Kjo Qeveri ka një përgjegjësi historike për fillimin e procesit të ndryshimeve në çdo aspekt të funksionimit të shtetit

Kjo Qeveri ka një përgjegjësi historike për fillimin e procesit të ndryshimeve në çdo aspekt të funksionimit të shtetit
Kjo Qeveri ka një përgjegjësi historike për fillimin e procesit të ndryshimeve në çdo aspekt të funksionimit të shtetit

Dr. Hysni Aliu

  • 30 August 2021 - 12:13

Shkruan: Dr. Hysni Aliu

-Një mik i imi i çmuar para disa ditëve me tha ” Hysni, ne në Kosovë, gjithçka e kemi tallava, muzikën tallava, politiken tallava, shkollat tallava, shëndetësinë tallava, arsimin tallava, sundimin e ligjit tallava, partitë politike tallava, mediat tallava, e qaka jo tallava. Ajo më shtyri ta zbërthej vetëm nja aspekt të fjalëve të tij, sepse ishte fatkeqësisht një e vërtetë e hidhur, që duhet të na dhemb.

Humbja e jetës nga Covidi, e një 20 vjeçare, një 25 vjeçar, ditëve të fundit, por edhe e shumë e shumë të tjerëve pa marr parasysh moshën e tyre më detyruan të thyej heshtjen për shumë gjëra, të cilat të gjithë i dimë por që nuk kemi guxim të flasim. Eshte aspekti psikologjik i cili determinon sjelljen e secilit nga ne, ndërsa zhvillimi ynë psikologjik ndërlidhet direk me nivelin arsimor të  prindërve tanë, prindërve të prindërve tanë, rrethit ku jetojmë dhe shoqërisë të cilit i përkasim,  e themeli i të gjithave është funksionimi i shtetit. 

Një kulturë e mirë apo e keqe, përcillet nga gjenerata në gjeneratë, andaj për tu zhvilluar pasardhësit tan, duhet të zhvillohemi ne.  Ne tani nuk mundemi të ndikojmë në të kaluarën tonë, e mirë apo e keqe, sido që të   ketë qenë ajo, e as pasardhësit tonë nuk do të mundë të ndikojnë në të tanishmen tonë, andaj ua kemi borxh gjeneratave që vijnë, që mos të përcjellim një trashëgimi të keqe që do të ketë pasoja në të ardhmen e afërt dhe të largët tek ta. Truri i njeriut, është i konstruktuar në atë mënyrë që të mësoj gjërat nga rrethi, në mënyrë aktive dhe pasive. 

Për ta thjeshtuar këtë çështje,  secili nga ne mundë të ja bën pyetjen vetvetes, se si një  fëmi  e mëson gjuhën e prindërve të vetë e jo një gjuhë tjetër,  deri në një moshë të caktuar, pa pasur  nevojë që dikush të ja imponon mësimin e gjuhës, e përgjigja është që truri është aktiv gjatë tërë kohës, dhe mëson gjëra që shef, ndien e prekë. Njeriu e mëson edhe respektin edhe disrespektin nga familja dhe rrethi, e mëson dhunën, e mëson të qenurit i përgjegjshëm apo i papërgjegjshëm, besnikërinë apo të kundërtën, atdhedashurinë apo të kundërtën, respektimin e ligjit apo të kundërtën, kanunin, hasmërinë, hakmarrjen,  pra ne nuk lindim, as me gjuhë të mësuar, e as me  vese të këqija por i mësojmë nga prindërit apo rrethi ku jetojmë apo shoqëria që na orienton gabueshëm. Në tërë këtë proces zhvillimor të një shoqërie mediat kanë një rol esencial, si pozitiv ashtu edhe negativ. Para rreth dy muajsh, në një emision të një televizioni lokal, flitej për bashkatdhetarët, dhe fenomenin e kerreve të shtrenjta me të cilat vijnë  të rinjtë tanë në Kosovë për tu reklamuar, dhe për të përjetuar një vetëkënaqësi false.  Ata bënin një hulumtim, se sa përqind e të rinjve në mërgatë marrin kerret me qira e sa i kanë në pronësi të vete. Me tema  të tilla filluan të merren mediat, pasi që mërgata ishte vendimtare në largimin e robëruesve nga pushteti. Si përfaqësues i këtyre sulmeve ndaj mërgatës ishte V.S , që siç dukej ishte i mllefosur nga largimi nga pushteti i atyre që e ushqenin me para të pista po të këtij populli dhe po të kësaj mërgate.  

Atë botë unë mendoja, a thua këto media, nuk kanë gjëra tjera më të rëndësishme sesa të që të merren me të rinjtë tanë që fatmirësisht ende vinë në Kosovë dhe nuk e harrojnë atdheun e prindërve të tyre. 

Shkrimin po e lidhi me pushtetin e kaluar që ishte pushtet kriminal, dhe me sulmin e disa mediave prokriminale ndaj bashkatdhetarëve, jo sepse  më kanë lënduar ato emisione apo pretendime ndaj bashkatdhetarëve, por sepse ata që sulmonin bashkatdhetarët, mbronin ish pushtetarët të cilët nuk bënë po thuajse asgjë  për 20 vite në zhvillimin arsimore dhe largimin e veseve të këqija të kësaj shoqërie, gjë e cila po na hakmerret tani në kohën e Kovidit, duke na kushtuar me jeta njerëzish.

Ata që shtëpinë e vetë e kishin të mbushur bërlloge, i mbanin gajlen fçiut që oborrin e kishte pa fshirë. Po është e vërtetë që mërgata ka shumë për të përmirësuar, por mërgata është vetëm përkohësisht  në Kosovë, një lloje turizmi, dhe që me mërgatën merren vendet ku mërgata jeton dhe vepron, por ç’ka ti bëjmë Kosovës, dhe zhvillimit kulturore të kësaj shoqërie, zhvillim i cili po çalon shumë. Në vend që të merren me oborrin e fçiut, unë do ju sugjeroja mediave,  që të fillojnë të merren me fenomenin e dasmave, fejesave, synetive e festave tjera të shfrenuara, për të mos thënë të çmendura, që po e zbrazin gjepin e çdo familje por çka është më e  dhimbshme  po e marrin jetën e shumë njerëzve me këtë kohë pandemie.

Pra dasma e dikujt  do të thotë vdekje për dikën, si pasojë e përhapjes së koronës, do të thotë varfëri për tjetrin, reklamim i vijave të trupit për dikën, para 200-300 vetëve, kënaqësi për dikën që vëzhgon nga anash,  dëmtim i shqisës së të dëgjuarit për secilin që merr pjesë në to, nga zëri pa kontroll i muzikës, dhe humbje e kohës për shumicën që marrin pjesë aty, kohë të cilën do ta shfrytëzonin në edukimin e fëmijëve të vetë, kryerjen e punëve në shtëpi, dhe paranë humbur tek frizeret  do të mundë ta shfrytëzonin për blerjen e librave.  Perse nuk del një individ, që do të bën një dasmë ndryshe, ku së pari numri i të ftuarve do ishte i kufizuar, 30-50 vetë, ku muzika do ishte me zë të ultë në mënyrë që mos të ju dëmtohet dëgjimi pjesëmarrësve  dhe që të kenë mundësi që ta dëgjojnë njëri tjetrin gjatë bisedës, ku veshja e grave  dhe e burrave do të ishte veshje festive por që do ti shërbente një pjesëmarrjeje  të dinjitetshme në një dasmë, e jo garës se cili apo cila do të duket më i bukur se tjetri   apo tjetra, e cili apo cila do ta reklamonte trupin më mirë se tjetri apo tjetra,  për syrin dhe mendjen e tjetrit.

Një dasmë ku as burrat e as gratë nuk do të kishin nevoje që të shkonin tek frizerja  ku detyrohen për të pritur me orë të tëra duke i harruar fëmijët e vetë,  ku detyrohen të harxhojnë me qindra apo mijëra euro, vetëm e vetëm që të duken bukur e të reklamohen sa më mirë, por do të rregulloheshin në shtëpi, në mënyrë që të duken sa më  natyral apo natyrale, ashtu siç i ka falë Zoti, me bukurinë e tyre e cila duhet ti mjaftoj secilit për bashkëshortin apo bashkëshorten e vetë.  Përse në media të Kosovës, nuk flitet për të pamat, që po ashtu, janë shumë të palogjikshme, ku vlera e një njeriu matet me atë se sa njerëz  vijnë  për kreshendosh e jo me atë se çka ka bërë ai njeri për familjen e tij, rrethin e tij apo sajë, apo shoqërinë e shtetin në përgjithësi.

Përse, duhet të vijnë për krye shëndoshë njerëzit që as nuk i njeh e as nuk i din, e as që e kanë njohtë e as që e kanë ditur atë që ka ndërruar jetë, ( përjashtohen këtu rastet e dëshmorëve të kombit, apo figurat publike si artistët dhe artistet për të cilët mbahen homazhe të posaçme, sepse ata kanë qenë të gjithë të  popullit). Një zi ngjirë i gjatë i njerëzve edhe në kohë pandemie, ku shkon për ngushëllime miku i mikut  e shoku i shokut e shoku i shokut të shokut, apo ndonjë kalimtar rasti që ndalet për kreshendosh dhe të cilin askush nuk e njeh. Përse njerëzit ta humbin kohën e tyre të çmuar dhe të bëjnë edhe shpenzime materiale të dyanshme, vetëm e vetëm që dikush të thotë që kishte shumë njerëz  për krye shëndoshë e tjetri të thotë që po miku im e miku i mikut tim ishin për krye shëndoshë.

Gjersa më herët, të pamat zgjatnin me muaj të tërë, tani fatmirësisht ato po zgjatin me ditë apo jave, përse nuk po kërkohet të bëhet edhe një ndryshime, ku në të pame do të shkonin vetëm farefisi dhe kushërinjtë e afërm apo miqtë e ngushtë të familjes, në mënyrë që dhimbjen për humbjen e më të dashurve ta ndajnë me të afërmit, e jo që aj që ka humbur dikën, të mbaj gajlen se si ti pret me gajret qindra apo mijëra njerëz që hyjnë e dalin pa asnjë kuptim. Përse këto media të Kosovës, nuk merren me temën e dhunës seksuale që ushtrohet sidomos ndaj vajzave të reja nën 18 vjeç, dhunë që kurrë nuk guxon të deklarohet  apo të denoncohet në polici nga këto të reja, sepse i frikësohen hakmarrjes si rrjedhojë e kanunit, izolimit, nënçmimit nga rrethi, apo humbja e vlerës së asaj vajze pa qenë vetë aspak fajtore. Kjo dhunë nuk ushtrohet vetëm nga rrugaçet por ushtrohet edhe nga familjar të afërm të tyre, gjë e cila është edhe më vështir për ta  zbuluar nga viktima e dhunës seksuale, sepse  ndodhin belatë. 

Përse këto media të Kosovës, nuk flasin për fenomenin e hakmarrjes apo kanunit që ende në Kosovë  merr jeta njerëzish dhe zëvendëson ligjin e shtetit. Përse nuk flitet për gjykatësit, kryeprokurorin e prokurorët e korruptuar, që janë bërë mburojë për kriminelët.  Përse nuk flitet për nivelin e arsimimit në Kosovë, që është në nivelin më të ulët të mundshëm në ranglistën ndërkombëtare të arsimimit.  Përse këto media në Kosovë, nuk flasin për spitalet e Kosovës, ku pacientët  duhet të qëndrojnë pa u larë me javë e muaj, sepse në spitale nuk funksionojnë banjat, rasti i spitalit të  mushkërive në Prishtinë. Përse mediat e Kosovës  së bashku me V.S- në nuk flasin për kuponët fiskal dhe pagesën e TVSH së e cila është plotësisht jashtë kontrollit,  në 80 % të bizneseve.

Përse nuk flitet për sigurimet shëndetësore, që s’po ju duket filli askund, duke ditur që pa pagesë për këto sigurime nuk ka para e pa para nuk ka shërbime të mirëfillta shëndetësore. Përse këto media, nuk flasin për fenomenin e përdorimit të drogës nga të rinjtë e të rejat, për prostitucionin, dhe fenomene tjera që devijojnë një shoqëri. Përse nuk flasin këto media, për mbeturinat që hidhen  vend e pa vend, gjë e cila ndërlidhet edhe me nivelin edukativ të popullatës, por edhe me funksionimin e sistemit të pastrimit dhe zbrazjes së kontejnerëve. Përse këto media nuk flasin për nivelin e ulët arsimore të femrës shqiptare. Për arsyet e largimit të të rinjve, për pagat e ulëta sidomos në sektorin privat, për mungesën e sigurimeve për punëtor.

Po shkruaj për të gjitha këto fenomene të dëmshme për shoqërinë tonë, sepse nuk dua që njerëz të pafajshëm të humbin jetën si pasojë e gjërave të lartpërmendura, e rritja e numrit të të  infektuarve nga virusi korona dhe shtimi i vdekshmërisë, ndërlidhet pikërisht me  nivelin e ulët edukativo arsimor të popullatës, e si rrjedhojë  një papërgjegjshmëri dhe egoizëm total në këtë shoqëri. Mediat, duhet të punojnë në zhvillimin e shoqërisë Kosovare e jo ringjalljen e robërisë. Të gjitha ato fenomene të lartpërmendura, luftohen duke zhvilluar nivelin edukativo arsimor të popullatës dhe sundimin e ligjit. 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".