Mirëdita Beograd, lamtumirë Kosovë, lamtumirë BE !

Mirëdita Beograd, lamtumirë Kosovë, lamtumirë BE !
Mirëdita Beograd, lamtumirë Kosovë, lamtumirë BE !

Prof. Dr. Mehdi Hyseni

  • 28 December 2021 - 09:31

Barometri diplomatik

Shkruan: Prof.Dr.Mehdi HYSENI

*** Sintagma “Ballkani i Hapur” është arma  më moderne asgjësuese e Republikës së Kosovës-përflakja e Ballkanit . Kjo është esenca e përmbajtjes së garës rivale politike; e konkurrencës ekonomike dhe tregtare mes Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë Verirore, me synim të dominimit të Serbisë së Madhe në tërë rajonin ballkanik, me theks të posaçëm mbi Kosovën. Preshevën, Bujanocin, Medvegjën…etj. Ky nuk është “Ballkani Perëndimor” , sepse i mungojnë : Mali i Zi, Kosova  dhe Bosnja e Hercegovina.

 Para se  të hymë in medias res të kësaj çështjeje sa  komplekse aq edhe absurde, imponohet kjo pyetje e thjeshtë, po sikur Vojvodina të kishte pasur të njëjtin status që sot e ka Kosova, a do të kishte pranuar Serbia, që të hynte në aleancë me Shqipërinë e Edi Ramës për ta anashkaluar, sikur që Edi Rama e tradhtoi Kosovën, duke  hyrë në aleancën serbo-ruso-sllave “Ballkani i Hapur”?

Përgjigja është kjo, Serbia kurrë nuk do ta tradhtonte Vojvodinën për hir të interesave të Edi Ramës, i cili e tradhtoi Kosovën vetëm për t’ia plotësuar dëshirat dhe kërkesat  politike, ekonomike e tregtare Serbisë, e cila nuk e njeh Republikën e Kosovës, por e quan “llazhna drzhava” dhe “njësi integrale të territorit të Serbisë” sipas Kushtetutës në fuqi (2006).

Mirëpo, si Edi Rama (tradhtari), ashtu edhe ata shqipfolës që e propagandojnë, i bashkohen dhe e ndihmojnë  këtë projekt serbo-ruso-sllav, do të jenë përgjegjës  për destabilizimin e sigurisë dhe të paqes në Ballkan, mbase  “Ballkani i Hapur” nuk do të sjellë paqe, as zhvillim e as kurrfarë sigurie politike, ekonomike e as të mirëqenies shqiptare e as Shqipërisë Etnike, sepse para së gjithash ka dimension të thellë gjeopolitik dhe gjeostrategjik serbo-ruso-kinez për t’i futur popujt e Ballkanit nën “ombrellën” e varësisë dhe të nënvarësisë së  dominimit të tyre kolonial dhe neokolonial imperialist si kundërpeshë e interesave  politike dhe strategjike të SHBA-së , të NATO-s dhe të BE-së në Ballkan. Në kuptimin më të gjerë të fjalës kjo do të thotë “riorganizimin e Rendit të Ri Botëror”, duke  imponuar sistemin multipolar të marrëdhënieve politike ndërkombëtare, në vend të sistemit njëpolar të deritashëm, të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (1990-2021).

“Ballkani i Hapur” është kurorëzim i aspiratave hegjemoniste të  Serbisë së Madhe në Ballkan

-Teza e “tredhur” eklektike se gjoja, së pari normalizimi i marrëdhënieve ekonomike, së dyti zgjidhja e problemeve politike,  është diletante, idiotike, irracionale dhe e papranueshme, sepse nuk e njeh as doktrina e  shkencës politike, as juridike  e as ajo diplomatike ndërkombëtare. Për më tepër, kjo tezë është pjellë e moçme shekullore e praktikës së hegjemonizmit dhe të kolonializimit të  shteteve të mëdha evropiane e botërore, së kendjemi edhe e Serbisë së Madhe kolonialiste  në Ballkan (1878-2021).

Prandaj, gëzon fakti që lidershipi aktual i Kosovës (Vjosa Osmani, presidente dhe kryeministri Albin Kurti) me të drejtë e kanë hedhur poshtë projektin serbo-rus “Ballkani i Hapur”, sepse është arma më e sofistikuar dhe më e rrezishme politike, që synon zhbërjen totale të shtetit të pavarur të Kosovës. Mirëpo, për këtë fatalitet eventual, kryeministrit  aktual Edi Rama,  nuk i “ ha palla ”, sepse e ka shtetin e vet-Shqipërinë londineze (1913).  Kjo tradhti për dritë dhe për diell, siç thotë populli, nuk është e para , sepse Kosova u tradhtua edhe në vitet ’90, kur Serbia agresore barbare  e Slobodan Milosheviqit, me  terror dhe me gjenocid e dogji shkrum e hi, si dhe maskaroi mbi “11.800”” shqiptarë  si pasojë e tradhtisë së lidershipit të Shqipërisë, që ushtarakisht nuk e mori në mbrotje Kosovën shqiptare për ta shpëtuar nga flaka dhe zjarri i gjencidit serb (1989-1999).

“ Ballkani  i Hapur” paralajmëron një luftë të re në Kosovë !

“Ballkani  i Hapur” nuk është  as mençuri, as ide e as vizion original i Aleksandër Vuçiqit e as i Edi Ramës, por ide e vjetër më se gjysmë shekullore e TPE-së , e themeluar nga frnacezët Jean Monnet dhe Robert  Schuman…etj. , që në vitin 1957 !  Këtë histori të formimit të Tergut të Përbashkët Evropian, e di e gjithë bota (1957-2021). 

Në lidhje me këtë çështje shtrohet kjo pyetje serioze, si mund të jetë një “ide e re” për integrimin ekonomik e tregtar të  rajonit, i ashtuqujaturi “Ballkan i Hapur”, kur presidenti Vuçiq e as Serbia nuk e njohin Republikën e pavarur të Kosovës (17 shkurt 2008)?

Përkundrazi, kjo është një ide e vjetër, që buron nga idetë e dikurshme të formimit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (1918-1929); të Mbretërisë Jugosllave (1929-1941); të Jugosllavisë Federative (1945-1990), si dhe të federatave ballkanike  të gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe të fillim shekullit XX.

Kjo ide e Vuçiqit nuk premton asgjë të re për iteresin nacional e as të drejtës së vetëvendosjes për shqiptarët e kolonizuar në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë e as për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, veç mashtrimit, nënshtrimit, shfrytëzimit dhe të sundimit të shqiptarëve në trojet e Shqipërisë Etnike. Për më tepër, në thelb “Ballkani i Hapur” në  kuptimin më të gjerë, do të thotë  “ Revizionimin e Rendit të Ri Botëror”  në përputhje me agjendën e interesave strategjike dhe gjeopolitike të Federatës Ruse dhe të Republikës së Kinës në Ballkan dhe në Evropën Aziatike, në Afrikë etj.

Pavarësisht nga gënjeshtrat dhe nga spekulimet politiko-propagandistike të Vuçiqit dhe të Edi Ramës, se gjoja “Ballkani i Hapur” i tyre “është shpëtimi” dhe “prosepriti” ekonomik e tregtar i popujve të rajonit, ky projekt me përmbajtje serbo-ruso-sllave, është betonarmeja e mosnjohjes së shtetit të pavarur të Kosovës nga Serbia, nga Rusia dhe nga Kina, përkatësisht zhbërja e tij graduale sipas interesav dhe diktatit të këtyre dy fuqive të mëdha botërore. Këtë e dëshmon edhe status quo-ja e  e mosjohjes së Kosovës nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku Kina dhe Rusia me veto-n e saj kanë bllokuar njohjen e Republikës së Kosovës.

Mirëpo, si presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ashtu edhe tradhtari Edi Rama(kryeministër, aleat i Vuçiqit), duhet ta kenë pasur të qartë se, pavarësisht nga përfundimi i marrëveshjeve të tyre në kuadrin e “Ballkanit të Hapur”,  të nënshkruara në Elbasan, më 21 dhjetor 2021, pa  njohjen e Kosovës nga OKB-ja, ky farë projekti do të jetë i dështuar, mbase Kosova nuk do të pranojë kurrë, që të aderojë në të, derisa  të mos e njohë de faskto dhe de jure Republikën e Kosovës. Për më tepër,  “Ballkani i Hapur” është instrumenti më i përshtatshëm politiko-juridik, që Beogradi të mos e njohë Republikën e pavarur të Kosovës, duke e konsideruar si “pjesë të pandashme të Serbisë”.

 Së këndejmi Edi Rama tradhtaoi edhe interesat vitale të Shqipërisë, sepse populli i saj, jo më pak se 30 vjet  ka sakrifikuar, ka investuar dhe me të drejtë ka pritur, që Shqipëra një ditë të bëhej anëtare e BE-së, ashtu sikur Sllovenia dhe Kroacia. Mirëpo, ja që ndodhi e kundërta e papritur, në vend se Shqipëria të aderonte në BE, kjo duke falënderuar busullës së ndryshkur politike orientuese të Edi Ramës humbi rrugën dhe, në vend se të arrinte në selinë e BE-së në Bruksel, përfundoi në  Paktin serbo-ruso-sllav “Ballkani i Hapur” në Beograd të Serbisë së Madhe. Kjo gafë politike e pakorrigjueshme,  do të thotë integrimin e Shqipërisë në “Srpski svet”-Serbinë e Madhe të Aleksandër Vuçiqit  (president aktual). Ky bashkim i Shqipërisë së Edi Ramës në Zonën e Kuqe Lindore Ruso-sovjetike, praktikisht do të thotë, lamtumirë Kosovë, lamtumirë Bashkim Evropian dhe lamtumirë “Ballkan Perëndimor”.  Një gabim i tillë politik, do t’u kushtojë shtrenjtë edhe Kosovës, edhe Shqipërisë, si dhe të gjithë shqiptarëve brenda kufijve të Shqipërisë Etnike, ngaqë përderisa të funksionojë Pakti i turpshëm-“Ballkani i Hapur”, shqiptarët as nuk do të guxojnë ta përmendin bashkimin, e lëre më të ndërmarrin ndonjë veprim konkret drejt realizimit dhe aspiratave të tyre shekullore për t’u bashkuar. Pra, shqiptarët, edhe më tej, do të ngelin të përçarë, të copëtuar dhe të kolonizauar në kënetat e Beogradit, të Shkupit, të Podgoricës dhe të Athinës.  Pra, ky do të jetë efekti politik i Anshlusit  Antishqiptar dhe Anti-Evropian i lidhur mes Vuçiqit, Ramës dhe Zaevit, cili përjashton “Procesin e Berlinit” dhe agjendën e “Ballkanit Perëndimor”.

Prandaj, ky farë Pakti Vuçiq, Rama, Zaev  nuk do të shpierë në kurrfarë modeli të ri  të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, por do të “elektrizojë” edhe më shumë kontradiktat dhe mosmarrëveshjet ndëretnike   në Ballkan.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".