“Ballkani i Hapur”, më shumë me përmbajtje politike sesa ekonomike e tregtare

“Ballkani i Hapur”, më shumë me përmbajtje politike sesa ekonomike e tregtare
“Ballkani i Hapur”, më shumë me përmbajtje politike sesa ekonomike e tregtare

Mehdi Hyseni

  • 20 August 2021 - 12:24

Thjesht ka karakter gjeopolitik dhe gjeostrategjik të sferave të interesit të Rusisë, të Kinës dhe të Serbisë së Madhe në Ballkan, me qëllim të fundmë që t’i kundërvihen agjendës së interesave afatgjata politike, ekonomike, integruese dhe ushtarake të Amerikës dhe të partnerëve të saj të Paktit NATO.

Pa dyshim se, realizimi  i këtij projekti serbomadh, do të ishte fatalitet për të gjithë popujt e Ballkanit, sepse ndërkohë kjo zonë, do të militarizohej nga Rusia dhe nga Kina, ku më së shumëti, do të përfitonte Serbia dhe sllavët e tyre ballkanikë (minus Malit të Zi). Si rrjedhim, nuk do të përjashtohej edhe shpërthimi i ndonjë konflikti të ri të armatosur midis boshtit ruso-kinez dhe Amerkës me aleatët e saj evropianoperëndimorë, të cilët qe 30 vjet kanë investuar shumë në Ballkan, me qëllim të përmbylljes së luftërave në Kroaci, në Bosnjë, në Kosovë dhe në Maqedoninë Veriore.

Prandaj, si Amerika, ashtu edhe aletatët e saj evropianoperëndimorë, duhet ta kuptojnë dhe ta kenë të qartë se Projekti “Ballkani i Hapur”  ka karakter militarist serbo-rus-kinez, edhe pse kjo nuk shkruhet dhe nuk thuhet askund nga themeluesit e tij. Prapavija e fshehtë  e tij, thellësisht ka të bëjë me krijimin e sferave të interesit të fuqive të mëdha, siç janë Rusia dhe Kina në Ballkan, me qëlim të zhbalancimit të ekuilibrit të deritashëm amerikano-evropian perëndimor në Ballkan.

 Natyrisht, ky është thelbi i sensit të perifidisë së politikës dhe të diplomacisë paqësore serbomadhe, që kinse në emër të interesave ekonomike, të tregut të lirë dhe të lëvizjes së lirë të njerëzëve, të qarkullimit të kapitalit etj., të bëhet një ndryshim rrënjësor i strategjisë politike dhe ushtarake të Amerikës dhe të aleatëve të saj evropianoperëndimorë, me qëllim të “përzënies” së tyre nga Ballkani për të dominuar Rusia dhe Kina, duke e modernizuar ushtarakisht dhe,duke e mbështetur  ekonomkisht Serbinë si “piedmont” të sllavëve në Ballkan. Ky është qëllimi katastrofik i  të ashtuquajturit “Ballkani i Hapur”, jo as integrimi, as bashkëpunimi dhe as zhvillimi ekonomik e tregtar mes vendeve të rajonit ballkanik. Ky është vetëm një bllof sa për t’u hedhur pluhur syve BE-së, NATO-s dhe Amerikës, me qëllim që të fitojnë ndihmën dhe pëlqimin e tyre  për jetësimin e projektit të tyre, sepse ndryshe nuk kanë kurrfarë gjase, që t’u hapin rrugën e sigurt dhe , pa asnjë pengesë rusëve dhe kinezëve, që të “pushtojnë” Ballkanin ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht.

Prandaj, duke parë një rrezik të tillë, Amerika dhe Evropa Perëndimore (BE-ja) nuk parapëlqehet që të mbështesin “Ballkanin e Hapur” të Vuçiqit-Ramës dhe Zaevit, por, nevojitet t’i detyrojnë që të bashkëpunojnë dhe të kenë marrëdhënie konstruktive dhe reciproke me BE-në përmes mekanizmave dhe standardeve të saj në fuqi, sepse kjo është rruga e vetme e zhvillimit, e përparimit dhe e perspektivës së të gjitha shteteve të Ballkanit, jo të distancohen dhe t’u kundërvihen interesave ekonomike, strategjike dhe integruese të agjendës ekzistuese të BE-së.

 

 “Ballkani i Hapur” rrezikon  jo vetëm shtetësinë e Kosovës, por edhe të Malit të Zi !

 

Së pari, nëse Kosova nuk njihet nga OKB-ja (si subjekt i së drejtës ndërkombëtare), projekti i treshit (Vuçiq-Rama-Zaev), i quajtur “Ballkani i Hapur”, do të jetë forma më e përshtatshme dhe më perfide e politikës dhe e diplomacisë së Beogradit zyrtar, që Kosovën ta rikthejë nën sundimin paraprak kolonialist, si pjesë  të territorit dhe të shtetit të Serbisë së Madhe. Ky është qëllimi kryesor dhe visional i presidentit serb Aleksandër Vuçiq, që përmes integrimit ekonomik, tregtar, kulturor etj., të përfitojë politikisht, duke kthyer prapa koloninë e humbur-Kosovën nën Serbi, si dhe duke sjellë aleatët dhe partnerët e saj (Rusinë dhe Kinën) në Ballkan. Kjo do të ishte fitorja më e madhe pollitike dhe diplomatike e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, sepse në këtë mënyrë, do t’ia arrinte që t’i konfrontonte Rusinë dhe Kinën me Amerikën, duke prishur raportet dhe ekuilibrin e deritashëm politiko-ekonomik dhe ushtarak strategjik të SHBA-së dhe të partnerëve të saj evropianoperëndimorë në Ballkan (1990-2021). Ky është rreziku potencial, që fshihet nën vellon e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar integrues të “Ballkanit të Hapur”, të shpikur dhe të krijuar nga  “strategët” projektues (Vuçiq-Rama-Zaev) të Serbisë, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë Veriore.

 

Për shkak se Moskës dhe Pekinit, do t’u happen portat dhe favoret e reja për të depërtuar lirshëm, dhe pa asnjë pengesë në Detin Adriatik dhe në tërë Ballkanin, jo vetëm në kuptimin ekonomiko-tregtar, por para së gjithash në atë gjeopolitik, gjeostrategjik dhe ushtarak, që do të jenë në favorin e zgjerimit të politikës neokolonialiste dhe hegjemoniste të Serbisë  së Madhe në Ballkan. Kështu, po qe se do të vinte në shprehje realizimi i Projektit “Ballkani i Hapur” (Vuçiq-Zaev-Rama), që sipas merrëveshjes së tyre të arritur në Shkup më 29 korrik, do fillonte të zbatohej në fillim të vitit 2023, kjo do të ishte fatale jo vetëm për Kosovën si shtet i papërfunduar juridikisht sipas së drejtës ndërkombëtare, si dhe në veçanti, edhe për Republikën e Malit të Zi, ku Rusia do ta s“përpunonte”, që ta kthente në zonën e sferës së interesave të saj dhe të Serbisë, duke dëmtuar dhe rrezikuar direkt dhe indirekt edhe statusin e tijj në NATO dhe në marrëdhëniet e partnerizmit me Shtetet e Bashkuara dhe me aleatët e saj evroperëndimorë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"