Lexoni edhe:
Mjaft me premtime të mëdha, qytetarët janë në pritje të Qeverisë që nga zotimet të kalon në vepra!
Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri
Duke parë sjelljet gjithnjë e më agresive të presidentit serb,Aleksandër Vuçiq, dhe qeverisë ultra nacionaliste të Serbisë, kolonizimin e egër dhe të vazhdueshëm ilegal të Veriut të Kosovës nga Serbia, kërcënimet e hapura ndaj shqiptarëve, në vijimësi dhe përzierjet e pareshtura në punët e brendshme të shtetit tonë të brishtë, Qeveria e Kosovës në fakt do duhej të ndërmerrte urgjentisht, jo vetëm ndonjë masë minore reciprociteti si targat, për të cilat Kosova nuk ka ndonjë leverdi të theksuar monetare, por të vendoste reciprocitet të plotë me këtë shtet hegjemonist.
Masa e reciprocitetit ndaj Serbisë do duhej vendosur në secilën fushë ku ka veprime të njëanshme të Serbisë, ndaj këtij shteti hegjemonist që shkel hapur dhe publikisht parimin e barazisë të garantuar me marrëveshjet e nënshkruara, tash e sa vite më parë, ndërmjet dy vendeve në Bruksel. Kështu që sipas deklaratës së zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi nga Brukseli, Qeveria Kurti ngadalë por sigurt dhe pa nxitim, duket se po tregon vendosmërinë dhe seriozitetin e premtuar për mënyrën e vazhdimit të dialogut me Serbinë, duke filluar për ta vendosur masën e reciprocitetit, hap pas hapi dhe vlerësuar realisht zbatimin e secilës marrëveshje nga pala serbe, në mënyrë që Kosova të mbështetet politikisht dhe ndërkombëtarisht edhe nga faktori ndërkombëtar.
Ndërsa hapi i parë veprues në këtë drejtim, i cili pritet të ndërmerret së shpejti nga Qeveria Kurti, është reciprociteti në lirinë e lëvizjes, marrëveshje kjo që asnjëherë deri më tani nuk është zbatuar dhe respektuar nga Serbia. Për këtë arsye Besnik Bislimi pas takimit me z. Lajçak ka sqaruar nga Brukseli, se Kosova do të fillojë të sillet njësoj siç bën Serbia me veturat e Kosovës me targa (RKS), duke paralajmëruar reciprocitet të menjëhershëm në këtë fushë, pasi që në Serbi, nga Kosova mund të futen vetëm veturat me targa KS, kurse ato me RKS duhet t’i deponojnë targat në kufi dhe detyrohen të marrin një letër të përkohshme nga pala serbe, përderisa veturat me targa të Serbisë futen lirshëm dhe pa asnjë pengesë a procedurë shtesë në Republikën e Kosovës. Ndaj zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi pas takimit të fundit me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian në Bruksel,Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar se Qeveria e re, pas 15 shtatorit, nuk do të pranojë zgjatjen e marrëveshjes së përkohshme në favor të Serbisë, po pritet të rivendoset reciprociteti ndaj saj.
Megjithatë kjo ka të bëjë me një masë shumë të kufizuar të reciprocitetit dhe vetëm për targa të veturave me Serbinë, e nëse Serbia vërtetë nuk reflekton për njohjen e targave RKS të Republikës së Kosovës as nga 15 shtatori, Qeveria e Kosovës, në vend të reciprocitetit të kufizuar minor, vetëm për vetura, duhet të vendosë reciprocitet të plotë me Serbinë, njëjtë si me çdo vend tjetër fqinj. Kjo edhe për vet faktin se përderisa Kosova, pothuajse nuk mund ti shfrytëzoj lirshëm, qoftë edhe për kalimin transit të prodhimeve të saj, rrugët e Serbisë, Serbia vetëm me mallrat që fut masivisht, pa asnjë pengesë dhe as taksë e masë doganore, çdo ditë në vendin tonë, fiton hiq më pak se 450-deri në 600 milion euro, për çdo vit nga Kosova, të cilat i përdorë për blerje të armatimit modern nga Rusia dhe kërcënime të përditshme ndaj Kosovës me ripushtim.
Madje reciprociteti me Serbinë duhet të ndodhë për të respektuar edhe vet parimin e marrëveshjeve për barazi të dyanshme, të nënshkruara ndërmjet dy vendeve me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel, kështu që nëse Qeveria Kurti vërtet e mban fjalën e dhënë për fillimin e reciprocitetit të “lehtë” si testi paraprak i reagimit të palës serbe, atëherë reciprociteti për targa, pas 15 shtatorit, duhet të ngritët në reciprocitet të plotë me Serbinë dhe të hyjë në fuqi menjëherë, gjë që është paralajmëruar edhe më herët, por nuk është aktivizuar deri më tani, ndaj ky është momenti vendimtar që reciprociteti i plotë, vërtetë të gjejë zbatim praktik dhe fuqizohet menjëherë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".