Berisha ta tërheqë padinë kundër sekretarit Shtetëror të Amerikës, Antony Blinken !

Berisha ta tërheqë padinë kundër sekretarit Shtetëror të Amerikës, Antony Blinken !
Berisha ta tërheqë padinë kundër sekretarit Shtetëror të Amerikës, Antony Blinken !

Prof. Dr. Mehdi Hyseni

  • 16 December 2021 - 12:52

Barometri diplomatik

Shkruan: Prof.Dr.Mehdi HYSENI

*** Në diplomaci vlen ky rregull : Në të njëjtën kohë (qoftë në kohë paqeje apo në kohë lufte) nuk duhet hyrë në luftë me dy a më shumë kundërshtarë, sepse humbjen e ke të sigurt. Prandaj, logjika racionale dhe realiste politike e diplomatike e  thotë se një burrë shteti a diplomat i aftë largpamës assesi nuk duhet anashkaluar këtë “formulë” të doktrinës diplomatike.  Kjo vlen edhe për Sali Berishën, edhe pse pothuajse tri dekada ka drejtuar politikën dhe diplomacinë e Republikës së Shqipërisë.

*** Ndërkaq, ish-kryetari i dështuar (jo  më pak se 8 vjet) Lulzim Basha, tash është i lirë, mund t’i “bjerë kavallit” . Lamtumirë !  Politika është më e vështirë sesa fizika atomike (sipas Albert Ajnshtajnit). Ndaj, politika kërkon njerëz mendjemprehtë, të ditur, dinamikë dhe vizionarë, jo njerëz të paditur dhe pasivë, që presin  lëmoshë,  direktiva, shtytje dhe privilegje prej të tjerëve qoftë të brnedshëm apo të jashtëm sa për të “mbijetuar” në skenën politike si liderë të falimentuar.

                                ****    ****

Duke qenë se me shkarkimin e  Lulzim Bashës (ish-kryetar  i PD-së) nga ana e “4446” delegatëve të Kuvendit të Jashtëzakonshëm Kombëtar  të PD-së, bërë në Tiranë, më 11 dhjetor 2021, u realizua faza e parë e objektivave prioritare strategjike të Lëvijzes së Rithemelimit të PD-së. Pas kësaj faze , realisht pritet që të zgjedhen edhe organet e reja drejtuese të PD-së (më 22 mars 2022), ku sipas të gjitha gjasëve, kryetari i saj do të zgjedhet Prof.Dr. Sali Berisha. Prandaj,  që tash, Sali Berisha duhet të reflektojë se me kë do të bashkëpunojë  në planin e politikës së jashtme në sistemin e marrëdhënieve politike ndërkombëtare. Para së gjithash, Sali Berisha nevojitet të krijojë kushtet dhe klimën e përshtatshme për bashkëpunimin  sa më të ngushtë me Uashingonin zyrtar, ashtu sikurse në tri dekadat e kaluara. Kjo duhet të jetë alfa dhe omega e bashkëpunimit miqësor dhe strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (edhe  me demokratët,  edhe me republikanët).

Pra, momenti e kërkon që Sali Berisha ta tërheqë padinë e bërë kundër Sekretarit Shtetëror të SHBA-së, Antony Blinken, mbase ky nuk mban kurrfarë përgjegjësie, që Sali Berisha është shpallur “persona nongrata” nga Departamenti Shtetëror Amerikan.

-Sa më shpejt ta bëjë këtë, aq më mirë do të ishte për Sali Berishën, sepse tanimë BAZA i dha mbështetjen, që Sali Berisha të jetë në krye të një PD-je të re dhe të riorganizuar politike, e në perspektivë, së shpejti BAZA do ta  votojë edhe për kryeministër të qeverisë së Shqipërisë. Këtë fakt krucial, duhet ta mbajë parasysh, që tani, Sali Berisha, sepse bashkëpunimi me Amerikën (qoftë me republikanët, qoftë me demokratët krejt njësoj për neve) është  më se i domosdoshëm dhe afatgjatë. Prandaj, në këtë kontekst, duhet të reflektojë thellë dhe gjithanshmërisht Sali Berisha, sepse  si kryeministër i ardhshëm, është i detyruar që hapin e parë politik dhe diploamtik ta bëjë drejt Uashingtonit zyrtar.

Pse Berisha duhet ta tërheqë padinë ndaj Blinkenit ?

Para së gjithash dhe, mbi të gjitha sekretari  aktual Antony Blinken, asnjëherë nuk ka deklaruar se Sali Berisha ose PD-ja  janë kundër interesave të Amerikës. Këtë duhet mbajtur parasysh si Sali Berisha, ashtu edhe të gjithë skribomanët, që po shkarravisin me paçavuret e tyre propagandistike antishqiptare dhe antiamerikane, me qëllim që ta destabilizojnë gjendjen e përgjithshme politike në Shqipëri, si dhe për t’i prishur marrëdhëniet dhe bashkëpunimin miqësor dhe aleator 30-vjeçar me Amerikën-shpëtimtare të Kosovës dhe të Shqipërisë.

-Arsye tjetër e logjikshme dhe realiste pragmatike  për  tërheqjen e asaj padie kundër skretarit të shtetit, Antony Blinken, është kjo: - Duke qenë se  në të gjitha foltoret e Brishës me BAZËN e anëtarëve të PD-së anembanë Shqipërisë, kryetari historik i PD-së, Sali Brisha në vijimësi ka akuzuar Xhorxh Sorosin dhe “bishtat” e tij kuislingë e mercenarë vendorë shqipfolës si Edi Rama e të tjerë, që  me “fletërrufet” e tyre raportuese kinse (përmes organizatave të ndryshme joqeveritare) për korrupsionin e Sali Berishës, dërguar Departamentit Shtetër Amerikan, kanë qenë iniciatorët kryesorë për shpalljen  persona nongrata të tij. Sipas kësaj akuze të Sali Berishës, del se Xhorxh Sorosi është fajtori kryesor për shpalljen nongrata të tij, JO sekretari shtetëror  i SHBA-së, Antony Blinken, mbase ai sipas detyrës zyrtare ka qenë i autorizuar ta nënshkruajë atë akt të shpalljes  “persona nongrata” të Sali Berishës.  Si rrjedhim, nëse  Sali Berisha konsideron se është palë e dëmtuar në këtë rast, do të DUHEJ ta padiste  Xhorxh Sorosin në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut  në Strasburg të Francës, jo assesi Antony Blinkenin (sekretarin aktual të SHBA-së).

Pra,  nëse Sali  Berisha dëshiron ta zbardhë ligjërisht rastin e  tij “persona nongrata”, duhet ta tërheqë padinë e bërë kundër Antony Blinken-it,  dhe, ta bëjë një padi tjetër kundër Xhorxh Sorosit për të cilin, tanimë ka marrë vesh e gjithë Shqipëria dhe i gjithë opinion publik ndërkombëtar, se ai është “fajtor kryesor” për shpalljen “persona non grata” të Sali Berishës, siç e ka shpjeguar ky në të gjitha foltoret e tij me BAZËN për rithemelimin  e PD-së si “parti konservatore djathtiste, më të hapur, më të bashkuar , më të decentralizuar dhe më të demokratizuar” për çka gjeti mbështetjen e shumicës dërrmuese të PD-së, të cilët më 11 dhjetor 2021 përmes “4446 delegatëve” të tyre në Kuvendin e jashtëzakonshëm Kombëtar, bërë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, me votën e tyre të fshehtë, të lirë demokratike e shkarkuan Lulzim Bashën dhe bashkudhheqjen e tij nga të të gjitha funksionet e tyre.

Mos e keqpërdorni emrin dhe mirëbesimin e Ambasadores amerikane Yuri Kim !

Pikësëpari Lulzim Basha  nuk ka kurrfarë të drejte morale e as ligjore, që “Persona non grata” të Departamentit Shtetëror të Amerikës, ta keqpërdorë si armë politike kundër Sali Berishës dhe kundër PD-së, sepse kjo nuk është çështje private e as partiake e Lulzim Bashës dhe, e askujt në Shqipëri, por vetëm e Amerikës. Vetëm kjo e di se si të veprojë në rastin konkret, askush tjetër. Kjo nuk është çështje e politikës së brendshme të Shqipërisë, por ekskluzivisht e Uashingtonit zyrtar.

Duke qenë se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ndërshtetëror i SHBA-së me Shqipërinë, janë më shumë se diplomatike, domethënë janë më shumë  se miqësore, të ngrohta dhe në mirëbesim, në këtë rast, jo vetëm se lejohet, por edhe parapëlqehet që ambasadorja Yuri Kim me sugjerimet dhe me shërbimet e vullnetit të mirë të saj lirisht mund të ketë kontakte dhe biseda, edhe me kryeliderët partiakë dhe të organizatave të tjera civile në Shqipëri, veç atyre protokolare me presidentin, me kryeministrin dhe me ministrin e Punëve të jashtme etj. Kjo formë bashkëpunimi, në asnjë kuptim nuk mund të cilësohet (as de fakto e as de jure) si ndonjë “ndërhyrje në punë të brendshme” të Shqipërisë.  Në këtë kontekst, nuk mund të bëhet fjalë se ambasadorja Yuri Kim kinse sipas Sali Berishës po e “luan rolin e një guvernatori”. Në asnjë kuptim ky cilësim i gabuar i Sali Berishës nuk qëndron, thjesht për faktin se Shqipëria nuk është kurrfarë kolonie klasike e as moderne e SHBA-së, por një shtet i pavarur dhe sovran,  ku lirinë, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e  tij politike, të rendit dhe të paqes  e mbron, e siguron dhe e garanton Amerika si  aleat stgrategjik  së bashku me NATO-n, anëtare e së cilës është edhe Shqipëria, që nga 2  prilli  i vitit 2009.

Uashingtoni zyrtar e di se, as Berisha e as PD-ja nuk janë kundër Amerikës

-Prandaj, parapëlqehet që Sali Berisha, sa më parë të jetë e mundur, të tërheqë padinë kundër sekretarit shtetëror të Amerikës, Antony Blinken.

Ndryshe, kjo do t’u konvenonte vetëm oponentëve të tij politikë dhe armiqve të egër të brendshëm shqipfolës (hedhurina të amalgams ruso-serbo-greke) të Shqipërisë,  të të cilëve pikërisht iu pengojnë marrëdhëniet e mira miqësore dhe aleatore me Amerikën. Si rrjedhojë jo më pak se 30 vjet (1991-2021)  i kanë dhënë vetes për “detyrë shtëpie” gjithnjë sipas instruksioneve, strategjemave dhe donacionave të agjenturave serbo-ruso-greke etj., që t’i fusin në zjarr shqiptarët me Amerikën e tyre mike, sepse vetëm atëherë, do të mund  t’i realizonin interesat e tyre të ndyra antishqiptare, antiameriane dhe anti evropianeperëndimore.

Mirëpo, ne përkundër një lufte të tillë të nëndheshme 30-vjeçare në funksion të asgjësimit të bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve miqësore ndërshtetërore me Amerikën, vazhdimisht dhe, në çdo kohë kemi nevojë  për çdo lloj ndihme të Amerikës, por jo duke e provokuar, duke e gënjyer, duke e dezinformuar  se gjoja BAZA e PD-së(shumica dërrmuese, e cila ka shkarkuar kryetarin dështak Lulzim Basha) “është kundër Amerikës”!

Kjo është gënjeshtër, manipulim dhe spekulim perfid i disa agjentëve  ruso-serbo-grekofilë shqipfolës (të njohur qe 30 vjet në shërbim të agjenturave ruse, serbe, malazeze dhe greke), të cilët janë minuesit dhe piromanët më fundamentalistë  për bombardimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Ky soj armiqësh kuislingë të brendshëm, ditën llomotisin dhe shtiren kinse  në “mbështetje” të Amerikës, kurse gjithë natën veprojnë nëpër “kuzhina”  agjenturore të miqve dhe të padronëve të tyre rusë, serbë, dhe grekë etj., duke thurur gracka, prita e plane subversive kundër Amerikës, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, si dhe në tërë Ballkanin.

Ambasadorja Yuri Kim nuk është armike, por mike e madhe e shqiptarëve dhe e Shqipërisë

-Sjelljet dhe verimet e saj diplomatike si përfaqësuese zyrtare e Amerikës në Shqipëri, mund t’i valorizojë vetëm Departamenti Shtetëror i SHBA-së me sekretarin e tij, Antony Blinken në krye, jo “turli farë lope” e Arsitotelit nëpër media dhe panele çajtoresh e kafenesh të ndryshme.

Duke qenë se de fakto dhe de jure asnjë ambasador në një shtet të huaj (pritës)  nuk mund të merret me “ndërhyrjen” në çështjet e brendshme të tij, sepse  ligjërisht nuk i përkasin ushtrimit të fushëveprimtarisë së tij. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë ata, që janë involvuar me kritikat e tyre (pro dhe kundër) ndaj z. Ambasadore  Yuri Kim, mbase kjo nuk ka të bëjë me “gjimnastikën” e politikës së brendshme të Shqipërisë, përkatësisht me “akrobacionet politike” të galvanizuara dhe të shfaqura  brenda Partisë Demokratike (PD) të Shqipërisë, ku Lulzim Basha për t’i zbutur dhe për t’i  fshirë gabimet  dhe dështimet e tij politike 8-vjeçare, pa të drejtë po përdor si “justifikim” emrin e z.Ambasadore Yuri Kim, duke gënjyer se gjoja  kjo  po “kërkon” për ta  mënjanuar nga PD-ja dhe nga politika Sali Berishën (kryetar historik i PD-së, ish-president, ish-kryeministër dhe ish-deputet i Shqipërisë).  Kjo nuk është e vërtetë, sepse këtë nuk po e kërkon Yuri Kim, por Lulzim Basha me “kompaninë” e tij partiake, si dhe me argatët, me oligarkët, me mafiozët dhe me mercenarët e regjimit antiemokratik  të Edi Ramës (kryeministër aktual) . Me gjasë këta me agjentuart e tyre janë, edhe ideatorët dhe formuluesit e “padisë”, dërguar Departamentit Shtetëror Amerikan, që Sali Berishën ta shpallte “persona non grata”,  Jo as ambasadorja Yuri Kim  në Tiranë e as Sekretari i Shtetit, Antony Blinken në Uashington.

 Lulzim Basha të mos përdorë emrin e ambasadores Yuri Kim si “armë” për ta demaskuar politikisht Sali Berishën

-Mbase Yuri Kim nuk ka asnjë lidhje me shpalljen   “Persona nongrata” të Sali Berishës, e as me krizën e shkaktuar politike të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Pikësëpari, këtë duhet kuptuar drejt e qartë Sali Berisha, si dhe të gjithë të tjerët në Shqipëri, të cilët qe tre muaj po e lakojnë emrin e ambasadores Yuri Kim, siç janë disa nga  liderët  politikë, gazetarët, analistët etj.  Mirëpo, të gjitha kritikat drejtuar në adresën e Yuri Kim janë të njëanshme, bajate, subjektive dhe tendencioze, duke qenë se autorët e tyre nuk  kanë njohuri elementare për ABC-në e diplomacisë dhe të politikës së jashtme, e as  të së drejtës ndërkombëtare, kur është fjala për rolin, autorizimet dhe kompetencat e një ambasadori, siç është edhe z.Yuri Kim  ambasadore e fuqiplotë dhe e jashtëzakonshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

 Ndërkaq,  një Mero Baze, që deklaroi  rrjeshëm se gjoja   në tubimin e Kuvendit të Jashtëzakonshëm Kombëtar të datës 11 dhjetor 2021 në stadiumin “Air Albania”  “kishte parë një kryengritje antiamerikane”, të hedhet në gjyq me procedurë të shkurtër, sepse gënjeu, mashtroi dhe dezinfomroi gjithë opinionin publik mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar.

-A ka  shpifje dhe gënjeshtër  më e pacipë, më provokuese se kjo floskulë perfide propagandistike kundër Amerikës dhe kundër forcave demokratike shqiptare proamerikane  me Sali Berishën në krye në Shqipëri. Ai që ka shpifur këtë gënjeshtër, më mirë është që vetë të paraqitet në Gjykatën Themelore të Tiranës, dhe të “deponojë” para gjykatësit se më 11 dhjetor 2021 në stadiumin “Air Albania”, “është shfaqur një kryengritje kundër Amerikës” nga mbi 5000 anëtarë të PD-së, të cilët në mënyrë dinjitoze, paqësore dhe krejtësisht demokratike evropiane kanë kërkuar dhe votuar shkarkimin e ligjshëm të ish-kryetarit të PD-së Lulzim Basha dhe të bashkudhëheqjes së tij. Ai  Mero Baze, duhet sanksionuar nga gjykata përkatëse, sepse ia ka nxirë fytyrën edhe gazetarisë, edhe fjalës e shprehjes së lirë, edhe demokracisë, edhe popullit, edhe shtetit  të Shqipërisë, duke qenë se  Kuvendi i Jashtëzakonshëm Kombëtar ishte legal dhe legjitim, i mbështetur nga  5000 delegatë të PD-së, i cili demonstroi vetëdije të lartë politike, demokratike dhe sjellje tejet qytetëruese evropianoperëndimore, duke mos shkaktuar asnjë incident as brenda e as jashtë stadiumit “Air Albania”.

Ndaj, aty nuk pati kurrfarë “kryengritjeje kundër Amerikës” e as kundër Evropës, por vetëm kërkesa dhe vendime legale, legjitime, demokratike dhe paqësore për ringritjen dhe ridemokratizimin dhe decentralizimin e Partisë Demokratike. Këtë enveniment politik, e ndoqa përmes ekranit, jo më pak se 8 orë, deri në mbylljen e tij me sukses. Ajo ishte një fitore e madhe  me përmbajtje  të thellë demokratike dhe paqësore, jo kursesi “kryengritje” kundër askujt !

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".