Epilogu i gjykimit të aferës PRONTO dëshmi e pa kontestueshme kapjes së thellë të drejtësisë nga krimi i organizuar

Epilogu i gjykimit të aferës PRONTO dëshmi e pa kontestueshme kapjes së thellë të drejtësisë nga krimi i organizuar

Gani Qarri

  • 23 January 2022 - 08:51

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Pikërisht ky rast, duhet të jetë shembull për listim, hetim dhe lustrim me procesin Vetting, si dhe dhjetëra e qindra raste të tjera, të tilla dhe të ngjashme të amnistuar nga lidhja e treshes së fort mafioze mes rrjetit të krimit të organizuar, gjykatësve dhe avokatëve të kapur dhe të gjitha këto lidhje kriminale duhet pastruar, ndjekur e ndëshkuar, për shërbimin që ia kanë bërë për dy dekada dhe vijojnë t`ia bëjnë akoma, mafies vendore dhe rrjeteve të krimit të organizuar.

Gjykata Supreme, sipas njoftimit të medies, me vendimin e fundit, ka liruar nga akuza edhe personin e vetëm ndaj të cilit akoma ishte në fuqi dënimi i shqiptuar, fjala është për ish-sekretarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Ilhami Gashi, i cili ishte i akuzuari i fundit me dënim, në rastin e njohur si afera “Pronto” së bashku me të tjerët.  Madje me përfundimin e epilogut të aferës së madhe spektakulare-Pronto, drejtësia inekzistente kosovare, dëshmoi edhe njëherë më tepër, se sa i kapur dhe i korruptuar është ky sistem tërësisht i degraduar, nga krimi i organizuar, prandaj edhe kërkesa më urgjente për ligjin Vetting, nuk është kërkesë vetëm e një subjekti politik, aktualisht në krye të shtetit, por është mëtim gjithë popullor dhe shpresa e vetme e qytetarëve të Kosovës, për spastrimin njëherë e mirë të gjyqësisë dhe prokurorisë të lidhura këmbë e krye me strukturat kriminale të politikës dhe Pronto-mafisë! Siç dihet edhe Ilhami Gashi ishte liruar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por qe shpallur fajtor nga Gjykata e Apelit, madje kjo e fundit e kishte dënuar atë me një vit e katër muaj burgim me kusht dhe deri para këtij vendimi ishte i vetmi nga 11 të akuzuarit e Klanit-Pronto me një aktgjykim dënues. Mirëpo  mbrojtësi i tij, avokati Gëzim Kollçaku, kishte ushtruar kërkesë për mbrojtje të “ligjshmërisë” në Gjykatën Supreme, e cila me vendimin e 22 nëntorit 2021, e ka aprovuar këtë kërkesë të mbrojtësit dhe ka vendosur që përfundimisht edhe Ilhami Gashi, njëjtë si pjesëtarët tjerë të Pronto-mafisë, të lirohet nga akuza për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të Shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”. Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 janar të vitit 2020 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj 11 të akuzuarve tjerë, në rastin e njohur “Pronto”, kurse Gjykata e Apelit, më 30 qershor 2020, kishte ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e shkallës së parë për të akuzuarit e “Pronto-s” dhe i kishte shpallur fajtorë Adem Grabovcin, Ilhami Gashin dhe Sedat Gashin, për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”. Adem Grabovcit Apeli i kishte shqiptuar dënim unik prej 1 vjet e 2 muaj burgim, dënim i cili nuk do të ekzekutohej në rast se ai nuk kryente vepër tjetër penale, në kohëzgjatje prej 2 viteve. Grabovcit i ishte hequr edhe e drejta për t’u zgjedhur dhe i ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht. Kurse Ilhami Gashit i ishte shqiptuar dënim unik prej 1 viti e 4 muaj burgim, dënim i cili po-ashtu nuk do të ekzekutohej në rast se i njëjti nuk kryente vepër tjetër penale, ne kohëzgjatje prej 2 viteve dhe njëjtë si Grabovcit, gjithashtu edhe atij i ishte hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht. Edhe Sedat Gashi ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 8 muajsh, dënim që nuk do të ekzekutohej në rast se i njëjti nuk kryente vepër tjetër penale në kohëzgjatje prej 1 viti, duke iu hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 vjetëve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht. Ndërsa për të tjerët, si; Besim Beqajn, Zenun Pajazitin, Nijazi Kryeziun, Arbenita Pajazitin, ish-sekretarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Fatmir Shurdhajn, Ismet Nezirajn, Xhavit Dakajn dhe Rexhë Abazin, Apeli e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke e vërtetuar aktgjykimin lirues të shkallës së parë. Ndaj këtij vendimi palët kishin bërë ankesë në Gjykatën Supreme, e cila më 29 shtator 2020 kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të 30 qershorit 2020. Mirëpo, pasi palët kishin paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, kjo gjykatë në prill të vitit 2021 e ka prishur aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të 30 qershorit 2020 dhe atë të Gjykatës Supreme, të 29 shtatorit 2020, edhe për pjesën dënuese në rastin “Pronto”, me ç`rast i ka anuluar dënimet e shqiptuara ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci si dhe për Ilhami Gashin e Sadat Gashin dhe e kishte kthyer rastin në rivendosje. Gjykata e Apelit në shtator të vitit 2021 kishte njoftuar se ka ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë vetëm sa i përket Ilhami Gashit, ndërsa lidhur me Grabovcin dhe Sadat Gashin, kjo gjykatë pati njoftuar se ka refuzuar si të pabazuar ankesën e PSRK-së dhe kishte vendosur që edhe ata dy të shpallen të pafajshëm.  Kështu që pikërisht ky rast, duhet të jetë shembull për listim, hetim dhe lustrim me procesin Vetting, si dhe dhjetëra e qindra raste të tjera, të tilla dhe të ngjashme të amnistuar nga lidhja e treshes së fort mafioze mes rrjetit të krimit të organizuar, gjykatësve dhe avokatëve të kapur dhe të gjitha këto lidhje kriminale duhet pastruar, ndjekur e ndëshkuar, për shërbimin që ia kanë bërë për dy dekada dhe vijojnë t`ia bëjnë akoma, mafies vendore dhe rrjeteve të krimit të organizuar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".