Parlamenti Evropian mesazh të fortë për shtetet e Ballkanit: Nuk ka anëtarësim në BE pa hapur dosjet dhe listat e krimit të spiunëve të UDB-së!

Parlamenti Evropian mesazh të fortë për shtetet e Ballkanit: Nuk ka anëtarësim në BE pa hapur dosjet dhe listat e krimit të spiunëve të UDB-së!

Gani Qarri

  • 23 December 2021 - 07:43

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Kërkesa zyrtare e Parlamentit Evropian, drejtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor për hapjen e arkivave, është jo vetëm kusht që duhet zbatuar për rrugëtimin drejtë BE-së, por edhe një moment i ri vendimtar për dekriminalizimin dhe fuqizimin e shtetit të së drejtës në të gjitha këto vende, për shkëputjen e tyre nga lidhjet e vjetra, prej dekadash ma mafien dhe krimin e organizuar.

-Më 15 dhjetor të këtij viti, përfaqësuesit e Parlamentit Evropian miratuan raportin për bashkëpunim me Ballkanin Perëndimor, në luftën kundër krimit të organizuar, dokument me të cilin kërkohet në mënyrë eksplicite, që shtetet e rajonit t'i hapin arkivat e ish-Jugosllavisë, pasi që në to, si Republika të ish federatës Jugosllave, gjatë gjithë atyre viteve, ka vepruar edhe shërbimi i fshehtë UBD, e në shumicën prej tyre , "pjesërisht" vepron edhe sot, qoftë edhe në formë të kamufluar dhe mënyra më të fshehta e konspirative.

Prandaj në dokumentin e miratuar, euro deputetët u bëjnë thirrje serioze qeverive të shteteve të rajonit që t'i shtojnë përpjekjet në thellimin e reformave, si në fushën e sundimit të ligjit, ashtu edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pasi që nga konstatimet e BE-së, del se Shumica nga shtetet e Ballkanit Perëndimor janë “shtete të prejardhjes, destinacionit dhe transitit me qenie njerëzore.

Madje në konstatim, është dëshmuar se, përveç që shërbejnë edhe si korridore transiti për emigrantët e refugjatët, po këto shtete janë edhe zona për shpëlarjen e parave të pista dhe të atyre nga tregtia me drogë e armë zjarri, gjë që e bënë të domosdoshme luftën për çrrënjosjen e lidhjeve të politikës dhe administratave shtetërore me krimin e organizuar përmes masave të qarta për mbrojtjen nga korrupsioni dhe ndjekjen efikase të rasteve penale të korrupsionit të profilit të lartë, të cilat duhet ti kenë në prioritet secili shtet i dalë nga ish federata jugosllave.

Vet kjo flet më së miri se ky është edhe një shans dhe njëkohësisht edhe kusht i detyrueshëm i zbulimit të dosjeve të shërbimit Sekret të UDB-së i cili ka funksionuar në lidhje zinxhirore në të gjitha këto shtete, dhe ku më shumë e ku më pak, ka vazhduar dhe vazhdon ti ruaj lidhjet e tij të spiunazhit edhe sot, në gjithë këto hapësira, për qëllime shantazhi , spiunimi dhe destabilizimi në planin afatgjatë, sikur që është rasti konkret i BIA-së së Serbisë me strukturat paralele në veri të Kosovës dhe nëpër enklavat serbe, përmes të cilave, ngritin tensionet dhe destabilizojnë gjendjen politike në Kosovë, si me porosi, sa herë që dëshiron Serbia.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".