Tirana dhe Prishtina janë në gjumë përball asimilimit dhe zbrazjes së trojeve shqiptare!

Tirana dhe Prishtina janë në gjumë përball asimilimit dhe zbrazjes së trojeve shqiptare!
Tirana dhe Prishtina janë në gjumë përball asimilimit dhe zbrazjes së trojeve shqiptare!

Muhamet Kelmendi

  • 27 August 2021 - 09:46

Shkruan: ANALISTI - Muhamet Kelmendi

 Çështja kombëtare është duke vuajtur për shkak të mos veprimit dhe mos koordinimit të punëve midis Kosovës dhe Shqipërisë. Këto dy shtete janë bërë si me qenë të kontinenteve të ndryshme, e jo një popull me elemente të njëjta kombëtare. Kjo mos punë   dhe ky mos koordinim po reflektohet ashpër edhe në këto dy shtete. Ndërsa, shumë më ashpër në Luginën e Preshevës, atje ku pothuajse nga Presheva, Bujanovci dhe Medvegja veç janë dëbuar shumë shqiptar me mjete të ndryshme represive. Mos ekzistimin i një plani kombëtar, ka krijuar gjendje të rëndë, kudo ne hapësirën shqiptare. Në këtë anë as Shqipëria dhe as Kosova nuk kanë asnjë plan mbi territorin e shqiptare jashtë këtyre shteteve.

Tirana dhe Prishtina nuk kanë plan mbi të ardhmen e Luginës së Preshevës, të viseve shqiptare në Malin e Zi, atyre në Maqedoninë e Veriut dhe as për Çamërinë e asimiluar. Këto dy shtete kanë rënë në gjumë dimëror si ariu në dimër. Ndërsa, territoret shqiptare po tkurren me dëbimet e mëdha dhe masive të shqiptarëve nga viset e veta. Tash në Luginën e Preshevës, si Medvegja është e asimiluar. Po vazhdon asimilimi i territoreve shqiptar në  Bujanovc dhe në Preshevë. Me këtë trend pritet që brenda një decenie të kemi strukturë nacionale të disfavorshme për shqiptarët. Më mirë nuk është gjendja as në viset shqiptare në  Malin e Zi. Atje ka mbetur vetëm Ulqini dhe Tuzi , ndërsa Plava e Gucia veç janë asimiluar.

Për Çamërinë dihet gjendja. Pritet që me mjete ekonomike dhe sociale të përcjellura me masa politike të tkurren edhe territoret shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Tërë kjo gjendje e rëndë që po troket te portat e Tiranës dhe Prishtinës nuk po merren në shqyrtim. Gjumi i rëndë i interesave personale dhe grupore i ka kapluar zyrtarët e këtyre dy shteteve. Ata as që duan të dinë për këto pjesë të kombit. Shqiptarët janë të ndarë, jashtë vendit të tyre, në pesë shtete. Nuk kemi asgjë konkrete për ndaljen e shqiptarëve në territoret e veta. Asimilimi i vendeve shqiptare po bëhet me të madhe. Asgjë konkrete nuk kemi të përcaktuar nga Tirana dhe Prishtina për Luginën e Preshevës. Atje nuk po ndërtojmë as shkolla dhe as institucione elementare për jetë. Nuk kanë punë dhe as çerdhe dhe ambulanca.

Kurrë asnjë shtëpi nuk u ndërtua nga këto shtete për shqiptarët në Luginë. Fatkeqësia e tillë është edhe në Malin e Zi. Kurrë nuk u investua asgjë në territoret shqiptare atje. Kështu është edhe për viset shqiptare nën Maqedoni etj. Dhe, për fat të keq, po vazhdon avazi i njëjtë. Edi Rama nënshkruan "Ballkan të Hapur" me shtetet që asimilojnë territore dhe dëbojnë shqiptarët. Prishtina e Albinit flenë në gjumë dhe bënë retorikë politike me elemente patetike me të kaluarën e pushtetit në Kosovë. Fat i keq. Po si dhe pse kjo? Duket se Tirana dhe Prishtina janë të izoluara nga vetja e vetë me interesa të ngushta karrieriste dhe ekonomiko-financiare. Këtyre nuk po iu interesojnë shqiptarët jashtë. Për Kosovën dhe Shqipërinë nuk ka Luginë të Preshevës, nuk ka Ulqin, as Plave e Guci as Tetovë e Ohër as Çamëri. Turpi i interesave i ka kapur dhe i kanë shndërruar në grupe të interesit me një vetëkënaqësi mendjemadhe.

Tash as që flitet me Edi Ramen dhe Albin Kurtin. Mendohet se janë të zbritur nga planetët e ndryshme për të qeverisur në tokë. Ata nuk po mund të rrinë pa veshje të nuseve, pa rruaza xixëlluese dhe hallahpopka të domërit. Këtu ka interesa dhe veprohet me mjete për to. Por deri kur! Kjo eshte një çështje që do të varet nga qytetaret tanë. Shqiptarët nuk duhet lejuar zyrtarët në Tiranë dhe në Prishtinë në këtë gjendje. Presioni politik duhet të thellohet. Masat demokratike duhet të shfrytëzohen dhe vota duhet të jep rrezultatin konkret. Shqiptarët kanë nevojë për një plan mbarëkombëtar dhe të unifikuar e obligativ për ne.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".