Të ndalohet vjedhja e krimi i organizuar, do ta kemi buxhetin vjetor të shtetit të Kosovës në 3.5 miliardë euro

Të ndalohet vjedhja e krimi i organizuar, do ta kemi buxhetin vjetor të shtetit të Kosovës në 3.5 miliardë euro
Të ndalohet vjedhja e krimi i organizuar, do ta kemi buxhetin vjetor të shtetit të Kosovës në 3.5 miliardë euro

Dr. Hysni Aliu

  • 16 July 2021 - 10:18

Shkruan:Dr Hysni Aliu

Shtet ndërtimi është sfida më e madhe për një shoqëri. Është sfidë, sepse procesi i shtet ndërtimit varet nga mijëra aspekte të funksionimit, por është edhe një proces në të cilin merr pjesë çdo shtetas i vendit. Kontributi i secilit individ mund të jetë pozitiv apo negativ, ose dikush mundet të jetë indiferent në raport me atë që ndodhë në shoqëri dhe e cila ndërlidhet drejtpërdrejtë me shtet ndërtimin. 

Shteti është si familja, nëse e tërë familja punon për të mbarë, atëherë edhe përparimi nuk mungon, por edhe e kundërta, nëse dikush punon e tjetri gërryen themelet e shtëpisë, atëherë domosdoshmërish familja dështon.

 Ne si qytetar të këtij vendi, së bashku me institucionet e reja të Kosovës, duhet të punojmë natë e ditë që çdo gjë të  shkoj në  dobi të shtetit dhe mos të lejojmë pasurimin e individëve apo grupeve të caktuara kriminale që të pasurohen në dëm të shtetit. Ne duhet ta kuptojmë që shteti funksionon në bazë të buxhetit që ka, e buxheti krijohet nga pagesat e secilit individ, biznes apo aspekt tjetër ekonomik në arkën e shtetit. 

Në Finlandë, në vendin ku unë jetoj dhe punoj, secili individ është shteti, secili është polici, dhe secili është një kamerë vëzhguese për mirë e për keq. Atje, çdo gjë raportohet nga personat civil, sepse as policia e as prokuroria nuk mundë  të jetë në çdo cep të vendit. Zaten ashtu siç janë ashtu edhe i kanë punët, shteti me 5.6 milion banorë por shteti i parë në botë për shumicën e aspekteve të funksionimit të shtetit. Përveç popullatës, atje funksionon edhe prokuroria, gjyqësori, edhe krimi ekonomik dënohet në mënyrën  më të ashpër të mundshme .

Dhe a e dini pse, sepse krimi ekonomik është më i rëndë sesa vrasja e individit, krimi ekonomik vret tërë shoqërinë, vret edhe fëmiun ende pa lindur, sepse kur nëna shtatzënë nuk merr shërbimin adekuat në mungesë të financave vret fëmiun  në bark, vret të rinjtë dhe të rejat sepse dëmton kualitetin në arsim,  dëmton shërbimet shëndetësore, dëmton ardhmërinë e të rinjve sepse kur vidhet shteti atëherë nuk hapen vende pune, nuk ka perspektivë dhe rinia ike jashtë vendit, dëmton, edhe ata që janë të punësuar sepse për shkak të krimit ekonomik buxheti është më i ulët dhe pagat janë minimale, dëmton të moshuarit sepse pensionet nuk mundë të ngritën e as nuk mundë të ju ofrohet shërbimi adekuat shëndetësor, që është aq i nevojshëm në moshat e shtyra, dëmton nënat tona, sepse nuk mundë të testohen rregullisht për sëmundjet e zakonshme kancerogjene që paraqiten tek gjinia femërore, sepse buxheti mungon, dëmton motivimin dhe shëndetin mendore të secilit sepse në çdo hap has në papërgjegjësi. 

Por si të ngritët mirëqenia e këtij populli, si të ulet varfëria dhe si ti ndalet fryma krimit ekonomik  dhe korrupsionit që po na vret çdo ditë? Unë besoj, që jemi një popull i fortë dhe që së bashku mundemi të ja dalim. Kur them së bashku, e kam fjalën për të gjithë ne, secili nga ne si individ dhe secili individ në institucionet e vendit. Ashtu siç rrëzuam  robëruesit nga pushteti, ashtu mundemi ti mposhtim edhe krimin ekonomik dhe korrupsionin, bile për mendimin tim kjo është detyrë më e lehtë nëse të gjithë jemi të përkushtuar për ta bërë ndryshimin. 

Një mike ime në Finlandë, para se të filloja të shkruaj për publikun, në pyetjen time se si u ngrit Finlanda në këtë nivel dhe si mundemi ne ta ngritim Kosovën në nivelin e Finlandës, më pati dhënë këtë përgjigje; Hysni, ndryshimi fillon nga një individ, dhe zgjerohet në tërë shoqërinë, pore dikush duhet të filloj ndryshimin. Që nga ajo ditë kurrë s’kam reshtur së shkruari për çdo gjë  që kam vërejte që është e dëmshme për shtetin tim. Ja kam arritur qëllimin, së bashku me të gjithë juve, vëllezër dhe motra këtu në  Kosovë dhe në diasporë. 

Po, po tani unë mundë ti them kolegut tim në Finlandë, që në kemi kryeministër që nuk korruptohet, dhe nuk është korruptuar, po po unë mund të ju them miqve të mi me krenari që ne kemi kryetare të shtetit që nuk është e korruptuar dhe nuk korruptohet, pra kokat e shtetit ose të zotëve të  shtëpisë i kemi me dinjitet njerëzor, intelektual dhe profesional. 

Por çka po me mundon tani? Jam në Kosovë dhe po e shoh që dora e shtetit nuk është e shtrirë aty ku duhet të jetë. Korrupsioni, krimi i organizuar, mashtrimi, gjithmonë fillon nga individi, duke u zgjeruar sikurse u përhapë kjo epidemia bakteriale virale në Deçan e Peje. Këto kanë ngjashmëri. Pra, unë po e ndjej veten shumë keq, sepse kur shkoj  për të blerë mall, gjëra të përditshme apo vizitoj ndonjë restorant, në shumicën prej tyre nuk të japin kuponin fiskal.

Unë po e ndiej veten keq, sepse unë po i bashkëngjitem pa dëshirën dhe vullnetin tim hajnisë së milionerëve të Kosovës, duke blerë mall për të cilin aj që e shet nuk paguan tatim. Po, edhe unë po e ndiej veten pjesëmarrës në këtë krim ekonomik dhe pjesëmarrës direkt në dëmtimin e buxhetit të shtetit, buxhet i cili është kulmi mbi kokë për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë. Po ndihem  i kriminalizuar,  sepse po detyrohem  të heshti kur shoh hajninë në çdo vend.  Sot isha në një qendër të madhe tregtarë këtu në Kodrën e Trimave, ETC.

 Ata më dhanë kuponin fiskal, por më trajtuan si të pa dinjitet, jo fizikisht apo me fjalë por me vepër. Bleva një freskuese për dhomë, dhe a e dini sa kishte garancion, 0 ditë, ndërsa kishe mundësi për të bërë reklamacion brenda  24 orë. Ata hapen paktën dhe testuan mjetin elektronik se a po funksionon, pastaj ma dorëzuan. Unë e mashtrova shtetin tim, unë e vodha shtetin tim, andaj po shkruaj, sepse shteti duhet të ma mundësoj që paraja ime si konsumator të mos keqpërdoret, shteti duhet të më mbrojë, nëse unë dua ta mbroj atë, pra këto janë dy gjëra të lidhura njëra me tjetrën, dhe ndryshe nuk funksionon. Përse unë detyrohem të pranoj të jem njeri i rendit të dytë, dhe të më shitet malli që s’ka garancion, a është ky shteti që ne duam, dhe a është ky shteti që pretendon të hyn në BE?.

Çka nëse pas 24 orëve nuk funksionon një aparat elektronik, kujt ti drejtohem, përse të humbi paranë time për ta ushqyer kriminelin? Këto gjëra po bëhen në sy të shtetit, dhe çdo ditë, dhe këtu mundeni ta gjeni përgjigjen se përse Kosovës nuk ju hiqen vizat. Unë ju bëjë thirrje të fuqishme institucioneve të Kosovës, që të përqendrohen në luftimin e krimit ekonomik aty ku është pikënisja e tij dhe ata e dinë mirë se ku është pikënisja. Qeveria duhet të ju mundësoj konsumatorëve të raportojnë për padrejtësitë që hasin dhe mungesën e kuponëve fiskal, garancioneve, kualitetit të dobët, higjienës së dobët, apo trajtimit jo njerëzor në çdo vend ku ne si individ frekuentojmë.

 Nëse për kontroll teknike po duan ta vendosin tiketën, atëherë përse nuk vendoset në mënyrë të detyrueshme një tikete me numër telefoni Viber, në secilin objekt publik, NË SECILIN LOKAL,  në mënyrë që ne si individ mos të detyrohemi me ju bashkëngjitë hajnisë që po vazhdon në këtë shtet. Ju ftoj  të  ja qesim vetes si shoqëri dhe qeveria si institucion përgjegjës, një kusht, një synim dhe të bëjmë një plan që buxhetin e vendit tonë ta ngritim në 3.5 miliard euro brenda 1 viti.

Kjo është e mundshme nëse secili  detyrohet të paguan pjesën që i takon, dhe stopohet vjedhja. Ju garantoj, që në ditën që ky synim apo kjo ëndërr është realizuar, BE- ja do të kuptoj që jemi popull që meritojmë respekt, jemi popull me dinjitet, që respekton ligjin dhe e donë atdheun e vet, si rrjedhojë nevoja për viza do të vdiste përgjithmonë. 

Unë po ju them me plot bindje, që Vizat do të hiqen për Kosovarët, atëherë kur ne do të kemi shëndetësi që së paku i ofrohet standardit evropian, do të kemi mirëqenie sociale dhe do të kemi punësim të popullatës, kur secili nga ne kërkon kuponin fiskal, kur krimi ekonomik dënohet sikurse në vendet e perëndimit, kur respektohet dinjiteti i konsumatorit. Një miliard më shumë në buxhetin e Kosovës, e jo në duart e kriminelëve, kjo duhet të jetë motoja, kjo do të thoshte jetë, do të thoshte shëndet, do të thoshte arsimim, dhe do të thoshte liri e lëvizjes.  

 Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".