Jo midis Bregoviqit dhe Edi Ramës, por mes Sami Frashërit dhe Vaso Pashë Shkodranit

Jo midis Bregoviqit dhe Edi Ramës, por mes Sami Frashërit dhe Vaso Pashë Shkodranit
Jo midis Bregoviqit dhe Edi Ramës, por mes Sami Frashërit dhe Vaso Pashë Shkodranit

Prof. Dr. Mehdi Hyseni

  • 03 September 2021 - 09:26

Barometri diplomatik

Shkruan:Prof.Dr.Mehdi HYSENI

*** Prof.Dr.Sonja Biserko : “ E TËRË HISTORIA E SERBISË ËSHTË NJË GËNJESHTÊR E MADHE”. 

Kësaj aksiome vlerësuese të Sonja Biserkos, veprimtare për të drejtat dhe liritë e njeriut në Këshillin e Helsinkit në Beograd, duhet t’i përmbahet katërcipërisht si politika, diplomacia, ashtu edhe shkenca shqiptare në Ballkan. Ndryshe ,do të vetëviktimizohen sikur këtu e 100 vjet më parë, nëse edhe më tej, pa mbulesë (vetëm mbi bazën ekonomiko-tregtare) “puthen” me Serbinë, e cila prerazi ka deklaruar, se “kurrë nuk do ta njohë shtetin e pavarur dhe Sovran” të Kosovës.Në këtë kontekst të marrëdhënieve ndërshtetërore të Tiranës dhe Beogradit, duhet dalluar VLERA nga interesi.

Prandaj, politikat shqiptare, nuk duhet të ushqehen me iluzione të shkreta sipas simpatisë dhe interesave partike dhe të luftës për pushtet (por mbi të gjitha me interesin e përgjithshëm të Shqipërisë së ribashkuar etnike të Sami Frashërit dhe të Vaso Pashë Shkodranit), se gjoja Edi Rama me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq, do të jenë “shpëtimtarë” të paqes në Ballkan.

Kjo fatbardhësi për Ballkanin dhe për Shqipërinë Etnike, fatkeqësisht nuk do të ndodhë dot, DERISA presidenti serb Aleksandar Vuçiq, Ivica Daçiq, Vojislav Sheshel, Aleksandër …etj. kërkojnë kthimnin e Kosovës nën sovranitetin territorial dhe shtetëror colonial të Serbisë (1912-1999).

Prandaj, duhet të jemi realistë ( jo të hipnotizuar dhe të shastisur pas “tagjisë” së drekave dhe të darkave të presidentit të “moderuar” serb, Aleksandar Vuçiq, se gjoja ky në takimet private me Ramën, i ka premtuar për ta “njohur Kosovën”.Kjo është një rrenë e stilit të Dobrica Qosiqit), të pajtohemi me të vërtetën dhe përvojën e hidhur të derisotme historike, politike, kombëtare dhe shtetërore, se as kryeministri Edi Rama sikure shumë kryeministra dhe presientë të derisotëm të Shqipërisë, nuk do të arrijë, që t’i pajtojë shqiptarët me srbët, sepse serbët racion ditor e kanë gënjeshtrën disashekullore të Kishës Ortodokse Serbe, se “Kosova dhe Anamorava shqiptare janë territore serbe”, të cilat shkenca, kisha dhe shteti serb i quajnë “stara juzhna Srbija”, e që në të vërtetë, historikisht është territor indigjen i Shqipërisë Lindore, por që nga viti 1878 është kolonizuar dhe aneksuar në saje të kryerjes së gjenocidit të Serbisë.

Ata që nuk kanë njohuri të mjaftueshme për historinë dhe për politikën e marrëdhënieve shqiptaro-serbe ( sidomos gjatë shekujve XIX-XX), s’kanë zgjidhje tjetër, përpos të citojnë armiqtë më të egër serbomëdhenj siç janë: Vuk Karaxhiq, Jovan Cvijiq, Stojan Protiq (Balkanikus), Vladan Gjorgjeviq, Radoje Domanoviq, Branislav Nushiq, Nikola Pashiq, Ivo Andriq, Dobrica Qosiq…, e shumë të tjerë, që së bashku me Kishën Ortodokse Serbe e kanë falsifikuar, jo vetëm historinë e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike, por edhe historinë e gjithë Ballkanit.

Këtë të vërtetë e ka konfirmuar edhe Prof.Dr.Sonja Biserko (kryetare e Këshillit të Helsinkit për Serbinë dhe njëra nga oponentët më vehementë të nacionalizmit shovinist serbomadh dhe të regjimit çetniko-fashist policor, paramilitar dhe militar vrastar dhe gjenocidal të Slobodan Milosheviqit, duke vlerësuar me plot të drejtë se “ E TËRË HISTORIA E SERBISË ËSHTË NJË GËNJESHTÊR E MADHE” .

Absolutisht ka të drejtë Sonja Biserko, se “ e tërë historia serbe është një rrenë e madhe”, që ka ndryshuar hartën etnike dhe gjeopolitike të Ballkanit (1878-2021)

Pikërisht, duke u shërbyer me shekuj me këtë gënjeshtër skandaloze nacionalsitët serbomëdhenj dhe institutcionet e tyre shtetërore dhe shoqërore ( qeveritë e ndryshme, Akademia e Shkencave dhe e Arteve Serbe, Kisha Ortodokse Serbe, qarqet ushtarake e policore, shkenca, politika, propaganda, publicistika dhe mjetet e ndryshme të informacionit), në themel e kanë falsifikuar jo vetëm historinë e tyre, por edhe historinë e kombit kroat, historinë e kombit shqiptar dhe historinë e popullit boshnjak mysliman.

Si rrjedhim i “një gënjeshtre të madhe të historisë serbe”, siç ka vlerësuar me të drejtë Zonja e nderuar Sonja Biserko, demokrate dhe luftëtare konsekuente për liritë dhe të drejtat e njeriut në krye të Këshillit të Helsinikit të Serbisë, regjimet e ndryshme të Serbisë ( fashiste, mbretërore, monarkiste, socialiste dhe komuniste), të prira dhe të ndihmuara nga politika edhe nga propaganda e Kishës Ortodokse Srebe (si industria më e fuqishme e falsifikmit të historisë së Ballkanit), ia kanë arritur që me shekuj, ta indoktrinojnë, ta mashtrojnë dhe ta gënjejnë popullin serb se “armiq të tij të përbetuar janë kroatët, boshnjakët myslimanë dhe shqiptarët “ardhacakë”, të ngulitur në tokat serbe”!?

Kjo është teza e ndërruar fatale me të cilën KOS-i, politika, diplomacia, publicisitika, propaganda dhe shkenca serbomadhe ka infektuar të gjitha gjeneratat e djeshme dhe të sotme, se gjoja serbët “janë element autkton”, kurse shqiptarët, kroatët dhe muslimanët boshnjakë “janë ardhacakë” dhe “pushtues” të territoreve të Serbisë!?

Vërtet, kjo është gënjeshtra më e madhe dhe më fatale e gjithë historisë serbe, sepse historia e vërtetë dhe objektive flet ndryshe: Ardhacakët barbarë janë serbët, të cilët në shekullin VII, për herë të parë vërshuan në Gadishullin Ilirik, duke ua grabitur tokat shqiptarëve dhe kroatëve autoktonë ilirë.

Mirëpo, këtë të vërtetë historike, Kisha Ortodokse Serbe së bashku me shtetin dhe me shkencën serbomadhe e kanë fshehur dhe falsifikuar me shekuj vetëm për vetëm për t’i jusitifikuar barbaritë, luftërat, agresionet dhe gjenocidet e tyre, të zhvilluara për grabitjen dhe për pushtimin e territoreve indigjene të kroatëve dhe të shqiptarëve. Mbi këtë “bazë” serbomëdhnjtë kanë falsifikuar historinë e tyre, si dhe historinë e popullit kroat dhe të popullit shqiptar në Ballkan.

Ky recidiv i së kaluarës serbomadhe, është një nga helmet më shkatërrimtare, edhe për marrëdhëniet e sotme mes Serbisë, Kroacisë dhe Kosovës. Fatkeqësisht këtë e provuan, edhe tri gjenocidet serbe kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës (1991-1999) për kryejen e të cilave Serbia ende nuk ka dhënë llogari juridike ndërkobëtare, ashtu sikurse dikur Gjermania naziste e Hitlerit, e cila me të drejtë dhe në afat tejet të shkurtër u ndëshkua nga bashkësia ndërkombëtare.

Tirana sa më afër Kosovës dhe Anamoravës shqiptare, jo Beogradit, JO!

Prandaj, të gjithë ata që merren me çështje historike dhe politike të Ballkanit, duhet ta mbajnë parasysh këtë të vërtetë aksiomatike të Prof. Dr. Sonja Biserko, ndryshe, do të digjen në zjarrin dhe në flakën e falsifikimeve dhe të mitomanisë nacionalromantike të Serbisë së Madhe të Ilija Garashaninit (1844), të nobelistit Ivo Andriq, të akademikut Vasa Qubriloviq, të Akademikut Dobrica Qosiq, të Slobodan Milosheviqit, të Vojislav Sheshelit dhe të “bishtave” të tyre, që sot me ndihmën e Europës, janë instaluar në pushtet( Aleksandar Vuçiq dhe Ivica Daçiqi…).

Të gjithë këta serbomëdhenj së bashku me Kishën Ortodokse Serbe dhe me Akademinës e Shkencave dhe të Arteve të Serbisë mbajnë përgjegjësi historike, politike, ligjore dhe morale për kryerjen e tri gjenocideve ndaj Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës (1989-1999).

Prandaj, si Europa, ashtu edhe Kombet e Bashkuara, moralisht dhe ligjërisht (duke u mbështetur në të drejtën humanitare, publike dhe penale ndërkombëtare, janë të obliguara, që Serbinë ta sanksionojnë për tri luftërat e saj pushtuese gjenocidale , të zhvilluara gjatë viteve 1989-1999 kundër popullit kroat, mysliman boshnjak dhe kundër popullit shqiptar në Kosovë.

Për një “Kurban” të përkthyer serbisht nga Beogradi, të mos sakrifikohen interest vitale të Kosovës dhe të shqiptarëve

Politika e pareformuar sebomadhe e Beogradit e di, pse aq shumë llogarit dhe aq tepër është "dashuruar" në "Kurbanin" e përkthyer edhe në gjuhën serbe të kryeministrit Edi Rama. Këtë , më së miri e dëshmoi edhe Protokolli i Brunilda Paskalit për shfrytëzimn e territorit të Kosovës (pa e pyetur dhe pa e konsultuar Kosovën) për ndërtimin e autostradave dhe të hekurudhave për lidhjen e Serbisë me Shqipërinë (13 tetor 2016).

Mirëpo, politika dhe diplomacia e Tiranës zyrtare nuk duhet të “dashurohet” aq shumë , duke ushqyer iluzione se do të gjejë gjuhë të përbashkët me Beogradin, sepse , ende në Serbi nuk janë spastruar elementet recidivistë të regjimit çetniko-fashist të ish-presidentit të saj Slobodan Milosheviq, si dhe të “ushtarëve” dhe të bashkëpunëtorëve të tij, siç janë sot në krye të shtetit të Serbisë: Aleksandar Vuçiq (kryeministër) dhe Ivica Daçiq (aktualisht kryetar i Kuvendit të Serbisë.

Nuk ka asnjë dyshim se, me këtë garniturë udhëheqëse të Serbisë( me përmbajtje të politikës strategjike të Serbisë së Madhe), e cila nuk njeh Kosovën e pavarur e as të drejtën e vetëvendosjes së shqiptarëve të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës, nuk do të zgjidhet asnjë nga problemet ekzistuese, që rëndojnë marrëdhëniet ndërshtetërore të saj me shtetet fqinje siç janë Kosova, Kroacia dhe Bosnia e Hercegovina.

-Natyrisht, është e drejtë sovrane dhe e ligjshme e Tiranës bashkëpunimi ndërshtetëror me cilindo nga shtetet fqinje, evropiane dhe botërore, por pa u përzier në çështje të brendshme të Kosovës.

Mirëpo, derisa Serbia nuk e njeh Kosovën, si dhe të drejtën e vetëvendosjes shqiptarëve në Preshevë, në Bujanoc dhe në Medvegjë (gjë që njohja e kësaj së drejteje, do të ishte në favorin e së drejtës historike të shqiptarëve mbi territorin e tyre etnik, si dhe ribashkimin me Kosovën), nuk ka kurrfarë kuptimi intensifikimi i bashkëpunimit politik, diplomatik, ekonomiko-tregtar dhe kulturor i Tiranës me Beogradin. E, për tepër të lidhen pakte dhe marrëveshje me Serbinë (siç ndodhi me “Ballkanin e Hapur, 29 korrik 2021) pa njohur kjo Republikën e pavarur të Kosovës!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".