Demokratët, PD-ja dhe Lulzim Basha janë me SHBA-të, me patriotizmin dhe me demokracinë

Demokratët, PD-ja dhe Lulzim Basha janë me SHBA-të, me patriotizmin dhe me demokracinë
Demokratët, PD-ja dhe Lulzim Basha janë me SHBA-të, me patriotizmin dhe me demokracinë

Skender Kapiti

  • 24 shtator 2021 - 08:40

Shkruan: Skënder Sadri KAPITI

Ky shkrim vjen si reagim ndaj nismes antiSHBA  nga ana e Berishës dhe e disa mbështetësve të tij të një reaksioni regresiv antiSHBA  nën maskën antiBasha, me demek se është rrezikuar sovraniteti  i Partisë Demokratike.

Sa djallëzi, hipokrizi dhe njëkohësisht  edhe sa antiamerikanizëm i hapur.

Shikoni se cfarë trillimi kundër SHBA-ve, kundër SHBA-ve të cilat e kanë meritën e madhe se e mbrojtën në maksimum sovranitetin e Shqipërisë dhe që nuk lejuan asgjësimin e shtetit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris  pas Luftës së Parë Botërore, si dhe po prej SHBA-ve shqiptarët e Kosovës kanë sot shtetin e tyre sovran, dhe që po SHBA-të janë sot garantët dhe mbështetësit e mëdhenj të sovranitetit dhe të integrimit si të Shqipërisë ashtu edhe  të Kosovës, e ndërsa Berisha me disa të korruptuar akuzojnë se është cënuar sovraniteti i Partisë Demokratike për faktin se Lulzim Basha e përjashtoi Berishën nga Grupi Parlamentar pas shpalljes “non grata” të tij nga SHBA.  

Shqiptarët, sidomos demokratët  dhe PD-ja janë me SHBA-të sepse janë edhe me Demokracinë dhe me patriotizmin.

Shqiptari i cili është patriot dhe demokrat detyrimisht dhe pashmagshmërisht është edhe proamerikan, sepse SHBA-të janë ato që kanë bërë më shumë se sa edhe vetë shqiptarët për shtetin dhe për konsolidimin e mbrojtjen e shtetit shqiptar të Shqipërisë, për fitoren e shtetit dhe të pavarësisë së Kosovës   dhe për mbështetjen e demokracisë dhe të integrimeve ndërkombëtare të të dy shteteve shqiptare.

SHBA dhe demokratët  shqiptarë( LDK e PDSH).Realitete e fakte.

Me formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës  shqiptarët e Kosovës u antarësuan në këtë forcë politike si dhe e mbështetën atë fuqishëm sepse LDK e udhëhequr nga Rugova ishte një lëvizje politike gjithëkombëtare për liri, clirim kombëtar dhe për shtet të lirë ,sovran e demokratik; si një forcë politike moderne dhe proamerikane.

Pra, LDK lindi dhe kishte vizionin  dhe realizimin kombëtar e demokratik, por  edhe si një lëvizje politike proamerikane sepse ajo shpresonte dhe besonte te SHBA,te kjo superfuqi demokratike botërore e cila mbron liritë dhe të drejtat universale të njeriut si dhe ato kombëtare të popujve, si tempull lirie e demokracie; si një vënd i cili historikisht  u është gjëndur shqiptarëve në ditët më të vështira e më të rënda. Lidhja Demokratike e Kosovës  ka meritën e madhe sepse ajo ishte një parti politike tërësisht me antarë shqiptarë, dhe që përballej në fillimet e saj ideologjikisht  me komunizmin serbo-sllav, por më shumë dhe kryesisht me shovinizmin , racizmin dhe me antishqiptarizmin kriminal serb. LDK-ja e Kosovës pati ndikim edhe në Shqipëri për nxitjen dhe për përshpejtimin e vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri.

Mirëpo edhe LDK devijoi dhe u largua shumë nga demokracia, dhe sidomos  lidershipi i saj Isa Mustafa me kompani e shfrytëzoi dhe e keqpërdori LDK-në  për interesa korrupsioni dhe personale e që për pasojë, ai LDK-në coi në një rënie dhe humbje të thellë e të paparashikueshme, kjo për arsye të korrupsionit dhe të hajnisë e të papërgjegjshmërisë.

LDK  e pati rastin e mirë për t’u ringritur e dalë përsëri si forcë kryesore politike me Vjosa Osmanin, mirëpo këtë e sabotuan klani autokratiko-korruptiv i drejtuar nga ishlideri i saj Isa Mustafa.

Po kështu edhe formimi i Partisë Demokratike të Shqipërisë lindi si kundërshti ndaj regjimit komunist dhe si një forcë politike që kishte vizionin dhe misionin e ndërtimit të një shteti modern , ligjor e demokratik dhe si një parti me orientim thellësisht proamerikan, dhe e cila pati edhe mbështeje nga SHBA.

 

Mirëpo, në demokraci kërcënimi si i partisë, si politikës , si shtetit dhe demokracisë i vjen nga autokracia e autokratët dhe sidomos nga papërgjegjshmëria, tradhtia publike, nga krimi e  korrupsioni.

Kështu ka ndodhur edhe me Partinë Demokratike të Shqipërisë sidomos në vitet e qeverisjes së dytë të saj, gjë për të cilën edhe u ndëshkua ashpër në zgjedhjet e vitit 2013 kryesisht prej korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë e të mbrojtjes institucionale të korrupsionit të lartë qeveritar e shtetëror, prej   bllokimit të demokracisë, e që më pas për ishKryetarin dhe ishkryeministrin Berisha erdhi shpallja e tij “non grata”nga SHBA.

Në Shqipëri ishkomunistët, ishshërbëtorët besnik të komunizmit dhe pinjollët e  regjimit komunist, pas komunizmit dhe gjatë këtij tranzicioni u  konvertuan në  socialistë por edhe në demokratë që vetëm si fasadë dhe nga zori binden dhe duken edhe si proamerikanë.

Dhe këta e sunduan tranzicionin në Shqipëri prej 30 vitesh, dhe për këtë arsye Shqipëria mbeti e fundit në Europë në rrugën e demokracisë, shtetit ligjor, mbeti e fundit në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit.

Nuk ka më komunistë se komunistët e konvertuar në demokratë dhe në properendimor e proamerikanë; dhe nuk ka më komunistë se ata komunistë   që pëllasin  dhe bëjnë sikur janë demokratë.

Prandaj të nderuar demokratë vendimi më i fundit i Kryetarit të Partisë Demokratike z. Basha për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së është një akt madhor dhe mëse i duhur  në këtë kohë të duhur,gjë të cilën e imponon koha dhe realiteti. Kjo pasi sot Shqipëria nuk është në vitet 1990-91 kur u shëmb komunizmi; sot Shqipëia pas 30 vitesh duhet të ndahet nga e vjetra politike dhe nga tranzicioni hibrid komunisto-demokratik.

Tranzicioni në Shqipëri fatkeqësisht ka keqfunksionur , ka bllokuar demokracinë dhe është kapur nga krimi, korrupsioni dhe nga padrejtësia.

Për këtë fajtori kryesor janë elita politike shqiptare.

Dhe SHBA-të, aleati më i madh i shqiptarëve e detyroi politikën shqiptare për të miratuar VETTING-un si reforma jetike për shqiptarët për t’u ndarë nga tranzicioni dhe nga fantazmat politike të tij dhe madje edhe ato të së shkuarës komuniste.

Kjo dhe me këtë më shumë pro saj u takon që të jenë dhe ta mbështesin demokratët shqiptarë, dhe ata të cilët kanë vuajtur dhe janë persekutuar nga regjimi komunist,përderisa po këta, pra po kjo shtresë kërkon dekomunistifikimin e Shqipërisë, dekriminalizimin e politikes, ndëshkimin e krimeve të komunizmit por edhe të krimeve e të padrejtësive të tranzicionit.

Pikërisht, këtë po mbështesin edhe aleati i madh i shqiptarëve, SHBA-të: vendosjen e drejtësisë dhe sundimin e ligjit, ndëshkimin dhe luftën kundër krimit e korrupsionit  dhe zhvillimin e konsolidimin e shtetit ligjor dhe demokratik.

Është mëse e qartë dhe e provuar gjithmonë  se gjithcka që vjen nga SHBA, për shqiptarët ajo vetëm sa është e nevojshme dhe e dobishme, sepse SHBA-të janë aleati strategjik dhe jetik i shqiptarëve.

Këtë e ka faktuar historia.

Nuk i lejohet, dhe nuk pranohet për një Parti Demokratike fakti që për ndonjë meritë të së shkuarës të liderit apo edhe të Partisë  që të justifikohen edhe veprime e sjellje të korruptuara dhe  as veprime e sjellje kundra dhe penguese për demokracinë kushdoqoftë ai, as si në rastin konkret të Sali Berishës.

Janë të papranueshme dhe të ndëshkueshme veprime e sjellje antiligjore e avokatie të korrupsionit të lartë shtetëror, kryeministror  dhe të aleatëve e shokëve që kanë bërë korrupsionin.Nuk ka pse të mashtrosh se po bën e vepron për ta shpëtuar PD-në duke sulmuar dhe me qëllim për ta dëbuar Bashën, pse Basha e përzuri Berishën nga Grupi parlamentar i PD-së pas shpalljes “non grata” dhe me kërkesë të   SHBA-ve.

Berisha nën maskën për ta shpëtuar PD-në ai ka qëllim që ashtu si ka vepruar  gjithmonë edhe tani ta përdorë PD-në dhe lëvizjen e tij antiBasha për ta shpëtuar veten e tij nga frika se mos do të dalë para ligjit.Kjo lëvizje e tij dhe e mbështetësve të tij i cili mundohet që ta  justifikojë  se është shkelur statuti i Partisë , në fakt kjo e quajtura lëvizje antiBasha është një lëvizje antiSHBA. Si do që të vërtiten gjërat, një gjë është e sigurtë, ajo se Berisha politikisht ka marrë fund.

Gjërat janë të dukshme dhe të lexueshme, dhe jo se nuk diheshin edhe  më parë.

Pra janë të papranueshme për SHBA-të veprime të tilla që pengojnë drejtësinë dhe ligjin , që bllokojnë demokracinë dhe që mbrojnë korrupsionin.

Dhe po të papranueshme këto janë dhe duhet të jenë edhe për Partinë Demokratike dhe për shqiptarët, dhe me të drejtë Basha është në një linjë me SHBA-të, demokracinë, me perspektivën dhe të ardhmen drejt ndryshimit e përmirësimit.

Për shtetin dhe për demokracinë amerikane, SHBA,  do dhe  respekton atë shtetar, atë politikan dhe atë qeveri deri në momentin kur dalin fakte dhe veprime korruptive dhe tradhtie për demokracinë e drejtësinë.

SHBA nuk bën kompromis me korrupsionin dhe as me të korruptuarit.

Prandaj dhe për këto arsye Basha ndërmori veprimin apo aktin e duhur duke e përjashtuar Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së, i Partisë e cila është simbol i lirisë dhe demokracisë shqiptare dhe si aleate besnike e demokracisë amerikane.

Lider historik i një partie  mund të jesh, por historia të hipotekon jo vetëm rezultatet e mira, por historia të hipotekon  edhe dështimin, korrupsionin dhe paligjshmërinëtë e kohës së sundimit e të qeverisjes edhe në demokraci.

SHBA përkrahën dhe e mbështetën Partinë Demokratike për të ardhur në pushtet në vitin 1992; SHBA edhe sot  janë me PD-në , dhe kërkojnë që tani PD të ndahet nga e kaluara e saj me qëllim që të ndahet edhe Shqipëria nga tranzicioni traumatik. Dhe po e përsëris se këtë e tha  edhe ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë kur deklarohet:

“30 vjet që kur Shqipëria u çlirua nga diktatura komuniste. 30 vjet tranzicion. Koha për të zgjedhur përsëri: Ndryshim apo ngecje?

Luftoni për brezin e ardhshëm apo mbroni fantazmat? E ardhmja apo e shkuara? Le të shikojmë në të ardhmen. SHBA dhe Shqipëria do ta bëjnë këtë së bashku”, shkruan ambasadorja amerikane.

Pra kush është ngecja, e shkuara  dhe kush është fantazma? Kuptohet është Berisha dhe e gjithë elita e vjetër politike në Shqipëri e cila është bërë pengesë për demokracinë.

Dhe kush është ndryshimi dhe e ardhmja ? Është Shqipëria, janë SHBA-të dhe  Demokracia.

Takimet dëshpëruese të  Berishës dhe të disa proberishistëve  kundër Bashës janë si antimitingjet e fantazmave të enveristëve kundër demokracisë  në vitin 1991-92.Ndërsa Berisha me 2-3 deputetë dhe me ca mbështetës ka filluar betejën kundër Bashës, për cudi deputetët e grupit parlamentar të PD-së, dhe nuk e di pse edhe baza e PD-së rri e tulatur, pse  heshtin  dhe ndonjëri prej tyre kur deklarohet shpreh cudi se si i erdhi Berishës “non grata” nga SHBA, por nga ana tjetër edhe po këta thonë se ishte vendimmarrje e drejtë ajo e Bashes.

 Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"