Degradimi i gjuhës, i kulturës dhe i komunikimit të Deputetëve të Parlamentit të Kosovës!...

Degradimi i gjuhës, i kulturës dhe i komunikimit të Deputetëve të Parlamentit të Kosovës!...
Degradimi i gjuhës, i kulturës dhe i komunikimit të Deputetëve të Parlamentit të Kosovës!...

Ismail Muçiqi

  • 03 May 2022 - 10:03

Shkruan: Ismail Muciqi

E papranueshme dhe shumë e neveritshme është bërë pasqyra në ekranet televizive e debateve dhe mbledhjeve të Parlamentit të Kosovës. Deputeti duhet te jete emër simbolik i një personaliteti me integritet, me dije, me edukatë dhe i gatshëm që të përfaqësojë elektoratin i cili e ka zgjedhur. Deputeti i vërtet duhet të jetë i përgatitur ne aspektin arsimor, kulturor, edukativ, profesional, e besa edhe politikë. Qytetaret gjithmonë me admirim e kanë çmuar dhe respektuar përfaqësuesin e denjë të popullit, i cili me votën e lirë dhe demokratike është zgjedhur përmes kutisë së votimit.

Mjerisht pas aplikimit te  sistemit pluralist shumëpartiak në Kosovë partitë politike pa përvojë, të pa pjekura politikisht me qëllim ose pa të nuk ju përmbajtën kodit të etikës. Kështu në listat elektorale për Deputet propozuan emra më të ndryshëm të kandidatëve të cilët ishin krejtësisht të papërgatitur, pa përvojë dhe larg nivelit të sfidave të kohës për ta kryer misionin. Kështu degradimin më të madh në këtë drejtim e bënë kryetarët e partive dhe klanet e ngushta të cilët nuk kërkuan vlera të mirëfillta të njerëzve me integritet por në listat për Deputet i futën njerëzit të afërt me liderin e partisë [servilët]. Këtë e bene duke i shkelur vlerat e mirëfillta. Tani në Parlamentin e Kosovës kanë hyrë individët pa integritet, pa kulturë të mjaftueshme të cilët po e degradojnë edhe autoritetin e institucionit të Parlamentit të Kosovës. Mbledhja e fundit tregoj më së miri mendësinë primitive dhe shkallën e kulturës të disa deputeteve të cilët pa asnjë turp llomotisin vend e pa vend dhe janë bërë të neveritshëm për opinionin e gjerë.

Dikur kandidati për Deputet vlerësohej nga familja me autoritet, nga rrethi shoqëror, nga shkalla e arsimimit, nga veprimtaria profesionale deri tek përkushtimi për interesat e Shtetit dhe të kombit. Edhe pas 20 viteve partitë politike për shkak të interesave të ngushta në luftë për pushtet, nuk kanë arritur të reformojnë mënyrën e zgjedhjes së Deputeteve. Ky paradoks po vazhdon edhe më tutje, duke e mënjanuar përfaqësimin e rajoneve në disa Komunave pa asnjë Deputet. Sot në Parlamentin e Kosovës nga një Komunë apo regjion kanë arrite të hyjnë në Parlament nga 5 deri në 10 Deputet duke i anashkaluar shumë fshatra bashkësi lokale dhe vendbanime deri tek Komunat e caktuara të cilat nuk kanë asnjë përfaqësues në Parlamentin e Kosovës. Ky kaos i sistemit zgjedhor të cilën po e mbajnë dhe po e ruajnë partitë politike në krye me liderët e konsumuar, i ka sjellur vetëm dëme demokracisë dhe sistemit politikë në përgjithësi. Sot Deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës është i shkëputur nga baza e elektoratit.

Të rrallë ose fare janë ata Deputet të cilët komunikojnë me bazën deleguese apo i përgjigjen kërkesave të qytetareve nga të cilët kanë kërkuar votën për tu bërë Deputet. Kjo mënyrë e sistemit zgjedhor të Republikës Parlamentare duhet sa më parë të ndryshojë: Ligji dhe rregullativat përkatëse për të dhënë përgjegjësi para qytetareve. Të gjitha këto defekte kanë kontribuar që në Parlamentin e Kosovës të bëhen Deputet individët të cilët integriteti dhe diapazoni i tyre është i varfër në rrethin familjar dhe në mesin ku jetojnë. Prandaj kjo është pasojë e kulturës së komunikimit të cilën po e dëgjojmë në mbledhjet e Parlamentit të Kosovës e cila meriton të gjykohet dhe të demaskohet nga elektorati i cili është ngopur me figura të njëjta të një numëri të Deputeteve të cilët janë bërë të neveritshëm që nga pas lufta në foltoren e Parlamentit të Kosovës. Prandaj në fund po theksojmë se Deputeti duhet të jetë shembull, njëri me integritet i cili mision të vetin e ka interesin e përgjithshëm të qytetareve dhe ndërtimin e Shtetit ligjor dhe të demokracisë si vlerë universale e popujve të civilizuar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".