Apel për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama

Apel për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama
Apel për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama

Akademia e Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe e Arteve në Nju-Jork

  • 27 July 2021 - 09:11

Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe e Arteve e Nju-Jorkut, SHBA, lëshoi këtë 

 APEL PËR KRYEMINISTRIN E SHQIPËRISË, EDI RAMA

Duke marrë parasyshë rrethanat dhe zhvillimet më të reja  politike dhe diplomatike rreth Dialogut të Brukselit (2011-2021) nëpërmjet të cilit Serbia me presidentin e saj Aleksandër Vuçiq po këmbëngulë se “Kosova është e Serbisë”, e që në të vërtetë kurrë nuk ka qenë pronë legale, por vetëm një plaçkë e aneksuar me aggression, me luftë, me terror, me masakra dhe me gjenocid). Këtë të vërtetë, Albin Kurti (kryeministri aktual i Kosovës) ia tha homologut Vuçiq në takimin e tij të parë më të në Bruksel, më 15 qershor 2021. 

Mirëpo, Aleksandër Vuçiqi (aleati dhe miku i ngushtë kryeministrit të qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama)  kërkesën e Albin Kurtit për reflektimin e Beogradit zyrtar për kryerjen e ”3 gjenocideve serbe ndaj shqipatarëve dhe ndaj Shqipërisë, gjatë viteve 1878-1999”, e hodhi poshtë, duke e bojkotuar takimin.  Këtë sabotim Vuçiqi e bëri me qëllim që fajin dhe përgjegjësinë  para monitoruesve të BE-së (Lajçakut dhe Borelit), t’ia hidhte kryeministrit Albin Kurti, gjoja se ky “kishte devijuar” nga “axhenda negociuese” e Dialogut të Brukselit.

E vërteta ishte ndryshe, mbase minues i bisedimeve të takimit të parë me Albin Kurtin, ishte vetë presidenti Vuçiq, sepse nuk pranoi që të hapej tema për “kolonializmin gjenocidal” të Serbisë, gjatë shekujve XIX dhe XX. Këtë sabotim e vërtetoi edhe në takimin e dytë me kryeministrin Albin Kurti, më 19 korrik 2021, kur demonstrativisht dhe publikisht  refuzoi t’I pranonte “3 librat” e dhuruara nga Albin Kurti, me subjekt dhe me përmbajtje të “3 gjenocideve kolonialiste serbe ndaj shqiptarëve, gjatë viteve 1878-1999”.

Në vend që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq t’i pranonte “3 librat për 3 gjenocidet serbe ndaj shqiptarëve”, ai përsëriti parullën ultranacionaliste antishqiptare : “Serbia nikada, nikada …nece priznati Kosovo”. Kjo kur të përkthehet në “gjuhën politike”, do të thotë “ me një këmbë jemi në luftë”! Kështu që, çdo kuptim dhe interpretim tjetër  politik, është plotësisht i gabueshëm dhe i pajustifikueshëm, mbase me këtë kërcënim nga pozita e politikës së forcës, Serbia  nuk heq dorë në mënyrë paqësore nga ish-kolonia e saj 100-vjeçare (1912-1999), edhe pse më 1999 e ka humbur nga lufa e drejtë çlirimtare dhe kombëtare të UÇK-së dhe të NATO-s. Tanimë, Kosova (de fakto dhe de jure) ka ndryshuar statusin e saj të dikurshëm kolonial në një shtet të ri, të shkëputur me luftë nga Serbia, i cili është plotësisht i pavarur dhe sovran, që u përket shqiptarëve mbi 90%, jo Serbisë ish-kolonialiste dhe gjenocidale.

Ne si Akademi apelojmë arsyen e shëndoshë për marrëveshje paqësore, ashtu si diktojnë obektivat dhe parimet e Kartës së OKB-së !

Mirëpo, e drejta e vetëvendosjes, e pavarësisë dhe e sovranitetit të Republikës së Kosovës, ligjërisht de fakto dhe de jure (sipas dispozitave dhe neneve të Kartës së OKB-së, si dhe të normave, të parimeve dhe të rregullave të së drejtës ndërkombëtare), nuk duhet lejuar që të vihet në pikëpyetje nga ana e politikës kolonialiste dhe neokolonialiste të Serbisë.

Përkundrazi, kjo në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, nolens volens, duhet të jetë objekt shqyrtimi për shkak të kolonializmit gjenocidal më se 20-vjeçar ndaj shqiptarëve dhe ndaj Shqipërisë në Ballkan.

Duke qenë se presidenti i Serbisë , Aleksandër Vuçiq, as Qeveria e as Kuvendi i Serbisë absolutisht nuk po e njohin Kosovën e pavarur dhe sovrane, të cilën tanimë e kanë njohur mbi 100 shtete anëtare të OKB-së(2008-2021), me qëllim që t’i shmangemi konfliktit të armatosur   dhe të luftës eventuale, njëzërit APELOJMË Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama që urgjentisht t’i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, duke i parashtruar  Padinë e Qeverisë së Kosovës për sanksionimin dhe penalizimin e gjenoicdeve koloniaiste të Serbisë, të kryera ndaj shqiptarëve dhe ndaj  Shqipërisë (1878-1999).

Vetëm në këtë mënyrë, Qeveria e Shqipërisë së Edi ramës, de fakto dhe de jure do të rreshtohej në anën e  mbështetjes së të vërtetës historike, politike, diplomatike, kombëtare dhe ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, jo në anën e rreshtimit të Serbisë kolonialiste gjneocidale të presidentit Aleksandër Vuçiqit, duke  bërë “ekskursione politike” në trekëndshin Beograd-Tiranë-Shkup gjoja në kuadrin e njëfarë “minishengeni ballkanik”!?

Ipso facto ky nuk është kurrfarë “shengeni ballkanik”, por një “aleancë treshe”, ku fjalën kryesore  e ka Serbia e Aleksandër Vuçiqit, me synim të fundit që të dale në Detin Adriatik, jo as Kosova, as Shqipëria e as Maqedonia Veriore. Kjo farë “trojke” hibride serbosllave-shqiptare e panatyrshme, në asnjë kuptim nuk është Ballkani, e për më tepër nuk është në interesin e shqiptarëve e as të bashkimit të tyre brenda Shqipërisë Etnike. Nocioni “Ballkan” është shumë më i gjerë si gjeopolitikisht, ashtu edhe gjeografikisht sesa tri shtete të “trojkës” e theksuar.

 Fundja,   hyrja  e Ramës në “minishengen”  me Zaevin dhe me Vuçiqin, jo vetëm se është gabim politik dhe antikombëtar, sepse nuk është në interesin nacional të shqiptarëve dhe të Shqipërisë, por edhe në kolizion flagrant me NATO-n, ngaqë Shqipëria de fakto dhe de jure nuk ka kurrfarë të drejteje të hyjë në pakte dhe në aleanca të tjera sllave apo josllave ballkanike apo ndërkombëtare.

Që tradhtia ndaj Kosovës, të mos përsëritet tri herë, Qeveria e Edi Ramës, sa më parë të jetë e mundur, duhet  të kërkojë  nga Qeveria e Albin Kurtit, që padinë e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, t’ia dërgojë Qeverisë së Shqipërisë, në mënyrë që kjo si anëtare e OKB-së, t’ia dorëzojë Asamblesë së Përgjithshme në Nju-Jork. Ndryshe,  ‘dashuria idilike” dhe “ngjizja” politike dhe diplomatike anacionale e Ramës me Vuçiqin, në çastin historik, kur kryeministri i Shqipërisë, do të duhej të ishte krahpërkah me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka vetëm një emër-tradhti, sepse pa pajtim dhe pa bashkim gjithëshqiptar nuk do të ketë as liri, as  dritë, as paqe, as perspektivë e as ardhmëri të sigurt për kombin shqiptar e as për Shqipërinë Etnike në Ballkan.

Sa më sipër, për t’u distancuar nga historia, nga politika dhe nga diplomacia e esat pashë toptanëve serbofile  në favroin e politikës kolonialiste dhe gjenocidale të Serbisë së Nikola Pashiqit (ish-kryeministër, ish-ministër i Jashtëm etj. 1912 -19126), kryeministri Edi Rama, duhet ta braktisë miqësinë dhe aleancën me presidentin Aleksandër Vuçiq dhe Zoran Zaev, e t’i kthehet me urgjencë përqafimit vëllazëror  të Albin Kurtit (kryeministër i Kosovës), sepse vetëm bashkëmendimi, bashkëveprimi, bashkëqendresa dhe besa e vëllait me vëlla dhe e motrës me motrën, mund t’i shpëtojë shqiptarët dhe Shqipërinë Etnike në Ballkan, jo aleanca dhe miqësia tradicionale historike e tradhtisë dhe e pabesisë së larove me serbo-slslavët ballkanikë.

Pra, vetëm pajtimi, mirëkuptimi, haromonia dhe bashkimi, duhet të jenë një nga objektivat dhe nga detyrat prioritare strategjike kombëtare dhe shtetërore të Shqipërisë së sotme, jo përqafimi dhe “bizensi” tregtar politik me Vuçiqin dhe me Serbinë. Ne nuk jemi kundër serbëve, por vetëm kundër politikës pushtuese dhe gjenocidale e hegjemoniste të serbëve dhe të Serbisë. Kuptohet, ne duam paqe me Serbinë, por jo të jemi koloni e dikurshme nën Serbi (1912-1999).

Akademia  Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe e Arteve në Nju-Jork, SHBA,

Prof.Dr. Skënder Kodra ( kryetar),

Prof.Dr. Mehdi Hyseni (nënkryetar)

Nju-Jork, më 26 korrik 2021

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".