Tirana zyrtare humbi shansin historik që ta shpëtonte dhe ta bashkonte Kosovën me Shqipërinë (1989-1999)

Tirana zyrtare humbi shansin historik që ta shpëtonte  dhe ta bashkonte Kosovën me Shqipërinë (1989-1999)
Tirana zyrtare humbi shansin historik që ta shpëtonte  dhe ta bashkonte Kosovën me Shqipërinë (1989-1999)

Prof. Dr. Mehdi Hyseni

  • 06 April 2022 - 08:59

Shkruan:Prof. Dr. Mehdi Hyseni

(KAPITULLI  IX)

TIRANA ZYRTARE HUMBI SHANSIN HISTORIK QË TA SHPËTONTE  DHE TA BASHKONTE KOSOVËN ME SHQIPËRINË (1989-1999)

Rastin dhe përparësinë historike e politike për çlirimin dhe për pavarësimin e Kosovës, pa dyshim se e patën politika rugoviste e Kosovës dhe politika zyrtare e Tiranës (1989-1999). Mirëpo, as njëra e as tjetra nuk provuan dhe nuk denjuan, që  të bashkëpunonin dhe të bashkëvepronin në ndërtimin e strategjisë politiko-diplomatike dhe ushtarake të ndërtimit të sistemit unik organizativo-luftarak të mbrojtjes së Kosovës nga Serbia pushtuese dhe gjenocidale e Slobodan Milosheviqit (1989-1999).  Ndërtimi i një strategjie të tillë  unike  të mbrojtjes ushtarake të Kosovës nga ana e Shqipërisë, pa dyshim se do të frenonte dhe neutralizonte çdo sulm dhe agresion ushtarak të Serbisë ndaj Kosovës (1989-1999). 

Mirëpo, në mungesë të një strategjie të përbashkët mbrojtëse (Tiranë-Prishtinë), Serbia militariste përfitoi nga rasti dhe me tanke policore e ushtarake me mbi “70000 trupa policore, paramilitare dhe militare ” ripushtoi dhe rikolonizoi Kosovën (1989), pa u penguar fare nga mbrojtja ushtarake dhe luftarake e ushtrisë kombëtare të Shqipërisë, as nga BE-ja e as nga OKB-ja. (1989-1999).

Kjo tragjedi Kosovës i kushtoi shumë shtrenjtë, ngase armiku pushtues barbar serb, Kosovën e shndërroi në varreza masive, duke therrur, masakruar dhe vrarë mbi “11.800 shqiptarë” të të gjitha moshave (foshnja, fëmijë, djem, vajza, gra, burra dhe pleq); dhunoi mbi “22.000 femra shqiptare”; shpërnguli mbi 1 milion shqiptarë, si dhe dogji anembanë Kosovën shqiptare (1989-1999). Ky ishte çmimi i bilancit tragjik të mbi 2 milionë e gjysmë shqiptarëve të Kosovës, që për shkaqe të pajustifikueshme u la në zjarrin dhe në flakën e terrorit dhe të gjenocidit serb, pa  mbrojtjen ushtarake të Republikës së Shqipërisë dhe të bashkësisë ndërkombëtare!?

***   ***   ***

Shembja e Murit të Berlinit bashkoi gjermanët, por jo edhe shqiptarët në  Ballkan , sepse nuk kishin një  Sharl dë Gol shpëtimtar dhe hero të Francës !

Ky ishte shansi historik edhe për bashkimin e shqiptarëve brenda Shqipërisë së tyre etnike në Ballkan, sepse më 9 nëntor të vitit 1989 u shemb Muri famëkeq i Berlinit (1961-1989) dhe, më pas, më 1991 shthuret edhe Traktati i Varshavës (si kundërpeshë e Paktit NATO, 1955-1991) me ç’rast përfundoi lufta e ftohtë mes dy superfuqive botërore. Si rrjedhim,  me bashkimin e Gjermanisë, më 3 tetor 1990, u përmbys përgjithmonë “Perandoria e kuqe” e BRSS-së si superfuqi botërore, që pothuajse për gjysmë shekulli ishte “ombrella” bërthamore e sistemit të mbrojtjes ushtarako-politike të shteteve të kampit socialist të Evropës Lindore.

(Shembja e Murit të Berlinit, më 9 Nëntor 1989. Foto: Fall of the Berlin Wall - Wikipedia)

Mirëpo, sa ia vlen që këtë rikonfigurim gjeostrategjik dhe gjeopolitik me peshë historike të Evropës Lindore dhe Juglindore, politika dhe diplomacia zyrtare e Shqipërisë nuk ia arritën  ta kapitalizonin  në favorin e zgjidhjes së çështjes koloniale të Kosovës e as të territoreve të tjera të Shqipërisë Etnike, po kështu të kolonizuara dhe të aneksuara nga Serbia,  Mali i Zi, nga Greqia dhe nga Maqedonia (1912-2022).

Në vend të riaktualizimit ndërkombëtar të zgjidhjes së çështjes koloniale shqiptare në Ballkan, politika dhe diplomacia e Tiranës bëri të kundërtën, de fakto dhe de jure ua rinjohu  “të drejtën historike” dhe “legale” Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë dhe Greqisë mbi territoret autoktone të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike (1912-2022). Ky ishte fataliteti i ripërsëritur historik i politikës dhe i diplomacisë shqiptare, sepse vullnetarisht dhe, në mënyrë krejt joligjore, antihistorike e antikombëtare rikonfirmoi  kufijtë artificialë të kolonializmit gjenocidal imperialist sllav ballkanik mbi territoret autoktone të Shqipërisë Etnike (1990-2022).

Kështu, si shkak dhe pasojë e verbërisë dhe e arrogancës së qarqeve të caktuara politike, u shkel dhe u mohua e drejta natyrale, historike dhe e drejta e vetëvendosjes së gjysmës së kombit dhe e territorit shqiptar të kolonizuar e të copëtuar në Ballkan. Kjo ndodhi, sepse liderët politikë të kohës ishin bërë robër të kanonierave diplomatike botërore dhe të manovrimeve të interesave gjeopolitikave  hibride dhe heterogjene ndërkombëtare, që në vend të zgjidhjes së drejtë dhe përfundimtare të çështjes koloniale shqiptare në Ballkan, ofruan zgjidhje paliative dhe afatshkurtra sa për të shuar flakën e luftërave dhe të konflitkeve të armatosura në Ballkan.

Ndërkaq, harruan se “nën hi ende kishte mbetur prushi i pafikur i zjarrit”, duke mos zgjidhur drejt problemin kolonial shekullor të më se 3 milionë  shqiptarëve, ngase për fatin tonë të keq, ky problem i mprehtë jo që nuk u ngrit fare për debat kombëtar e as ndërkombëtar nga kastat politike shqiptare në pushtet në Tiranë e në Prishtinë, por, as që u emërtua dhe, as që “u regjistrua” fare në “sekretarinë” protokollare të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara e as të BE-së si PROBLEM I PAZGJIDHUR KOLONIAL  (1990-2022). Në këtë mënyrë, edhe në këtë shekull (XXI), shqiptarët në Ballkan ngelën pa zgjidhjen e problemit kolonial shekullor për shkak të përçarjes dhe të gabimeve kardinale dhe të pakorrigjueshme të faktorit të brendshëm politik, jo të faktorëve të jashtëm politikë të Evropës së integruar demokratike (1990-2022), sepse as Evropës Perëndimore, as Amerikës e as Kombeve të Bashkuara nuk iu shtrua asnjë KËRKESË ZYRTARE DIPLOMATIKE  nga ana e Tiranës për zgjidhjen e problemit kolonial 100-vjeçar  të shqiptarëve në territoret autoktone të Shqipërisë Etnike Natyrale.

Në thellësinë e amulltë të një politike të tillë pa asnjë strategji vizionare politike gjithëkombëtare, natyrisht se nuk kishte si të mos pësonin si më së keqi edhe 2 milionë e gjysmë shqiptarë së bashku me Kosovën e tyre martire, sepse flaka, terrori dhe gjenocidi serb i përpiu  si krateri i vullkanit të pashuar, duke qenë se nuk patën kurrfarë mbrojtjeje të përbashkët as politike, as organizative, as sistemore e as ushtarake nga Tirana dhe nga Prishtina ngase mungonte bashkëpunimi dhe bashkërendimi i ndërsjellë mes tyre si në planin e politikës së brendshme, të mbrojtjes ushtarake, ashtu edhe  të asaj të jashtme (1989-1999).

Një politikë e tillë e gabuar solli krijimin “e dialektikës së unitetit të shantazheve, të përçarjes dhe të të kundërtave” si në aspektin politik, diplomatik, ashtu edhe në atë të sigurisë dhe të mbrojtjes kolektive, sepse Kosova ngeli pa mbrojtjen ushtarake të organizuar nga ana e qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

Në këtë rast dështoi si politika, ashtu edhe diplomacia ushtarake e Shqipërisë, e cila nuk qe në gjendje t’i imponohej politikës nënshtruese pacifiste të rugovizmit,  që nolens volens ta fuste nën “obrellën” e vet komanduese, si në atë ushtarake, politike, ashtu edhe në atë diplomatike dhe strategjike mbrojtëse, sepse Shqipëria si shtet i pavarur dhe sovran, anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe e OSBE-së,  e kishte më lehtë t’i imponohej Evropës dhe pjesës tjetër të bashkësisë ndërkombëtare për të përshpejtuar zgjidhjen e krizës politike të Kosovës, duke parandaluar ndërhyrjen dhe agresionin pushtues gjenocidal të Serbisë. Këtë, do të duhej ta bënte Tirana zyrtare në bazë të së drejtës historike, të Kushtetutës në fuqi, të humanizmit, të vëllazërimit, të bashkimit dhe të patriotizmit si një komb dhe si një shtet shqiptar, jo të sillej vetëm si shtet fqinjë, madje, duke mos ndërprerë as marrëdhëniet ekonomike, politike, diplomatike dhe tregtare me Serbinë e Slobodan Milosheviqit ndërkohë që ato i pati pezulluar BE-ja dhe OKB-ja në vitin 1998.

Fundja, sikur Tirana zyrtare, të paktën me një notë  verbale protestuese diplomatike ta kishte paralajmëruar Slobodan Milosheviqin, se, në rast të ndërhyrjes ushtarake të Serbisë në Kosovë, jo vetëm Ushtria Kombëtare, por edhe 3 milionë popull të shtetit shqiptar, si dhe të gjithë shqiptarët në Ballkan dhe në diasporë, do të hidheshin tok në Prishtinë për ta mbrojtur Kosovën nga çdo invadim  dhe agresion i forcave pushtuese të Serbisë, me siguri, pas një paralajmërimi të këtillë serioz shtetëror të krerëve drejtues të Shqipërisë, hordhitë çetniko-fashiste piromane të regjimit policor, paramilitar dhe militar të udhëhequr nga kryekrimineli dhe kryekomanduesi i tyre, Slobodan Milosheviq, kurrë nuk do të kishin pasur guximin të marshonin përpara për ta djegur Kosovën dhe për t’i vrarë e masakruar me qindra e mijëra shqiptarë (mbi “11.800” sish). Mirëpo, meqë politika dhe diplomacia e boshtit Tiranë-Prishtinë nuk ia arriti t’i pajtonte dhe t’i bashkonte shqiptarët në luftën e shenjtë për ta shpëtuar Kosovën, ndodhi ajo që ndodhi, Serbia e dogji Kosovën duke e shndërruar në varreza masive (numri i saktë i tyre nuk dihet as sot, pas 23 vjetësh)  dhe në shkrumb e hi.

Lufta e të gjithë shqiptarëve për ta mbrojtur Kosovën e Shqipërisë Etnike ishte shansi historik, që të gjithë shqiptarët të çliroheshin nga kolonializmi serbo-sllav dhe të bashkoheshin në një shtet të vetëm kombëtar shqiptar, ashtu si u bashkuan gjermanët  në Gjermaninë  e tyre, më 3 tetor 1990.

Pikërisht, pse këtë shans e humbën shqiptarët, sot, Kosova pas pavarësimit të saj (17 shkurt 2008), prapë është në rrezik nga copëtimi dhe nga pushtimi i Serbisë. Këtë rrezik e paralajmëron sheshit, edhe zhvillimi i Dialogut të Brukselit (2011-2022) përmes të cilit Serbia po kërkon që të kthejë sovranitetin e saj kolonial në Kosovë, së pari, në veriun e saj, e pastaj, gradualisht (me ndihmën e Rusisë), edhe në enklavat e tjera të minoritetit serb në Kosovë. Në vend se diplomacia e Prishtinës dhe ajo e Tiranës të përqëndrohen në bashkëpunimin e ngushtë se si të bashkohen më shpejt, sepse është e drejtë e tyre e pakontestueshme si historike, etnike, ashtu edhe ndërkombëtare, liderët drejtues të tyre, prapë bëjnë të njëjtin gabim, duke hyrë në “një thes” me Serbinë si në procesin fatkeq të Brukselit, ashtu edhe në rrjetin e merimangës  së ashtuquajtur  “Minishengeni ballkanik” të Edi Ramës, të Vuçiqit dhe të Zaevit, i cili, nuk është gjë tjetër pos një “kopje e re” e Projektit të vjetër  të hegjemonizmit të Rusisë cariste, të njohur si doktrinë gjeostrategjike dhe gjeopolitike, që ka për qëllim bashkimin e të gjithë sllavëve të Evropës Lindore dhe Juglindore në një shtet dhe territor të përbashkët, të ashtuquajtur  “ bota sllave” , ku me çdo kusht do të mbrohej ideja e vjetër e ortodoksizmit : edhe me varret, edhe me kultrurën mitologjike, edhe me traditat, edhe me historinë, edhe me interesat pushtuese kolonialiste dhe kolonialiste të Rusisë, të Serbisë, si dhe të aleatëve të tyre të tjerë sllavo-bizantinë.

Pra, axhendën e Projektit  të Rusisë cariste për ringjalljen e  idesë së pushtimit dhe të mbizotërimit  të Evropës Juglindore nga  Rusia dhe nga sllavët,  të njohur si “bota sllave”, strategët dhe militaristët ruso-serbë, së fundi ( për t’i mashtruar elitat politike shtetërore ballkanike , sidomos ato shqiptare, siç është Edi Rama me hyrjen e tij në “Ballkanin e Hapur”, që esencialisht do të thotë  “SRPSKI SVET” (kopje kjo origjinale  e idesë  cariste ruse “ BOTA SLLAVE” ),  e “justifikojnë”, se kjo  pushtimet e reja gjeopolitike ruso-serbe kundër vendeve fqinje (siç është edhe rasti i Ukrainës, 26 shkurt 2022), dhe më gjerë,  ka për qëllim luftimin  e idesë dhe të vijës strategjike  dhe gjeopolitike të Vatikanit dhe të Amerikës, të cilat, sipas gënjeshtrave të politikës propagandistike ruse, në 30 vitet e fundit (1990-2022) botërisht po dëshmohen  si  armiq potencialë kundër interesave politike të sllavëve të jugut të Ballkanit, ” duke ia futur thikën në zemër Serbisë ortodokse” !?- Ky helm dhe pezmatim  i propagandës joracionale dhe objektive  i politikës së jashtme ruse dhe serbe, është si kundërpërgjigje bombradimit të Serbisë nga NATO-ja (1999) për shkak të agresionit gjenpocidal të saj kundër 2 milionë e gjysmë shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare (1989-1999).

Së këndjemi, në këtë frymë të politikës propagandistike rusomadhe, “Ballakni i Hapur”  i kryeministrit të qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, dokumenton edhe recidivat e dikurshme  të Jugosllavisë së Titos-Serbisë së Madhe, përmes së cilës, Serbia e sotme e Vuçiqit me ndihmën e Rusisë pretendon të luajë rolin dominues në Ballkan (sikurse 100 vitet e dikurshme), edhe si forcë politike, ekonomike, neokolonialiste, militariste, hegjemoniste dhe ekspansioniste. Me një fjalë, Serbia po ngulmon që të luajë rolin e një “superfuqie”  në rajon, me qëllim që “t’i disiplinojë” dhe t’i sundojë shqiptarët brenda zonës gjeopolitike dhe gjeostrategjike të Serbisë së Madhe dhe të sferave të interesit sllavo-bizantin në Ballkan nën flamurin e Rusisë për të dalë në Detin Adriatik.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".