Kriza Energjetike dhe dështimet strategjike në Ekonominë e Kosovës!...

Kriza Energjetike dhe dështimet strategjike në Ekonominë e Kosovës!...
Kriza Energjetike dhe dështimet strategjike në Ekonominë e Kosovës!...

Ismail Muçiqi

  • 17 December 2021 - 09:39

Opinioni i aktualitetit.

Shrkuan:Ismail Muciqi

Kaluan 22 vite kur Kosova u çlirua nga okupimi serbë por mjerisht politika strategjike e zhvillimit të ekonomisë asnjëherë nuk kishte prioritet i Qeverive që udhëhiqen me vendin. Tani për shkak të këtyre dështimeve Kosova po përballet me mungesë të energjisë elektrike dhe të reduktimeve të gjata të cilat po e shqetësojnë opinionin e gjerë dhe po i sjellin dëmë ekonomisë dhe resurseve tjera ekzistuese.

Është i pakuptimtë dhe paradoksal se si një vend me resurse të pa fund të lignitit të përballet vazhdimisht me krizën energjetike. Kjo po i ndodh Kosovës për shkak të papërgjegjësisë totale dhe të dështimeve të njëpasnjëshme të Qeverive në pushtet të cilat për 20 vite nuk arritën të ndërtojnë një termocentral të një kapaciteti deri në 500 megavat i cili do të mjaftonte për nevojat e Republikës së Kosovës.

U fol disa here dhe u premtua me vite të tëra se do të ndërtohen kapacitetet e reja energjetike duke i shfrytëzuar resurset e lignitit rezervat e të cilit janë të pa llogaritshme. Kjo nuk u bë asnjëherë për shkak të polarizimit të partive politike, të një pjese të shoqërisë civile dhe të disa mjeteve të informimit të cilat ishin në shërbim të interesave të grupeve të ngushta të mafisë politike dhe asaj ekonomike. Duhet theksuar se vite me radhë u zhvilluan debate më të ndryshme të grupeve të interesit si nga brenda dhe jashtë Kosovës të cilat asnjëherë nuk arritën ti harmonizojnë qëndrimet dhe të gjejnë rrugë për zgjerimin e kapaciteteve energjetike. Qëndrimet populliste me plotë demagogji politike kundër ndërtimit të termocentralit të ri kinse për ruajtjen e ambientit e sollën Kosovën në terr në mesin e muajit Dhjetor të vitit 2021.

Më shumë se njëgjysëm shekulli qytetaret e Kosovës dhe ekonomia u furnizuan me energji elektrike na termocentralet e Kosovës [A] të cilat me decenie prodhuan energji elektrike duke e shfrytëzuar lignitin e Kosovës afër Obiliqit. Me mija e mija tonelata thëngjill u nxorën dhe u absorbuan në termocentralin e Kosovës A pa ndonjë standard apo mbikëqyrje të ndotjes të ambientit të cilën qytetaret e Kosovës e përballuan edhe atëherë kur teknika dhe teknologjia e filtrave për mbrojtjen e ambientit nuk ekzistonte. Shtrohet pyetja? Si mund të zhvillohet ekonomia e një shteti në shekullin e 21 pa resurse energjetike. Sot kriza energjetike u shndërrua në krizë globale e cila e ka kapluar gjithë Botën. Qmimet janë shtuar në mënyrë të paimagjinueshme, dhe ato po e godasin jo vetëm ekonomin e Shtetit, jo vetëm buxhetin e Qeverisë por kriza po e godet qdo qytetar dhe familje në Kosovë. Kosova po përballet me shumë sfida dhe probleme të cilat janë krijuar dhe përcjellur vite me radhë nga një Qeveri në tjetrën dhe tani kriza po troket në dyert e kabinetit të Qeverisë aktuale. Askujt më në Institucionet e Kosovës nuk i lejohet popullzimi dhe retorika pseudo patriotike të cilat me vite  sollën përqarje dhe dëme të pariparueshme në të gjitha sferat ekonomike dhe shoqërore.

Qdo kush duhet ta kryej punën dhe misionin dhe të japë përgjegjësi para qytetareve dhe para ligji. Qeveria cilado qoftë në pushtet është ajo që mban përgjegjësinë për funksionimin të rendit dhe ligjit dhe normave tjera të cilat parashihen me Kushtetutë. Grupet e interesit qfarëdo ato qofshin mund të japin mendimin e tyre por asesi ato nuk mund ti bllokojnë politikat zhvillimore të Qeverisë e cila e ka mandatin legjitim të votës së lirë nga qytetaret. Prandaj edhe pse shumë vonë qeveria aktuale patjetër se duhet ta analizojë dhe ta korrigjoj strategjinë e zhvillimit afat mesëm të Republikës së Kosovës në mënyrë që sa më parë ta bëjë elaboratin për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike sa ende nuk është bërë vonë. Përndryshe qytetaret me vite janë traumatizuar nga reduktimet e energjisë elektrike të cilat më nuk mund ti arsyetojë më asnjë Qeveri apo Institucion Shtetëror.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".