Prokuroria Speciale e Kosovës është shndërruar në avokaturë për mbrojtje të krimit të organizuar

Prokuroria Speciale e Kosovës është shndërruar në avokaturë për mbrojtje të krimit të organizuar

Hajrullah Tërnava

  • 19 September 2021 - 09:19

Shkruan: ANALISTI- Hajrullah Tërnava

Situata e krijuar tani në drejtësi, po na e dëshmon faktin e kriminalzimit të Kosovës në përgjithësi si në institucione ashtu edhe në të gjitha poret e jetës në Kosovë. Me këto kuadro të deritashme që janë në institucionet e Kosovës, që e kanë sjell vendin në këtë gjendje te mjerueshme të kriminalizuar, është e kotë të pritet që po këta që ishin në pushtet qe mbi 20 vite, dhe ishin kontribuuesit kryesor të kësaj gjendje të kriminalizuar, nga të tillët të pritet se do të ndërmarrin veprime që ta pastrojnë këtë vend nga ato krime megalomane që janë bërë deri më tani, dhe është e kuptueshme se këta njerëz që edhe tani gjinden në poste të larta të institucioneve, të vetmen mundësi e kanë për ti amnistuar qëllimisht abuzuesit e ligjit. Këtë po e bënë edhe Prokuroria Speciale Kosovës, po e amniston mega krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë politik, në mënyrë sistematike dhe të organizuar, duke mos u marr asnjëherë, me asnjë rast spektakulare të nivelit të lartë qeveritar, të zhvatjes dhe pasurimit të kundërligjshëm.

Sikur që shihet publikisht, edhe nga një qytetar i pa informuar, por mungon ndjekja e krimit, hetimi dhe konstatimi sipas detyrës zyrtare- exoficio, por drejtësia po vazhdon të merret vetëm me improvizime të niveleve të ulëta, të dyshuara, madje në të shumtën e rasteve edhe të dështuar e të pa dëshmuara. Në bazë të kësaj situate është lehtë për tu kuptuar pse nuk kemi akoma as edhe një kryetar të vetëm komune të gjykuar dhe të dënuar, nuk kemi asnjë ministër e të mos flasim për kryeministër, kemi pasur dhe kemi raste që ngritën në mënyrë spektakulare dhe shuhen në heshtje duke u harruar me zvarritje në kohë deri në gjykimet e përfunduara të pa argumentuara, që rezultojnë me dështim dhe hedhje aktakuzash, dhe jo për faktin se nuk kane kryer vepra kriminale, por për arsyen se nuk ka kush ti akuzoj dhe ti dënoj ata vepër kryes, kur edhe tani po ata zyrtar janë të varur dhe të ndikuar nga ata vepër kryes të krimeve me të cilat po ballafaqohemi deri më tani, sepse po këta vepër kryes dikur i kanë emërua në ato poste të rëndësishme, tani e gjatë ku gjinden në ato poste të rëndësishme ata, e besa edhe vetë po këta janë pasuruar në krah të tyre.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), të hënën, ka njoftuar se ka ngritur një aktakuzë të radhës për krim të organizuar e korrupsion ndaj 15 personave, ku i përfshirë është edhe ish-kryetari i Komunës së Leposaviqit, një komunë e vogël e Kosovës, por nuk kemi akoma aktakuza të ngritura kundër kryetarëve të komunave, apo zyrtarëve përgjegjës komunal të komunave kryesore të Kosovës që janë kanë në dispozicion miliona të buxhetit dhe nuk dihet ku shpenzohen e si shpenzohen, që shpërlajnë para të pista në ndërtim. Sikur që është Komuna e Prishtinës për model dhe Shpend Ahemti kryetar për dy mandate të njëpasnjëshme, dhe askujt nuk po i mungon një qime floku përkundër një mal kallëzimesh penale të ngritura qoftë nga qytetarët në mënyrë individuale si persona fizik, apo edhe nga bizneset e ndryshme që përfaqësojnë persona juridik, por të pa ndikuar dhe të pa varur nga krimo politika, si në nivelin qendror edhe atë lokal.

Në një njoftim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), të hënën, thuhet se është ngritur aktakuzë për krim të organizuar e korrupsion ndaj 15 personave, ku i përfshirë është edhe ish-kryetari i Komunës së Leposaviqit, si një grup i akuzuar për shkak të veprës penale “Krimi i organizuar” lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare”, ku janë të përfshirë ish kryetari i Komunës së Leposaviqit, si dhe nëntë (9) zyrtarë të tjerë të komunës së njëjtë. Ndërsa, pesë (5) të pandehurit të tjerë janë pronarë të bizneseve private të angazhuar në projektet e komunës.

Tani krimi duhet pamëshirshëm të luftohet gjithandej ku kryhen ato vepra kriminale, pavarësisht rajonit apo territorit ku i përkasin ata vepër kryes, por mos të harrojmë se më efekt pozitiv do të ishte të luftohet krimi në ato qendra ku tash e një kohë shkruhet dhe akuzohet me fakte, sikur që është kryetari i Prishtinës për veprimtaritë e tija kriminale, dhe kur prokuroria ngritë aktakuzë ndaj një kryetarit të kryeqytetit të Kosovës, do të ndikonte në preventivë që të marrin mësim ata kryetar të tjerët se ligji është i njëjtë për të gjithë, e jo si në këtë rast kur akuzohet kryetari i Leposaviqit. Sido që të jetë duhet të ndiqen të gjithë baras për abuzim me ligjin dhe jo të diferencohen e të amnistohen. Të gjithë ata që konfirmohet se kanë krye krime duhet të përndiqen konfrom ligjeve te Kosovës.

Kjo gjendje nuk mundë të rregullohet assesi pa reforma adekuate dhe pa një spastrim të atyre personave që tani gjinden në ato vende të punës si në gjyqësi, prokurori, dhe tjera institucione që i luftojnë krimet, e që deri më tani nuk i kanë krye obligimet e tyre ligjore të luftimit të krimit, prandaj është e kuptueshme që tani po bëhen improvizime kaq mashtruese dhe po vazhdojnë të amnistohen krimet e mëdha milionëshe kundër buxhetit të shtetit, por edhe fenomenet e pastrimit të parasë së pistë në ndërtime që po degradojnë pamjet e qyteteve të mëdha të Kosovës, duke u nisur nga Prishtina e tutje. Një mos luftim i krimit në përgjithësi si deri me tani, na sjell në situata të tilla që shteti të izolohet nga ndërkombëtarët dhe të mbesim si shteti më i izoluar në BE, e pse jo edhe në botë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".