Kosovarët po paguajnë “harraqin” e ish-qeverisjeve kriminale!

Kosovarët po paguajnë “harraqin” e ish-qeverisjeve kriminale!

Gani Qarri

  • 09 October 2021 - 07:33

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Një nga  shkaktarët e kësaj bllokade mund të jenë edhe vendimet tepër të turpshme të "drejtësisë" së korruptuar në Kosovë, si bie fjala Gjykata e Apelit, e cila përveçse shpalli të pafajshëm pothuajse gjithë grupin  e Klanit "PRONTO, së fundmi ka nisur ti qoj "selame" me udhëzime sipas kutit të saj,  edhe vet Gjykatës Speciale në Hagë. Kështu që, duket se edhe pas ndryshimeve politike në vend, përderisa nuk spastrohet njëherë e mirë dhe rrënjësisht gjyqësori dhe prokuroria e kalbur, qytetarët e Kosovë, ende duhet ta paguajnë “harraqin” e qeverisjeve të kaluara dhe gjyqësisë së involvuar deri në fyt, në krim e korrupsion, vonesat në sundimin e ligjit, dhe tani, me apo pa fajin tonë, po tentohet që edhe liria e lëvizjes të futet si kusht i ri, në pakon e dialogut me Serbinë, deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve. 

Në pritjen e stërzgjatur e me premtime boshe nga viti në vit për heqjen e vizave, shpresat e qytetarëve të Kosovës për ta fituar të drejtën e lëvizjes së lirë, po shuhen përfundimisht, pasi që kjo çështje nuk u diskutua fare as në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Brdo të Sllovenisë. Madje, aty doli në sipërfaqe edhe një kusht krejt tjetër, tepër i rëndë dhe serioz për tu plotësuar, që është vazhdimi i dialogu me Serbinë dhe normalizimi i raporteve mes dy shteteve, si kusht edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën. 

Vet Komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, në samitin në Slloveni deklaroi se janë të përkushtuar për integrim dhe anëtarësim të plotë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, kurse sa i takon procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, ai tha se me kohë do të nis edhe një proces i tillë, por se për momentin, nuk është në rend të parë!? Kështu që përveç kritikave të kryeministrit Kurti, kësaj herë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kritikuar BE-në për mos-unitet në raport me lirinë e lëvizjes për Kosovarët duke u shprehur me tone kritike në samitin e BE-Ballkani Perëndimor në Brdo të Sllovenisë, për shkak të mos heqjes së regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe pavarësisht asaj që BE ka deklaruar publikisht se Kosova kaherë i ka përmbushur kushtet për heqjen e vizave,  por një gjë e tillë ende nuk po ndodh. 

Ndaj në pikën 6 të deklaratës së përbashkët të liderëve të  Samitit në Brdo thuhet vetëm se BE-ja mbështet përpjekjet e Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi e çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, si dhe presin përparim konkret nga të dyja palët në normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis dy vendeve, i cili është kritik për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar që ata të mund të vazhdojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane, por pa u zgjatur më tej, mbi liberalizmin e vizave, që ishte me interes për qytetarët e vendit tonë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".