Diplomacia perëndimore e solli Kurtin në tryezën e bisedimeve për ta nënshtruar Serbinë

Diplomacia perëndimore e solli Kurtin në tryezën e bisedimeve për ta nënshtruar Serbinë
Diplomacia perëndimore e solli Kurtin në tryezën e bisedimeve për ta nënshtruar Serbinë

Dr. Hysni Aliu

  • 21 July 2021 - 19:27

Shkruan: Dr. Hysni Aliu

-Kritikat që kohëve të fundit po i bëhen kryeministrit Albin Kurtit për linjën e fortë në bisedimet me Serbinë janë për keqardhje, dashakeqe dhe që dëmtojnë seriozisht pozicionin e grupit negociator të Kosovës. E lexova shkrimin e  profesor Milazim Krasniqi, një njeri me përvojë 30 vjeçare në politikë  ku ai thotë që kjo linjë e fortë e Kurtit, ose do të sjell fitore të madhe për Kosovën,  nëse përkrahet nga SHBA dhe BE ose do të sjell invazionin e Serbisë dhe copëtimin e Kosovës. 

Zoti Krasniqi, ndoshta i verbëruar nga benefitet e politikë bërjes, po harron që pikërisht linja e butë e Thaçit me shokë dhe kryeministrave tjerë të deritanishëm, e sollën Kosovën buzë ndarjes dhe shpërbërjes totale, po të mos ndërhynte Evropa në krye me Gjermaninë. Zoti Krasniqi po ua qan hallin popullit, se ka me u dëshpërua me Albin Kurtin, kur Serbia të ja mësyn veriut dhe ta okupoj atë pjesë të Kosovës, ndërsa nuk ja qante hallin popullit atëherë kur z. Thaçi dëshironte që me dorën e vetë ta copëtoj Kosovën nga brenda nëpërmes asociacionit por edhe të ja falë veriun nga jashtë.

Zoti Krasniqi, nëse dikush të merr diçka me dhunë, atëherë së paku ke shpresë që do e kthesh, por nëse dikujt i dhuron diçka me dëshirë, nënshkrim, atëherë mos prit që do ta kthesh ndonjëherë. Le të tregon profesor Krasniqi, se cili është gabimi që është duke bërë z. Kurti në përballje me Vuçiqin. Vuçiq gjatë tërë kohës u kthye mbrapa në Histori, duke festuar çdo vit betejën e Kosovës, duke dënuar sulmet e NATO-s që ndalen spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kosovë, duke mohuar pavarësinë e Kosovës, dhe duke vajtuar se Kosova ju nda Serbisë nga perëndimi padrejtësisht andaj si rrjedhojë, po u dashka  të gjendet një zgjidhje kompromisi, zgjidhje e cila ose do e copëtonte Kosovën, ose do e fuste sërish nën sqetullën e Serbisë.

Pra Vuçiq paska të drejtë ta mbron gjenocidin e Millosheviqit, pa u frikësuar  nga perëndimi, kurse ne si Kosovë, nuk paskemi të drejtë të ja kujtojmë Serbisë tri gjenocidet që i ka bërë ndaj popullit shqiptarë. Prej nga po të rrjedh kjo logjikë profesor Krasniqi? Kur zoti Borrel pat takuar për herë të parë z Albin Kurtin, e mbaj mend mirë kur pati thënë, që këta politikanet e ri të Kosovës, ( e kish fjalën për Vjosën dhe Albinin) duhet të përshtaten në politikën që udhëhiqet nga Brukseli në dialogun me Serbinë.

Nuk kisha reaguar atëherë, por mendoja në vete, a thua kush duhet të përshtatet, Vuçiqi, Borrel e Lajqak apo zoti Kurti e zonja Osmani.  Unë gjithmonë kam besuar që me kriminelët nuk mundë të arrihet paqja e qëndrueshme, e ashtu besoj edhe tani, si rrjedhojë me z. Vuçiq nuk do të ketë sukses dialogu, e as Kurti apo z. Osmani nuk do të përshtaten në politikën e vjetër të BE-së dhe Serbisë, e cila e solli buzë greminës Ballkanin dhe Evropën dhe politikë e cila e solli Thaçin në Hagë, por ndryshimi dhe përshtatja në një realitet të ri duhet të ndodhë pikërisht në BE dhe Serbi, nëse dëshirohet të arrihet një marrëveshje ashtu siç ka kërkuar presidenti Biden. 

Kthimi i z. Kurtit tek historia, po i tregon Vuçiqit, që Kosova ka qenë territor i okupuar nga Serbia e Jugosllavia historikisht dhe shqiptarët janë ata që ju kanë nënshtruar gjenocidit, dhe si rrjedhojë kemi  pasur shpalljen e pavarësisë së Kosovës që u vlerësua si e ligjshme edhe nga Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi. Pra kthimi në histori ja ka fundosë Vuçiqit argumentin se përse Kosova duhet ti kthehet sërish Serbisë ose të shpërbëhet. 

Zoti Krasniqi, pasi që keni qenë pjesë e politikës edhe në kohën e Rugovës, po dua të ju them që, ashtu sikurse dalja në skenë e UÇK-së në kohën e politikës së Rugovës, edhe dalja e tanishme në skenë e njerëzve me dinjitet, moral, profesional e intelektual do të jetë  tronditje për Serbinë, dhe pa marrë parasysh zhvillimeve në teren, Kosova do të jetë sërish fituese, ashtu siç fitoj lufta e drejtë e UÇK-së dhe popullit liridashës të Kosovës. Po, unë kam thënë se Z. Kurti do të zbulon fytyrën e vërtetë të Vuçiqit para faktorëve ndërkombëtar, dhe ajo  po ndodhë. 

Edhe bashkësia ndërkombëtare besoj që ka mësuar nga gabimet e veta trashanike, kur e përkëdhelte Vuçiqin, derisa ai ua bënte gropën mbrapa shpine me Rusinë dhe Kinën.  Po, kjo politike vizionare e z. Kurti me grupin e tij negociues dhe këshillëdhënës , do e shkrin akullin në mes Kosovës dhe Serbisë, por të jeni të bindur që Serbia do të del humbëse edhe nëse fillon një konflikt të ri në Kosovë e Ballkan. 

Unë si votues i Albin Kurtit e Vjosa Osmanit, kurrë nuk do  të pendohesha  për përkrahjen e tyre, sepse fundi i fundit i forti bën gjithçka, dhe me dhunë Kosova mundë të okupohet Sërish nëse SHBA dhe NATO nuk është këtu,  por kurrë nuk do të ia falja veti nëse do ta kisha votuar Thaçin, Mustafen, Hotin  të cilët deshën të ja dorëzojnë në tavolinë Serbisë pothuajse gjysmën e Kosovës pa e thënë asnjë fjalë. Mos harroni që perëndimi ka punuar gjatë që ta sjell Kurtin në tryezën e bisedimeve, ndërsa lindja e ka bërë   të kundërtën, andaj Serbia tani po vajton kur po e din me kenë po përballet. 

Kurti nuk po sillet si kapadai, apo mendjemadh jorealist, por po sillet si një burrështetas i cili me pozicionin e tij në bisedimet Brukselit, le që po na e kthen dinjitetin e nëpërkëmbur neve që jemi sot gjallë, pore po ua  ngjallë krenarinë edhe atyre që u flijuan me shekuj  për këtë  tokë. 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".