Aty ku nuk ka drejtësi dhe barazi për të gjithë,  nuk funksionon shteti!

Aty ku nuk ka drejtësi dhe barazi për të gjithë,  nuk funksionon shteti!
Aty ku nuk ka drejtësi dhe barazi për të gjithë,  nuk funksionon shteti!

Dr. Hysni Aliu

  • 28 June 2021 - 09:46

Shkruan: Dr. Hysni Aliu

Po detyrohem të shkruaj, sepse padrejtësia është e keqe për secilin ashtu siç është drejtësia e mirë për secilin,  si rrjedhojë dua të dal kundër padrejtësisë. Kosova, shteti më i ri në Evropë, një shtet demokratik dhe multi  etnik, duhet të jetë shembull për rajonin dhe më gjerë se si duhet të respektohen të drejtat e individit dhe në këtë kuadër edhe të drejtat në pronë dhe jetesë në vendin e origjinës për secilin pa marrë parasysh përkatësisë etnike.

Mohimi i kësaj të  drejte themelore është shërbimi më i keq që mund ti bëhet shtetit të Kosovës, në fakt është me vetëdije apo jo  armiqësi. Dihet botërisht se Kosova ka kaluar kohëra të vështira gjatë viteve 90- ta dhe disa komuna janë  goditur shumë më rëndë, duke përjetuar masakrat më të tmerrshme të mundshme, por kjo nuk i jep të drejtën askujt që të ja ndaloj tjetrit kthimin në vendlindje apo në pronën e vetë vetëm se dikush është Serb apo i takon ndonjë etnie tjetër. 

Kundërshtimi që po i bëhet kthimit të një serbi në Gjakovë është plotësisht i papranueshëm edhe pse në aspektin emocional për ata që humben më të dashurit e tyre ndoshta i kuptueshëm. Ky kundërshtim me preku, andaj vendosa të shkruaj. Po shkruaj sepse e dua vendin tim, pa urrejtje dhe vend ku  secili është i barabartë para ligjit.

Shteti nuk udhëhiqet nga emocionet andaj e përkrahu plotësisht vendimin e kryetarit të Gjakovës për të mundësuar kthimin e individit të nacionalitetit serb. Kurrë nuk e kam dëgjuar dikend nga familja Jashari të ketë dal kundër kthimit të serbëve në Kosovë, edhe pse pasojat e luftës nuk i ka përjetuar askush më rëndë se ata. Nënat e Gjakovës duhet të mësojnë nga krenaria e familjes Jashari, e cila shtetin dhe të drejtat e individit i vendos mbi të gjitha.

Nuk janë fajtore individët serb që shteti i Serbisë i ka mbuluar gjurmët e krimit dhe  që edhe sot e kësaj dite  janë më tepër se 1500 të zhdukur.  Përgjegjësia duhet të kërkohet nga shteti Serb  e jo individi. Nuk është e rëndësishme se a është i pafajshëm apo i dyshuar për krime një individ serb apo shqiptar, por është e rëndësishme që së pari secili të ketë të drejtë për kthim në pronën e vetë, dhe tek pastaj janë organet e rendit ato që merren me dosjen e secilit.

Në fakt, nëse ndonjë individ që ka bërë krime, kthehet në vendin e krimit, ajo do të thotë dorëzim para organeve të drejtësisë, sepse gjersa ata qëndrojnë për shembull  në Serbi mundësia për ballafaqim me të kaluarën e tyre është zero. Ne si popull, kemi vuajtur shume për ti lejuar vetes me qenë nënshtrues ndaj pakicave, neve nuk  na bënë nderë ajo sjellje.

Ne duhet të mësojmë njëherë e përgjithmonë, që askush nuk mundë ta nxjerr askënd nga shtëpia e tij me dhunë, ligji është dhe duhet të jetë i njëjtë për të gjithë pa marr parasysh se cilës përkatësi etnike i takon. Janë të turpshme dhe të liga deklaratat e atilla. Shteti duhet të ja tregoj vendin secilit që cenon vlerat demokratike.

Njerëzit nuk bënë të kategorizohen në të mirë e të keç vetëm se janë shqiptarë apo serb ose i takojnë  ndonjë etnie tjetër , përkundrazi secili është i pafajshëm derisa të vërtetohet e kundërta. Ne duhet si popull të fillojmë të flasim hapur për përvojat tona, jo vetëm ato negative. 

Nuk është e mundshme që secili serb që ka jetuar në Kosovë në vitin 1999 gjatë kohës së luftës të ketë bërë krime apo të jetë kriminel, thjesht nuk është e mundshme. Ne mundemi ta gënjejmë veten pore jo edhe botën. Neve si popull na ndihmon më tepër të qenurit të sinqertë dhe respektues sesa të udhëhiqemi nga emocionet  apo egoizmi duke i gjeneralizuar gjërat dhe njollosur secilin që nuk është shqiptar. 

Kthimi duhet të ndodhë në secilin vend të Kosovës, edhe në Gjakovë, edhe në Prishtinë edhe në Mitrovicën veriore e jugore, secili të kthehet aty ku ka jetuar  më parë dhe ku e ka pronën.

Është po ashtu e rëndësishme që prokuroria të merret me secilin që dyshohet për krime ndaj njerëzimit, pa marrë parasysh se cilit nacionalitet i takojnë, serb, shqiptare apo nacionalitete tjera.  Vetëm kështu Kosove si shtet multi  etnik ka kuptim dhe vetëm kështu shteti ynë do të forcohet. Një shtet që nuk i mbron pakicat, ai shtet e humb të drejtën të menaxhoj me to.

Serbia u përzu nga Kosova pikërisht sepse ushtroj dhunë e gjenocid ndaj shqiptarëve si pakicë në Jugosllavi e Serbi, ne duhet të mësojmë diçka nga historia  dhe përvoja jonë. Ne nuk guxojmë ti ngjajmë Serbisë e cila e mohon çdo të keqe te vetvetja ndërsa e gjen armikun dhe çdo të keqe tek ne, thjeshtë nuk është e besueshme. Mohimi i të vërtetës është një gënjeshtër për hava, të cilën secili e kupton.

 Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".