Ilir Konushefci, simbol i bashkimit dhe i trimit dardan!

Ilir Konushefci, simbol i bashkimit dhe i trimit dardan!
Ilir Konushefci, simbol i bashkimit dhe i trimit dardan!

Prof. Dr. Mehdi Hyseni

  • 11 April 2022 - 09:44

Shkruan:Prod.Dr Mehdi Hyseni

Libri mban titullin: ILIR KONUSHEFCI, SIMBOL I BASHKIMIT DHE I TRIMIT DARDAN

Autor: Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Recensent: Prof.Dr. Koço DANAJ

Redaktore Gjuhësore: Prof.Dr. Flutura Çitaku

(Me Parathënie nga Prof.Dr.Koço Danaj) 

Me shumë respekt dhe gjithë të mirat  

PS

( KAPITULLI  V ) 

LETRA HISTORIKE E HEROIT ILIR KONUSHEFCI

*** Letra e Ilirit (Mërgimit), shkruar në Golem, më 18 nëntor 1997 (6 muaj para se të vritej  në Pritën e organizuar te Përroi i Poravës, komuna e Fierzës, Rrethi i Pukës, Qarku i Shkodrës, më 9 maj 1998).

DREJTUAR SHOKËVE TË IDEALIT NË DIASPORË

Në vend të përshëndetjes, dy fjalë për shokët e mi të ngushtë:

Zahir Pajaziti (dëshmor,hero)

Adrian Krasniqi (dëshmor, hero)

Zahir PAJAZITI dhe Adrian KRASNIQI

Të flasësh për këta dy burra, automatikisht flet për një pjesë të madhe të Lëvizjes Revolucionare ose të UÇK-së.

Unë jam shumë me fat që kam pasur rastin të rri dhe të punoj me ta.

Zahiri ishte trim i madh dhe shumë i rrallë, atentator i shkëlqyer, që nuk i trembej syri nga asgjë. Unë mendoj se ai me punën e tij i vuri themelet e UÇK-së. Ai ngjalli ndjenjat e popullit në Kosovë dhe në diasporë, ngriti moralin e të gjithë njerëzëve, të cilët nuk u përkulën para armikut, ndërsa atyre që u përkulën ua futi tmerrin në palcë.

Adriani arriti që me angazhimin e tij, të masovizohej në mënyrë direkte UÇK-ja. Puna e Adrianit është ajo, që shumëkujt nuk i shkoi përdore. Ai nuk u kënaq vetëm me këtë punë të shenjtë që bënte, të vlerësuar nga të gjithë shokët, por donte që vetë të merrte pjesë në aksione konkrete, ku edhe dha jetën heorikisht.

Deshëm apo s’deshëm, po të bëjmë një analizë të punës së Zahirit dhe të Adrianit, del se këta i vunë themelet e aktivitetit të UÇK-së. Prandaj, ne na mbetet që të vazhdojmë veprimtarinë e tyre deri në çlirimin definitiv të Kosovës.

Po e shkruaj këtë letër vëllezër, duke analizuar disa nga ato gjëra, që i kam vu re, me të vetmin qëllim që së bashku të anagazhohemi në drejtim të lëvizjes e jo të ngecjes së luftës kundër armikut.

Unë ndodhem në Shqipëri që nga shkurti i këtij viti. Nga këta nëntë muaj, 2 muaj e gjysmë i kam kaluar në Kosovë. Prandaj, mendoj se i njoh në një masë rrethanat në Kosovë, në Shqipëri, por shumë pak në diasporë.

Prandaj, ndiej obligim moral t’ju njoftoj, që të ballafaqoheni edhe ju me disa probleme dhe ngecje, të cilat do të ndihmojnë në tejkalimin e situateës.

Unë do të përqëndrohem në disa pyetje, të cilave do t’u përgjigjem sipas mendimit tim, kurse juve ju mbetet t’i shqyrtoni, ashtu si është më së miri.

a)                Si bëhet organizimi i luftës guerile në Kosovë dhe a mund të jemi më të organizuar në këtë luftë?

b)                Si bëhet financimi i luftës guerile në Kosovë?

c)                 A janë të përfshira të gjitha territoret e okupuara nga njësitet tona guerile?

ç)    A ka njeri apo grup njerëzish, të cilëve u binden të gjithë ushtarët apo udhëheqësit e njësiteve?

Mendimi im është se, po qe se  arrijmë t’i zgjidhim problemet, atëherë do të kishim një ushtri të mirëfilltë profesionale, e cila do të arsyetonte  edhe angazhimin dhe punën e juaj të afirmuar në diasporë.

a)                Si bëhet  organizimi i luftës guerile në Kosovë dhe a mund   të jemi më të organizuar në këtë luftë?

Përgjigjja është fare e shkurtër. Organizimi bëhet në nivel të Kosovës, por jo në mënyrë kaotike dhe joprofesionale. Nuk dua të futem në hollësira për të argumentuar këtë (po qe se është nevoja kam shumë argumente), por do të ndalem në atë se çfarë, duhet të bëjmë bashkërisht.

Mendoj se, në një të ardhme të afërt, duhet të jepni vërejtjet dhe sugjerimet e juaja.

Për një të ardhme të largët, apo sa më parë, duhet të gjejmë  një njeri ose grup njerëzish, të cilët e njohin artin e luftës guerile dhe të luftës në përgjithësi.

Vetëm atëherë, mendoj se do të kemi një ushtri profesionale, e cila do të vepronte me përpikëri në momente dhe në vendet më të duhura.

b)                Si bëhet financimi i luftës guerile në Kosovë?

Financimi i kësaj  lufte në Kosovë po bëhet jo mirë. Gjithnjë e ceku sipas mendimit tim. Unë u kam tërhequr vërejtjen shokëve në Kosovë që kanë pasur kontakt me mua për këto vendime, të cilat i kishin marrë gabimisht. P.Sh.:

Stimulimi i ushtarëve për çdo aksion 500 DM;

Mjete të tjera nuk u jepen njësive pa kryer  ndonjë aksion;

Ndarja e mjeteve anëtarëve të familjeve të ushtarëve të vdekur  në çdo 6 muaj.

Unë mendoj se financimi ose më mirë të thuhet ndihma financiare, që duhet t’u jepet njësive guerile ose ushtrisë nëpër rrethe, duhet të jetë kështu:

Çdo rrethi, ose “fshati të çliruar”, si për shembull Prekazi, duhet të ketë shumën fillestare, pastaj të vlejë edhe kriteri se kush angazhohet më tepër “në punë”.

Unë, në rrethin ku veproj e kam cekur këtë çështje, e cila ka hasur në mirëkuptim, kurse në nivel të Kosovës Jo.

Në rrethin ku kam vepruar dhe  po veproj, herë pas herë kemi arritur një organizim në një masë më të mirë. Në mbledhjen e fundit (ekzisojnë disa persona udhëheqës ose shtab lokal) u morën dy vendime:

1.      Financimi i këtij rrethi të bëhej në mënyrë direkte nga diaspora;

2.      Në Shtabin Qendror, të emërohej një anëtar nga ky rreth, pas vdekjes së Zahir Pajazitit.

Shokë, ne jemi mirënjohës, që po e zbatoni vendimin tonë të parë. Ndaj, sugjeroj që ky vendim të zbatohet edhe në rrethe të tjera, duke qenë se Shtabi ka kaluar në një shkallë më të lartë të organizimit.

Sa i përket pikës së dytë, unë e di  shumë mirë se në Shtab nuk janë përfshirë shumë rrethe, p.sh.: Llapi, Deçani, Gjakova, Ferizaji etj. Unë nuk dua të flas për rrethe të tjera, por rrethi i Llapit ka ofruar anëtarin e saj (siç thuhet në pikën e dytë), por për habi, refuzimi është bërë për 1 minutë, pa u konsultuar refuzuesi me askë. Prapë nuk do të futem në hollësira.

c) A janë të përfshira të gjitha territoret e okupuara nga njësitet tona guerile?

Me keqardhje konstatoj se nuk janë të përfshira një pjesë e madhe e territoreve të Kosovës, afërsisht 40% të territorit. Nuk janë të përfshira p.sh.: Mitrovica, Gjilani, Prizreni, Kamenica…, si dhe shumë pjesë të rretheve të ndryshme.

Mendoj se puna më e madhe e anëtarëve të Shtabit Qendror, duhet të ishte në masovizimin dhe në shtrirjen e gjithë territorit të Kosovës, të Kosovës Lindore dhe në Maqedoni, pastaj pranimi i anëtarëve të rinj në Shtabin Qendror ( jo si tash që është një rreth i ngushtë dhe i vetëkënaqur),  e JO siç ndodhi kohën e fundit, që angazhimi i disa anëtarëve të Shtabit të Kosovës, të shtrihej në Shqipëri, ku thuhet se “çdo gjë ka funksionuar për mrekulli dhe janë arritur rezultate, të cilat i kanë çmuar të gjithë shokët në Kosovë.”

Për pikën ç) , mendoj se përgjigja është në pikën c).

Duke cekur edhe njëherë qëllimin e kësaj letre, ju tregoj se punët në Shqipëri deri më sot kanë vajtur shumë mirë me disa lëshime të disa problemeve. Por, besoj se shpejt do të mënjanohen këto lëshime (kushtimisht bëmë lëshime, sepse mund të ketë pasur edhe gabime, por secili duhet të përgjigjet për punën që bën, secili duhet të përgjigjet për atë që bën injorime, që bën grupime të ngushta, të cilat për mendimin tim janë të dëmshme, sepse pasi kemi një ideal të përbashkët, vetëm ai që e çon punën përpara, duhet përkrahur).

Dhe, si përfundim, kjo është një letër vërejtjeje (edhe unë kam lëvdata për ushtarët tanë, por mendoj se është shumë heret për to).

Dëshiroj që UÇK-në askush të mos e marrë si pronë të vetën private!

Ju përshëndes nga zemra,

Ushtari i UÇK-së,

“Mergimi”

(Nënshkrimi)

(Këtë letër origjinale në dorëshkrim, të shkruar nga heroi Ilir Konushefci, e mora nga Saimir Konushefci, vëllai i madh i tij,  në Nëntor të vitit 2018, me rastin e rivarrimit të Iirit dhe të Hazir Malës në Varrezat e Dëshmorëve në Velani të Prishtinës).

Faksimili i letrës: 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".