Qytetarët pa ujë të pijes, kandidatët e etshëm për pushtet!

Qytetarët pa ujë të pijes, kandidatët e etshëm për pushtet!
Qytetarët pa ujë të pijes, kandidatët e etshëm për pushtet!

Florim Zeqa

  • 08 October 2021 - 11:34

Shkruan: Florim Zeqa 08.10.2021

Analizë e paanshme parazgjedhore për komunën e Klinës

Me të filluar së shkruari për qytetin tim pa ujë të pijes, në mendje më erdhi poezia trishtuese e Fan S. Nolit “Anës Lumenjve”, e përshtatur realitetit të sotëm; anës lumit i palarë, anës dritës i paparë, pranë sofrës i pangrënë, pranë dijes i panxënë…, dhe një zë vengon nga lumi, më buçet, më zgjon nga gjumi, se mileti po gatitet për të votuar t’parin e vet, pa e ditur se çfarë të mirë do t’i sjell!

Qyteti i tharë në mesin e lumenjve

Duke i përcjellur debatet e drejtëpërdrejta televizive mes kandidatëve për kryetar të komunës së Klinës, qytetarët e zakonshëm të Kosovës kanë arsye të ndjehen të habitur se si ka mundësi që një qytet i rrethuar në të gjitha anët me lumenjë të mos ketë ende ujë të majftueshëm të pijes, e të mos flasim për nevojat e amvisërisë (në katet e larta të ndërtesave) nuk plotësohen as për së afërmi. Përderisa në zonat rurale (fshatra) banorët lokal me vetiniciativa e kanë zgjedhur problemin e ujit të pijes dhe të amvisërisë, me vendosjen e pompave elektrike në puset e thella apo mënyrave tjera alternative, banorët e qytetit të Klinës, duke mos e pasur këtë mundësi, ujin e pijës më shumë e blejnë sesa e shfrytëzojnë nga ujësjellësi për shkak të mungesës dhe papastërtisë.

Qyteti i vogël i shtatoreve dhe ndërtesave të larta

Menaxhuesit paraprak të qytetit të Klinës, gjegjësisht kryetarët paraprak nga shpallja e pavarësisë e këndej, deri tek kryetari aktual, jo vetëm që nuk arritën ta zgjidhin problemin e ujit të pijës për qytetarët e Klinës, këtë qytet, dikur të bukur dhe atraktiv për të jetuar, e kanë shndërruar në një kaos të vërtetë urbanistik, duke e ngulfatur me ndërtime të larta, pa hapësira gjelbëruese, pa çerdhe të mjaftueshme për fëmijë, pa shtëpi të pleqëve, pa stacion të autobusëve dhe pa shumçka tjetër.

Konkurenca jo lojale dhe dhënja e lejeve të ndërtimeve pa plan dhe pa kritere të mirëfillta urbanistike, e ka thyer Klinën në qytetin e banesave të larta dhe kafeneve të panumërta.

Dukuri tjetër e pazakontë për një qytet të vogël siq është Klina, është edhe numri i madh i shtatoreve (9 buste), ndoshta më i madhi në nivel vendi përkah shtrirja gjeografike. Vërtetë duket paradoksale, kur në një gjatësi prej më pak se 300 metrave janë të vendosura 4 shtatore të përmasave të ndryshme!

Të mos ndalem tek emërtimet e rrugëve dhe rrugicave, të cilat janë bërë sipas fuqisë partiake, duke mos përfillur kriteret bazike të emërtimit të rrugëve!

Abuzimi me asfalt dhe ndërtim të shkollave

Keq-menaxhimi dhe politizimi i institucioneve të pavarura, siq janë arsimi dhe shëndetësia, kanë bërë që të rritet abuzimi i personelit arsimor për vota dhe abuzimi me barna esenciale në QKMF.

Mosndërtimi i shkollave aty ku duhet dhe ndërtimi i tyre aty ku nuk ka nevojë fare për to, krijon dyshimet për abuzime dhe korrupsion të nivelit të lartë (lexo shkrimin e datës 01.09.2021 me titull: Mos e rrënoni shkollën me vlera historike).

Dukuri tjetër, e vjetër dhe e përseritur nga njëra palë zgjedhje në tjetrën është edhe shtrimi i asfaltit nëpër rrugët e fshatrave, arave dhe maleve (lexo shkrimin e datës 18.09.2021 me titull: Blerja e votave me “një petë lakrori” asfalt).

Kandidatët pa plane konkrete për zgjidhjen e probleve të qytetarëve

Ky ishte një përshkrim i përgjithësuar i situatës në komunën e Klinës, në vazhdim po i kthehemi situatës elektorale në këtë komunë. Siq dihet, në këto zgjedhje i kemi katër kandidat për të parin e komunës së Klinës; Zenun Elezi (kryetar aktual nga AAK), Esat Raci (PDK), Lulzim Dragidella (LVV) dhe Besim Hoti (LDK).

Po e fillojmë nga kryetari aktual, z. Zenun Elezi (Dr. i shkencave të Gjeologjisë), nga i cili qytetarët e Klinës kanë pritur shumë më shumë sesa nga paraardhësit e tij. Mirëpo, për katër vite, jo vetëm që ka mbetur i varfër në realizimin e premtimeve elektorale, i ka befasuar qytetarët me paaftësinë menaxhuese dhe vahzdimësinë e nepotizmit sipas modelit të klanit “Pronto”!

Kandidati nga radhët e PDK-së, z. Esat Raci, pjesë e pushtetit komunal në tri mandate lenë pak për të dëshiruar shkaku i varësisë që ka ndaj kryetarit të partisë. Këtë e dëshmojë në debatet e deritanishme duke i thurur lavde ish kryetarit dhe duke e ndërlidhur çdo premtim me emrin e tij!

Kandidati i tretë më radhë vjen nga radhët e LVV-së, titullari i dy doktoraturave, Dr. Lulzim Dragidella, edhe pse duket simpatik dhe shumë ambicioz, pa asnjë plan konkret, më shumë i beson “dahit” të LVV-së sesa aftësive personale për zgjedhjen e problemeve kruciale me të cilat përballen qytetarët e Klinës.

Kurse sa i përket kandidaturës së katërt për kryetar të Komunës së Klinës, Prof. Besim Hoti, kemi të bëjmë me një kuadër të kalitur mirë politikisht, njeri i fjalës dhe i besës, i urtë dhe i sinqertë, por sikur edhe atij po i mungon forca për zbardhjen e të gjitha aferave korruptive. Megjithatë, me maturinë dhe sinqeritetin e treguar gjatë debateve televizive, duket ta ketë krijuar një epërsi të lehtë ndaj kundërkandidatëve.

Balo(sh)tazhi e përcakton kryetarin e ardhshëm të Klinës

Një kandiat për kryetarë komune, përveq votave nga partia e tij, duhet të synoj edhe votat nga anëtarësia e gjërë e partive tjera, të zhgënjyer në qeverisjen e deritanishme në komunë, që i bie, t’i bëjë për vete qytetarët me premtime të realizueshme gjatë mandatit të tij katër vjeçar, e jo të “gjuaj në ajër” siq e thotë populli, për të arritur në fund të mandatit politik me disa kilometra asfalt apo kanalizime jofunksionale siq ka ndodhur deri me tani.

Bazuar në përballjet e deritanishme televizive, të katër kandidatët për kryetarë të Klinës lënë shumë për të dëshiruar. Asnjëri prej kandidatëve nuk besojnë dhe tashmë janë bindur që nuk do ta fitojnë Klinën në raundin e parë, prandaj secili llogaritë në secilin për balotazh, arsye kjo e fshehjes së fakteve dhe argumenteve, korrupsionit dhe aferave korruptive. Sesa do të arrijnë kandidatët për kryetarë t’i kapitalizojnë qëllimet e tyre elektorale në terren mbetet të shihet më 17 tetor, interesi i qytetarëve edhe kësaj radhe mbetet në planë të dytë.

Një gjë është tashmë është e sigurtë, gara për kryetarë të Klinës nuk do të përfundojë në raundin e parë. Do të jetë balo(sh)tazhi apo koaliconet e reja partiake, ato që do ta përcaktojnë fituesin, e jo vullneti i lirë dhe i drejtëpërdrejt i qytetarëve të Klinës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".