Vendimi i Prokurorisë Speciale të Hagës kundër kërkesës për kalim në arrest shtëpiak zbulon lakuriq humbjen e besimit në drejtësinë e kapur nga krimi!

Vendimi i Prokurorisë Speciale të Hagës kundër kërkesës për kalim në arrest shtëpiak zbulon lakuriq humbjen e besimit në drejtësinë e kapur nga krimi!

Gani Qarri

  • 05 December 2021 - 07:57

Shkruan:ANALISTI-Gani Qarri

Vendimi i Prokurorisë Speciale me përgjigjen negative, nuk është lajm i papritur lidhur me garancinë e ofruar nga Policia e Kosovës për Thaçin dhe të tjerët e cila ka përmendur edhe një sërë faktesh se pse Policia e Kosovës nuk mund të ofrojë garanci të mjaftueshme që Thaçi & Co të kthehen në arrest shtëpiak. 

Vendimi i Prokurorisë Speciale të Hagës kundër kërkesës për kalim në arrest shtëpiak, të të akuzuarve për krime lufte në grupin e Thaçit, Veselit dhe Selimit, është një lajm shumë i rëndë paralajmërues për drejtësinë e vendit si dhe shumë i keq për vet të akuzuarit. Në fakt siç konfirmohej nga një transkriptim i një raporti konfidencial për përdorim të brendshëm të misioneve diplomatike, i cili thuhet se u shpërnda rastësisht, vet kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova qysh në shkurt të këtij viti, ka filluar ta tërhiqte vërejtjen se lirimi i të akuzuarve që tash e mbi një vit mbahen në arrest në Gjykatën Speciale, do të kishte efekt tronditës mbi dëshmitarët. Madje ata, jo vetëm që nuk do të dëshironin më bashkëpunim me Gjykatën Speciale, por as nuk do të guxonin të dëshmonin kundër të akuzuarve, ndaj dhe paralajmëronte Prokurorinë e Specializuar të mos lejonte lirimin e të arrestuarve.
 Në versionin e redaktuar të Prokurorisë Speciale që mban datën 29 nëntor 2021, thuhet se kushtet që Policia e Kosovës ka ofruar për siguri të të akuzuarve janë të pamjaftueshme, ndërsa para trupit gjykues është përfshirë edhe një fotografi e ish-presidentit Hashim Thaçi me ish-drejtorin e policisë Rashit Qalaj e Shpend Maxhuni si dhe me zyrtarët e PDK-së, që nënkupton se lidhjet e policisë së Kosovës me personat e arrestuar janë shumë të fuqishme. Prokuroria Speciale ka argumentuar përgjigjen e saj negative edhe me faktin se Policia e Kosovës ka ofruar monitorim 24 orë në 7 ditë të javës, për të akuzuarit me vetëm një polic para derës së shtëpive të të akuzuarve, gjë që sipas gjykatës, vetëm një polic është i pamjaftueshëm për garantimin e arrestit shtëpiak të personave të tillë me ndikim në Kosovë siç janë Thaçi, Veseli, Selimi, Krasniqi etj. 
 Për aq më tepër kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trëndafilove përveç postit të kryetares së Dhomave të Specializuara që ushtron në Hagë, ajo merret personalisht edhe me hetimin e krimeve të luftës, ndaj qysh në muajin shkurt të këtij ka filluar tu bëjë thirrje edhe diplomatëve të BE-së që të ndihmojnë në parandalimin e fushatës që vazhdimisht zhvillohet në Kosovë, nga frika se të akuzuarit në Hagë, mund të liroheshin. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) përmes një shkrese drejtuar gjykatës, ka kundërshtuar lirimin e Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nga paraburgimi, me arsyetimin se Policia e Kosovës nuk mund të zbatojë në mënyrë efektive kushtet e ofruara. Madje në përgjigjen e gjykatës ceket edhe fakti i trishtë se si edhe vet AKI kishte dy agjentë të paraqitur si dëshmitarë, për fabrikimin e dëshmive të trilluara që lidhnin kundërshtarët politikë të Hashim Thaçi me organizatat terroriste”?!.
E duke pasur të gjitha këto parasysh, jo shumë kohë më parë edhe gjyqtari i Dhomave të Specializuara, Kai Ambos i cili nisi i pari fushatën “juridike” për lirimin me kusht të Hashim Thaçit, dyshohet se me insistimin e vet kryetares së Dhomave të Specializuara, është eliminuar nga paneli i Apelit.Po ashtu, Prokuroria në arsyetimin e saj, me theks të Veçantë ka përmendur frikën e dëshmitarëve, pasi që sipas bindjes së ZPS-së, dëshmitarët nuk kanë nevojë të lëndohen fizikisht për t’u frikësuar dhe mjafton vetëm lirimi i të akuzuarve në Kosovë, për të krijuar frikë e pasiguri të mjaftueshme te dëshmitarët në këtë rast. 
Prokuroria pretendon se kushtet e propozuara nga policia e Kosovës,nuk janë të mjaftueshme për survijimin efektiv të paraburgimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke u mbështetur edhe në rastin e Remzi Shalës, Sami Lushtakut, Sabit Gecit etj, si dhe ikjet e tyre nga burgu dhe drejtësia", që tregojnë qartë se figurat e nivelit të lartë edhe sot kanë fuqi për të mposhtur kushtet e propozuara të policisë, megjithëse Policia e Kosovës mohon çdo përgjegjësi për dështimet e saj në zbatimin e ligjit dhe paaftësinë e trajtimit ligjor të politikanëve të profilit të lartë.

 

Në arsyetim, Prokuroria përmend edhe rastet e ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Policisë së Kosovës si bllokimi i zyrtarëve të EULEX-it, për zbatimin e drejtësisë duke mos lejuar, përkundër aktakuzës, arrestimin e shefit të policisë së atëhershme në Prizren, Nexhmi Krasniqi dhe dërgimin e tij në paraburgim. 
Madje kur kihet parasysh fakti se prokuroria dhe hetuesit e Gjykatës Speciale, qysh para një viti deklaronin se kundër të akuzuarve në Hagë, kanë siguruar qindra dëshmitar dhe mbledhur mbi 40 mijë faqe material hetimor, tanimë kur pritet të konfirmohet edhe koha e nisjes së procesit të gjykimit, është e pamundshme që Gjykata Speciale të mos refuzojë lirimin me kusht të Thaçit & Co.
 Kështu që sipas Prokurorisë, përderisa Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbeten me ndikim të jashtëzakonshëm në Kosovë, lirimi i tyre, përbën kërcënim ekzistencial për zbatimin e drejtësisë, nga Gjykata Speciale, që është një sinjal paralajmërues për provat e rënda që Prokuroria ka, ndaj të arrestuarve në Hagë, si dhe shprehje e mos besueshmërisë totale në institucionet e sigurisë në Kosovë, të cilat duket se edhe sot, vazhdojnë të mbeten të kapura dhe kontrollohen nga grupe të interesit dhe politika e inkriminuar në vend.  

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".