Gazimestani dhe Vidovdani janë mohim i  identitetit historik të Kosovës shqiptare

Gazimestani dhe Vidovdani janë mohim i  identitetit historik të Kosovës shqiptare
Gazimestani dhe Vidovdani janë mohim i  identitetit historik të Kosovës shqiptare

Prof. Dr. Mehdi Hyseni

  • 02 July 2021 - 09:13

Barometri diplomatik

Shkruan:Prof.Dr.Mehdi HYSENI

*** “Kur serbët pohojnë se janë plotësisht të pafajshëm, ata dëshmojnë se janë racistë.” /Andre Glycksmann/.

***  Kjo është e vërteta mbi të “drejtën” shtetërore dhe kishtare të Serbisë kolonialiste dhe të serbëve imperialistë mbi Kosovën, si dhe mbi territoret e tjera të Shqipërisë Etnike.

*** Monumenti mitologjik serb në Gazimestan simbolizon rikujtesën historike të  racizmit, të nacionalshovinizmit, të urrejtjes, të armiqësisë, të kolonializmit dhe të terrorizmit gjenocidal të Serbisë së Madhe pushtuese të Kosovës dhe të territoreve të tjera indigjene të Shqipërisë Etnike.

Kjo është një nga arsyet dhe argumentet kryesore pse serbomëdhenjtë, kuazishkenca, politika strategjike dhe propaganda e qeverive të Serbisë dhe e Kishës Ortodokse Serbe Gazimestanin e konsiderojnë “vend të shenjtë” të tyre dhe të “fitores” së Betejes së Kosovës (1389) mbi ushtrinë perandorake turke në Kosovën shqiptare.

Si në kuptimin doktrinar, ashtu edhe në atë praktik të historisë së derisotme të marrëdhënieve serbo – shqiptare në Ballkan, Gazimestani nuk është kurrfarë vendi i shenjtë (veçëse e një mit i trilluar epik dhe disfatist religjioz dhe nacional gjithëserb) për serbët dhe për Serbinë, por është vetëm një konstantë përmbajtësore e gënjeshtrave, e racizimit, e militarizimit, e gjenocidit, e ideologjisë dhe e politikës antishqiptare e Kishës Ortodokse Serbe (KOS), e cila që nga themelimi i saj në tokat e Shqipërisë Etnike ( Patrikana e Pejës, Manastiri i Deçanit, Manastiri i Graçanicës etj.) ka qenë dhe, edhe sot, në fillimshekullin XXI (viti 2021), është në funksion të shfarosjes sistematike të shqiptarëve dhe të pushtimit kolonialist të tokave shqiptare të Shqipërisë Etnike. –Emërues i gjithë kësaj tragjedie mbi kurrizin e shqiptarëve, pa dyshim se, është edhe ndërtimi i kishës  më të re politike dhe propagandistike serbomadhe në oborrin e Universitetit të Prishtinës, të ngritur nga kryekrimineli Slobodan Milosheviq (1989-1999) për ta gënjyer dhe mashtruar Evropën dhe botën se gjoja “Kosova është tokë e shenjtë serbe”, pa shqiptarë!?

Pra, si mbi bazën religjioze, historike, politike, nacionale, ashtu edhe mbi atë ndërkombëtare kjo është kuintesenca e Gazimestanit mitologjik, i cili nuk ka kurrfarë lidhjeje me të vërtetën mbi origjinën e shenjtë etnike dhe territoriale të serbëve dhe të Serbisë në Kosovë, përveç simbolizimit -MOHIMIT TË IDENTITETIT HISTORIK, ETNIK, KOMBËTAR, GJEOPOLITIK DHE SHTETËROR TË KOSOVËS.

Me qëllim të mistifikimit dhe të sofistikimit të kësaj së vërteteje historike dhe politike mbi fantazmën mitologjike, të quajtur Gazimestan, Kisha Ortodokse Serbe (KOS) si subjekt (parti) politike dhe shtetërore, (Betejën e Kosovës, 1389) e kremtojnë “ vetë si fitore serbe”, edhe pse historikisht është vërtetuar se në atë betejë kanë marrë pjesë edhe shqiptarët nën drejtimin “e Balshajve, të cilët shtetin shqiptar e kishin ndërtuar dhe e kishin nën zotërimin e tyre që nga viti 1371 domethënë 18 vjet para ndodhjes së Betejes së Kosovës”.  Në Betejën e Kosovës (1389) nuk u përballën vetëm serbët me car Llazarin kundër forcave turke të Muratit I,  ashtu siç gënjen “epi mitologjiko-historik” dhe liturgjitë e rreme serbomëdha, të sajuara nga popat dhe nga “bishtat” e vasalëve të tyre skribomanë, por e VËRTETA HISTORIKE  është kjo: “ Në qershor të viti 1389 në Kosovë u zhvillua beteja midis ushtrive të Koalicionit të Feudalëve Ballkanikë kundër ushtrisë osmane të Muratit I. Pjesëmarrja  e shqiptarëve në këtë betejë ishte mbresëlënëse. Ndër fisnikët e shquar shqiptarë morën pjesë edhe Gjergji II Ballsha dhe Teodori II Muzaka, i cili mbeti i vrarë në fushën e luftës. Në këtë betejë morën pjesë edhe shumë ushtarë shqiptarë të Kosovës, të mobilizuar nga car Llazari.”(Shih: Kosova në vështrimin enciklopedik, Aakademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiraë, 1999, f.79).

Politizimi, ideologjizimi dhe mitologjizimi i Gazimestanit të trilluar në tokën shqiptare

Me qëllim të fundit të ruajtjes së “konstantës” së gjenezës historike të etnisë, të shtetësisë, të ortodoksizmit kishtar sllav dhe të “integritetit territorial serb”, Kisha Ortodokse Serbe së bashku me shtetin dhe me shkencën serbomadhe, ndër shekuj ka falsifikuar të vërtetën mbi ngulitjen dhe shtrirjen e “doshlakëve” kolonialistë serbë dhe malazezë në Kosovë, si dhe në territoret e tjera autoktone shqiptare të Shqipërisë Etnike (Anamoravë dhe në Iliridë-“Maqedoni”). Në këtë kontekst, duhet kuptuar edhe mitologjizimin, ideologjizimin dhe politizimin e Gazimestanit, i cili (sikurse edhe të gjitha kishat dhe manastiret e tjera në Kosovë , në Anamoravë dhe në “Maqedoni”) është ndërtuar si “simbol i kujtesës shpirtërore dhe i mbijetesës” gjithëserbe në truallin indigjen të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike.

Ngaqë me shekuj, pa asnjë arsye, shqiptarët janë treguar tolerantë, paqësorë dhe zemërgjerë ndaj pushtuesve kolonialistë serbomëdhenj, duke i amnistuar dhe, duke i harruar të gjitha gjenocidet dhe barabaritë e terrorizmave individualë, kolektivë dhe shtetërorë, duke ua ruajtur kishat, manastiret dhe gazimestanet e falsifikuara, duke ua falur krimet gjenocidale dhe terroriste /1842-2021/, Serbia pushtuese dhe kisha barbarike serbe, duke sofistikuar të vërtetën mbi shqiptarët dhe Shqipërinë Etnike në sy të botës, ndërtoi dhe i mbrojti me sukses (duke falënderuar ndihmës direkte dhe indirekte të Rusisë dhe të aleatëve të saj tradicionalë sllavë) sundimin e saj kolonial 100-vjeçarë dhe infrastrukturën kishtare serbosllave në tokat e shqiptarëve dhe të Shipërisë Etnike, toka dhe pasuri këto, të cilat ( pa kurrfarë turpi, duke gënjyerë botën me historiografinë e tyre falsifikatore, pa kurrfarë baze të qëndrueshme historike, gjeopolitike dhe religjioze etj.) i quan me “prejardhje antike” të shtetit dhe të Kishës Ortodokse Serbe!?

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".