Viti i dytë i Qeverisë, provim i madh epokal para qytetarëve

Viti i dytë i Qeverisë, provim i madh epokal para qytetarëve

Gani Qarri

  • 07 January 2022 - 07:46

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Mënyra e shumëpritur e financimit pa anime politik të projekteve zhvillimore nga Qeveria Kurti për nivelin lokal, do të jetë testi më serioz i paanësisë dhe i qasjes më parimore të deritanishme, për zhvillim të barabartë, në favor të interesit publik, e jo për interesin dhe militantizmin politik, vetëm pse rezultati në zgjedhjet komunale, nuk ishte në favor të partisë që udhëheq me shtetin, e cila në nivelin qendror është në pozitë,por në nivelin lokal kryesisht është në opozitë.

-Vetëm mënyra e një qasje të drejtë ndaj qeverisjes lokale në këtë mandat qeverisës, do të jetë edhe një shans për ta ruajtur besimin moral dhe përcaktimin politik për ndryshime, nga ana e qytetarëve të cilët për dy dekada janë mashtruar e diferencuar në përkatësi lokale dhe zona elektorale nga dhe kanë shkuar shumica e votave, duke e identifikuar partinë në pushtet, gabimisht me partin shtet!

Kështu që qasja e drejtë e zotimit me premtimin për zhvillim, ka mbetur si shpresa e vetme e qytetarëve për të mos e braktisur vendin në trendin marramendës që ishte vitet e kaluara , në mënyrë që të paktën, kjo qeveri, pas zhgënjimeve të mëdha të deritanishme, ti thotë përfundimisht stop diskriminimit lokal e rajonal, dhe edhe në aspektin zhvillimor, ti realizojë të gjitha projektet e planifikuara,pa anime dhe në rrafshin e drejtë e horizontal.

Trajtim të drejtë të zhvillimit lokal, në këtë fillim viti nga ekzekutivi, ka kërkuar edhe kreu i Asociacionit të Komunave të Kosovës Sazan Ibrahimi, si shpresa e vetme për ta ndaluar trendin e migrimit alarmant të qytetarëve, për shkak të mungesës së perspektivës dhe mostrajtimit të barabartë që ishte karakteristikë e trishtë e së kaluarës.

Ndaj Qeveria aktuale, e ka për obligim t’i trajtojë të gjitha komunat në mënyrë të barabartë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, pasi që sa i përket ndarjeve buxhetore tek granti i përgjithshëm ekzistojnë kriteret, mirëpo hilja më e madhe, gjithmonë ka ndodhur nga ministritë e linjës, të cilët kanë investuar nëpër komuna duke marrë parasysh më shumë kritere politike dhe etnike se sa ato profesionale.

Prandaj ka ardhur koha që pavarësisht faktit se në qeveri është një parti tjetër, kurse në nivelin lokal, një tjetër segment politik, kjo nuk duhet të bëhet shkak për një qasje jo-konstruktive nga ana e të gjithë ministrave lidhur me trajtimin e drejtë të nivelit lokal sepse qytetarëve u intereson zhvillimi dhe mirëqenia, e jo partia, si dhe realizimi i projekteve që kanë të bëjnë me ngritjen e cilësisë së jetës së tyre.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".