Njohja me Bacën Halit, babain e Iliri Konushevcit

Njohja me Bacën Halit, babain e Iliri Konushevcit
Njohja me Bacën Halit, babain e Iliri Konushevcit

Prof. Dr. Mehdi Hyseni

  • 07 April 2022 - 15:44

(KAPITULLI  II )

Shkruan:Mehdi Hyseni

Në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (1945), kur Halit Konushefci kishte vetëm 10 vjet,  ai së bashku me familjarët e tij qe i detyruar ta braktiste fshatin Llugë, për shkak të përndjekjeve dhe të ekspeditave ndëshkuese të  bandave të përziera serbo-bullgare pushtuese, që propagandonin dhe gënjenin popullin se gjoja ata kishin ardhur në Kosovë për t’i shpëtuar shqiptarët nga okupatori nazifashist gjerman. Mirëpo, e vërteta ishte krejtësisht ndryshe-vrasja masive e shqiptarëve dhe e grabitjes së pasurisë së tyre të paluajtshme dhe të luajtshme, djegja masive  e fshatarave dhe spastrimi etnik i shqiptarëve, me qëllim që të sillnin në Kosovë kolonistë serbë dhe malazezë për ta serbizuar Kosovën në tërësi, jo vetëm  Llapin dhe fshatin e  Llugës, ku ishte lindur  Halit Konushefci, më  1937.

Foto:

ImageHalit (Sherif) Konushefci, patriot dhe atdhetar i devotshëm

 

Halit Konushevci, babai i Ilir Konushevcit, lindi më 20.04.1937 në fshatin Llugë të Podujevës. Shkollën fillore e përfundoi në Llugë, të mesmen në Podujevë.
Pas shkollës së mesme u punësua në Elektroekonomi në Bardhosh në vitin 1964, ku punoi  29 vjet rresht, pa munguar dhe pa u vonuar asnjë ditë nga puna.

Gjatë rrëfimit të tij, Halit Konushefci, thotë se që nga Lufta e Dytë Botërore kemi qenë të shtypur dhe të përndjekur. Që atëherë e kemi braktisur fshatin Llugë dhe jemi vendosur në Prishtinë.

Pas një kohe shumë të shkurtër, jemi kthyer prapë në Llugë, por në atë kohë, me të shkuar në Llugë, aty gjetëm bullgarë dhe serbë. Gjetëm edhe  disa komshinj, ku pas një kohe erdhën disa bullgarë, të cilët na keqtrajtuan, na torturuan, na plaҫkitën dhe, më pas na detyruan, që të largoheshim nga fshati Llugë. Kjo ndodhi, pikërisht në vitin 1943, kur bashkë me dajat e babait, Hysenin me gruan e tij, Minën, me Shefqetin, me Shefkinë, me nënën time Kada, me vëllezerit, Rushiti dhe Mehmeti, me Abaz Konushefcin, me Rrahman Beselicën, dhe u vendosëm në fshatin Tërnavë në shtëpitë e të afërmëve të Sabri Fejzullahut. Pas një kohe të shkurtër, rreth orës 2 pasmesnate na  rrethuan serbët, ku as sot e asaj dite nuk e dimë se kush kanë qenë ata.
Na sulmuan me armë automatike, me ç’rast  më plagosën mua në krahun e majtë, ku edhe sot dihet shenja e plumbit. Gjithashtu, plagosën  edhe nënën time, Kada. Ndërkaq, nga ajo breshëri plumbash, atë natë vritet gruaja e dajës Hysen, Mina.

Për dy ditë rresht kemi mbetur aty të plagosur. Pas një kohe, ka mbërritur babai im Sherifi dhe na mori me makinë për të vazhduar për në Spitalin e Prishtinës. Që nga ajo kohë, më nuk kam pasur mendim të mirë për serbët.

Në vitin 1953 kemi pasur një konflikt me postkomandantin serb të Policisë në Lluzhan, sepse  ishte njoftuar gabimisht për një mosmarrëveshje në një mulli tjetër të fshatit, kurse ai me disa policë erdhi në mullirin tonë. Unë, ju thash,- pse keni ardhur pa ju thirrur askush.


Aty u konfliktuam me postkomandantin dhe me një udbash, ku  edhe u perleshëm në mulli. Postkomandanti më tha, - shko thirri ortakët e mullirit, por, unë e kundërshtova, dhe dolëm nga mulliri dhe shkuam deri te një kushëri, i cili kishte qenë duke prerë shelgje, dhe i’a mora sopatën.

-Postkomandanti me pistoletë në dorë dhe unë me sopatë, në këtë moment postkomandanti më premtoi se, askush s’do të më ngacmonte, por kërkesa e tij ishte që t’i thërrisnim ortakët e mullirit. Vazhduam për në stacion të policisë, ku i dëgjova duke thënë se, cili nga policët dëshironte të më rrihte mua. Me postkomandantin ishte edhe një oficer ushtarak, ku ky i fundit i thoshte postkomandantit:  “-E sheh ҫfarë bandash ka në Kosovë?”. Një prej policëve të stacionit shkoi dhe mori 60 kokrra vezë dhe sopatën , dhe na shpuri  në burgun e Prishtinës. Ato 60 kokrra vezë ia dha “islednikut” (hetuesit). Në burg qëndrova 10 ditë, pa bërë asnjë faj. Gjatë atyre ditëve (qershor 1964) ndodhi edhe burgosja e dytë e Adem Demaҫit, ku ishim me disa shokë: Bajram Fejzullahu, Sabit Bellopoja… etj.

Në atë kohë, unë isha duke punuar në Elektrokonomi, dhe, një ditë pa pritur, policia kërkonte arrestimin tim për shkak të bashkëpunimit me Adem Demaҫin.

Pas burgosjes së Adem Demaçit, ne,  shokët bashkërisht vendosëm, që të vazhdonim rrugën tonë të përbashkët në ilegaitet. Pas 7 ditëve të qëndrimit në burg, isha i detyruar të shkoja në punë. Mirëpo, për çdo ditë isha i detyruar, që të paraqitesha në polici në Prishtinë. Një ditë pasi shkova në punë ndihesha i mërzitur, i lodhur dhe i rraskapitur  herë në burg e herë në punë, kështu që e thirra një shokun tim të punës, Rrahim Gashin nga Mramori për t’i ndërruar ca fjalë me të për ta hequr ca mërzinë dhe trysninë që më kishte kapluar.

Gjatë burgosjes së herë pas hershme, kam përjetuar shumë  keqtrajtime psikike dhe fizike  nga udbashët, të cilët provonin të më thenin për t’i treguar shokët e mi të Lëvizjes. Mirëpo, asnjëherë nuk ia arritën  këtij qëllimi, sepse unë nuk pranoja asgjë për t’i zbuluar shokët e mi.

Si ceka më parë, një ditë e thirra Rrahimin, dhe gjatë bisedës i tregova se, pas burgosjes së Ademit kemi vazhduar punën tonë ilegale kundër serbëve. Me këtë desha ta bëja me dije, që edhe ai t’i bashkohej grupit tonë. Mirëpo,  Rrahimi kishte qenë pjesë e një partie tjetër politike, i cili kërkonte ndihmë nga unë për të rekrutuar njerëz për partinë e tij, por, unë i thash se, -duhet  të lajmërohem në burg dhe, nuk dua të përfshihem në këto punë se jam i lodhur së tepërmi. Ai kërkoi nga unë vetëm t’i tregoja për disa shokë nëse ia vlen t’i merrte apo jo në partinë e tij. Mirëpo, pas një kohe, edhe Rrahimi përfundoi në burg bashkë me  shokët e tij.

Pasi unë  vete në burg,   “isledniku” (hetuesi) e solli Rrahimin para meje, i cili ia tregoi të gjitha fjalët që ia kisha thënë  atij, se unë me shokët e mi të udhës e të halleve për lirinë e Kosovës kishim vendosur të vazhdonim rrugën dhe veprimin tonë illegal politik, edhe pas burgosjes së Adem Demaҫit, por Rrahimi në ato momente ballafaqimi u ligështua dhe, nuk mundi, as të më shikonte në sy.

Pas kësaj, bisedova me dhëndrrin Behxhet Shala, i cili ishte përkthyes, dhe i thash se, dua  të ikja të dilja në ndonjë shtet tjetër, sepse nuk doja-nuk kisha më energji të shkoja  në sekretariat për çdo ditë. Mirëpo, Behxheti më më tha se,  “- Rankoviqi ka ra prej pushteti dhe, mos u frikëso, sepse pas rënies së tij, më askush nuk ka për të  bezdisur”.

Në vitin 1959, kur isha në ushtri, më patën burgosur dy herë, për shkak se ushtarët që  ndodheshin  në Qepinjë, në një magazinë të madhe bënë demonstratë, të cilët prishën rendin. Për këtë arsye më morën edhe mua, duke më akuzuar se gjoja  isha solidarizuar  me ta. Kështu, si ushtar më mbajtën 3 ditë në burg, pa bërë asnjë faj.

 *   *   *

Siç shkruan autori Prof.Dr. Fehmi Pushkolli, bacës Halit “qëkur   ishte  nxënës i tetëvjeçares në Besi, i buzëqeshi fati të kishte mësues  atdhetarin Nuhi Gashi”[1], i  cili së bashu me nxënës të tjerë u edukua dhe u arsimua në frymën e shëndoshë të shkollës patriotike shqiptare, ku u brumos  me idetë dhe me mësimet e para të çmueshme, që të  kishte dashuri për   prindërit, për  librin, për  vendlindjen, për Kosovën dhe për atdheun- Shqipërinë Etnike.               

Këtë rrugë të drejtë dhe të vështirë,  Haliti arriti të mos e shtrembëronte asnjëherë  gjatë gjithë jetës së tij  80-vjeçare, me gjithë rrethanat dhe situatat  e ndërlikuara  të kohës, të krijuara nga armiqtë e huaj pushtues serbë dhe nga hyzmeqarët e tyre kuislingë të brendshëm.

Pikërisht, ky synim i qartë dhe largpamës, bëri që  Halit Konushefci të krijonte një familje  të shëndoshë,  të edukuar, të arsimuar, përparimtare dhe të qytetëruar, me vlera kombëtare dhe atdhetare. Për fat të mirë, këto vlera jetësore të Halitit  u trashëguan nga bijtë e tij, Iliri, (Mërgimi), dhe  Saimiri,   që kur u rritën,   rrëmbyen pushkën për lirinë e Kosovës dhe të bashkimit të saj me viset e tjera të Shqipërisë, për të çuar në vend amanetin  e  Isa Boletinit, të Hasan Prishtinës, të Luigj Gurakuqit, të Ismail Qemalit,  të Abdyl, Sami dhe të Naim Frashërit,  të Petro Nini Luarasit,  të Vaso Pashë Shkodranit, të Avni Rustemit,  të Azem Bejtës, të Adem Demaçit,  të Adem Jasharit,  të Zahir Pajazitit,  të Adrian Krasniqit… dhe qindra të tjerëve, që  me pushkë, me penë dhe me vepra u flijuan për lirinë dhe  për bashkimin e  SHQIPËRISË ETNIKE, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, (1878) e deri më sot.

Kështu Ilir Konushefci me shokët e tij të pushkës dhe të penës, dhe  nën Flamurin e UÇK-së, për lirinë e Kosovës dhe të bashkimit të saj me trojet e tjera  të Shqipërisë etnike ndoqën rrugën e ndritshme të Rilindësve shqiptarë. Pikësëpari, duke e mësuar dhe, duke e kënduar me  dashuri  të zjarrtë gjuhën shqipe, ashtu sikurse dikur edhe patrioti dhe atdhetari ynë i madh “Petro Nini Luarasi, (1865-1911), cili  me vetëdije të lartë njerëzore, kombëtare dhe patroitike, si Mësues dhe themelues i shkollës shqipe në Korçë… u çori maskën synimeve shoviniste të kishës greke, e cila nuk zgjidhte mjete dhe metoda dhelparake për greqizimin e gjuhës shqipe, të shqiptarëve dhe të territoreve të Shqipërisë  Etnike.  Këtë e provoi edhe helmatisja e tij nga priftërinjtë grekë me dhespotin Jakov në krye, dhe  në bashkëpunim të ngushtë me agjenturat e tij antishqiptare të Korçës,   më 11 gusht 1911”.[2]

Këtë therorizim dhe patriotizëm të pavdekshëm për ruajtjen dhe për mbrojtjen e gjuhës shqipe si sytë e ballit, Petro Nini Luarasi, brezave shqiptarë ua la  këtë amanet të përjetshëm : “ RUAJNI GJAKUN, SE DO T’U DUHET PËR SHKRIMIN E GJUHËS SHQIPE…DHE, NËSE EDHE 99 HERË TË RRËZOHEMI, PËRSËRI DO TË NGRIHEMI.”[3] 

Kjo vetëdije e lartë, ky vizion dhe kjo sacrificë mbinjerëzore  e patriotëve shqiptarë ndër shekuj bëri që “Shqiparët të ruajnë gjuhën e të parëve, e Gjuha e ruajti Kombin Shqiptar”[4], të cilët, edhe pse  u  “rrëzuan 99 herë”, këta në vijimësinë e epokave  dhe të periudhave të stuhive historike, ia arritën që të “ngrihen përsëri” sikur “Feniksi prej hirit”, duke mbijetuar dhe, duke mos e ndalur kurrë luftën  kundër të të gjithë armiqve të huaj pushtues (qoftë perandori a mbretëri turkoshake a sllavo-bizantine) për të ruajtur identitetin e tyre kombëtar, kulturor, territorial dhe shtetëror.  Kështu, edhe pse ishim një popull i vogël në krahasim me popujt e tjerë evropianë, në saje të vetëdijes kombëtare, të trimërisë, të heroizmit , të emancipimit dhe të civilizimit, ia arritëm, që të  mos shuhemi  as si komb e as  si Shqipëri Natyrale. Kjo ishte fitorja shekullore e bashkimit të mëndjes, të penës dhe të pushkës për të drejtat dhe liritë tona si kombi më i vjetër dhe më i qytetëruar në Evropë (me SKËNDERBEUN në KRYE). Këtë rrugë të vështirë dhe të ndritshme, pa dyshim se e ndoqën edhe luftëtarët trima dhe të patrembur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) me Kryekomandantin e tyre historik kombëtar dhe patriot shqiptar, ADEM (Shaban) JASHARI.

 “Kalabria” e  Ilir Konushefcit,  çerthull patriotik  për lirinë e Kosovës

                                                    (1990-1999)Ishte mëngjes,  maji i vitit 1993, mëngjes i bukur i luleve , siç vjershëronte dikur  Filip Shiroka me vargjet e tij  të bukura poetike kushtuar stinës së pranverës,    kur për herë të parë pata fatin ta njihja   bacën Halit, babain e heroit-burrit të madh kreshnik e patriot të Kosovës, Ilir  Konushefci, SIMBOL I TRIMIT DARDAN. Kjo ndodhi  në  kafe-restorantin e tij “Kalabria”, në rrugën Vushtrria nr. 14 të lagjes “Tophane” të Prishtinës , në afërsi të Gjyqit të Qarkut të Kosovës.

Aty takova Agim Vuniqin,  bashkidealist  i çështjes kombëtare dhe fqinjë i bacës Halit. Me t’u përshëndetur, hymë  në  “Kalabria”  për të pirë nga një kafe  të mëngjesit. 

Pasi zumë karriget e një tryeze pranë dritares,  para nesh  u shfaq një burrë shtatgjatë, i veshur me rroba të pastra si qelibar dhe me një beretë të zezë franceze në kokë. U ul në të njëjtën tryezë përballë nesh, duke na përshëndetur si burrat e moçëm të motit  fytyrëçelur, me respekt, me bujari  mikpritëse, si e do tradita dhe zakoni i shqiptarit, me fjalë të ngrohta dhe me mirëseardhje  dashamirëse  të sinnqertë:

    -Ju ngjatë jeta burra, si jeni me shëndet e me të gjitha hallet, si po ia kaloni?

     - Mirë, baca Halit, po ti, si je,  - ia ktheu Agimi.

    Kështu u njoha me bacën Halit, që pastaj, duke më vështruar mua, e pyeti Agimin :

   -Po ti nuk më tregove se kush është ky miku me ty?

  Dhe, Agimi ia ktheu:   - Baca Halit, ky është një shoku im, të cilin edhe unë nuk e njoh qëmoti, por, duke lexuar shkrimet e tij në gazetat: “Rilindja”,  “Bota e Re”, “Zëri i Kosovës”  dhe në revistat: “Fjala Jonë”, “Dituria Islame”, “Fjala” dhe “Liria  për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut”, kushtuar çështjes së Kosovës dhe  UÇK-së, shkrimet e tij më bënë për vete dhe më frymëzuan, që edhe unë të shkruaja për ngjarjet dhe  për problemet e ndryshme politike, ekonomike dhe sociale, kundër  sundimit të egër, torturave, shpërnguljes me dhunë dhe me terror, arrestimeve, burgosjeve dhe vrasjes së shqiptarëve, si dhe për dëbimin nga vendet e punës në fabrika, në shkolla  dhe në fakultetet e Universitet të Prishtinës etj.,  me të cilat përballej Kosova dhe mbi dy milionë e gjysmë shqiptarë nën pushtimin  e regjimit policor dhe    ushtarak të Serbisë gjenocidale.

 - Agim,- i tha pastaj baca Halit, - gëzohem, që ju paskeni gjetur gjuhë të përbashkët për t’i  “qarë hallet” tona  jetike të  përditshme për Kosovën e rrëzuar përdhe nga armiku serb, i cili nuk po na lë  të marrim frymë lirisht, duke na  përndjekur, torturuar, burgosur, plaçkitur, përzënë nga puna, nga shkollat, nga fakultetet, nga banesat dhe nga shtëpitë tona, vetëm pse jemi shqiptarë, vetëm pse po kërkojmë liri dhe, vetëm pse jemi në tokën tonë të lashtë  stërgjyshore.

Ky shqetësim i bacës Halit më la përshypje se,  edhe ai ishte më shumë i shqetësuar për fatin e popullit dhe të Kosovës, se sa të përftimit ditor të kafiterisë së tij “Kalabria”, ku në atë mengjes po bisedonim me të miqësisht dhe drejtpërdrejt, sikur të ishim njohur  shumë vite më parë si miq të vjetër.  Nuk ka dyshim se, sinqeriteti dhe çilitria fisnike, si dhe interesimi i tij jetik për gjendjen  e rëndë dhe të mjerueshme në cilën kishte rënë Kosova, si shkak dhe pasojë e shtetrrethimit të hekurt nga regjimi pushtues gjenocidal i Serbisë agresore (1989-1999), fitoi adhurimin dhe besimin tim, sepse ishim të  një mendjeje në  pikëpamje dhe në qëndrime lidhur me  çështjen  tonë të përbashkët kombëtare shqiptare.

Pas takimit të parë me bacën Halit, fjalët e tij brengosëse për gjendjen e mjerueshme të popullit mbi dy milionë e gjysmë shqiptarë në Kosovë, u bënë pjesë e pandashme  e preokupimit tim të përditshëm  lidhur me gjendjen e padurueshme nga terrori dhe nga varfëria, që kishte pllakosur shumicën dërrmuese të popullit  shqiptar  në çdo qytet e fshat të Kosovës.

Duke përjetuar çaste të  tilla  lemeritëse  të pasigurisë, të rrezikimit  të drejtpërdrejtë fizik, të ekzistencës, të lirisë së lëvizjes  dhe të mirëqenies nga pushtuesit terroristë  serbë, ndieja nevojë të domosdoshme, që për çdo ditë të takohesha me bacën Halit Konushefci, në lokalin e tij “Kalabria”,  për t’i qarë hallet tona të përbashkëta.

 Aty, përveç kafesë makiato gratis, na prisnin edhe gazetat, revistat, të cilat botoheshin aso kohe në Prishtinë - gazetat e përditshme “Rilindja”, “Kosova Sot”, “Koha Ditore”, “Bota e Re”, “Fjala”, të cilat Baca Halit i blente me para të tij për  mysafirët e “Kalabrisë”. Kuptohet  për ata, të cilët ishin të interesuar të informoheshin se çfarë po ndodhte në Kosovë nën pushtimin  çetniko-fashist të Serbisë, (1989-1999).

Këto gazeta lexoheshin në katin e parë, ku  pihej kafeja dhe ku shërbeheshin ushqime dhe pije të tjera për të gjithë mysafirët. Ndërkaq, në bodrumin e fshehtë të  këtij kafe-restoranti, i rezervuar vetëm për admiruesit, bashkëpunëtorët, për shokët, për miqtë  dhe për bashkëveprimtarët konspirativë dhe të besueshëm ndaj revolucionit kundër armikut serb,  lexonim shtypin e ndaluar të lëvizjeve ilegale brenda dhe jashtë Kosovës, siç ishin gazetat “Zëri i Kosovës”, “Çlirimi”, “Liria”, “Lajmëtari i Lirisë” ,… etj.

Ideja e hapjes së  “Kalabrisë” ishte e Ilir Konushefcit[5]

Misioni i “Kalabrisë”-mëkëmbje e luftës heroikke të UÇK-së për liri, jo për ndonjë  profitim  personal !

Ky ishte kuptimi dhe  domethënia e misionit të veçantë  të “Kalabrisë”  për mbështetjen  e rrugës dhe të konceptit luftarak të “SHQIPONJAVE” të Llapit, të Drenicës, të Dukagjinit dhe të gjithë Kosovës në ballë të cilave ishin  djemtë dhe vajzat më të mira  të devotshme të Kosovës: Adem, Hamzë dhe Shaban Jashari, Ilaz Kodra, Zahir Pajaziti, Ilir Konushefci, Agron Rrahmani,…… Rrustem Mustafa, Shaip, Selim dhe Naim Haziri, Adrian Krasniqi, Fehmi e Gjevë Lladrofci, Luan, Shkëlzen, Ramush  dhe Daut Haradinaj, Qerim Kelmendi, Mujë Krasniqi, Agim Ramadani, Sylejman Selimi,  Rexhep Selimi, Gani Geci, Sali Çeku, Abedin Rexha, Sami Lushtaku… dhe qindra  e qindra luftëtarë të tjerë të lirisë së Kosovës.

Ideali dhe rruga e tyre e përbashkët e luftës në ilegalitet dhe e hapur ishte e vështirë dhe, herë-herë, me ngritje e zbritje dramatike,  dekonspirimi dhe vrasja  të luftëtarëve të UÇK-së nga forcat pushtuese serbe  mbase nuk kishin  mbështetjen e faktorit politik as në Prishtinë e as në Tiranë  (1989-1999).

Mirëpo, morali dhe vendosmëria e tyre ishte e pamposhtur  në arritjen e fitores kundër armikut gjakatar çetniko-fashist serb. Se në çfarë shkalle ishte i patundur besimi dhe shpresa e tyre në fitoren për çlirimin dhe për lirinë e Kosovës nga Serbia kolonziuese, këtë e dëshmuan sakrificat mbinjerëzore, guximi, flijimi  dhe dashuria për atdhe, pa kursyer  jetët, familjet dhe më të dashurit e tyre.

 Kjo është vlera kulmore e historisë , e patriotizmit dhe e atdhetarizmit të tyre, që me shembull konkret-luftën e organizuar  vetëmbrojtëse çlirimtare kombëtare  dhe të drejtë, i treguan mbarë botës se “shqiptari kurrë nuk e ka duruar robërinë e huaj “.  Këtë të vërtetë historike, me përmbajtje heroike, kombëtare dhe liridashëse të popullit shqiptar në shekuj e  bëri  edhe më domethënëse pushka-top e kryekomandantit dhe e kryeheroit kombëtar shqiptar Adem, Hamzë dhe Shaban Jashari kundër “3000 mijë forcave policore pushtuese serbe, të cilat më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998” sulmuan  familjen Jashari në kullën e tyre heroike në Prekaz. Me gjithë rezistencën dhe me luftën e tyre  mbrojtëse heroike 3-ditëshe të Jasharëve me Ademin, Hamzën dhe Shabanin në krye, ata, së bashku me 58 anëtarë të tjerë,  ranë dëshmorë në fushën e nderit për  Kosovën dhe për bashkimin e saj me  Shqipërinë Etnike.  

Për këtë ngjarje të madhe heroike, por edhe tronditëse dhe tragjike jo vetëm për shokët e pushkës dhe të luftës guerile shqiptare, por edhe për Kosovën dhe për gjithë kombin shqiptar, ne që ishim duke kuvenduar nga “bunkeri” i Kalabrisë së Bacës Halit e mësuam nga Saimiri, i cili, në mbrëmjen e 7 Marsit 1998, sapo kishte rënë muzgu, erdhi nga zona luftës së Llapit dhe na tregoi se çfarë kishte ndodhur në Prekaz, gjatë përleshjes 3-ditëshe mes forcave të armikut dhe  forcave të rezistencës shqiptare të Adem, Hamzë dhe Adem Jasharit.

Ky lajm i hidhur dhe tragjik na pikëlloi dhe na tronditi thellë  në shpirt   të gjithëve sa ishim të mbledhur rreth tryezës kuvenduese,  me bacën Halit në ballë, i cili,  me të dëgjuar rrëfimin e papritur të birit të tij, Saimirit, nuk mundi t’i përmbante   dhembjen  dhe   lotët për humbjen e madhe të komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe të gjithë Jasharëve, të rënë dëshmorë në Betejën e Prekazit, e cila, jo vetëm në historinë e Kosovës, por në gjithë historinë kombëtare shqiptare dhe të SHQIPËRISË ETNIKE, hyri si një  “Epope e lavdishme”, në të cilën u shfaq me tërë madhështinë  e saj atdhedashuria dhe ideali i pathyer se si sakrifikohet jeta për liri dhe si mbrohet atdheu nga çdo pushtues barbar i huaj.

Kështu u shpërfaq  dhe mori dhenë anembanë botës forca e unitetit dhe e rezistencës gjithëpopullore, për mbrojtjen dhe për çlirimin e Kosovës nga Serbia hegjemoniste, militariste dhe  kolonialiste.          

Kjo sakrificë, ky vetëflijim vetjak dhe kolektiv, duke mos kursyer as familjen, ashtu siç ndodhi në “EPOPENË  e Prekazit”, më 5, 6, 7 mars të vitit  1998, përputhet plotësisht me strategjinë për çlirimin dhe për bashkimin kombëtar shqiptar se “pushka dhe abetarja kanë qenë kurdoherë dy binjake në duart e popullit shqiptar, në të njëjtat llogore të luftës së tij për liri, për pavarësi, për tokë, për drejta e për përparim.”[6]

Këtë e dinin një numër i konsiderueshëm i njerëzëve të besueshëm të bacës Halit, të cilët  ndiqnin kryesisht rrugën revolucionare të tribunit të Lëvizjes së Rezistencës Gjithëkombëtare-Heroit dhe patriotit shqiptar ADEM DEMAÇI, ngase  babai i Ilirit, i Saimirit dhe i Artonit, Halit Konushefci, që nga vitet ‘60 të shekullit   XX, ishte i mishëruar me idetë liridashëse dhe me veprimtarinë e Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Trojeve Shqiptare, të themeluar nga Baca Adem Demaçi , që në fillim të viteve  ’60  të shekullit XX.

Ai rrëfente se, pas burgosjes së Adem Demaçit me bashkëveprimtarët e tij të kësaj Lëvizjeje Revolucionare, në  qershorin e vitit 1964 qe frymëzuar  edhe më shumë për të punuar  në ilegalitet për të mirën dhe për interesin jetik të popullit të Kosovës. Me një fjalë, kjo burgosje e Adem Demaçit,   hero i Kosovës dhe i gjithë kombit shqiptar dhe i Shqipërisë Etnike, e bindi edhe më shumë  babain e Ilirit, bacën Halit, që t’u afrohej  bashkëmendimtarëve dhe  bashkëveprimtarëve  të kësaj Lëvizjeje mbarëkombëtare  shqiptare, me kryideologun dhe me kryearkitektin e saj të përjetshëm, Adem Demaçi , i  cili  plot 28 vjet i kaloi nëpër burgjet famëkeqe të Jugosllavisë së Titos, por, asnjëherë nuk hoqi dorë nga  ideja  e madhe vizionare, nga sakrifica dhe nga ideali i çelikt i pathyeshëm, që Kosova të bëhej e lirë dhe pavarur nga Serbia e Madhe, si dhe të bashkohej me trojet e tjera të Shqipërisë Etnike.  

 Adem Demaçi ishte Mësuesi dhe Udhërrëfyesi historik i të gjithë heronjve të rënë dhe të gjallë të Kosovës (1958-2018)

Adem Demaçi (1936-2018)

 Edhe pse ky libër i kushtohet gjeneralmajorit dhe Heroit të Kosovës, Ilir, (Halit), Konushefci, është e vështirë të kuptohet rruga,  ideja, dashuria dhe lufta e tij për liri, pa shkruar disa fjalë për ADEM DEMAÇIN-idolin, mësuesin, udhërrëfyesin, heroin dhe Simbolin e Rezistencës Gjithëpopullore të Lirisë së Kosovës dhe të bashkimit të saj me territoret e tjera të Shqipërisë  Etnike (1958-2018).

Ndoshta, ndokush që nuk e njeh, ose  që nuk dëshiron ta njohë historinë e  heronjve të Kosovës (1960-2021),  naivisht ose verbërisht, do të mund të bënte këtë “pyetje metodologjike” të konceptimit të përmbajtjes së këtij libri, duke qenë se kryeprotagonisti është Ilir Konushefci, atëherë, nga doli të shkruhet edhe për heroin e Kosovës Adem Demaçi, pothuajse një kapitull i tërë?

Përgjigja  racionale dhe e argumentuar është kjo: -Nuk mund të shkruhet asnjë vepër me përmbajtje historiko-politike, diplomatike, ushtarake dhe kulturore për Republikën e pavarur të Kosovës, nëse në kuptimin pozitiv kombëtar dhe patriotik, nuk përmendet emri dhe vepra jetësore e heroit Adem Demaçi për liri dhe për bashkim të shqiptarëve dhe të Kosovës me Shqipërinë Etnike, sepse ai ishte KRYEARKITEKTI dhe KRYEIDEOLOGU i pavarësisë së Kosovës. -Ishte MËSUESI, FRYMËZUESI dhe KOMANDANTI IDOLOGJIK dhe POLITIK i të gjitha lëvizjeve dhe organiztatave të fshehta politike kombëtare  dhe militante shqiptare brenda dhe jashtë Kosovës.

Baca Adem Demaçi, duke  marrë Çmimin Saharov nga Parlamenti Evropain në Bruksel, më 1991, në emër të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, dhe si  desident kundër regjimit shtypës serbo-jugosllav.

Andaj, Adem Demaçi ka meritat kryesore për  edukimin dhe për arsmimin patriotik të disa gjeneratave shqiptare në Kosovë, që të mos pajtoheshin kurrë me sundimin e egër  kolonial dhe gjenocidal të Serbisë e as të Jugosllavisë të Titos dhe të Slobodan Milosheviqit (1945-1999). Me një fjalë, shkolla edukativo-arsimore kombëtare, patriotike dhe atdhetare shqiptare, e  themeluar dhe e  promovuar nga Baca Adem Demaçi  me bashkë të burgosurit e tij shumëvjeçar, me bashkidealistët  dhe me bashkëveprimtarët e tij, ishte “shtrati” i ngrohtë i krijimit të militantizmit të gjeneratave të viteve  ’60, ’70, ’80 dhe ’90 të shekullit XX, të cilat kanë meritat kryesore për themelimin e grupeve guerile dhe të shkrirjes së tyre në kryengritjen e  UÇK-së.

 -Shumë thjesht  dhe qartë, po të mos kishim pasur një Adem Demaç (kryestrateg dhe kryearkitekt  vizionar për çlirimin dhe për pavarësimin e Kosovës nga Serbia kolonialiste dhe gjenocidale) mirëfilli se, nuk do të kishim  pasur as UÇK, as Adem Jashar, as Ilir Konushefc, as Zahir Pajazit … etj., por Serbinë “kambëkryq” në Kosovë, si këtu e 100 vjet më parë (1912-1999).  

Ndërkaq, sa për politikën e ashtuquajtur pasive paqësore e të “hollë-filozofike gandiane dhe evropiane”,  që bëhej në Kosovë e në Shqipëri jo më pak se dhjetë vjet (1989-1999),  policitë, ushtritë dhe paraushtritë barbarike çetniko-fashiste të Serbisë pushtuese të Slobodan Milosheviqit, deshën t’i “hidhnin në det” dhe në humnera masive  mbi 2 milionë e gjysmë shqiptarë , “pa shenjë, pa dokë” si thotë një fjalë e popullit.

 –Dëshmitar i kësaj tragjedie gjithëkombëtare, është edhe vetë autori i këtij libri, i cili, me plot arsye, së pari, argumenton të vërtetën   njerëzore, kombëtare dhe metodologjike shkencore se, edhe Ilir Konushefci ishte  nxënës, student dhe ushtar i shkëlqyeshëm i Bacës Adem Demaçi, sepse sipas mësimeve  ideore teorike dhe praktike të tij (pa filozofi  politike spekuluese dhe mashtruese)  flijoi jetën për lirinë e Kosovës, të cilën  ne,  sot , po e  gëzojmë  në saje të luftës së ndritshme të UÇK-së. Kjo është arsyeja dhe justifikimi racional, pse autori  hap kaptinën e tretë me një ese të shkurtër për Heroin dhe Kryearkitektin e  lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, Adem Demaçi.

Pa sqaruar këtë temë të  madhe kombëtare dhe atdhetare shqiptare, është e kotë të shkruash për të tjerët, kur të gjithë kanë qenë nxënës dhe studentë e ushtarë të  idesë, të aksionit, të  pushkës dhe të penës  së tij për çlirimin dhe për pavarësimin e Kosovës dhe të bashkimit të saj me Shqipërinë  Etnike (1958-1999).

 [1] Prof.Dr. Fehmi Pushkolli, Zahir Pajaziti hero i kombit, UÇK-Zona Operative e Llapit, Prishtinë, 2001, f.379.

[2]  Shih  : https://gazetavatra.com/petro-nini-luarasi-martiri-i-gjuhes-shqipe//

[3]   Po aty. : https://gazetavatra.com/petro-nini-luarasi-martiri-i-gjuhes-shqipe//

 [4]  Shih: Të Drejtat e Shqipërisë Etnike ( Vëll.I), “Albin”, Tiranë, 2001, f.79.

[5]  Këtë të vërtetë e mbështetë ky konstatim i historianit Muhamet Pirraku : “ Pasi veprimtari Ilir Konushefci së bashku me bashkëluftëtarët e  tij formuan Njësitin gueril “Shqiponjat”, më 20 maj 1992, tashti, i kishte lënë studimet, për t’u marrë kryekreje me aktivitet politik e luftarak illegal. Për të kamufluar këtë aktivitet, dhe njëkohësisht për ta financuar atë hapi një gjellëtore në katin përdhes të shtëpisë së tij në Prishtinë. Tashti ishte i martuar me Luljeta Ramadanin , shoqe nga studimet në Ferizaj, kurse më 1994 u lindi edhe një vajzë, Nertila.” (Shih: Prof,Dr.Muhamet Pirraku, “Kosovë – Shqipëri, jemi të gjallë kur të jeni ni!”, “Epoka e Re”,  Prishtinë, 2005,12 maj, f.20.).

[6]   Cit. I cituar në  veprën : “Probleme të pavarësisë së Shqipërisë”, “8 Nëntroi”, Tiranë, 1987, f.53.

 (Vijon)

 Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".