Ish “komandantët” që rrahën gjoks për çlirimin e Kosovës, dorë e zgjatur e mafisë që po e mban peng sistemin e drejtësisë

Ish “komandantët” që rrahën gjoks për çlirimin e Kosovës, dorë e zgjatur e mafisë që po e mban peng sistemin e drejtësisë

Hajrullah Tërnava

  • 22 May 2022 - 08:54

Shkruan: ANALISTI- Hajrullah Tërnava

Në qeverisjen e Kosovës të pasluftës në pushtet erdhën njerëz që „rrahshin gjoks se ata e kanë çlirua Kosovën“ dhe me veprime të ndryshme kriminale ata ua futën frikën popullatës së  tërë, dhe filluan luftën e tyre për tu pasuruar që në rend të parë donin ti përvetësonin pasuritë e patundshme dhe të objekteve të atij komunizmit që ishin prona të shtetit. Pikësynim i uzurpimit të pasurisë dhe shpërdorimit të saj ishin kryesisht  objektet dhe ndërmarrjet e ndryshme fitimprurëse, ishin tokat e kombinateve  dhe fabrika të tëra, e shumë pasuri të tjera.

Kjo veprimtari kriminale po vazhdon që nga atëherë e deri më tash, sepse edhe që janë ngritë disa aktakuza ende askush nga ata që i kanë keqpërdorur pozitat e tyre qeverisëse nuk është dënuar përpos ngritjeve të akuzave të cilat në mënyra të ndryshme janë prolonguar deri ne vjetërsimin-parashkrimin e tyre si deri me tani, prandaj edhe tani po vazhdon të manipulohet për të përfunduar, me skenar të paramenduar të dështimit deri në parashkrim, një nga rastet më spektakulare të nëntokës kriminale të krimit të organizuar,  në të cilin është e përfshirë e gjithë kupola e SHIK-ut, për dallavere në vitet e para të pas luftës, me tokat e pronës shoqërore dhe publike në Komunën e Prishtinës.  Prishtinë Rasti spektakular “Toka” 1 dhe 2, është duke shëtitur në nivele të ndryshme të gjyqësorit të Kosovës pa e marr verdiktin për abuzim dhe përvetësim pronash, për shpëlarje të parasë së pistë, që nga viti 2016. Një seancë e fundit lidhur me këtë aferë të dekadës ishte planifikuar për të premten e kësaj fundjave por ka dështuar sepse ashtu ishte planifikuar. Për shkak se prokurorja e rastit ndodhej jashtë vendit dhe njërit nga gjyqtarët anëtar të trupit gjykues ka dështuar të nisë gjykimi në rastin e njohur si tani si ‘‘Toka 2’’. Gjykimi është dashur të zhvillohet kundër të akuzuarve për “Krim të organizuar”, “Nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore”, “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, “Shpëlarje e parasë” dhe vepra të tjera. Seanca e radhës lidhur me këtë mega aferë është caktuar të mbahet më 20 korrik 2022. Ndryshe, deri tani nuk është mbajtur asnjëherë seanca e shqyrtimit gjyqësor, pas vërtetimit të aktvendimit nga Gjykata e Apelit lidhur me kundërshtimin e provave dhe kërkesës për hedhjen e aktakuzës. Ky rast fillimisht ishte gjykuar nga gjykatësi i krimeve të rënda, Beqir Kalludra, mirëpo me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit, lënda nga 3 shkurti 2021 kishte kaluar tek gjykatësi Kushtrim Shyti, i cili nuk ka mbajtur asnjë seancë në këtë rast. Kurse, më 11 tetor 2021, kjo lëndë ka kaluar në Departamentin Special tek gjykatësja Shadije Gërguri, sipas vendimit të marrë nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ngarkimin e këtij departamenti edhe me lëndë të Krimeve të Rënda. Ndërsa, gjykatësja Gërguri, menjëherë pas pranimit të shkresave të lëndës dhe shqyrtimit të tyre, duke vepruar sipas detyrës zyrtare më 8 nëntor 2021 ka marrë aktvendim për hedhje të aktakuzës dhe pushim të procedurës penale ndaj të akuzuarve Fetahu dhe Ademi për shkak se në gusht të këtij viti kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale. Ndryshe, në këtë rast fillimisht të akuzuar kishin qenë 24 persona, por Gjykata Themelore në Prishtinë, në shtator të vitit 2018, kishte hedhur poshtë aktakuzën për 17 nga ta. Të gjithë të pandehurit, po akuzoheshin për blerjen e 36 hektarë tokë të Komunës së Prishtinës dhe Graçanicës, të privatizuara me çmime shumë më të ulëta, se sa çmimi real i tregut. Gjykata e Apelit më 29 tetor 2018 kishte vërtetuar aktvendimin e themelores sa i përket të akuzuarve për shpëlarje parash, si dhe të akuzuarve, Prishtina, Emërllahu, Maxhuni dhe Sh.M. Kurse, ajo kishte kthyer në rivendosje lëndën sa i përket të akuzuarve Ademi, Hoti dhe Fetahu. Pas kthimit të rastit në rivendosje, në shqyrtimin e dytë prokurorja speciale, Merita Bina-Rugova, kishte bërë ri cilësimin e veprës penale ndaj të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në shpërdorimit të pozitës zyrtare nga neni 339, paragrafi 3 i Kodit të Përkohshëm Penal. Mirëpo, gjykata e shkallës së parë, më 29 maj 2019 sërish i ka refuzuar si të pabazuara kundërshtimet e provave dhe kërkesën për hedhje të aktakuzës të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi. Ky vendim i Themelores, më 27 qershor ishte vërtetuar edhe nga Apeli duke i refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.

Gjithashtu, Apeli kishte pranuar pretendimet e shkallës së parë se tre të akuzuarit duhet të akuzoheshin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të KPRK-së pasi që ishte më i favorshëm, dhe jo si “shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit” nga neni 339 par.3 të ish-KPK-së, ashtu siç e kishte ri cilësuar prokuroria. Kjo aktakuzë ishte ngritur më 3 mars të vitit 2017, nga prokurori i EULEX-it, Danilo Ciccarelli, ndërsa më pas kjo lëndë i ishte bartur prokurorit vendës nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Mehmet Prishtina, Dukagjin Emerllahu e Nexharije Hoti e Avni Maxhuni, akuzohen për veprën penale “krim i organizuar”. Ata akuzohen se nga fillimi i vitit 2009 e deri në tetor të vitit 2014, në territorin e Kosovës, më qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, kanë kryer krime të rënda si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar. Prokuroria pretendon se Mehmet Prishtina ka qenë organizator, mbikëqyrës dhe menaxher i aktiviteteve të grupit kriminal të organizuar të përbërë nga Prishtina, Nexharije Hoti dhe Avni Maxhuni. Hoti e Maxhuni, sipas prokurorisë, dyshohet se i kanë menaxhuar aktivitetet kriminale të këtij grupi duke u dhënë udhëzime pjesëtarëve tjerë të këtij grupi. Ata akuzohen edhe për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, “shpëlarja e parave në vazhdimësi”, ndërsa bashkë me Emerllahun akuzohen edhe për veprat penale “ndihma në kryerjen e veprës penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore të paligjshme”, “ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, “grabitja” dhe “shpëlarja e parave në vazhdimësi”. Hoti akuzohet për krim të organizuar të ndërlidhur me veprat penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore dhe shpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi. Nexharije Hoti akuzohet se si gjyqtare e Gjykatës Komunale të Prishtinës, e caktuar në çështjen civile nr.724/2009, për të drejtat pronësore mbi ngastrat shoqërore, ka gjykuar lëndën në dobi të Dukagjin Emerllahut, i cili ka bashkëpunuar me Mehmet Prishtinën dhe me dashje që t’i shkaktojë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, ka nxjerrë vendim të paligjshëm me të cilin ka aprovuar padinë e Emerllahut për të drejtat pronësore të mbi 45 ngastrave me një sipërfaqe prej 36.45 hektarë, që kanë qenë në posedim te të paditurave KBI “Kosova Export”, dhe zyra rajonale e Asgjësisë Kosovare të Privatizimit. Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi akuzoheshin edhe Reshat Fetahu, Gani Ademi, për veprën penale “shpëlarja e parave në vazhdimësi”, akuzoheshin Avni Maxhuni, Sh.M, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Bislim Bajrami, Albion Mulaku, Gëzim Rama, Agim Jerlija. Për “shpëlarje të parave”, akuzoheshin Basri Beka, Bajram Gashani, Arton Vila, Bejtullah Zhugolli, Dalip Brahimi, Dalip Brahimi, Lirim Zeka dhe Shaqip Krasniqi. Ndryshe, lidhur me këtë rast në vitin 2016 është mbajtur mundësia hetuese e veçantë, ndaj gjithsej 51 të dyshuarve lidhur me këto dallavere, ndër ta edhe ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla. Pas këtij hetimi, prokurori i EULEX-it, kishte ngritur dy aktakuza, njëra e njohur tani si rasti “Toka”, në të cilën akuzohet Azem Syla dhe të tjerët, kurse në tjetrën akuzoheshin 24 persona, që njihej si rasti “Toka”2. Që nga  viti 2016, kur kanë filluar hetimet dhe  ngritja e aktakuzës në vitin 2017,  ka vazhduar procesi me lojën e mbajtjes dhe dështimeve të seancave gjyqësore, konfirmimit dhe hedhjes së aktakuzave për individ të ndryshëm të grupit, por akoma nuk ka rezultuar me një gjykim fuqiplotë dhe me persona të dënuar për këtë mega aferë të madhe të krimit të organizuar, në të cilën është i përfshirë edhe figura qendrore e SHIK-ut Azem Syla. Tani ky dhe rastet e ngjashme, janë model që duhet të shërbejnë për procesin Vetting, për të hetuar dhe zbuluar se si ka funksionuar dhe po vazhdon të funksionon deri më sot në mënyrë legale, lidhja e institucioneve të deformuara të drejtësisë, Prokurorisë dhe gjyqësorit, me nëntokën e krimit të organizuar, për i nxjerr para përgjegjësisë dhe ndëshkuar të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët të cilët kanë qenë në lidhje të ngjashme, duke dëmtuar interesin publik, shtetin dhe duke ndihmuar krimin e organizuar. Prandaj këto janë shkaqet qe me padurim po pritet miratimi i ligjit Vettingut, dhe njëherë e përgjithmonë te spastrohen institucionet shtetërore e sidomos institucionet e drejtësisë nga krimi i organizuar, dhe të gjithë ata që kanë abuzuar dhe kanë përfituar në mënyra kriminale, të vihen para gjyqit dhe në mënyrë të pamëshirshme të dënohen dhe të ju konfiskohet pasuria e fituar në mënyrë të kundërligjshme që nga paslufta e deri më tani.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".