Ish-pushtetarët e korruptuar në opozitë, i frikësohen një sistemi zgjedhor të reformuar

Ish-pushtetarët e korruptuar në opozitë, i frikësohen një sistemi zgjedhor të reformuar

Gani Qarri

  • 24 November 2021 - 07:38

Shkruan:Analisti - Gani Qarri

Pas përfundimit të zgjedhjeve komunale, tanimë është momenti i fundit dhe më ideal që të shfrytëzohet hapësira deri në zgjedhjet e radhës, parlamentare dhe lokale, në mënyrë që të mos humbet kohë por të fillohet menjëherë me konsultat ndërpartiake për t`ju qas më seriozisht dhe më me vendosmëri reformës së njëmendtë dhe të thellë zgjedhore, ngase në përpjekjet që LVV e nisi në fillim të këtij mandati qeverisës, u kushtëzua nga opozita me rrezikimin e votës dhe kuorumit për zgjedhjen e presidentes së Kosovës.

Siç dihet, qysh në fillim të këtij mandati, Qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje,menjëherë që në seancën e parë të rregullt të Kuvendit, e pati dërguar para deputetëve propozim ndryshimin e ligjit për zgjedhjet, për t’ia mundësuar mërgatës votimin në ambasada e konsullata të Republikës së Kosovës. Mirëpo, pa asnjë arsye bindës dhe fare pa argumente, ajo ishte kundërshtar ashpër nga partitë opozitare, të cilat deklaronin se kinse prioritet duhet të jetë reforma e tërësishme zgjedhore dhe jo një plotësim-ndryshim i tillë i ligjit, të cilat me një fjale, nuk dëshironin votimin e diasporës.

Kështu që pas përfundimit të zgjedhjeve, çështja në fjalë është iniciuar menjëherë nga Grupi Parlamentar i LVV-së, qysh në mbledhjen e parë të Kuvendit duke u deklaruar se jo vetëm për diasporën, por edhe të gjithë qytetarët brenda vendit presin reformë zgjedhore, ndaj tanimë dhe është koha e mirëfilltë e ndryshimit të Ligjit për zgjedhje. Madje për të eliminuar të gjitha defektet dhe dobësitë që me ligjin e trashëguar nga koha e UNMIK-ut, në vijimësi po e përcjellin këtë proces, kërkohet reformë e thellë ligjore për ngritjen e procesit zgjedhor në standardet e më të larta të modeleve evropiane. Për aq më tepër, reforma e njëmendtë do të siguronte pjesëmarrje më të sigurt e kredibile dhe pacenueshmëri të votës, jo vetëm të mërgimtarëve, por edhe të të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës, që duan të marrin pjesë në zgjedhje, brenda dhe jashtë vendit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".