Një fanatizëm dhe urrejtje deri në shpërthim poltik

Një fanatizëm dhe urrejtje deri në shpërthim poltik
Një fanatizëm dhe urrejtje deri në shpërthim poltik

Shefik Shkodra

  • 17 August 2021 - 18:00

Shkruan: Shefik Shkodra

(O luja luja Edi Rama! Fshij krejt çka të del përpara!...)

Qe, s’dëgjon akëcili në pushtet i veprimtarisë së tij fluturuese, i politikës shkundulluese, kundërshtuese e antishqiptare, këtu duhet të ndalesh dhe të mendosh, çfarë është mundi i tij. Njëherë trajtohet një problem, shoshitet dhe shihet, se a është e vërtetë për atë që e thotë dikush, apo ka qëllime të tjera. A mund të vijohet në atë kurs, apo ka diçka që duhet të korrigjohet. Mirëpo, të gjitha shkrimet e reagimet nuk kanë asnjë vlerë për pushtetarin, si Edi Rama dhe kompaninë e tij. Atij që ia dha populli besimin. Kjo do të thotë, “foli Zenes, foli stenës!” Megjithatë, të grish diç e s’të lë të qetë edhe në këtë verë të nxehtë. Do të ishte e pa shëndetshme për vetveten, të mos i them disa fjalë lidhur me aferat politike që krijohen këtu te ne, në Ballkan, me implikime të vetë shqiptarëve kundër shqiptarëve, për të mos thënë, me një organizim ditë e natë, për orientime që çon ujë në mulli të armikut. Kështu ia thotë mendja atij (Edit), më mirë për interesa serbo-sllave, e në të njëjtën kohë gjithsesi kundër e në dëm të shqiptarëve dhe tokave tyre. Mu në këto kohë...Diçka e tillë s’është hera e parë! Po nuk është paramenduar se një kryeministër i Shqipërisë do ta sillte këtë farë plani...

Këtu kemi të bëjmë me një politikë, të quhet edhe kjo politikë, sui generis. Dhe iniciativa është publikisht e orientuar dhe e organizuar nga kryeministri i (shqiptar) Shqipërisë, Edvin Kristaq Rama. Po ai, kah i merr këto direktiva? Thonë, dita...shihet në mëngjes. Edhe kjo nisma e këtij E. Ramës është parë herët, atëherë kur ishte kryetar i Bashkësisë së Tiranës, duke dhuruar, Çelës të Qytetit, njeriu që i këndonte vrasjes së shqiptarëve. Hë, kusho! Pata reaguar edhe atëherë në shtypin e kohës...(Shih, nga autori i këtij shkrimi, përmbledhjen e artikujve, “Ëndrra Shekullore dhe Fantazmat”, SHB ‘Kurora’, Gjilan, 2016.)

Nëse shqiptarët nuk japin copa toke, atëherë duhet fut spica në mes tyre

Jam kujtuar dhe isha kureshtar për këtë farë pazari të neveritshëm, mos ka diç të interesit për shqiptarët, njëfarë treshe, që është bashkuar në Ballkanin Perëndimor pa Kosovën, (Serbi, Shqipëri, Maqedoni e Veriut), ani nga një artist – pushtetar shqipfolës, po më duket punë që s’do të shënojë asgjë pozitive për shqiptarët, pos një gjurulltie gjatë kësaj vere në bregdetin shqiptar për do fitime kohore, me jehonën e tingujve të këngës serbe. E atë e kanë për qejfi shumë, një pjesë e shqiptarëve dhe E. Rama. S’është keq. Arti s’ka kufi. Veç rasti është pak i ndjeshëm dhe cila është arsyeja dhe plani madhor? Çfarë do të fitojë ky artisti shqipfolës i pushtetshëm, që u gjet në bashkimin e këtyre vendeve, në këtë zgjedhje bashkëpunimi, për qarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve pa kufi, duke e quajtur njëherë Mini-Shengen, demek, Ballkani si një Europë e Dytë, e duke mënjanuar Kosovën (s’ka dashur të dëgjoj as të pyes kënd), sepse ai e di qëllimin e vet. Nuk dihet, a i ka pyetur edhe ata më të afërmit?! Me aleatët e kësaj iniciative, me në krye piktorin shqiptar, ishte xhelati i shqiptarëve të Kosovës, kryetar i Serbisë, Aleksandër Vuçiq (shpresa e madhe e vëllait – Edi Rama e edhe e H. Thaçit); A. Vuçiq e kishte gatuar mirë këtë farë farsë në laboratorët serbiane. Në projekt ishte edhe ky trimi shqipfolës, por një herë për një herë, si fshehtas me do “shlivovica”, në Nish dhe vende të tjera të Serbisë, natyrisht derisa të merrte pak frymë në sigurinë e tij dhe ta shpallë “Veprën” që do bëhet me të “hero” i pavdekshëm. Sigurisht i serbëve! Serbia ka qëllimet e veta: Nëse shqiptarët nuk ka mundësi që t’i tradhtojë dhe t’ua merr tokat, e gjen piktorin – vëllamin e “madh” nga shqiptarët që t’ia bëjë këtë shërbim. E të thyer shqiptarët në mes veti, mundësitë për Serbinë janë më të favorshme. Menjëherë një thyerje në mes shqiptarëve... Në mënyrë që t’i kushtëzojnë udhëheqësit shqiptarë të Kosovës, “ja do jepni tokë për vëllain Vuçiq, ja do të mbylleni”, me ndihmën e Edi Ramës më parë, dhe do të mbeteni ju, “miqtë” kosovarë, si në një ujdhesë të shkretë deri në dorëzim. Hë! Aftësia e artistit tonë pushtetar! Nuk e di, a pranon ai ta quajmë fare si “njeri tonë”, sepse nuk dihet me kë dhe kah po ia mban në këto rrethana të një politike globale. Ky farë ortodoksi, apo kurrfarë kërkushi, nuk dihet s’e sa është i paguar, apo veç sa inati ka ndaj shqiptarëve në Kosovë?! Veç, kusho, bravo Edi Ramës! Me këtë potez si në lojë shahu, ia arriti që të bëjë ndarje të shqiptarëve. Pjesërisht. Këtë e ka planifikuar moti ky zotëria dhe zyra e tij. Me shumë punë dhe me fjalën e tij është pa sjellja e tij, s’duam ti numërojmë të gjitha. E megjithatë, do të më mbajë shpresa, se shqiptarët e Shqipërisë dhe intelektualët e mirëfilltë atje dhe kudo që janë, nuk do të mendojnë të gjithë si mendon ky mbreti i përkohshëm i tyre me disa publicist mercenarë.

Nuk je ti ai pashai që po e mendon veten, pos një spicë e shqiptarëve

Parimisht, askush nuk ka të drejtë të përzihet në punët qeveritare të Shqipërisë. Ata janë të pavarur. Por, e kundërshtoj këtë veprim të Edi Rames, duke ditur se nuk ma merr mendja, që ai është tipi që do të mashtrojë serbët dhe sllavët, për diçka të favorshme për shqiptarët dhe të tjerët. Nuk ma merr mendja se ai mund të jetë një lider i Ballkanit, ashtu qysh po pretendon. Nuk po ma merr mendja që Serbia, më në fund ta “vokë” atë ujë e të bëhet lider e Ballkanit, vetë ajo. Serbët e armiqësuar me të gjithë fqinjët përreth. Njëzet vjet nuk mund të pushojnë të qetë pa luftë. Kusho, kështu është parë gjatë etapave historike deri në këto kohë. Serbët besë nuk kanë as sa një qime floku. Qysh është ai konstatimi nga të tjerët, një natë nëse e ke mysafir serbin, të dytën të hedh për dritareje, duke ta mohuar shtëpinë tënde dhe duke të plaçkitur me çka ke. Edi Rama, i ke parë ti shumë gjëra historikisht deri në këtë shekull ndoshta, më mirë se unë i ke lexuar, sepse po ia mban veti se di shumë. Të gjithë të tjerët i quan injorantë, vërtet injoranti nuk durohet, po do duhej shumë kujdes. Të gjithë të tjerët i shan e ofendon, si të ishin zagarë të rrugëve dhe jo njerëz që marrin apo s’marrin vesh diçka në këtë botë. Je një mendjemadh. Nuk e di si të duron populli. Bëhesh një farë zhongleri për teatro mesjetare. Nuk e di pse të votojnë, partia jote ka mjaft njerëz të ngritur dhe shumë më të kujdesshëm se ti.

Edhe një samit për Ramën, Vuçiqin e Zaevin

Kozmopoliti Edi, e siguroi edhe një takim në Shkup, vetë i treti, kuptohet me atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiq (njeriu i cili nuk do të duhej të pranohej as në dialog për shkak se në kohën e luftës me Kosovën, ishte ministër i Kriminelit Milosheviq), të Maqedonisë Veriore, Zoran Zoev. Në këtë ditë kësaj kampanje ia ndërroi emrin Edi, prej Mini-Shengen, në Hapja e Ballkanit. Do të thotë, pak më thjesht e qartë, serbët dhe të gjithë sllavët pastaj mund të hyjnë pa mundim deri në atë vend, për të cilin gjithnjë vajtojnë për të, në Bregdetin Shqiptar, porosi prej nënës Rusi. Në Skelen e Durrësit, por edhe në portet tjera. Për këtë kishte luftuar Serbia dikur (1913/1914/15, etj.) – “Pozdrav iz Draća” – ushtria serbe! Edhe atëherë ishin të vëllazëruar disa shqiptarë me Serbinë, por le të lexojnë literaturën historike, sa fshatrat shqiptare janë rrënuar, sa viktimat e pafajshme janë bërë, në mënyrë më barbare nga ushtria serbe, nëpër truallin shqiptar të kësaj Shqipërie, edhe pse “mike”. Shikojeni veprën e oficerit serb, Dimitrije Tucoviq dhe jo vetëm atë, i cili ishte pjesëtarë në Luftërat ballkanike, se si e përshkruan gjendjen dhe krimet e serbëve mbi populli e Shqipërisë. Tash Edi është, kusho, një vëlla i ri, i moderuar e shumë i respektuar – kozmopoliten, që pa luftë do ta sigurojë Serbinë deri në këto vende. Do të thotë, krejt çka të donë, le të veprojnë në tokat shqiptare, e ju tjerët “në paçi çka me ba, bani!” Unë jam Edi Kristaq Rama! Është si më parë një shekull e më tepër, pas asaj e marrëveshjes Nikolla Pashiq – Esat pashë Toptani, pastaj këndohej si me krenari: “Mu’ m’thojnë Esat pasha heci me ordi...”, etj. Ti kusho, nuk e di, mund të hidhërohet ky farë babahovi dhe të betohet edhe për diçka më keq, por kjo gjendje i ngjan tamam asaj kohe me ato personazhe, kur duhej të themelohej një Shqipëri Etnike, ai dosti i Serbisë, dëshironte të zhdukë e t’ia jep Serbisë a kujt do tjetër. Pëlqente i ndjeri vetëm një rrip tokë sa për vete e me kurorë princi. Eh, çka mund të flitet më shumë?! Pas më tepër se një shekull po ripërsëritet praktikisht thënia e Konicës: “Armiqtë më të mëdhenj të Shqipërisë janë vetë Shqiptarët”...Të them të drejtën, më vjen mirë për thënien e qëndrueshme deri sot të këtij intelektuali e dijetari (që kam shumë simpati për të), për vizionin e tij dhe vlerësimin për popullin e vet, por më vjen shumë keq, që ende po gjen vend kjo thënie, e cila është rreziku më i madh në praktikë për shqiptarët dhe tokat e tyre serish. Dhe deri më tash, ashtu ka filluar, me dhënien e disa copave të tokave të Kosovës fqinjëve...Edi, a do t’i bashkosh shqiptarët? Ti punon me dhunë, i prish e i pajton, ndoshta, kur ti preferon e dëshiron?!...

A fole diç të mençme në Shkup për shqiptarët? – Jo!

Në këtë takimin e Shkupit ta përcolla ligjëratën tënde. Mund të formosh edhe Jugosllavi të Vogël, por jo edhe shtet shqiptar. As bashkim të trojeve shqiptare. As nxitje të Serbisë për pranim të shtetit të Kosovës, as...as asgjë! Kjo është një tradhti me vulë. Tjetër s’del.

Edi Rama kishte një vëlla në Kosovë, ai tash nuk gjendet këtu, i zënë me do halle tjera, një tjetër vëlla e ka në Beograd. Po megjithatë edhe pa vëllain e tij në Prishtinë mund ta lozë vallen e një paternalisti, i cili s’ka kë e pyet se çfarë do të bëjë me Ballkanin Perëndimor. ‘Kosova është në hartën e Serbisë}’. “Kosovarët janë malokë e kokëtrashë! Të pakulturuar!” dhe pos njërit, vëllait Hashim, “Ata janë gomarë!” Ai veç duhet t’i thërrasë, “ejani si thotë unë Edi Rama... çka po pritni? Nëse Europa është një Jugosllavi e madhe, edhe ne do ta bëjmë një Jugosllavi të Vogël!” Shihe dhe dëgjoje ti këtë politikan të “shquar” sipas mendjes së tij dhe kompanisë, apo ky i “fshirë” tërësisht në mendtë e tij, apo i “fishkëlluar” vërtet nën ndikimin e ndonjë narkoze?! Kush ia dha të drejtën që ta thotë edhe këtë, si diçka shumë “vepër kolosale”; do të thotë, kur dikush vdes, Edi e ngrit në këmbë të gjallë. Natyrisht me forcën e meditimeve nakorziste të tij. Ka nja njëzet (20) vite që është bërë një kasaphane në mes “miqve” të Kosovës dhe “vëllezërve” nga Serbia, po kjo duhet të harrohet sa më shpejt. Dhe, “s’ka të kaluar, veç të ardhme!” Kështu e cilëson këtë punë Edi, ndoshta po gaboj, mos di diçka që nuk dihet për të tjerët. Por krejt pamja e kësaj veprimtarie, që shihet e dëgjohet, nuk na duket gjë tjetër pos një tradhtie kombëtare! A për interes, a për inat...?! Që të dyja!

Përforcimet në vëllaznillëkun e Shqipërisë së Edit dhe të Serbisë së Vuçiqit

Thirrja e një këngëtari për Festë nga Serbia, në kushte normale nuk do të ishte ndonjë problem. Dhe tash nuk është problem, sikur të mos pështillte kryeministri i Shqipërisë me Ballkani i Hapur pa Kosovën. Dhe kjo Festa Korçare me artistët del shumë politike.

Më vjen keq të them edhe diçka: shqiptarët në Shqipëri vërtet e ndiejnë veten të çliruar nga një rrethim, zënie fryme e prangosje në liritë individuale e kolektive. Tash, një pjesë e tyre rrëfejnë për kulturën e njerëzimit, liritë e njeriut, lërimi i kulturave të ndryshme të popujve të tjerë, sikur askush tjetër. Dhe krejt në rregull. Por, t’i drejtohesh dikujt tjetër për artet e stilin, se, nuk duhet të përzihet me polikë, se arti është i krejt njerëzimit, arti s’ka kufi, se ai fisnikëron dhe stimulon shpirtërisht, se ai bashkon njerëzimin, etj. sidomos në këso rrethana konkrete, kjo është shumë naive e paradoksale. S’ka nevojë të sqarohemi më tepër.

Po ky kryeministri i kulturuar, herë si ndonjë palaço me do gëzofë i veshur e herë me do majica e patika, herë si gjysmë porno, herë me një këmbë të përvjelë pantollanat, e ndien artin me njëfarë stili të veçantë, a? Për këtë i dha Çelësin e Qytetit, një sharlatani, një matufi, një pall magari në atë gjuhën barbare e të kriminelit! Mund të jetë edhe i preferuar i dikujt, s’ka gjë. Po ky Edi ishte ai që kishte bërë zgjedhjen “përfekte artistike”, që të dallohet se Edi është, vetëm Edi kozmopoliten...! Hëh! Kjo ta rrit qejfin në një anë. Po ana tjetër nuk përkon me realitetin. Vëllai është miqësuar me dushmanin! Dhe kjo ngjarje iku për dy-tri ditë bisedë, me pak fjalë për Çelësin..., se në Prishtinë ishte vëllai tjetër që nuk e merrte seriozisht të çohet pluhur për gjëra që vendos vëllai në Tiranë. E mileti jonë... Nëse i thotë dikush nga pushteti, s’keni darkë sonte, u bë!

E “lumja ti moj Korçë...” apo?!

Kjo Korça historike e kulturore, e hershme e shqiptarëve. Korça vorbull ngjarjesh historike ekonomike e kulturore. Korça e Shkollës Shqipe. Korça e Bajo e Çerçiz Topullit, Korça e vjetër me emigrantë në anë të botës dhe e rilindësve e e veprimtarëve më të zellshëm për çështjen kombëtare. Korça atraktive me ariet e këngëve vendore, me serenatat te dritaret e dashnoreve, me trëndafilat e bardhë dhe të kuq. “Lumja ti moj Korçë...” Korça muze për kulturën e historinë gjithëshqiptare. Korça me qytetërim të veçantë e të hershëm. Në këtë vlugun e ri të politikës së Edit e Vuçes, tash, përforcimi real vjen si ilustrim, për vëllazërimin shqiptaro-serb në shek. XXI, kur këta të Korçës e presin krahëhapur këngëtarin, i cili është nxitës i zërit për luftë të Çetnikëve mbi shqiptarët e Kosovës, frymëzim e lëvdëratë për kriminelët. Në Festa e Birrës, kanë vendosur që po i njëjti tip në emër të Serbisë, që ishte i mirënjohur para disa viteve me Çelësin e Qytetit, Goran Bregovic, të jetë i ftuar në festën e dashur dhe t’i argëtojë shqiptarët për të satën herë! Po kësaj radhe më me vendosmëri, e me një mikpritje të përforcuar të asaj që po flitet nëpër këndet e kafeneve të deritashme. Pra, këtë herë, me ftesë shumë zyrtare!

Edhe njëherë po them, nuk dua të besojë se të gjithë shqiptarët e as korçaret janë të kësaj mendje!...Dhe në ndërkohë, nuk na ndalon askush marrëdhëniet, e aspak nuk na ndalon vizitën e vëllezërve tanë dhe vendeve të Shqipërisë!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".