Edukimi dhe Arsimimi patriotik i Ilir Konushefcit

Edukimi dhe Arsimimi patriotik i Ilir Konushefcit
Edukimi dhe Arsimimi patriotik i Ilir Konushefcit

Prof. Dr. Mehdi Hyseni

  • 22 April 2022 - 09:25

Nga libri “ Ilir Konushefci, simbol i bashkimit dhe i trimit dardan”,

(KAPITULLI  X)

*** Iliri,  jo me fjalë boshe, thënçin politike paqësore “gandiane” trilluese, por me sjellje, me veprime konkrete dhe me pushkë luftoi për lirinë e shtrenjtë të Kosovës.

Image Ilir Konushefci (Foto: https://scontent-bos3-1.xx.fbcdn.net/v/t1.0-9/5981)

Këtë trimëri dhe heroizëm, ndër të tjera, e dëshmon edhe  vendosmëria e tij, para se të hidhej në aksionin konkret gueril për  eliminimin e kryeshefit të policisë së SPBS-së në Podujevë, Milosh Nikoliq,  i cili, në format më brutale dhe më ataviste i terrorizonte  shqiptarët e Podujevës dhe të rrethinës së  saj. Sipas autorit Driton Sejdiu,  “këtë aksion e kishte planifikuar dhe organizuar heroi dëshmor-dragoi i Llapit, Zahir Pajaziti së bashku me Ilirin dhe me disa shokë të tjerë. Mirëpo,  ky aksion gueril realizohet vetëm pas një javë përpjekjeje dhe survejimi të Milosh Nikoliqit”[1].  Siç shkruan D.Sejdiu  më tej:  “Një ditë, para se të vritej ky barbar serb,  Ilir Konushefci ia kishe mbledhur  bête”, para se krimineli terrorist  Milosh Nikoliq  ta “puthte”  varrin në tokën e huaj shqiptare:

 “ Nikoliq, i biri shkinës, more shka,

  Edhe në hipësh në shtatë kala,

  Dora e Zahirit ka me të vra”[2]. 

(Shtatorja dhe shtëpia muze përkujtimore e heroit Zahir Pjaziti në fshatin e tij të lindjes, Orllan të Gallapit) (Foto: https://www.facebook.com/Zahir-Pajaziti-)

Ky betim i Ilirit u bë realitet, “kur më 27 tetor të vitit 1996, në hyrje të fshatit Syrkish, Zahiri dhe Iliri, në një pritë të organizuar me grupin e tyre, rreth orës 21,30 minuta, ia shkrepin  plumbat e vdekjes Milosh Nikoliqit, duke e vrarë në veturën e tij”[3], si hakmarrje për krimet dhe për torturat, që ua kishte bërë qyetarëve shqiptarë të komunës së Podujevës.  Në këtë aksion gueril të vrasjes së kriminelit Milosh Nikoliq, “veç Zahirit dhe Ilirit kanë marrë pjesë edhe Naim dhe Selim Haziri, si dhe Naim Hyseni”.[4]  

Zahir Pajaziti                              Ilir Konusheci

Bashkidealistë, bashkëluftëtarë dhe bashkëheronj të lirisë së Kosovës dhe bashkimit të saj me Shqipërinë. Këta janë FLAMURI I LIRISË dhe plumbi hakmarrës i Serbisë gjenocidale (1912-1999). Lavdi e përjetshme !

Një Ditëlindje e bardhë  për Kosovë e për Shqipëri !

Më 20 qershor të vitit 1969 në fashtin Llugë të komunës së Besianës ( ish-Podujevës) lindi Iliri nga prindërit Halit dhe Nazmije Konushefci, një familje e njohur për burrëri, për trimëri, për bujari  dhe për tradita kombëtare, patriotike dhe atdhetare shqiptare.

Mësimet e para, Ilir Konushefci i mori në vendlindje (në fshatin Llugë), ndërsa  tetëvjeçaren e plotë e kreu me sukses shembullor në shkollën fillore “29 Nëntori” në fshatin Lluzhan të Besianës (Podujevës), më 1983. Ndërkaq, shkollën e mesme Teknike, Dega e Ndërtimtarisë, po ashtu e mbaroi me sukses shembullor në  Q.A.M.O. “ 8 Nëntori” në Besianë (në Podujevë),  më 2 qershor 1987.

Iliri  qysh kur ishte nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme teknike në Besianë , filloi veprimtarinë ilegale  “ në vitin 1986 me hyrjen në radhët e LRPK-së. Iliri ishte ndër pjesëmarrësit aktivë në demonstratat dhe në protestat që u organizuan në vitet  ‘80  dhe ’90 . Në nëntor të vitit 1989, Ilirit iu vranë dy bashkëveprimtarët, Afrim Zhitia dhe Bedri Sokoli. Një aktivitet të dendur Iliri e zhvilloi edhe në mesin e studentëve të Shkollës së Lartë Teknike në Ferizaj.” [5]

Të gjitha këto të dhëna të vlefshme biografike për këtë hero të Kosovës, Ilir (Halit) Konushefci kanë një mesazh të qartë shumë domethënës-brumosjen e meritave të veprës së tij luftarake dhe patriotike për lirinë e Kosovës dhe të bashkimit të saj me Shqipërinë.Për këtë arsye ky libër mban titullin “ILIR KONUSHEVCI-SIMBOL IBASHKIMIT DHE I TRIMIT DARDAN”.

Nuk  ka asnjë dyshim se ky mesazh historik dhe patriotik, do të rrumbullakosej vetëm atëherë, kur të flasë drejtësia e Shqipërisë, e cila qe  24 vjet rresht (1998-2021) ende nuk e ka zbardhur engimën e vrasjes së Ilir Konushefcit dhe të Dr. Hazir Malës, i cili ra dëshmor për lirinë e Kosovës,  duke mbrojtur trupin e Ilirit nga plumbat e tradhtisë dhe të pabesisë së  mercenarëve terroristë shqipfolës (9 Maj 1998) në rrugëtimin për në Bajram Curr të Tropojës, ku në një veturë së bashku me mjekun Hazir Malaj, i prinin një kamioni të ngarkuar me armë, të destinuara për bashkëluftëtarët e UÇK-së në Kosovë.

Natyrisht, figurën patriotike, kombëtare,  ushtarake dhe atdhedashëse të  heroit të Kosovës, Ilir Konushefci e bëjnë  të plotë dhe domethënëse  shkrimet, deklaratat, rrëfimet, intervistat, kujtimet dhe dëshmitë dokumentuese të shokëve  të idealit, të veprimtarisë ilegale, të bashkëluftëtarëve dhe të anëtarëve të familjes së   tij. Prindërit Haliti dhe Nazmija, vëllezërit Sajmiri dhe Artoni, motrat Havushi dhe Suzana Konushefci, si dhe gruaja Luljeta Ramadani-Konushefci së bashku me vajzën e saj Nertila, të cilat sot jetojnë dhe veprojnë në Zvicër për hir të sigurimit të ekzistencës familjare, si dhe të kryerjes së studimeve të Nertilës, e cila pas vrasjes së babait, Ilirit kishte vetëm  4 vjet.

Bashkëshortja, Lulejta Ramadani ishte e devotshme ndaj burrit të saj, Ilir Konushefci, e pandashme, edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri

-(Luljeta Konushefci, bashkëshortja e Ilirit)

Gjatë studimeve në Shkollën e Lartë Teknike në Ferizaj (1992), Iliri pati rastin të njihej me bashkëstudenten Luljeta Ramadani nga Ferizaji, e cila ishte bashkudhëtare  dhe besnike e devotshme e jetës dhe e veprës së tij revolucionare kombëtare patriotike për çlirimin dhe për lirinë e Kosovës. Luljeta ishte e pandashme dhe dora  e djathtë e Ilirit deri në momentin  e fundit të jetës së tij, kur  më 9 maj(ditë e Shtunë) 1998, Iliri së bashku me mjekun Hazir Malaj,  duke shoqëruar një kamion me armë për UÇK-në në Kosovë, në një pritë të organizuar,  vritet pabesisht së bashku me bashkëluftëtarin  Dr. Hazir Malaj nga  plumbat e tradhtisë, të shkrepur nga një bandë terroristësh shqipfolës-Demiri te Përroi i Poravës, rrethi i Pukës, Qarku i Shkodrës.

Siç theksuam më sipër, Iliri së bashku me të fejuarën e tij, Luljetën ishin të shtrënguar t’i braktisnin studimet për shkak  se në Kosovë kishin filluar të ringjalleshin lëvizjet politike dhe veprimtaria e tyre ilegale  e viteve ‘80 të shekullit XX me kërkesën e tyre politike, që Kosova të pavarësohej si republikë e pavarur dhe t’i bashkohej Republikës së Shqipërisë. Këtë e provuan edhe protestat dhe demonstratat  studentore dhe gjithëpopullore të viteve 1981, 1982, 1989, 1997,  të cilat botërisht para armikut dhe para Evropës, si dhe  para gjithë botës shpalosën kërkesën e tyre të drejtë dhe të ligjshme historike, politike dhe kombëtare, që t’u njihej e drejta e vetëvendosjes  për shtet të pavarur dhe sovran, që u garantone jo vetëm shkolonizimin  nga Serbia kolonialiste gjenocidale, por edhe të drejtën legjitime dhe legale të bashkimit me Shqipërinë.

Duke qenë se Iliri ishte nxënës shembullor në mësime, ai kishte dëshirë  të regjistrohej në Fakultetin Teknik, Dega e Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës.  Por, kjo dëshirë nuk iu realizua për shkak se në Marsin e vitit 1989, Kosovën e ripushtoi Serbia e kryekriminelit Slobodan Milosheviq, me ç’rast këtë e përjetoi keq edhe Iliri, edhe Saimiri, si dhe babai i tyre Haliti, si rrjedhim i këtij ripushtimi të egër agresiv me tanke ushtarake dhe policore, duke ushtruar terror, dhunë dhe shtypje barbarike mbi shqiptarët, që t’i detyronin të heqnin dorë nga kërkesa e drejtë e tyre për liri dhe  pavarësi të Kosovës.

Mirëpo,  përkundër këtyre qëllimeve të errëta barbarike të armikut pushtues serb për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë, Iliri nuk hoqi dorë nga mësimet dhe nga edukata e tij  për të dashur librin, prindërit, vendlindjen, kombin dhe atdhun shqiptar, ashtu si e kishte edukuar dhe mësuar i ati i tij, Haliti dhe vëllai i madh Saimiri  dhe  e ëma Nazmija, ashtu, si ishte i ushqyer nga ideali dhe nga veprat e Mësuesit të tij të pavdekshëm, Adem Demaçi, babai i Kosovës së lirë dhe të pavarur, si dhe nga veprat e RILINDËSVE  dhe të heronjve e të patriotëve të lëvizjeve kombëtare shqiptare (1878-1990).

Ky përcaktim kombëtar dhe atdhetar i Ilirit në rrugën e  vështirë dhe të ndritshme për çlirimin dhe për lirinë e Kosovës  si nxënës, si student dhe si luftëtar i grupit gueril të armatasorur “Shqiponjat” dhe i UÇK-së (1992-1998), ishte fat i madh për përshpejtimin e  çlirimit të Kosovës me  pushkë nga armiku pushtues serb, jo me fjalë boshe, duke ruajtur “ekuilbrin politik paqësor” të nënshtrimit dhe të kapitullimit.

Kjo staretgji e zgjedhjes së rrugës së drejtë luftarake e Ilir Konushefcit me bashkëveprimtarët  dhe me bashkëluftëtarët e tij  të Llapit, të Drenicës dhe të Dukagjinit (Zahir Pajaziti, Shaip, Selim, Naim Haziri, Afrim Zhitia, Avni Ajeti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu, Adem, Hamzë e Shaban Jashari, Sylejman Selimi, Rexhep Selimi, Abedin Rexha,  Ilaz Kodra, Sami Lushtaku, Gani Geci, Fehmi Lladrofci, Luan, Shkelzen  e Ramush Haradinaj,  Sali Çeku, Adrian Krasniqi, Agim Ramadani, Qerim Kelmendi, Hysen Dreshaj, Gëzim Sejdiu, Mujë Krasniqi,…etj.) për t’i mposhtur forcat agresore dhe fashise serbe, ishte plotësisht në frymën tradicionale të historisë së luftërave dhe të kryengritjeve kombëtare revolucionare  shqiptare, që përputhej me doktrinën e strategjisë ushtarake, politike dhe kombëtare të  filozofit, të ideologut, të eruditit, të rilindësit dhe të arkitektit të parë të  Platformës së Bashkimit Kombëtar dhe të Shqipërisë Etnike, Sami Frashëri, i cili në fund të shekullit XIX, në veprën e tij, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë (1899)”, vuri në dukje se “bashkimi kombëtar mund të arrihet vetëm me anë të organizimit dhe të luftës politike e të armatosur.”[6]

Këto tipare  fisnike, edukative dhe njerëzore, Iliri i ka trashëguar nga familja e ngushtë dhe e gjerë Konushefci, historikisht e njohur  “me tradita patriotike”.[7]

Saimiri ishte dora e djathtë e vëllait hero, Ilir Konushefci, edhe në shtëpi, edhe në luftë ! 

(Saimr Konushefci, vëllai i madh i Ilirit)

S’ka dyshim se vëllai i madh i Ilirit, Saimiri ishte dora djathtë, mëkëmbës dhe  përçues i ideve kombëtare patriotike të Ilirit,  gjatë gjithë veprimtarisë së tij  jetësore, jo vetëm  në ileagalitet.

Këtë konstitim tonin e dëshmon edhe ky vlerësim i historianit të ndjerë Prof.Dr. Fehmi Pushkolli : “ Saimiri u lind më  28 shkurt 1967. Dhe është vëllai i madh i Ilirit. Ai ka qenë i involvuar në  veprimtarinë ilegle të Ilirit, i cili  i ka dhënë përkrahje që nga fillimi. Në dyqanin e Saimirit shkonin të gjithë shokët e Ilirit që vepronin në grupin ilegal ‘Shqiponjat’. Njëherit ai e ka përkrahur dhe ndihmuar edhe kur u radhitën në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Pas vrasjes së Zahir Pajazitit e ka përcjellë në Babaj të Bokës: Ilirin, Shaip Hazirin dhe Avni Ajetin–Sokolin. Sa herë që Iliri kthehej nga Shqipëria takohej me Saimirin, i cili mbante lidhjet edhe me Shaip  Hazirin. Ai organizoi të pame  për Ilirin në Tiranë, pastaj me  babain Halitin organizuan të pamen edhe në Prishtinë. Në këtë kohë është njohur me Rrustem Mustafën-Remin, komandantin e UÇK-së në ZOLL dhe me Latif Gashin, përgjegjës për  Shërbimin Informativ të ZOLL-it.  Shtabi e organizoi dhe  i besoi detyra të posaçme në Prishtinë, siç ishte detyra për angazhimin e ekspertëve ushtarakë etj. Saimiri kreu edhe detyra të tjera dhe ndihmoi konsilidimin e UÇK-së që nga fillimi deri në çlirimin e Prishtinës. Për hyrje në Prishtinë të UÇK-së e kishte siguruar bazën në fshatin Makaj. Bashkë me njësistet e UÇK-së së ZPOLL-it hyri në Prishtinë, më 11 qershor të vitit 1999. Pas çlirimit të Prishtinës, Saimiri filloi nga puna në ‘Kobra’, e cila siguronte objektet me interes të veçantë jo vetëm në Prishtinë. “[8]

Atentatet e lëvizjeve guerile revolucionare, çlirimtare kombëtare dhe antikoloniale nuk përbëjnë asnjë element të “terrorizmit” sipas së drejtës ndërkombëtare

Atentatet me karkater antikolonial të UÇK-së kundër shtypjes, terrorit, masakrave dhe vrasjeve individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Kosovë (1989-1999),  gjykatat dhe shteti policor militarist kolonial dhe gjenocidal i Serbisë i cilësoi si “akte terroriste”!?

Mirëpo, ato nuk përbëjnë kurrfarë elementesh të nocionit “terrorizëm”, edhe pse ato legalisht sipas së drejtës ndërkombëtare ishin  si përgjigje direkte dhe indirekte kundër agresorëve pushtues serbë, të cilët, duke shkelur të të gjitha normat, rregullat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të së drejtës së luftës,  si dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara mbi 2 milionë shqiptarëve në Kosovë ua mohuan të drejtat dhe liritë themelore dhe kolektive, që të realizonin të drejtën e vetëvendosjes, që të jetonin si popull dhe si shtet i pavarur dhe sovran në tokën e tyre të Shqipërisë Etnike.

Gjatë kësaj kohe, kur Kosova vihet nën riokupimin e hekurt të Serbisë, pikërisht në fillim të dekadës së fundit të shekullit XX (1990),  edhe patrioti Ilir Konushefci u pushtua nga ndjenja e fuqishme e urrejtjes së armikut pushtues serb, i cili çdo gjë që ishte me emër, me shenjë  dhe me vlerë të identitetit, të kulturës, të traditës, të arsimit, të edukatës, të artit dhe të historisë kombëtare shqiptare (përmendore, mbishkrime, portrete dhe fotografi heronjsh dhe shkrimtarësh, programe dhe literaturë shkollore në gjuhën shqipe), në mënyrën më vandaliste dhe ataviste i shkatërronin   dhe i digjnin në flakën e zjarrit të terrorit dhe të terrorizmit shtetëror serb (1989-1999).

Kështu, në vend të simboleve kombëtare shqiptare, çetnikët serbomëdhenj  sillnin përmendore dhe statuja të mitologjisë dhe të idhujtarisë mesjetare sllave për të falsifikuar historinë mijëravjeçare dhe për të ndryshuar strukturën demografike të etnikumit shqiptar në Kosovë. Mirëpo, barbarët serbë nuk u mjaftuan vetëm me rrënimin e simboleve të identiteit  kulturor dhe kombëtar historik shqiptar, por krahas tyre, me forcë dhe me terror i mbyllën edhe  shkollat, edhe Universitetin e Kosovës në gjuhën shqipe, duke i larguar me dhunë e me torturë me qindra e mijëra nxënës, studentë, mësues, arsimtarë, profesorë dhe akademikë, vetëm pse ishin shqiptarë dhe, vetëm pse mbronin shkollën shqipe dhe Universitetin nga pushtimi fashist, si dhe vetëm pse ndër të parët me protesta dhe me demonstrata demokratike dhe  paqësore ngritën zërin botërisht , duke kërkuar liri dhe pavarësi për Kosovën shqiptare.

Mirëpo, JUNTA ushtarako-policore dhe paramilitare raciste  e regjimit aparteid kolonizues serb me urdhrin e Slobodan Milosheviqit dhe të Kishës  Ortodokse Serbe (për ta bindur Evropën dhe botën e krishter se gjoja Kosova është serbe, jo shqiptare) pasi i dëboi  me dhunë, me terrorizëm, me burgosje dhe me toturë brutale studentët dhe profesorët shqiptarë nga godinat e kompleksit universitar në Prishtinë,   ndërtoi edhe Kishën Politike Ortodokse  Retrograde Serbe në oborrin-zemrën e Univeristetit të Prishtinës. Këtë e përforcoi edhe me ndërtimin e  një përemndoreje  të madhe të shovinistit dhe të racistit serboamdh, Vuk Karaxhiq në hyrje të Fakultetit Filozofik. 

Iliri, komandos i shquar  i guerilës së UÇK-së

(Foto: https://www.radiokosovaelire.com/)

Si reagim  kundër këtij aparteidi dhe segregacioni  të tipit afrikan të terrorizimit të institucionalizuar shtetëror serb ndaj shkollës shqipe dhe ndaj Universitetit  Shqiptar të Kosovës, me plot të drejtë dhe me arsye, erdhi në shprehje atentati (autobombë, e hedhur nga grupi gueril ilegal i UÇK-së) ndaj  rektorit çetniko-fashist dhe racist serb , Prof.Dr. Radivoje Papoviq, i cili ishte dhunuesi dhe fajtori kryesor për serbizimin; për segregacionin dhe për përndjekjen e profesorëve dhe të studentëve shqiptarë nga godinat e kompleksit të Universitetit dhe nga Instituti Albanologjik i Prishtinës),  i kryer nga njëri nga komandosët më të shquar të Guerilës ilegale të UÇK-së, Ilir(Halit) Konushefci, më 16 janar 1997. Mirëpo, për fat të keq, rektori i dhunshëm Radivoje Papoviq i mbijetoi atij atentati me  autobombë , duke marrë vetëm ca plagë të lehta.

De fakto dhe de jure, ky ishte mesazhi i saktë  i segregacionit dhe i serbizimit të Kosovës shqiptare. Këtë barbarizëm antishqiptar dhe anticivilizues serb, 10 vjet rresht (1989-1999) nuk e dënoi as Evropa e as  bashkësia ndërkombëtare (OKB-ja), edhe pse ky lloj pushtimi gjenocidal serb ishte në shpërputhje me të gjitha konventat, rezolutat, deklaratat, protokollet dhe marrëveshjet  e Kombeve të Bashkuara për ndalimin dhe për ndëshkimin e krimit të gjenocidit, të aparteidt dhe të racizmit kundër njerëzimit të botës së qytetëruar.  

Lidhur me atentatin ndaj rektorit serbomadh të Universitetit të Prishtinës, Radivoje Papoviq, ja se çfarë ka dokumentuar me argument të qëndrueshme Prof.Dr. Muhamet Pirraku (njëri nga historianët më të shquar dhe më objective e realist nga patriotët e palëkundshëm të kauzës shqiptare, bashkidealist dhe bashkëveprimtar i Adem Demaçit dhe i Fazli Greiçevcit etj.): “ Në bazë të Komunikatës Nr.29 të UÇK-së, të lëshuar nga Shtabi Qendror i saj,  ky atnetat u krye nga forcat e formacionit special për veprime të shpejta me Ilir Konushefcin në krye, më 16 janar 1997,  të cilin Shtabi Qendror i UÇK-së e quajti ‘ armik të përbetuar të popullit shqiptar’ dhe konstatoi se pasojat e veprimeve  të tij antishqiptare, e në veçanti ato në fushën e arsimit, na janë të njohura të gjithëve. “[9]

Mirëpo, siç shkruan profesori Pirraku, “në anën tjetër, presidenti lëdëkeist i Kosovës në konferencën për shtyp, më 25 janar 1997 konkludoi: “Dënojmë edhe njëherë shpërthimin  terrorist  të autobombës në Prishtinë, si moment të rrezikshëm për gjendjen e rëndë në Kosovë dhe, kërkojmë këtë rast ta hulumtojë FBI dhe Interpoli…!”[10]

-Denoncimi  i këtij akti të grupit të forcave speciale të UÇK-së ndaj terroristit dhe racistit Radivoje Papoviq, i cili me qindra e mijëra studentë dhe profesorë me dhunë i nxori në rrugë nga objektet e tyre universitare të tyre,, siç konkludon profesori Muhamet Pirraku “nuk do kurrfarë komenti, Ilir Konushefci e përjetoi rëndë shpëtimin e Papoviqit me plagë të rënda”.[11]

Mirëpo, për fatin e 2 milionë e gjysmë shqiptarëve dhe për shpëtimin e tyre dhe të Kosovës, Serbisë agresore dhe gjenocidale militariste dhe policore  ia theu “kurrzin” copë-copë (duke e bombaduar plot 78 ditë nga ajri) NATO-ja me  Gjeneralin amerikan Wesley Clark  në krye dhe Amerika me presidentin historik Bill Clinton në krye (24 mars – 10 qershor 1999), duke e detyruar Serbinë gjenocidale, kolonialiste dhe hegjemoniste , të tërhiqej nga Kosova  përgjithmonë.

Kjo ishte fitorja jo vetëm e Kosovës, por edhe  mbrojtja  e rendit, e sigurisë dhe e paqes në Evropë dhe me gjerë, ashtu siç  parashikojnë edhe dispozitat e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe rendi i ri juridik pozitiv ndërkombëtar (1945- 2021).

Edhe Serbia si shtet agresor kolonialist(1912-1999, ashtu sikurse të gjithë kolonialistët në botë) atentatet antikoloniale të UÇK-së i cilësonte si “terroriste”, me qëllim që ta mbronte dhe ta justifikonte sundimin  e saj qindravjeçar kolonialist gjenocidal mbi Kosovën , si dhe mbi  territoret e tjera të Shqipërisë Etnike (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, Nish, Kurshumli, Bllacë, Leskoc…etj.)

Ia vlen të nënvizojmë se të gjithë luftën e drejtë, vetëmbrojtëse, çlirimtare kombëtare dhe antikoloniale, edhe gjatë kohës në ilegalitet dhe gjatë kohës së luftës, si dhe në kohë paqeje e kemi mbrojtur me fakte dhe me argumente të qëndrueshme në frymën e doktrinës dhe të praktikës së të drejtës ndërkombëtare , se UÇK-ja e lavdishme nuk ishte kurrfarë hedhurine terroriste, siç gënjenin, mashtronin dhe manipulonin politika, diplomacia, propaganda masmediale, kisha  politike retrograde ortodokse serbe  dhe kuazishkenca politike, historike dhe juridike serbomadhe etj., POR, para së gjithash ishte PALË NDËRLUFTUESE LEGALE (sipas të gjitha rregullave, normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare të luftës dhe të së drejtës humanitare ndërkombëtare), pavarësisht nga Serbia kolonialiste dhe gjenocidale e djeshme e Slobodan Milosheviqit, si dhe nga Serbia e sotme “demokratike-paqësore) neokolonialiste dhe militariste e hegjemoniste, e cila tërësisht në frymën e platformës së strategjisë politike, diplomatike dhe propagandistike serbomadhe të Slobodan Milosheviqit, përkatësisht të “Naçertanije” të  Ilija Garashaninit (1844),  Serbia, edhe sot nuk e njeh as UÇK-në e as Kosovën e pavarur, të cilën e kanë njohur ndërkombëtarisht mbi 100 shtete-anëtare të Kombeve të Bashkuara. Ky është problem kolonial serioz, jo vetëm për paqen, për stabilitetin , për integritetin dhe për sigurinë e Ballkanit, por, edhe për  sigurinë dhe për paqen e gjithë Evropës demokratike, përkatësisht të bashkësisë ndërkombëtare.

Mirëpo, ligjërisht në kuptimin juridik shkencor të së drejtës ndërkombëtare, as de fakto e as de jure nuk qëndron akuza e ndyrë politiko-policore-propagandistike kolonialiste serbomadhe, se gjoja “UÇK-ja ishte organizatë terroriste”!?

Përkundrazi, UÇK-ja me luftën e saj të drejtë çlirimtare kombëtare dhe antikoloniale ishte palë ndërluftuese plotësisht legale, edhe sipas Konventave  Ndërkombëtare të Gjenevës (1949).

Derisa forcat  e armatosura të guerilës shqiptare në Kosovë (1991-1999) zhvillonin luftë vetëmbrojtëse kundër harangave dhe fallangave barbare çetniko-fashiste të Serbisë së Slobodan Milosheviqit, që në fokus kishte shfarosjen e shqiptarëve, të rikolonizimit, të riankesimit dhe të riserbizimit të Kosovës së Shqipërisë Etnike, përdorimi i forcës së armatosur  nga ana e kryengritësve ilegalë dhe legalë të UÇK-së ishte plotësisht i ligjshëm dhe, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare mbase zhvillonte luftë të drejtë vetëmbrojtëse kundër Serbisë gjenocidale.

Të drejtën për të vepruar me aksione-atentate konkrete të armatosura kundër agresorit serb, pa dyshim se e gëzonte populli shqiptar i shtypur, i terrorizuar dhe i masakruar i Kosovës  nga makineria nazifashiste vrastare e hordhive policore, paramilitare dhe militare serbe. 

Prandaj,  kryengritësit e UÇK-së brenda  tërë territorit të okupuar nga forcat pushtuese policore, paramilitare dhe militare serbe kishin të drejtën e plotë legjitime dhe  legale, që sipas së drejtës ndërkombëtare, të  hedheshin nën armë për ta luftuar armikun pushtues serb. Kjo luftë kryengritëse e guerilës së UÇK-së ishte plotësisht e drejtë, sepse zhvillohej në mbrojtjen e ligjshme të mbi 2 milionë e gjysmë shqiptarëve dhe të territorit të Kosovës shqiptare nga pushtuesi barbar dhe hegjemonist serb, i cili në shpërputhje me të gjitha normat, rregullat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare, të Kartës së OKB-së, si dhe të Aktit Final të Helsinkit të KSBE-së (KREU VIII, 1975), rianeksoi dhe rikolonizoi Kosovën me forcë ushtarake, duke kryer agresion, terror, reprezalie dhe masakra  në masë, si dhe plaçkitje dhe  djegie masive të fshtrave dhe të qyeteteve ( duke shkatërruar rrafsh me tokë objekte të ndryshme: shkolla, spitale, kisha, xhamia, shtëpi-muze, monumente  kulturore etj.).

[1]  Driton Sejdiu, Kush ishte Zahir  Pajaziti?, Zona Operative e Llapit, Prishtinë, f.90 dhe 92.

[2] Po aty, f.90 dhe 92.

[3]  Po aty, f. 90  dhe 92.

[4]   Po  aty, f.92.

[5]  Shih: Fisniket e Lirisë-Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, SHVLUÇK, Prishtinë, 2002, f.155.

[6]   Sami Frashëri, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do bëhetë , (botim  i katërt), “Dija”, Prishtinë, 2013, f. 77.

[7]   Dr. Skënder Zhitia, Dëshmorët e UÇK-së-Zona Operative e Llapit, “Dukagjini”, 2000, f. 17.

[8]  Prof.Dr. Fehmi Pushkolli,  po aty, f.385.

[9]  Prof.Dr. Muhamet Pirraku, “Kosovë – Shqipëri, jemi të gjallë kur të jeni nji!”. Shih: “Epoka e Re”, Prishtinë, 2005, 13 maj, f.20.

[10]  Po aty, “Epoka e Re”, Prishtinë, 2005, 13 maj, f.20.

[11]  Po aty, f. 20.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".