Veprimi retroaktiv i ligjit për konfiskimin e pasurisë që nga viti 2008, zgjidhje racionale për t’i ndëshkuar të pasuruarit me veprimtari kriminale!

Veprimi retroaktiv i ligjit për konfiskimin e pasurisë që nga viti 2008, zgjidhje racionale për t’i ndëshkuar të pasuruarit me veprimtari kriminale!

Gani Qarri

  • 22 January 2022 - 09:11

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Zbatimi me veprim retroaktiv, i Ligjit për Konfiskimin e pasurisë së pa justifikueshme në Kosovë, është veprim më i qëlluar i deritanishëm dhe hapi më prioritar për ta zhbërë edhe në praktikë, kastën e zhvatësve të shtetit, ashtu siç e ka planifikuar Ministrja e Drejtësisë, zonja Albulena Haxhiu.

- Në konsultime edhe me ekspertët e fushës, është sugjeruar që të shkohet me efekt retroaktiv të zbatimit të ligjit, duke filluar hetimin prej vitit 2008, pra që prej shpalljes së pavarësisë, e nëse deputetët mendojnë se kjo nuk është e mjaftueshme, mundë të shkohet edhe më larg, që nga paslufta, megjithëse me zgjerimin e distancës, pritet të ketë më shumë problem dhe vështirësi.

Por nga partitë e inkriminuara të cilat ndihen në siklet, ka filluar të bëhet fushatë e hapur kundër këtij ligji, vetëm për ta mjegulluar e mashtruar sa më tepër opinionin, e mbrojtur pasuritë e grumbulluara kundërligjshëm dhe oligarkët e inkriminuar që janë ngritur e pasuruar duke zhvatur në vijimësi shtetin dhe qytetarin e Kosovës, prandaj e presin me frikë dhe nën ethe të mëdha, miratimin e veçanërisht zbatimin e këtij ligji.

Kështu që për ti hequr dilemat dhe frikën e pakuptimtë që po e shpërndajnë të pasuruarit me korrupsion e krim të organizuar, si ish pushtetarët e kriminalizuar dhe vartësit e tyre, ministrja e drejtësisë ka sqaruar se edhe pasi të hyjë në fuqi ligji në fjalë, askush nuk ka arsye të frikësohet nëse pasurinë e ka krijuar në mënyrë të rregullt dhe me rrugë të ligjshme, sepse nuk është qëllimi i askujt që të pengohet fitimi I ligjshëm dhe secili që e ka fituar pasurinë me nder, duhet të rri i qetë, e vetëm ata që e kanë keqpërdorur djersën e popullit dhe grumbulluar pasuri me zhvatje e plaçkitje, duhet ta kthejnë atë pasuri, sepse ajo nuk u takon atyre, por qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.

Ndërsa kur bëhet fjalë për ligjin, Ministrja Haxhiu ka garantuar se modeli i tij, i takon standardeve më të larta evropiane dhe nuk ka asnjë mundësi që të keqpërdoret për ti keqtrajtuar dhe ndëshkuar ata që vërtetë kanë punuar me djersë dhe fituar në mënyrë të ligjshme. Kurse ata të cilët sot përpiqen të mashtrojnë se kinse ky projektligj shkel Kushtetutën e Kosovës, jo vetëm që nuk kanë fare të drejtë, por në asnjë rrethanë nuk kanë qenë në gjendje, ta dëshmojnë se në cilin nen, u shkelka Kushtetuta me një ligj të tillë, të avancuar evropian.

Dhe për të qenë plotësisht të sigurt, ne kemi bashkëpunuar edhe me një ekspert të Gjykatës së Strasburgut,që ka dhënë një raport shumë të vlefshëm, të cilin jam shumë e interesuar ta ndajmë me ata që shpifin, se kinse kanë dyshime, se paska problem që të funksionoj edhe byroja pa ndryshime kushtetuese. Për aq më tepër, në momentin kur Byroja do të vlerësoj se një person ka pasuri në sh‘përputhje me pagën, ekspertët që kanë ndihmuar në këtë drejtim, kanë rekomanduar që të ketë një prag si bazë, kur byroja mund të nis verifikimin e një pasurie të dyshimtë, duke caktuar pragun fillestar nga 25 mijë euro, e nëse zyrtari nuk mund ta arsyetoj pasurinë e grumbulluar dhe byroja vlerëson, si të dyshimtë, atëherë Gjykata duhet ta bëj konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Prandaj, për të mos abuzuar me ligjin dhe institucionin, Ministrja Haxhiu thotë se është shumë e rëndësishme që në krye të Byrosë të jetë një person apolitik dhe jopartiak, sepse në opinion, qysh tani, ka filluar të spekulohet se gjoja, ky ligj mundë të përdoret për hakmarrje, sikur që ka ndodhur në të kaluarën nga prokuror të ndryshëm të cilët kanë ngritur kallëzime penale, për interesa personale, gjë që ka qenë e padrejtë dhe tërësisht e kundërligjshme.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".