Pa improvizime për reformimin dhe ristrukturimin e sistemit të drejtësisë

Pa improvizime për reformimin dhe ristrukturimin e sistemit të drejtësisë
Pa improvizime për reformimin dhe ristrukturimin e sistemit të drejtësisë

Hasan Preteni

  • 24 April 2022 - 09:00

Shkruan:Analist- Hasan Preteni

Sistemi i drejtësisë në Kosovë ka pasur shumë dështime. Dështimet ishin të qëllimshme dhe "mirë" të planifikuara nga politika. Ishte lojë e dyfishtë, në njërën anë tentohej që tek publiku të arrin një përshtypje se diçka po punohet e në anën tjetër me prokuror dhe gjyqtar është vepruar në atë mënyrë që të mos ketë rezultate.

 

Nëse dikush ka marrë paga dhe ka fituar shumë  benefite atëherë ata janë policët hetues, prokurorët dhe gjyqtarët. Punë koti,pa hetime të mirëfillta,pa aktakuza përmbajtjesore e as gjykime meritore. Asnjë zyrtar i lartë nuk u burgos për korrupsion, asnjë pasuri e patundshme nuk është konfiskuar. Në anën tjetër këshillat ( prokurorial dhe gjyqësor) janë barrikaduar në pozicionet e tyre duke mos punuar në të mirën e përgjithshme por për interesat e tyre dhe për interesat e politikës. Kosova i ka institucionet e veta, i ka edhe prokuroritë dhe gjykatat të organizuara në tri nivele. Ato duhet të marrin veten,të detyrohen të kryejnë punën e vetë. Të ketë transparencë dhe llogaridhënie institucionale dhe individuale. Prokurorët dhe gjyqtarët duhet të flasin vetëm në gjykatore, nuk duhet të ketë punë të dyfishta,jo shumë vende pune, jo punë nëpër universitete dhe kolegje private. Pagesat e tyre janë të dinjitetshme dhe të mjaftueshme. Këshillat duhet të rirreshtohen dhe freskohen me personel meritor. Vettingu është i pa shmangshëm për ta instaluar llogaridhënien dhe meritokracinë në sistemin e drejtësisë. Prokuroria Speciale duhet të shuhet. E njëjta është krijuar me vendime politike dhe për qëllim ka pasur vetëm krijimin e mjegullës. Asnjë rezultat, asnjë aktakuzë meritore, asnjë rast të fituar në gjykata. Prokurorit dhe gjykatat e tri niveleve duhet të riorganizohen dhe funksionalizohen. Nuk duhet të krijohen në asnjë mënyrë "task forca" e të emërohen koordinator  e struktura e komisione jashtë organizimeve të tanishme ligjore. Asnjë task forcë, asnjë koordinator, asnjë komision i formuar deri më tani nuk e ka asnjë rezultat, përkundrazi,nëse dëshironi të krijon mjegull, të humbisni kohë e të mira materiale,atëherë le të formohen ato. Kosova i ka të gjitha institucionet dhe bazën ligjore deri diku të përfunduar. Transparencë dhe llogaridhënie, asgjë më pak. Ka kaluar koha e eksperimenteve. Të merren praktikat e mira të shteteve me demokraci të konsoliduar dhe jo vetëm. Ne Maqedoninë e Veriut dhe në Mal te Zi, ish kryeprokurorët dhe ish kryetarët e gjykatave janë në burg. Me personel të dështuar progres nuk ka.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".