Më shumë e duam të huajin apo vetveten?!

Më shumë e duam të huajin apo vetveten?!
Më shumë e duam të huajin apo vetveten?!

Shefik Shkodra

  • 03 March 2022 - 14:16

Shkruan: ANALISTI: Shefik Shkodra

Ne shqiptarët mundemi të jenë unik. Mundemi të shprehim solidaritetin për vendin tonë. Është e drejtë e pamohueshme. Më mirë të sakrifikohemi për vendin tonë më parë. Disa herë e kam vërejtur, se si, njerëzit tonë, bashkëkombësit janë në gjendje ta duan të huajën më mirë se të veten. Veprat tona historike, kulturore, luftarake duhet të madhërohen çdo ditë, natyrisht me fakte e arsye, por edhe me ndjeshmëri të veçantë. Dua që t’i them disa fjalë lidhur me luftën në mes Ukrainës dhe Rusisë.

Kjo s’është e para, por kësaj herë është një sindromë, ta quaj ashtu, për nxitjen e përgjithshme në vatra të zjarreve, të cilat janë të kamufluara me retorika të ndryshme deri në ditët e sotme. Kjo luftë duket larg gjeografikisht, por është e mundur të marrë përmasa botërore, sepse ka të interesuar për të insistuar zhvillime të përgjakshme edhe në qarqe e regjione tjera, duke i njohur si kriza, sidomos në Ballkanin Perëndimor. Jo vlerësime e paragjykime. Jo kush do të jetë fitimtar e kush humbës. Nuk dua të “hedh fall” për këtë çështje. Nuk jam kurrfarë eksperti as forcave ushtarake e as armatimit të tyre.

Nuk i di as pasuritë e interesin e tyre në hollësi. Por, flas më shumë për mendimin e një pjese shqiptare, të të gjitha grupeve sociale. Me vetëdije të madhe të çdo njeriu e edhe të shqiptarëve, shprehet solidariteti ndaj popullit në vendin e tyre, që ndodhet nën predhat e palës tjetër. Për këtë u shënua një Rezolutë e Kuvendit të Kosovës. Luftërat nuk mund të çmohen si diçka e mirë. Natyrisht të dhimbsen njerëzit, sidomos ata që duan ta ruajnë lirinë dhe vendin e tyre.

Por aty pësojnë të pafajshmit (fëmijët, pleqtë, gratë, të sëmurët, etj.). Prandaj shprehja e ndjenjës së dhimbjes është diçka normale, kudo që zhvillohet luftë, sidomos luftë okupuese. Më parë është një solidaritet për të pafajshmit. Është një ndjenjë pa parti e politikë, pa racizëm, pa ndonjë interes fetar e politik.  

Ne jemi për mbrojtjen e integritetit të vendit dhe lirisë

Tash dalin te ne debate rrugësh, kush është për t’u dhimbsur e kush është i keq. Kujt duhet t’i ndihmohet e kë duhet kundërshtuar, etj. Bëhen nominime e glorifikime heronjsh. Çudi! Ka mjaft shqiptar për t’u ngritur si trima e heronj. S’ka nevojë që të duhen heronjtë e huaj para atyre tonë. Ne shqiptarët jemi të lidhur miqësisht me SHBA dhe NATO-n, më të besueshmit për  ne. Ata që na ndihmuan dhe na çliruan nga okupatori shekullor. Ata që mbajnë premtimin. Të vetmit janë në fund ata. Pastaj mund të kemi edhe miqësitë të tjera, në BE e  shkallë-shkallë që nuk mund dhe nuk duhet t’i mohojmë. Pos Turqisë, nuk kemi lidhje miqësie aq të hollë me vendet tjera aziatike e as afrikane.

Na jemi evropianë. Kurrfarë krahasimi nuk ka nevojë të bëjë secili njeri që i teket të paraqes emocionet e veta në emër të shqiptarëve. Shumë herë i kam parë disa “arsye” tejet subjektive. Nuk na duhet as mercenarizmi as glorifikimi as trimëria që çojmë pluhur në shpinën tonë. Ne jemi për mbrojtjen e integritetit territorial dhe lirisë së fëmijëve tanë, në këtë vend tonin të hershëm, të cilin e kanë brejtur si minjtë armiqtë tanë dalë nga dalë deri në këtë dimension gjeografik.

Se jemi të gatshëm të shprehim vullnetin për ndihmë fizike në vende të tjera, kësaj s’i thonë solidaritet e humanizëm për ne. Të gjitha ndihmat tjera mund të vijnë në shprehje sipas mundësive, edhe pse ne nuk jemi vendi i cili i ka kushtet për çfarëdo ndihme diku e dikujt tjetër. Nuk jemi vend që kemi përparuar në teknikë e teknologji më shumë se të tjerët, që të na shohin “hairin” të tjerët. Nuk posedojmë armatim të mjaftueshëm as për vete. Jemi ushtria më e re. Të tjerët janë duke shprehur solidaritetin për ne. Edhe materialisht nuk jemi askund. Fëmijët tanë po ikin nga vendi për shkak të një niveli të ulët të zhvillimit ekonomik. Për shkak të pa sigurisë. Për shkak të mos konsolidimit të rendit juridik ende që nga pas lufta, e një varg veprimesh të fushave të tjera jo aq të mira, që s’ka nevojë të potencohen sepse janë të njohura. E që pjesërisht të gjitha dobësitë, pothuajse, vetë i kemi shkaktuar, me dije e pa dije.

Është fillimi i jonë për një shtet të pavarur. Duhet të kemi plan e as organizim në rast të një lufte të re këtu te ne. Edhe nëse nuk do të ketë luftë kurrë, ne duhet ta mendojmë se nesër mund të ndodhë, jo me dëshirën tonë, por ajo imponohet nga ata që e duan luftën dhe krimin. Shprehja e luftës vjen nga goja e atyre që janë fut në korrupsion dhe krimin të organizuar. Serbia e para, kështu ka qenë gjithnjë. Në plaçkë dhe uzurpim me forcë...kështu i ka udhëheqësit edhe sot. Kështu ndodh edhe me Rusinë, që është në aleancë me serbët dhe boshtin sllav.   

Nuk kemi arsye të paraqiten vullnetarë për luftë në vende të tjera. Kurrfarë përfitimi e satisfaksioni as individual dhe as kolektiv nga ky vullnet i dikujt. Kë duhet ta dëgjojmë na tash si vend që nuk është në gjendje të plotë ende si shtet? Si i kemi punët me fqinjët përreth, konkretisht me Serbinë? Po pse mund të jemi aq solidarë me të tjerët, derisa me vetveten dhe vendin tonë jo sa duhet, e në disa raste dikush ia kthen shpinën vendit. Ndoshta këtë vullnet e kanë shprehë vetëm të paktë njerëz, vetëm disa zëra që nuk e kuptojnë gjendjen e përgjithshme në botë. Ndoshta nuk e kuptojnë as gjendjen në vendin e tyre në Kosovë e gjetiu te shqiptarët. Të gjithë ata që janë të ndjeshëm për krimet në njerëzim, mund t’i shikojnë rrëfimet dhe pamjet që kanë ndodhur në vendin tonë nga ushtria serbe. Edhe tash ngacmimet janë të pandalshme nga ana e shtetit serb. Ka mundësi që vullneti dhe solidariteti të shprehet edhe në këtu te ne. Dhe këto janë trojet tona. Për këto duhet luftuar. Dhe nuk kemi vend tjetër.

Solidarizimi me të tjerët në marrëveshje me aleatët  

Qeveria dhe institucionet tona duhet të punojnë syçelë për mbrojtjen e vendit. Të krijonin rezerva ushqimore; të shtohen donacione në shtresa popullore; të vëzhgojnë lëvizjet e çdo personi në tokën e Kosovës; të mos flasim shumë secili prej nesh në favor të askujt; të planifikojmë mbrojtjen e kufijve të vendit në rast  nevoje; të krijojmë unitet ndërmjet veti (që është shumë me rëndësi); shërbimet institucionale si AKI, policia, etj. duhet të jenë azhure për çdo çast, etj. Qeveria duhet të ndalojë me ligj të gjithë ata që dëshirojnë të luftojnë jashtë vendit. Dhe të gjithë ata që kanë vullnet për të luftuar për të tjerët, duhet të shkojnë nëpërmes kanaleve militare e qeveritare me marrëveshje. Këtu i kemi edhe aleatët.

Ne jemi të NATO-s. Nëse paraqitet nevoja edhe për këtë ndihmë, ata janë që të na sugjerojnë. Nuk ka arsye që krye në veti të bëjmë punë “hangari”. Së shpejti, nuk e dëshirojmë, mund të kemi luftë edhe këtu, në mes Serbisë dhe shqiptarëve. Planet e sllavëve janë gjatë kohë të përpunuara. Serbia me udhëheqësit fashist, nuk ka dashur deri më tash të merret vesh me shqiptarët dhe ta pranojnë Kosovën shtet të pavarur. Rregullisht paraqitet me kërcënime. Shpresa e tyre është, si kriminelë që janë për qytetarët e vet më parë, të përzihet Ballkani në flakën e luftës, për të përfituar...

Konkretisht, solidarizimi me luftën e ukrainasve kundrejt rusëve për ne duhet të bëhet nga këto dy shkaqe:i pari është çështje humane; i dyti është çështje politike globale. Krejt kjo vlen për shqiptarët. Sidomos për Kosovën. Por edhe për ata të Maqedonisë Veriore, të Malit të Zi, të Preshevës e edhe të Shqipërisë. Asnjë arsye tjetër. As “Ballkani i hapur” nuk ofron atë që kanë nevojë shqiptarët, veç të kundërtën. Duke parë inatet dhe interesin individual të rusëve, natyrisht mund të shkrepë edhe diçka jashtë masës të një lufte normale. Prandaj është rrezik për të gjithë. Duhet të punohet politikisht në atë mënyrë që kësaj lufte të mos i jepet dimension më i gjerë, por as të mos neglizhohet. Në qoftë se do të merreshin vesh palët në dyluftim, me ndërmjetës nga bota demokratike, kjo do të ishte  shumë sensacionale. Shumë e vlershme jo veç për palët në luftim, por edhe për botën e civilizuar kudo.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".