidenti Aleksandër Vuçiq, as Ana Bërnabiq(kryeministre) dhe as Ivica Daçiq (kyetar i kuvendit të Serbisë)…etj. nuk guxojnë që të hedhin firmën e tyre në ndonjë Marrëveshje të përbashkët, e cila do të nënkuptonte njohjen e Republikës së Kosovës. 

Prandaj, edhe sikur në takimin e Brukselit të datës 15 qershor 2021, të kishin shkuar të gjithë bashkërisht : Hashimi, Albini, Rugova, Jahjaga, Mustafa, Vjosa, Merofci…etj., nuk do të kishin fituar asgjë nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq, përpos një mospajtimi me propozimet e palës kosovare, sikur këtu e 10 vjet më parë (2011-2021).  Kështu do të ndodhë, edhe më 15 korrik në takimin Vuçiq – Kurti në Bruksel.  -“Asgjë e re në frontin e Perëndimit”, sepse çdo gjë ka bllokuar Kisha Orodokse Serbe! Këtë, vetëm liderët politikë makiavelistë nuk e besojnë dhe nuk e kanë të qartë, duke vrapuar si “Maksimi pas divizionit të shpartalluar”, duke ushqyer iluzione të kota dhe, duke gënjyer popullin se “Serbia së shpejti do ta njohë Kosovën”!?

Me gjithë ndërmjetësimin 10-vjeçar të BE-së , që të arrihet ndonjë marrëveshje kompromisi politik mes palëve negociuese të Serbisë dhe të Kosovës në Dialogun e Brukselit (2011-2021), Beogradi zyrtar nuk do ta njohë Republikën e Kosovës, pavarësisht kushtëzimeve që do t’i bëhen Serbisë për të aderuar në Bashkimin Evropian(BE).

Të githë ata që po shohin ëndrra të kota dhe janë duke u ushqyer me dezinformacione të agjenturave të ndryshme sllave dhe filosllave, të instaluara në Prishtinë, në Tiranë, në Tetovë, në Shkup etj., se gjoja në Dialogun e Brukselit, presidenti serb Aleksandër Vuçiq, do ta nënshkruajë njohjen e pavarësisë së Kosovës (si rrjedhim i trysnisë së BE-së), është vetëm një mashtrim, gënjeshtër dhe manipulim i opinionit publik të brendshëm dhe të jashtëm, si këtu e dhjetë vite më parë (2011-2021).

Jo vetëm A.Vuçiq, por asnjë serb nuk guxon ta njohë Republikën e Kosovës!

Shtrohet pyetja, pse asnjë lider politik i Serbisë nuk do ta ketë guximin që ta hedhë firmën e tij në ndonjë marrëveshje me palën shqiptare për njohjen e Kosovës?

Përgjigjja është kjo, thjesht për faktin se, ndoshta me gjithë dëshirën  dhe interesin e tyre për t’i pajtuar serbët dhe shiptarët, njëherë e përgjithmonë, ashtu siç kërkonte dhe rekomandonte dikursocialdemokrati serb Dimitrije Tucoviq në kritikat dhe në librin e tij “Serbia dhe Shqipëria” (1914), se  “Derisa serbët nuk kuptojnë se ndodhen në truallin e huaj shqiptar, kurrë nuk do të kenë marrëdhënie të mira fqinjësore me shqiptarët..”

Kjo është esenca e konfliktit shekullor shqiptaro-serb në Ballkan. Mirëpo, këtë as shteti, as shkenca e as Kisha Ortodokse Serbe, kurrënjëherë deri më sot nuk e kanë marrë në konsideratë (1878-2021), për shkak të  logjikës së kalbur  të politikës militariste, shfarosëse, hegjemoniste, kolonialiste dhe pushtuese të shqiptarëve  dhe të territoreve  indigjene të Shqipërisë Etnike. Fatkeqësisht, këtë e provoi edhe gjenocidi i fundit të Serbisë së Slobodan Milosheviqit, të kryer në Kosovë (1989-1999). Ky është shkaku thelbësor, pse Beogradi zyrtar nuk e njeh Republikën e Kosovës, duke qenë se, edhe sot, pas kryerjes së gjenocidit të fundit e konsideron koloni të dikurshme të saj. Kështu flet edhe Kushtetuta e Republikës së Serbisë (2006), e cila Kosovën e quan pjesë të territorit të saj.

Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës, pasi Kisha Ortodokse Serbe ta japë “bekimin” e saj !

Ndryshe, mund  të mbahen edhe njëqinnd dialogë në Bruksel, apo gjetkë në Evropë, por  asnjë Vuçiq, Daçiq, Bërnabiq..etj., nuk do të guxojë që ta njohë Republikën e Kosovës pa pëlqimin e Kishës Ortodokse Serbe.

Prandaj, në këtë vështrim nuk varet se kush nga pala shqiptare e Kosovës dialogon me palën serbe të Beogradit në procesin e Brukselit ose në ndonjë  dialog a multidialog  në ndonjë kryeqytet tjetër të Evropës apo të fuqive të mëdha botërore, sepse  të gjitha do të dështojnë, jo me fajin e presidentit Aleksandër Vuçiq, por të Kishës Ortodokse Serbe, e cila që nga themelimi i shtetit serb, në vijimësi, në mënyrë institucionale dhe sistematike mbjell  urrejtje, sajon gënjeshtra, shpifje, spastrim etnik, përndjekje, gjenocid dhe grabitje të tokave shqiptare, me qëllim të shfarosjes së etnikumit shqiptar. Kisha Ortodokse retrograde politike serbe, jo që ka jusitifkuar dhe mbështet politikën kolonialiste dhe gjenocidale serbomadhe ndaj shqiptarëve dhe territoreve të Shqipërisë Etnike, por edhe  është “autori” kryesor i projekteve të tilla antishqiptare.

Për të gjitha gjenocidet e derisotme serbe ndaj shqiptarëve në Shqipërinë Etnike, fajin dhe përgjegjësinë kryesore morale, historike, politike, religjioze e ka Kisha Ortodokse Serbe, e cila ishte dhe, ende është forca centrifugale motorike  në mohimin e së drejtës historike, etnike, shtetërore dhe të vetëvendosjes së shqiptarëve të kolonizuar në Ballkan.

 Shteti dhe Kisha Ortodokse Serbe, do ta njihnin Kosovën:

(1) Nëse Rusia e Putinit e njeh paraprakisht Republikën e Kosovës, duke e anuluar VETO-n e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe,

(2) Nëse  Vatikani e njeh Republikën e Kosovës.

Në rastin e parë, në qoftë se Rusia arrin ndonjë marrëveshje politike të rëndësishme me Amerikën lidhur me çështjet e tyre kontestuese të karakterit  ndërshtetëror dhe global ndërkombëtar, atëherë është e pritshme, që Moska zyrtare ta tërheqë VETO-n  e saj nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kështu, do t’i hapej rruga miratimit një Rezolute të Re për njohjen e Republikës së pavarur të Kosovës. Kjo do të ndodhëte, nëse Uashingtoni zyrtar arrin pëlqimin me Moskën për çështjet kruciale  në mbrotjen dhe në ruajtjen e vlerave dhe të interesave paqësore, të stabilitetit dhe të sigurisë ndërkombëtare.

Në këtë rast, pa dyshim se do të vinte në shprehje “çarmatimi në vend të armatimit” dhe “dialogu në vend të konfliktit” si në kuptimin e gjerë global, ashtu edhe në kuptimin e ngushtë rajonal, kur është fjala edhe për Serbinë dhe për Kosovën, që ta njohin njëra-tjetrën si dy vende fqinje të barabarta, edhe  si anëtare të barabrta në Kombet e Bashkuara. Realisht, nuk mund të pritet zgjidhje tjetër pozitive, paqësore dhe e ligjshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. 

Gjithashtu, edhe në rastin e dytë, po qe se Vatikani do ta njihte Pavarësinë e Kosovës, mirëfilli, një njohje e tillë, do të kishte pasur ndikim të madh në ndryshimin e qëndrimeve dhe të pikëpamjeve negative, retrograde dhe politike të Kishës Ortodokse Serbe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në Ballkan.

Me një fjalë, Kisha Ortodokse Serbe është “frenuesi” kryesor, që po pengon njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e qeverisë së Serbisë.

Prandaj, është e domosdoshme që pala negociuese shqiptare e Kosovës,  të kërkojë nga BE-ja, nga Amerika dhe nga OKB-ja, që Dialogu i Brukselit të rivendoset në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ashtu si Serbia dhe BE-ja patën kërkuar që Plani 6 pikësh i Vuk Jeremiqit dhe i Ban Ki Moonit të shqyrtohej në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara. Plan ky, i cili prodhoi Dialogun famëkeq të Brukselit, me qëllim të revidimit të pavarësisë së Kosovës, duke u bazuar në Rezolutën 1244 të KS-së së Kombeve të Bashkuara (10.06.1999).

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".