Deri kur kështu, Kosova shtet pjesë e Evropës vetëm në hartë prej letre, e padukshme jashtë saj?

Deri kur kështu, Kosova shtet pjesë e Evropës vetëm në hartë prej letre, e padukshme jashtë saj?
Deri kur kështu, Kosova shtet pjesë e Evropës vetëm në hartë prej letre, e padukshme jashtë saj?

Mr. Donika Blaku

  • 21 March 2022 - 09:49

Shkruan: Mr. Donika Blaku

-Njerëzit të cilët më njohin nga afër e dinë që unë jam e pasionuar pas gjuhëve dhe kulturës. Ata gjithashtu e dinë që brenda meje ekziston një dëshirë e flaktë ta shoh vendin tim duke ecur përpara. Fatmirësisht në 6 vitet e fundit kam pasur mundësinë të jetoj në disa shtete dhe vizitoj vende të ndryshme brenda Evropës. Jo shumë njerëz e kuptojnë sa me fat janë të kenë mundësinë të udhëtojnë lirshëm pothuajse në çdo vend ku ata dëshirojnë. Në Kosovë për shumicën kjo është diçka e paarritshme.

Nuk pretendoj se jemi perfekt, madje jam jashtëzakonisht kritikuese ndaj vendit, shoqërisë e sidomos mentalitetit ekzistues në Kosovë. Synoj përmirësime të mëdha dhe vetëdijesim të shoqërisë, ku fokus kryesor ka arsimi dhe edukimi nga shteti (institucionet përkatëse) dhe familja. Mirëpo nuk mund ta mohoj faktin që bota qëndroi gjithmonë kundër nesh në politikat e saj globale. Ne nuk u vlerësuam kurrë sa duhet, dhe vendet e fuqishme nuk na dhanë rëndësi aspak në vendimet e tyre ndryshimprurëse.

Të gjithë na mbyllën dyert, dhe na kthyen shpinën në kohërat tona më të vështira, dhe vazhdojnë ta bëjnë. Kosova është vendi më i izoluar në Evropë, vendi i vetëm i cili ende kërkon liberalizim të vizave përkundër faktit që i ka përmbushur gjitha kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian. Ne jemi pjesë e Evropës vetëm në hartë, dhe pothuajse të padukshëm jashtë saj. Kur takoj persona të huaj dhe them që vij nga Kosova, shumica prej tyre më flasin rusisht apo serbisht dhe më pyesin a jam ruse apo serbe. Pothuajse askush nuk e di historinë tonë dhe shumë persona që ndoshta e dinë mendojnë që ende ka luftë dhe rrezik për vizitë në Kosovë. Prandaj në mundësitë që kam mundohem gjithmonë të ju tregoj të vërtetat dhe historinë e vendit tim. 

Gjatë dy javëve të para në Praktikën në Parlamentin gjerman kam folur mbi dhjetëra herë me shumë persona rreth Kosovës, historisë, kulturës dhe rinisë tonë . Shumica nga pjesëmarrësit ndihen të mahnitur nga historia e Kosovës dhe më bëjnë pyetje gjatë gjithë kohës, ku edhe unë me shumë dashuri dhe krenari tregoj historitë e njëjta disa herë me radhë. Me ta e kam ndarë dhe filmin  e nominuar për Oskar "Shok", ku tregohet shumë mirë lufta në Kosovë dhe besnikëria ndaj vendit dhe njerëzve tanë. Kam marrë shumë komente pozitive ndaj kombit tonë dhe ka gjithmonë e më shumë mbështetje nga vende të ndryshme.Një pjesëmarrëse nga Egjipti më ka treguar sesi ajo ka takuar Presidenten tonë, zonjën Vjosa Osmani në një konferencë në Universitetin Humboldt në Berlin  gjatë kohës kur ajo (vajza nga Egjipti) punonte si studente.

Ajo thoshte që znj. Osmani është person shumë i hapur dhe e afërt, gjë që i kishte lënë shumë përshtypje!Një pjesëmarrës nga Azerbejxhani mbështet Kosovën jashtëzakonisht shumë dhe njeh historinë tonë mjaft mirë, madje gjithmonë kur unë ju tregoj njerëzve rreth periudhave dhe regjimeve të ndryshme, ai ka gjithmonë diçka për të shtuar. Çka më ka habitur tej mase është që ai madje e dëgjon këngën "Marshi i UÇK-së" !!! Sa i përket vendeve të cilat nuk e njohin Kosovën, si psh. Gjeorgjia, ata ndihen keq përse kjo ndodhë, dhe shpresojnë që vendi i tyre të na njohë pavarësinë. Kam biseduar po ashtu dhe me persona nga Amerika, dhe njëri ndër ta më tha që mediet amerikane nuk i japin vëmendje dhe fokus aq të madh Kosovës, sa do duhej ta bënin. Ai ndihet keq që shumë amerikanë nuk kanë informata rreth luftës në Kosovë dhe intervenimit të SHBA-ve, dhe se ai vetë ka dëgjuar historinë e Kosovës për herë të parë para 3 vitesh.

Normalisht shumë prej tyre njohin artistët tanë, një polak është fans i madh i Dua Lipa-s, një sllovake pëlqen Ardian Bujupin, dhe shumë të tjerë njohin artistet Rita Ora dhe Bebe Rexha. Ndihem mjaft e lumtur të jem pjesë e këtij programi dhe të jap kontributin tim sado pak që Kosova të ecë përpara!Shpresoj që Kosova të fitojë sa më shumë njohje, sa më shumë aleatë ndërkombëtarë dhe mbi të gjitha drejtësinë që e meriton nga  bota!

Ps. Donika Blaku ka përfunduar studimet bachelor në drejtimin “Gjuhë dhe Letërsi Angleze" në Prishtinë dhe studimet Master në drejtimin "Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci Kulturore" në Berlin. Për momentin ajo është duke bërë Punë Praktike në Parlamentin Gjerman, si përfituese e Bursës Ndërkombëtare të Parlamentit (IPS - Internacionales Parlaments Stipendium). 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".