Shqiptarët përherë viktima në vendin e tyre gjatë historisë!

Shqiptarët përherë viktima në vendin e tyre gjatë historisë!
Shqiptarët përherë viktima në vendin e tyre gjatë historisë!

Shefik Shkodra

  • 16 korrik 2021 - 12:36

Shkruan:ANALISTI-Shefik Shkodra

Pse tash, Malcolm Simmons, pas aq kohe (13 vjet), ish kryetari i Asamblesë së gjykatësve të një formacioni juridik nga europianët në Kosovë, po do të rrëfehet për gabimet dhe lëshimet e EULEX-it? Pse kjo pritje e tij deri në këtë kohë? Çfarë është vlera e këtij rrëfimi për "drejtësi", e sidomos për atë drejtësi që do ta prisnin qytetarët e Kosovës në ato kohë me shumë admirim?

Pse nuk e tha një fjalë ai atëherë kur dyshoi në një pjesë të këtij formacioni? Pse Parlamenti i Kosovës e lejoi këtë ligjëratë spekuluese pas kaq kohe⁵? Sipas mendjes time shumë spekuluese në këtë kohë. 

NDOSHTA INTERESAT E DIKUJT TJETËR DUHET TË MBULOHEN ME SAKRIFICEN E DYFISHTË TË KOSOVËS 

Përherë kur e kanë filluar akcionin, për çfardo rasti, janë dukur plotë entuziazëm e të unitetit në mes veti shqiptarët. Po,  kur janë afruar për ta përfunduar me sukses punën në favor të tyre, del diçka dhe i ngatërron. I shmang nga vullneti dhe qëllimi i nismës. Kjo mënyrë i ka përcjellë gjithnjë në historinë e tyre. Sikur humbin besimin në mes veti, sikur mashtrohen lehtë. Sikur joshen me pak. Sikur gjendet dikush gjithherë e i kërcënon, duke i etiketuar e duke i shantazhuar, duke i nxitur në kundërshtim në mes veti shqiptarët, e pastaj edhe me të tjerët...

Kjo ka ndodhur gjatë luftërave ballkanike e Luftës së Parë Botërore, me presion nga Serbia dhe aleatët e saj. Kështu kishte ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për t'u mbetur rrugëtimi në gjysmë, na duket se, tre (3) faktorë kryesorë ishin vendimtar në ngecjen e tyre për gjatë historisë:

1. Pamundësia e organizimit në rezistencë unike; kjo pamundësi edhe në gjysmë paqe po u ndodh. Njëfarë euforie e pa strategji as diplomaci; një egoizëm dhe interes parcial. Një pakujdesi e mendjemadhësi.

2. Gjithherë janë gjetur elemente nga lidershipi, për mos me thënë tradhtarë, të ngashnjyer për pak gjë e të prirur në bashkëveprim me levërdi të tjetrit. Kjo ishte plasa më e madhe në platon e shqiptarëve që u ka shkaktuar dridhje, në mos edhe shkatërrime në Kullën e tyre.

3. Kushtëzimet nga rrethi (europianët) që t'i pështjellojnë punët e shqiptarëve, në mënyrë që t'ua "lidhin" kokën për interesa edhe të një pjese të europianëve, në tejkalimin e Çështjes  Shqiptare - çfaredo! Në këtë vazhdë Serbia ka investuar përherë kundër shqiptarëve dhe tokave të tyre. Kjo e mban gjendjen pezull dhe të pa sigurt në Ballkan, me elemente nga miqtë e saj. Në këtë drejtim e kanë mbështetur dhe e mbështesin rregullisht një pjesë e europianëve të interesit me valë të njëjta.

Natyrisht duke iu bërë të mundshme që të gabojnë lidershipi shqiptar në dialog apo gjëra të tjera sa për t'i zhveshur nga kredibiliteti dhe imuniteti politik. Por edhe në korrupsion. Sepse kushtëzimi është më i lehtë dhe fundi për ta kurrfare. 

ÇKA DO SERBIA ...?

Për shembull Shpërnguljen e shqiptarëve me dhunë nga trojet e tyre, nga Sanxhaku i Nishit dhe viset tjera të ashtuquajtura sot, Serbia Jugore, për të cilën e dinë europianët, nuk është komentuar më asgjë lidhur me këtë ngjarje tronditëse; pa kthimin e tyre në vendet e tyre, pa kurrfarë dëmshpërblimi, ka lënë një njollë të zezë historike të pashlyeshme. Nuk ka pasur ndihmë as nga Europa e as nga Azia (Turqia), derisa shqiptarët luftuan për Babën mbret me shekuj, po luftuan edhe për europianë, etj. Në LPB, tokat shqiptare u coptuan dhe mbeten në katër pesë shtete të Ballkanit, europianët këtë e kanë ditur dhe e dinë sepse këto vendime janë marrë në qendrat e tyre tashmë të njohura. Edhe në LDB e pas mbarimit të saj, shqiptarët qenë të manipuluar e të tradhtuar. Është bërë gjenocid dhe janë lidhur marrëveshje në mes Serbisë dhe Turqisë (vazhdim) edhe në kohën e Titos. Po për zhdukjen e shqiptarëve e në vende të tyre për t'u  vendosur serbët.

Kjo mënyrë e nëpërkëmbjes të popullit shqiptar edhe në kohët gjysmë paqeje, të ashtuquajtura "çlirim" ka vazhduar, kurr pa pushuar, kryesisht nga Serbia. - Çka don Serbia? - T'i zhdukë shqiptarët si racë, duke i vrarë, duke i nënshtruar me dhunë dhe duke i asimiluar, për t'ua marrë pasurinë e patundshme edhe në këtë rrethin më të ngushtë e për të dalë deri në detin shqiptar.

LUFTA E FUNDIT NË MES SHQIPTARËVE DHE SERBISË 

Në Luftën e fundit (1999) duhet falënderuar SHBA-t me Aleancën Veri-Atlantike dhe opinionin demokratik ndërkombëtar. Ne shqiptarët e Kosovës morëm frymë lirë. Intervenimi ishte efikas sa të shpëtohet ajo që mundi.

Mbulesa e UNMIK-ut në administrimin e Kosovës, për sa kohë që mbizotëroi në Kosovë, u pa që në fillim se, nuk ishte aq në favor të shqiptarëve. Kështu na dukej. Megjithatë shqiptarët ruanin dhe respektonin rendin ashtu siç mund të ishte në kohë. Administrata e UNMIK-ut mblodhi njerëzit lojal, ashu si ishin një pjesë në regjimin serb. Manipuloi lehtë me mënyrën e vet për të mbajtur "paqe" si me dyer të mbyllura.

Por Europa vendosi edhe një kupolë tjetër, atë të ligjit dhe gjyqit - EULEX- Europian legis! Shumë bukur! Në mënyrë naive, menduam se kjo do të jetë një ndihmesë dhe shpëtim për popullin e Kosovës, sepse shteti e shoqëria nuk mund të zhvillohet pa ligj dhe rregullore institucionesh. Shpresa në këtë ligjin e "madh" të Europës së Vjetër, çdo ditë shihej vetëm si shpresë...Asnjë gjykim nuk ka qenë real. Është parë prej së largu. Qytetarët e kanë pa se nuk po shkon diçka si duhet, po pushteti nuk e pyet qytetarin...

Po çka na sjell sot një Simmons, ish kryetar i Asamblesë së gjykatësve të UELEX-it? Pas dy-trembëdhjetë viteve po e sulmon, tash, një formacion juridik në të cilin ishte edhe përfaqësues i tij. Sikur Simmons në  atë kohë t'i thoshte disa fjalë publikisht për sjelljen e përgjithshme të  EULEX-it, do të ishte personi më i adhuruar te masa e qytetarëve të Kosovës në rend të parë. Tash për tash dalin llogari të tjera.Kësaj i thonë "veja shulin derës pas kohe!" Si ajo halla...dhe sentencë popullore është vetëm një akrobacion i panjohur po për interesa të dikujt tjetër. Evropa me këtë rast ka humbur kredibilitetin. 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".