Kosova dhe Shqipëria po rrezikohen të braktisen me largim masiv të popullatës

Kosova dhe Shqipëria po rrezikohen të braktisen me largim masiv të popullatës

Gani Qarri

  • 28 October 2021 - 07:37

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Mjerisht jo stabiliteti ekonomik, politik e institucional, ka ndikuar shumë keq dhe vijimisht po ndikon gjithnjë e më tepër, në ngecjen e zhvillimit ekonomik dhe rritjen e shifrave alarmante të migrimit të popullatës, inteligjencës dhe fuqisë së re punëtore, drejtë vendeve të zhvilluara në BE dhe kudo në botë.Madje sipas analizës më të re të Eurostatit mungesa e theksuar e zhvillimit ekonomik dhe jo stabiliteti politik, kanë quar deri atje, sa 700 mijë shtetas dhe qytetar shqiptar, nga viti 2008 deri në 2020 të marrin leje qëndrimi jashtë vendit, në njërin nga shtetet e Bashkimit Evropian.

Sipas po këtij studimi, numri më i lartë i lejeve të qëndrimit është dhënë në periudhën 2008-2009, me përkatësisht 97.3 mijë dhe 83.9 mijë, si rrjedhojë e emigracionit të lartë të fillim viteve 2000, ndërsa për shkak të pandemisë me Covid-19, dy vitet e fundit fluksi i migrimit filloi të bie, duke zbritur në rreth 30 mijë qytetar të larguar nga vendi. Shifrat në fjalë, janë bërë të ditura nga vet Eurostat, apo Instituti Evropian i Statistikave dhe janë përpunuar nga “Monitor”. Ndërsa pas kësaj periudhe, fillon përsëri rritja e ciklit të emigracionit, gjë që tregohet edhe nga shtimi i ndjeshëm i kërkesave për azil me ç`rast solli një tjetër shtim të lejeve të qëndrimit, e cila kulmoi në vitin 2019, me rreth 60.4 mijë raste të tilla. Kurse vendin e parë me zbrazje të fuqisë punëtore në krahasim me shtetet e tjera të rajonit, e mbajnë Shqipëria dhe Kosova, vende që mbajnë rekordin për numrin e shtetasve të cilët për mënyrë mbijetese kanë gjetur të jetojnë e punojnë në një shtet të Bashkimit Evropian.

E siç u cek edhe më lartë, në raport me popullsinë e vendeve të rajonit, numri i qytetarëve që po largohen drejtë BE-së nga Shqipëria zë vendin e parë, ku rreth 25% e popullsisë shqiptare (të vitit 2020), konstatohet së tashmë jeton e punon në një nga vendet e Bashkimit Evropian, kurse në vendin e dytë për emigrim të të rinjve është Kosova me 15.4%, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina (10.3%), Maqedonia e Veriut (9.4%), Serbia (6.2) dhe Mali i Zi (3.3%) etj.Edhe Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës, në një raport të mëparshëm, gjeti se Shqipëria rezultoi me numrin më të lartë të emigrantëve në krahasim me Serbinë, Malin e Zi, Bosnjën, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën për periudhën 2010-2020,ndërsa si faktor themelor për ikjen e shqiptarëve nga vendi, ekspertët e Vjenës evidentojnë nivelin e lartë të varfërisë, fenomen që shpjegon flukset e mëdha të emigracionit sidomos nga Shqipëria dhe Kosova. Kjo dëshmon qartë se Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet me nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë banori në rajon dhe me nivelet më të larta të varfërisë sipas Bankës Botërore, që për rrjedhojë, kanë edhe flukset më të larta të migrimit. Vendi i cili ka pranuar numrin më të madh të migrantëve shqiptar është Gjermanisë, pastaj vije Italia dhe Greqia si destinacionet që kanë pritur numrin më të lartë të emigrantëve shqiptarë, që nga vitet e 90, të cilat mese 84% të lejeve të qëndrimit u kanë dhënë shqiptarëve, edhe për periudhën 2008-2020.

Pra këto analiza të ekspertëve ndërkombëtar duhet tu shërbejnë, të dy qeverive në Prishtinë dhe në Tiranë, si alarm serioz, në mënyrë që ti shpallin luftë më të ashpër korrupsionit e krimit të organizuar dhe të hapet, në mënyrë më të përshpejtuar, tregu për investimet e huaja, në mënyrë që të krijohet perspektivë për punësimin e të rinjve dhe fuqisë së re punëtore në vend, për ta ndalur trendin e zbrazjes nga kuadrot të cilat po i thithë tregu gjerë evropian. Megjithatë, shihet qartë se analizat e tilla, po injorohen nga të dyja shtetet shqiptare, ndaj dhe pasojat do të jenë të rënda për shqiptarët, nëse nuk ndërmerren masa emergjente, afatshkurtra dhe afatmesme për krijimin e kushteve të favorshme për investime të huaja, punësim e zhvillim, si mënyrat më efektive për të ndaluar eksportin legal dhe ilegal të fuqisë së re punëtore nga vendet tona.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".