Kompromisi i vetëm, njohja e Kosovës nga Serbia kolonialiste  

Kompromisi i vetëm, njohja e Kosovës nga Serbia kolonialiste  
Kompromisi i vetëm, njohja e Kosovës nga Serbia kolonialiste  

Prof. Dr. Mehdi Hyseni

  • 27 October 2021 - 09:35

Barometri diplomatik

Shkruan:Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Thjesht, për faktin se  Serbia ka konsumuar statusin kolonial të saj në Kosovën e Shqipërisë Etnike (1912-1999). Prandaj, nuk mund të ketë kompromis tjetër politik në procesin e Brukeslit (2011-2021) përpos njohjes de fakto dhe de jure të Kosovës së pavarur dhe sovrane nga ana e Serbisë ish-kolonialiste dhe ish-gjenocidale.  Çdo opsion tjetër politik, i arritur në kuadrin e dialogimit në Bruksel, do të ishte në favorin e rikthimit dhe të rivazhdimit të sundimit kolonial të Serbisë në Kosovë, ashtu sikurse në Preshevë, në Bujanoc dhe në Medvegjë (1878-2021).

Be-ja ta kushtëzojë Serbinë, jo Kosovën që ishte 100 vjet koloni e Serbisë !

Kushti  kryesor për Beogradin, duhet të jetë njohja e Republikës së pavarur të Kosovës nga ana e Serbisë. Ndryshe,  dialogu i Brukselit, që tani mund të llogaritet i dështuar, sepse pala negociuese shqiptare e Prishtinës nuk do të pranojë kurrfarë diktati a ultimatumi të emisarëve ndërmjetësues të BE-së, Josef Borrell dhe Miroslav Lajçak, që të nënshkruajnë ndonjë marrëveshje për formimin e “Srpska zajednicës” në Veriun e Kosovës, të cilën më 2013 e kanë nënshkruar Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Këtë farë marrëveshje nuk duhet riaktivizuar dhe zbatuar në asnjë formë  të saj, sepse synon  rikthimin e sovranitetit kolonial të Serbisë në Kosovë !

Këtë rrezik potencial për Kosovën, e kam paralajmëruar që nga viti (2013-2021)! Prandaj, prapë po e përsëris,  që kjo “temë” të mos hapet dhe të mos debatohet fare në Dialogun e Brukselit nga ana e palës negociuese e Prishtinës, duke qenë se “SZO”-ja (BKS) është forma më e lehtë dhe më e përshtatshme politike paqësore, që Beogradi zyrtar me ndihmën e emisarëve special të BE-së, të rikthejë sovraitetin kolonial të Serbisë në Kosovë. Pra, formimi i “SZO”-së, do të ishte  arma më e fuqishme për “bombardimin” e sovranitetit territorial dhe shtetëror të Republikës së Kosovës (17 shkurt 2008).

Gjithashtu, nëse vjen në shprehje themelimi i “SZO”-së , kjo  do të kërkonte të drejtën e vetëvendosjes së minoritet kolon në Kosovë, jo vetëm në veriun e saj. Si rrjedhim,  de fakto dhe de jure në praktikë, do të vinte në shprehje krijimi i “sovraniteti dual” i dy shteteve të barabarta. Në këtë rast, Serbia do ta njihte shtetin e pavarur të Kosovës, por jo edhe në enklavat me shumicë serbe e as në Veriun e Kosovës, ku do të shtrinte sovranitetin shteti  i Serbisë.

 Mirëpo, këtë lloj njohjeje të Kosovës  nga  Beogradi, nuk duhet pranuar me asnjë kusht, duke qenë se si enklavat, ashtu edhe eksklavat serbe ndodhen në territorin integral etnik, historik, gjeografik dhe gjeopolitik  autokton të Shqipërisë Etnike. Ndaj, nuk ekzisotn asnjë e drejtë historike  dhe as bazë ligjore , që të copëtohet asnjë pëllëmbë e territorit të Republikës së Kosovës, pavarësisht se kush ka propozuar opsionin e “sovranitetit dual” gjoja si “kompromis politik” për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.

Sa më sipër derisa  Serbia si shtet kolonial qindravjeçar nuk tërhiqet nga të gjitha territoret shqiptare, as Kosova e as Shqipëria londineze nuk kanë kurrfarë të drejte qoftë historike, politike a juridike, që ta njohin Republikën e Serbisë as de fakto e as de jure,  SEPSE  kjo do të ishte humbje e përgjithmonshme e së drejtës historike mbi territoret indigjene iliro-shqiptare  të Shqipërisë Etnike. Pra, derëbejtë e Tiranës dhe të Prishtinës qoftë të sotëm, qoftë të nesërm kurrë nuk duhet të bëjmë kompromis politik me Serbinë kolonialiste derisa kjo nuk braktis të gjitha  tokat shqiptare siç janë Presheva, Bujanoci, Medvegja, Novi Pazari, Nishi, Kurshumlia, Bllaca, Leskoci…etj.

Kompromisi me shtetin kolonial serb, është vetëm njohja e pavarësisë së Kosovës-shkolonizimi i saj dhe i të gjitha territoreve të tjera të sipërtheksuara autoktone të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike , të cilat Serbia përmes gjenocidit kolonial i ka pushtuar dhe aneksuar, që nga viti 1878. Këtë e dëshmon edhe gjendja e sotme e Preshevës, e Bujanocit, e Medvegjës, dhe e Novi Pazarit, të banuara me shqiptarë autktonë. Ndërkaq, territoret e tjera: Nish, Kurshumli, Prokuple, Vranjë, Leskoc, Bllacë...etj., janë tërësisht të spastruara etnikisht nga shqiptarët, të cilët Serbia kolonialiste i ka zhdukur dhe shpërngulur me gjenocid  dhe me masakra nga shtëpitë dhe nga tokat stërgjyshore (1878-2021).

Fundja, kush janë ata liderë politikë të verbër dhe tendenciozë dhe armiq shekullorë të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike, që po “sugjerojnë” arritjen e një kompromisi politik  mes Beogradit dhe Prishtinës,  se  gjoja “zgjidhja më e kapshme” për palët negociuese në Dialogun e Brukselit, është formula e “sovranitetit të dyfishtë” !?

Përkundrazi, kjo do të ishte formula më absurde dhe më fatale për palën negociuese shqiptare të Kosovës në Bruksel, kur botërisht dihet se Serbia  nuk ka asnjë pëllëmbë territory të saj në Kosovë, ngaqë kjo dikur ishte vetëm plaçkë koloniale e saj, e pushtuar me agresion dhe me gjenocid kolonial shekullor (1912-1999). 

Natyrisht se,  formulën e “sovranitetit të dyfishtë” ( si kompromis politik mes Beogradit dhe Prishtinës), me gjasë do ta pranonin si Moska, ashtu edhe Pekini, Spanja, Grqia, Qiproja  Greke, Sllovakia, Rumania, si dhe ndonjë shtet tjetër i OKB-së, që nuk e ka njohur Kosovën, mirëpo, një opsion të tillë nuk duhet pranuar pala negociatore e Kosovës, sepse me nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë, para së gjithash, do t’i hapte rrugën formimit të një shteti të ri serb në Kosovë, të cilin do ta njihnin si BE-ja, ashtu edhe OKB-ja, edhe pse ky kompromis eventual, duke u bazuar në “sovranitetin e dyfishtë” (tanimë është dakorduar edhe  ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Llavrov, duke nëvizuar se  “kjo varet nga vendimi i miqve tanë serbë”) , do të ishte në kundërshtim flagrant me parimet dhe me normat e së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke qenë se Serbia si shtet kolonial dhe gjenocidal nuk ka asnjë të drejtë ligjore, që të krijojë kurrfarë institucionesh dhe organesh shtetërore të saj në teritorin e shtetit të pavaru dhe sovran të Republikës së Kosovës.

Prandaj, pala negociatore me Albin Kurtin në krye e Kosovës, nuk duhet pranuar kurrfarë ultimatumi a diktati nga kushdo qoftë, që minoritetit kolon serb në Veriun e Kosovës, t’i njihej e drejta e vetëvendosjes, që nënkupton shkëputjen e territorit historik, gjeopolitik dhe shtetëror të pjesës veriore të Republikës së Kosovës.

Së fundi,  duhet ritheksuar se ligjërisht sipas së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara (1945-2021),  edhe në rastin e Serbisë kolonialiste (1912-1999), nuk mund të ketë kompromis tjetër politik e as juridik veçse DEKOLONIZIMIT të Kosovës nga Serbia kolonialiste, ashtu sikurse në dhjetëra e qindra raste të dekolonizimit të popujve dhe të shteteve të Afrikës, të Azisë dhe të Amerikës Latine.

Ky është kompromisi me Serbinë. Pikë kolonializmit gjenocidal të Serbisë në Ballkan, jo vetëm në Kosovë, në Novi Pazar, në Preshevë, në Bujanoc dhe në Medvegjën shqiptare. Ndryshe, Serbia kolonialiste, do të vazhdojë me politikën dhe me praktikën e saj të deritashme shekullore  në copëtimin dhe në aneksimin e territoreve shqiptare , që historikisht u përkasin shqiptarëve autoktonë dhe Shqipërisë Etnike. Si rrjedhim, Ballkani kurrë nuk do të ketë qetësi, as siguri e as paqe derisa  të mos dekolonizohet Serbia e Madhe  militariste, hegjemoniste dhe gjenocidale.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".