Pas audio-incizimeve të aktivizohet KPL, KPK dhe KGJK, të pastrohen nga të shantazhuarit për lidhje me krimin e korrupsionin!

Pas audio-incizimeve të aktivizohet KPL, KPK dhe KGJK, të pastrohen nga të shantazhuarit për lidhje me krimin e korrupsionin!

Gani Qarri

  • 12 September 2021 - 09:06

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Pas aferës së fundit të publikimit të përgjimeve në media, në të cilat përflitet një numër jo i vogël zyrtarësh, prokurore e gjyqtare, përfshirë edhe vet kryeprokurorin e shtetit, nga Komisioni Parlamentar i Kuvendit do duhej të ndërmerrej urgjentisht një nismë serioze drejtuar Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, që ato ta obligojnë ligjërisht KPK-në dhe KGJK-në për thellimin e hetimit dhe verifikimin deri në detaje, të përfshirjes edhe më të thellë të zyrtarëve të inkriminuar institucional e shtetëror, në afera të tilla dhe të ngjashme korruptive e kriminale në vend.

Për aq më tepër, duke pasur parasysh rastin drastik me prokuroren e krimeve të rënda në Prishtinë, Shemsije Asllani, drejtorin e Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës Dardan Nuhiu, si dhe gjykatësin e krimeve të rënda në Gjykatën e Apelit, Driton Muharremi, KPK, as KGJK, nuk do duhej të guxonin të qëndronin kaq indiferent dhe krejtësisht në heshtje si deri më tani, por të ndërmerrnin urgjentisht iniciativën e rifillimit të hetimit më të gjerë e të detajuar dhe çuarjen deri në fund të hulumtimit të kësaj afere politiko-juridike.

Vet infiltrimi i një zinxhiri kaq të madh zyrtarësh shtetëror e institucional në afera kundërligjore, nga pjesëtarë të prokurorive dhe gjykatave të kapura, që tanimë u bë e njohur edhe publikisht për mbarë opinionin kosovar se janë të shantazhuar dhe të lidhur fort me grupet mafioze të krimit të organizuar, emrat e të cilëve tanimë janë të njohur publikisht, në gjendjen katastrofale në të cilën persona të tillë e kanë sjellë prokurorinë dhe gjyqësinë e kapur e shtetit, e bën të patejkalueshëm vetëpastrimin e brendshëm, akt i cili mbetet obligim ligjor dhe hap i detyrueshëm institucional për tu ndërmarr një orë e më parë, qoftë edhe me detyrimin nga Qeveria.

Ndërsa hapi gjysmak, me masa të shqiptuara pothuajse vetëm si vërejtje minimale janë të pamjaftueshme dhe vetëm akte të përkohshme sa për të heshtur zhurmën aktuale, që është ngritur, pas publikimit të emrave të inkriminuar, në media dhe mbuluar në harresë opinionin e gjerë publik të vendit.

Kështu që qysh në fillim të këtij sesioni vjeshtor, nga vet Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës, do duhej ndërmarrë nisma urgjente parlamentare, duke i kërkuar Qeverisë së vendit dhe vet Ministrisë së Drejtësisë, që të dyja ti drejtohen KPK-së dhe KGJK-së, për ta thelluar hetimin dhe bërë verifikimin e plotë të përfshirjes së zyrtarëve të inkriminuar institucional e shtetëror, në afera kriminale, sikurse ishte rasti i prokurores se krimeve të rënda në Prishtinë, Shemsije Asllani, drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës Dardan Nuhiu, si dhe gjykatësi i krimeve të rënda në Gjykatën e Apelit, Driton Muharremi.

Përndryshe vazhdimi i heshtjes institucionale edhe pas asaj që ndodhi javë më parë, është edhe një dëshmi e fuqishme e bashkëjetesës mbi dy-dekadëshe të gjatë dhe shumë delikate, që kanë lidhur prokuroria dhe institucionet e kapura të drejtësisë me grupet mafioze, nëntokën kriminale dhe rrjetet e krimit të organizuar, i cili për mbi 20 vite me radhë nuk u luftua asnjëherë seriozisht dhe as nuk arriti të çrrënjosej kurrë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".