Kuvendi duhet ta hedh poshtë marrëveshjen për asociacionin një etnik serb

Kuvendi duhet ta hedh poshtë marrëveshjen për asociacionin një etnik serb

Gani Qarri

  • 13 March 2022 - 08:42

Shkruan: ANALISTI: Gani Qarri

Kosova para çdo rifillimi të bisedimeve me Serbinë, pikësëpari duhet ta shfuqizojë urgjentisht marrëveshjen kundër kushtetuese të asociacionit një etnik serb dhe ti dënojë në mënyrën më të ashpër ligjore, renegatët Thaçi e Mustafa,të cilët me mend në kokë, nënshkruan një marrëveshje të tillë kundërligjore, duke shkelur me të dy këmbët edhe Kushtetutën e vendit, nëse dëshiron tu shpëtojë detyrimeve, në të cilat e kanë futur këta renegatë Republikën e Kosovës, për interesat e tyre personale dhe obligimet që vetëm ata dy, e dinë, se çfarë i detyrohen Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë okupatore.

 

Pa shfuqizimin e marrëveshjes së lartcekur dhe dënimin e kuislingut Hashim Thaçi e renegatit jugo-komunist Isa Mustafa, të cilët bënë lëshime aq të mëdha e të dhembshme, sa që lejuan Serbinë të involvohet edhe në rregullimin e brendshëm shtetëror të Republikës së Kosovës, duke nënshkruar ngritjen e ngrehinave të rrezikshme, si asociacioni një etnik serb dhe dërguan vendin buzë ndarjes, askush nuk mund të ndikojë në ndryshimin e qëndrimeve të Serbisë dhe as që do të arrihet ndonjëherë marrëveshje, veçanërisht nëse partia e kriminelit Aleksandër Vuçiq, i fiton serish zgjedhjet parlamentare në Serbi, e cila do të vazhdojë të kërkoj formimin e asociacionit një etnik serb, si hap i parë drejtë ndarjes së Kosovës. Kështu që vetëm veprimi i shpejtë dhe i vendosur i Kosovës me shfuqizimin e hedhjen poshtë në Kuvend të marrëveshjes për asociacionin një etnik serb dhe dënimin meritor të nënshkruesve renegat të kësaj marrëveshje kundërligjore, do ta ndihmonte edhe vet ambasadorin e ri të sapo zyrtarizuar të SHBA-ve, të konfirmuar edhe nga Senati amerikan, z.Christopher Hill, jo vetëm të ndikojë, por edhe ta imponojë ndryshimin e qëndrimit të Serbisë në dialog me Kosovën, si kusht parësor për arritjen e marrëveshjes finale, me njohje reciproke, ndërmjet të dy vendeve. Përndryshe nëse edhe Qeveria Kurti vazhdon të heshtë siç kanë heshtur edhe qeveritë e kaluara tash e gati një dekadë, dhe nuk ndërmerr asnjë veprim adekuat ligjor kundër atyre që bënë pazare me tokat e Kosovës dhe shkelën ligjin dhe Kushtetutën e vendit tonë, vetëm për të nënshkruar formimin e një ngrehine serbe si "zajednica", Republika e Kosovës me apo pa vetëdije, po ua lë të gjitha rrugët hapur diplomatëve dhe ndërmjetësuesve të huaj, që të flasin dhe mendojnë, se vet Kosova është e gatshme, edhe më tej, të vazhdojë të bëjë kompromise në dëm të territorit dhe shtetësisë së saj.  Kështu që, pa heqjen qafe të asociacionit kundër-kushtetues një etnik serb dhe dënimin e autorëve ogurzi që nënshkruan bosnjëzimin dhe shkatërrimin e shtetësisë së Kosovës, duke hedhur kritika vetëm kundër diplomatëve të huaj, Kosova kurrë nuk do të ketë sukses në bisedime me Serbinë. Madje Qeveria Kurti duhet të ndërmarr sa më parë, të gjitha masat e nevojshme për mënjanimin urgjent të argatëve të Serbisë në vendin tonë, të cilët ka rrezik, që sapo ta nisë misionin Christopher Hill, të bëjnë serish thirrje për ndarjen e Kosovës, siç vepruan edhe në prag të vizitës së përfaqësuesit special të SHBA-ve Gabriel Eskobar dhe ndërmjetësuesit të BE-së, Miroslav Lajçak në Kosovë, eksponentët e shitur te PDK-së. Emërimi i Christopher Hill-it, nuk është rastësi, por projekt i mirë menduar amerikan që në momentin dhe kohën e duhur të dërgohet për postin e ambasadorit në Serbi diplomati i cili është rrënjësisht i familjarizuar me zhvillimet dhe të kaluarën në mes të dy vendeve, agresionin serb në Kosovë dhe krimet e gjenocidi që janë kryer ndaj popullsisë shqiptare, prandaj edhe ndikimi i tij në bisedime duhet dhe do të jetë në favor të mbështetjes së Kosovës, për të dekurajuar ambiciet e Serbisë për pazare tokash e lëvizje kufijsh dhe kompromise tjera të rrezikshme në dëm të shtetit të Kosovës. Siç dihet Christopher Hill në qershor të vitit 1998 si i dërguar special i SHBA-së për Kosovën së bashku me diplomatin e lartë Richard Holbrooke kishin takuar përfaqësuesit e UÇK-së në Junik, ndërsa më 13 janar 1999 së bashku me ambasadorin Villiam Valker, patën vizituar edhe shtabin e UÇK-së në Likoc, për të ndërmjetësuar lirimin e 8 ushtarëve serbë të zënë rob. Madje z.Hill një diplomat i njohur karriere, përveçse ka shërbyer si Emisar Special gjatë luftës në Kosovë, ai ishte i përfshirë drejtpërdrejti dhe i angazhuar si pjesë aktive e ‘Grupit të Kontaktit’ për të gjetur një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë edhe në negociatat e zhvilluara gjatë takimeve në Rambuje të Francës, pas të cilave u mor vendimi nga NATO, për bombardimin e Serbisë së Millosheviqit si vend agresor, dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës nga okupimi gati një shekullor serb, për çka shqiptarët dhe gjithë Kosova, SHBA-ve dhe NATO-së, u mbeten përjetësisht falënderues dhe mirënjohës përgjithmonë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".