PD-ja po ndahet nga e vjetra për ta nxjerrë Shqipërinë nga tranzicioni. Basha, Demokracia dhe SHBA.

PD-ja po ndahet nga e vjetra për ta nxjerrë Shqipërinë nga tranzicioni. Basha, Demokracia dhe SHBA.
PD-ja po ndahet nga e vjetra për ta nxjerrë Shqipërinë nga tranzicioni. Basha, Demokracia dhe SHBA.

Skender Kapiti

  • 04 October 2021 - 12:54

Shkruan: Skënder Sadri KAPITI

Në sistemet demokratike forcat politike kanë emërtesat e tyre që shpesh edhe sikur “identifikohen” e që gabimisht sikur edhe personalizohen me të ashtuquajturët  lider “historik” apo edhe me emrin e kryetarëve të   tyre si p.sh. në Shqipëri, PD e Berishës, PS e Nanos e tani e Ramës, Republikanët e Mediut , agrarja e Dukës etj., dhe në Kosovë LDK e Rugovës, PDK e Thacit, AAK  e Haradinajt një tjetër e Pacollit etj.

Të gjitha partitë në demokraci garojnë për pushtet dhe janë të organizuara e funksionojnë sipas parimeve demokratike të demokracitetit dhe të lirisë së brëndshme, por që gjithmonë rrezikohen nga autokraciteti. Partitë Demokratike moderne kanë si referencë demokracinë amerikane si më shëmbullorja nga ku edhe prej SHBA-së merret eksperiencë e përvojë demokracie.

Në Shqipëri pas komunizmit partia e parë demokratike e pluralizmit shqiptar është Partia Demokratike e cila ka mbetur si simbol i lirisë dhe i demokracisë shqiptare dhe si partia shqiptare më proamerikane.

Sot PD-ja ka nevojë që të ndahet dhe të shkëputet  nga e vjetra politike e saj , nga ishkryetari i saj Berisha,  dhe nga ata të cilët janë bërë barrë dhe pengesë për PD-në por edhe për demokracinë si dhe jane  pengesë për ndarjen e PD-së nga tranzicioni i vete  asaj, e që me pastaj PD do i hapte  edhe rrugën konsolidimit të demokracisë në Shqipëri dhe shkëputjes nga ky tranzicion pengues, bllokues e korruptiv për shtetin dhe për shoqërinë shqiptare.

Partia Demokratike e Shqipërisë është vlerë kombëtare, atë nuk e ka formuar Sali Berisha dhe ai as nuk është pronar i saj, dhe me sjelljen e tij kohet e fundit kundër Bashës dhe pas shpalljes “non grata” nga SHBA, kjo sjellje e tij tregon se ai e ka përdorur Partinë Demokratike si vegël politike për interesin e tij përsonal,familjar e klanor, gjithashtu edhe proamerikanizmin Berisha  e paska pasur vetëm deklarativ, spekulativ, mashtrues  e fallco.

Të tillët si Berisha janë shumica edhe e atyre që e rrethekojnë e  shkojnë sot pas “foltores” agjitative te kamufluar dhe finoke antiPD, antiBasha e  antiSHBA të tij . Për demokratët për ditë po bëhet akoma më e qartë ajo të cilën unë ia pata dërguar Bashës, disa mediave dhe gazetës RD para zgjedhjeve te 25 Prillit 2021.

Kam shkruar,parashikuar dhe paralajmeruar se në PD ka individë “indiferentë” dhe  djallëzor si ishpresidenti dhe ishdeputetë të PD-së, ka nga ata që nuk kanë kandiduar me 25 Prill , duke përfshirë edhe Berishën , të cilët nuk e dëshironin fitoren e  PD-së dhe as Bashën, Kryeministër. Berisha nuk dëshiron fitoren e PD-së me Bashën sepse ai do që të mbetet imazhi për të se vetëm me Berishën PD-ja fiton.            

Pra kundër Bashës nuk ishte vetë PS-ja dhe Edi Rama,por kundër Bashës ishin edhe partitë mercenare që dolën nga të larguarit prej PD-së si  Topalli e Patozi me kompani por ishin edhe këta farë grupi për PD-në me në krye kapterrin e kohës së regjimit komunist , Bujar Nishani, si dhe interesaxhinjtë e tjerë që kanë përfituar prej pushtetit të Berishës.

Dhe megjithë këta “indiferentët” brënda PD-së të cilëve u dolën puplat menjëherë pas 25 Prillit 2021, Basha dhe PD arritën një rezultat spektakolar, ku vetëm blerja e votës nga pushteti i Ramës bëri të mundur që Basha sot nuk është kryeministër, dhe këtë po e shfrytëzojnë antiBashët dhe Berisha për ta larguar Bashën nga Kryetar i Partisë Demokratike.

Demokratët nuk do i kundërvihet Bashës për Sali Berishën dhe as  nuk do të sillen   me antiamerikanizëm si komunistët e regjimit të   Enver Hoxhës  dhe as si socialistët e PS-së, (ishPPSH-se) të konvertuar në proamerikanë sa për dukje dhe për interes politik dhe per pushtet.

Demokratë, kujdes nuk ka pse për interesin personal politik të Sali Berishës dhe të një grupi interesi që janë akoma në PD, nuk ka pse të bini pre as e antiamerikanizmit të tij dhe të këtij grupi.

Për këtë janë të mjaftueshme që të  lexoni “ non grata”-n amerikane për Berishën dhe  mesazhet e ishAmbasadorit Ryerson,  ishSekretares  së Shtetit Znj.Klinton dhe të Amasadores Yuri Kim.

Sot në PD po përballen dy modele politikbërjeje. Nga njëra anë është modeli spekulativ, korruptiv, arrogant, inatcor , fanatik e autokratik i Berishës dhe i përfituesve prej  pushtetit të tij, dhe nga ana tjetër është modeli demokratik,  tolerant, transparent dhe i një kulture të admirueshme qytetare, perendimore dhe demokratike i Lulzim Bashës i cili ka mbështetje të hapur nga SHBA-të, si një politikë perspektive e vizionare për të ardhmen kundër korupsionit dhe kundër së vjetrës  berishiste bllokuese e penguese për demokracinë dhe shtetin ligjor. 

Pra , sot me Bashën kemi dhe po konsolidohet e forcohet një Parti Demokratike reale, e përtërirë dhe demokratike me Bashën kryetar dhe që ka mbështetje te fortë nga SHBA-të, dhe se SHBA do ta mbështesë PD-në dhe Bashën për qeverisjen e Shqipërisë.

Berisha në përpjekjen e tij me te  e ashtuquajturën prej tij “foltore” për të inspiruar një reagim nga Partia Demokratike kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës nën maskën antiBasha, pse ai e përjashtoi me të drejtë  Berishën nga grupi palamentar i PD-së, pasi ai u shpall “non  grata” nga SHBA.

Por nuk e di se si ka mundësi që ka mbështetës të kësaj lëvizje antiSHBA!? Por shumë shpejt edhe këta do të tërhiqen pasi nuk do munden që ta mbrojnë Berishën; do të  “kthjellohen” për kotësinë e mbështetjes së tyre për liderin “historik”; do  u harxhohen këtyre energjitë e “besatarisë” dhe do t’u shuhet edhe entuziazmi berishist inatcor e fanatik i tyre kundër Bashës dhe SHBA-ve.

Një gjë është e qartë , ajo se SHBA-të kanë bërë për Shqipërinë dhe për shqiptarët më shumë se sa vetë shqiptarët.

Për Berishën SHBA-të janë të mira vetëm nëse e mbështesin Berishën, por ama SHBA-të kurrë nuk pajtohen me korrupsionin, SHBA-të të mbështesin por kur dalin fakte dhe kur ato zhgënjehen, SHBA  nuk të falin për korrupsionin. Këtë më se qartë e thotë edhe ishAmbasadori Ryerson. Ish-ambasadori Ryerson u pyet edhe mbi zhvillimet në Shqipëri që lidhen me shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili tha:

“Ato që kanë ndodhur në Shqipëri janë inkurajuese, por edhe shumë zhgënjyese. Dikush më pyeti kohët e fundit se përse e bëri Sekretari Blinken këtë, përse jo një njoftim nga një prej zëdhënësve. Për mua ky është një sinjal kundër korrupsionit, jo vetëm për Shqipërinë, por se Uashingtoni do ta godasë korrupsionin sa herë ta shohë, pavarësisht se për kë bëhet fjalë. Ajo që ka rëndësi është çfarë bën tani ky, apo ai person, ky, apo ai entitet. Ndoshta para 25-30 vitesh nuk ishin përfshirë në korrupsion, por janë përfshirë më pas dhe prandaj tani po merr vëmendje kaq të lartë”, tha ai.

Pra Ryerson , kjo deklaratë e tij shkon në një linjë me “non grata” që SHBA  shpalli Sali Berishës duke ia ndaluar atij hyrjen në SHBA, sipas DASH: 

“Sot, unë shpall të papërshtatshëm Sali Berishën, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-deputet i Parlamentit të Shqipërisë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të rëndë. Në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij.

Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve anti-korrupsion dhe masave të përgjegjësisë. Me këtë përcaktim, unë po rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë.

Ky emërim është bërë nën Seksionin 7031 (c) të Departamentit të Shtetit, Operacionet e Jashtme, dhe Programeve të Ndarjeve të Programeve, 2021. Përveç Berishës, unë po caktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berishën, djalin e tij, Shkelzen Berisha, dhe vajza Argita Berisha Malltezi. Këta individë nuk janë të përshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara.

Ky emërtim riafirmon angazhimin e përkrahjes së SHBA për reformat politike kryesore për institucionet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë me popullin e Shqipërisë. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritete si kjo për të promovuar përgjegjësinë për aktorët e korruptuar në këtë rajon dhe globalisht”.

Po kështu edhe Ambasadorja e SHBA-ve shprehet në sinkron me deklaratën e DASH, kur ajo deklaroi se:

“Do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu,” vijoi Yuri Kim.

Si dhe deklarimi tjetër nga ana  e saj se:

“30 vjet që kur Shqipëria u çlirua nga diktatura komuniste. 30 vjet tranzicion. Koha për të zgjedhur përsëri: Ndryshim apo ngecje? Luftoni për brezin e ardhshëm apo mbroni fantazmat? E ardhmja apo e shkuara? Le të shikojmë drejt së ardhmes. Amerika dhe Shqipëria do të bëjnë së bashku," shkruan ambasadorja amerikane.

Edhe më heret me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë  ishSekretaria amerikane e Shtetit, kur Kryeministër ishte Sali Berisha, Zonja Klinton dha që atëhere  paralajmërimin dhe mesazhin se:

“… ju nxis të përballeni me problemin që ndikon aq shumë demokraci në botë sot, dhe pikërisht korrupsionin. Kjo është një luftë që çdo vend duhet ta kryejë dhe të fitojë sepse në mbarë botën, korrupsioni është një kancer që gërryen shoqëritë. Shteron burimet, bllokon rritjen ekonomike, është mburojë për udhëheqës të paaftë dhe joetikë, dhe ndoshta më e keqja, krijon një kulturë pandëshkueshmërie që iu gërryen njerëzve vullnetin për të përmirësuar jetët dhe komunitetet e tyre. Çrrënjosja e korrupsionit kërkon përpjekje të pandalshme dhe një përkushtim të përbashkët. Pavarësisht cilës parti i përkisni, pavarësisht cilat janë mosmarrëveshjet tuaja, nxis të gjithë udhëheqësit e Shqipërisë të gjejnë vullnetin politik për të punuar sëbashku, për t’u përballur me këtë kërcënim ndaj pavarësisë suaj”.

 Pra, Demokratë lexoni këto mesazhe, që janë realisht mëse të drejta , të sakta dhe aq të nevojshme për shtetin dhe shoqërinë shqiptare sot për t’u ndarë nga e kaluara dhe nga tranzicioni , si dhe janë mesazhe të vyera për Partinë Demokratike për t’u ndarë nga e vjetra, nga fantazmat dhe nga korrupsioni, dhe keto i shërbejnë vetë Partisë Demokratike për të dalë nga tranzicioni dhe nga sistemi i korrupsionit si dhe për t’u ndarë nga ata të cilët ndjellin dhe përpiqen që ta përdorin  PD-në kundër SHBA-ve për interesa personale.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".