Ligji i ri për financimin e partive politikë shkëput lidhjen e kushtëzuar të pushtetit me krimin e organizuar

Ligji i ri për financimin e partive politikë shkëput lidhjen e kushtëzuar të pushtetit me krimin e organizuar

Hajrullah Tërnava

  • 18 December 2021 - 09:11

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Mënyra e financimit te partive ne periudhat e zgjedhjeve te deritashme ishte një pjesëmarrje e të gjitha partive në krim, sepse po ata të cilët i financonin partitë në zgjedhje, qofshin në ato qendrore apo lokale, në fund i kishin benifitet-përfitimet e premtuara nga të „fortit“ e tyre dhe drejtpërsëdrejti merrnin pjesë edhe në politikë, në poste të larta, sepse edhe ata kërkonin poste të rëndësishme në qeverisje të vendit. Shpesh herë ato edhe ato para që i investonin për zgjedhje ishin para të pista, prandaj tani ka ardhur koha që të përfundon njëherë e përgjithmonë, financimi i partive politike nga fondet e parave të pista, fondet e dyshimta dhe pa transparencë, një praktikë korruptive që ka funksionuar përgjatë dy dekadave.

-Në funksion të fuqizimit të shtetit ligjor dhe demokracisë funksionale, transparencës politike ndaj qytetarëve, Qeveria Kurti më në fund ka filluar edhe një proces të ri të plotësim ndryshimit të Ligjit për financimin e partive politike, një kërkesë e kahershme e BE-së por e bllokuar dhe e pa realizuar nga qeveritë e kaluara. Në diskutimin e parë publik rreth kësaj nisme të re, Kryeministri Kurti ka deklaruar se Ligji për Financimin e Partive Politike, duhet të përcaktojë qartë burimet e financimit, shumat e lejueshme dhe duhet të ofrojë transparencë maksimale për opinionin publik, për qytetarët.

Ai është shprehur se zgjedhjet, që janë baza e demokracisë, varen nga një elektorat i mirë informuar, i cili zgjedhjen e bën mbi bazën e besimit të krijuar në subjektin politik, programin e prezantuar, dhe jo nga tregtimi i votës, sepse të njëjtat, nuk mund të varen nga korporatat, grupet lobuese apo interesat speciale, të cilat shkruajnë çeqe, përderisa populli paguan faturën. Kryeministri Kurti ka thënë se shpreson që në këto parime të ketë konsensus ndërpartiak, sepse është për të mirën e përgjithshme dhe nuk mund të lejohet që rezultatet e zgjedhjeve, e më pastaj edhe qeverisja, të përcaktohen nga korporatat dhe mafio oligarkët, por transparenca e financimit duhet të konsiderohet qenësore, sepse dispozitat e hartuara në ligjin e ri, që ofrojnë transparencë të plotë financiare të burimeve, duhet të tregojnë që konsensusi politik në Republikën e Kosovës ndërtohet mbi vullnetin e përbashkët për transparencë, për llogaridhënie e luftim të korrupsionit, për çka flitet shumë e angazhimi në praktikë është në pikën më të ulët.

Nëse arrihet të krijohet Ligji mbi financimin e partive politike në periudhat parazgjedhore deri në zgjedhjet e radhës , atëherë lirisht mund të thuhet se partitë që i fitojnë zgjedhjet do ta qeverisin vendin me duar më të pastërta, sepse vetë fillimisht zgjedhjeve do të fitohen në mënyrë më të pastër, e jo si deri më tani që për zgjedhje investonin mafiooligarkët. Prandaj mundë të thuhet se deri më tash nuk ishte asnjë qeveri meritore e krijuar me votë të pastër nga besimi qytetar dhe nga oferta bindëse programore. Për vite të tëra, ata që qeverisnin me vendin , na dëshmuan se si korrupsioni dhe krimi ishin mjet për përfitime të grupeve kriminale të interesit, ishte mjeshtri për tu pasuruar, prandaj s’është për tu habitur që shumë nga ata të deri tashmit që e qeverisën këtë vend, skajshmërisht u pasuruan dhe sot janë multi milionerë që as nuk e din në detaje çfarë pasurie kanë. Prandaj në këtë situatë në të cilën gjendemi si shteti më i izoluar në botë, shkaktarët kryesor janë politikanët e korruptuar dhe që duke e qeverisur vendin u morën me krim të organizuar dhe abuzim me ligjin, në të gjitha format, vetëm për përfitime të tyre.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".