Historia e rastit “Toka” zbulon lakuriq pasojat e instalimit të strukturave kriminale të SHIK-ut në sistemin e drejtësisë

Historia e rastit “Toka” zbulon lakuriq pasojat e instalimit të strukturave kriminale të SHIK-ut në sistemin e drejtësisë

Gani Qarri

  • 23 May 2022 - 07:43

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Që nga viti 2016, kur edhe kanë filluar hetimet dhe ngritja e aktakuzës në vitin 2017, ka vazhduar procesi me lojën e mbajtjes dhe dështimeve të seancave gjyqësore, konfirmimit dhe hedhjes së aktakuzave për individ të ndryshëm të grupit, pa rezultuar asnjëherë me një gjykim fuqiplotë dhe autor të dënuar për këtë mega aferë të madhe të krimit të organizuar, në të cilën është i përfshirë edhe figura qendrore e SHIK-ut Azem Syla.

-Mjerisht se në çfarë situate katastrofale e kanë sjellë, partitë e inkriminuara drejtësinë në Kosovë, të cilën me gjithë ndihmën e pa kursim të Komisionit të Venecias edhe një VETTING i njëmendtë e ka shumë të vështirë, që për kohë të shkurtër ta sanojë shpejtë e si duhet, e dëshmon më së miri edhe një nga rastet më spektakolare të nëntokës kriminale dhe rrjeteve të krimit të organizuar, ku është përfshirë e gjithë kupola e SHIK-ut ilegal. Se sa thella ka deprtuar krimi në drejtësi, flasin rastet e gjykimit të dosjeve ku janë të përfshirë njerëz nga strukturat me peshë të politikës së lidhur me krimin, sikur që është rasti “Toka” i cili akoma nuk po merr verdikt nga ana e Gjykatave të Kosovës.

Madje, për dallavere me tokat e pronës shoqërore dhe publike në Komunën e Prishtinës që nga në vitet e para të pas luftës, po manipulohet në mënyrat më të ulëta kriminale rasti spektakolar i njohur tash si “Toka 1” dhe “Toka 2” i cili për të përfunduar, me skenar të paramenduar të dështimit dhe dërgimit në parashkrim, është duke u shëtitur në nivele të ndryshme të gjyqësorit të Kosovës pa e marr, asnjëherë verdiktin përfundimtar, për abuzim dhe përvetësim pronash si dhe shpëlarje të parasë së pistë, që nga viti 2016 e këtej. Seancën e re, lidhur me këtë aferë të dekadës, ishte planifikuar për të premten e kësaj fundjave por serish ka dështuar sepse paraprakisht ashtu edhe ishte planifikuar, siç po veprohet qëllimisht, nga gjyqësia e kapur, tash e gati një dekadë, me arsyetimin banal, se prokurorja e rastit ndodhej jashtë vendit dhe njëri nga gjyqtarët anëtar të trupit gjykues, për këtë shkak, paska dështuar ta nisë gjykimin në rastin, tani të njohur si ‘‘Toka 2!’’.

Gjykimi është dashur të zhvillohej kundër të akuzuarve për “Krim të organizuar”, “nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore”, “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “falsifikim i dokumentit zyrtar”, “Shpëlarje e parasë” dhe vepra të tjera të kundërligjshme kriminale. E pas dështimit të seancës së të premtes, seanca e radhës lidhur me këtë mega-aferë të turpit, është caktuar të mbahet më 20 korrik 2022, pasi që deri më tani nuk është mbajtur asnjë seancë e shqyrtimit gjyqësor. Fillimisht ky rast, thuhet se ishte gjykuar nga gjykatësi i krimeve të rënda, Beqir Kalludra, mirëpo me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit, lënda nga 3 shkurti 2021 kishte kaluar tek gjykatësi pasues Kushtrim Shyti, i cili nuk ka mbajtur asnjë seancë në këtë rast. Ndërsa më 8 tetor 2021, sipas vendimit të marrë nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ngarkimin e këtij departamenti edhe me lëndë të Krimeve të Rënda, kjo lëndë ka kaluar në Departamentin Special tek gjykatësja Shadije Gërguri. Dhe gjykatësja Gërguri, në emër të detyrës zyrtare, pas pranimit të shkresave të lëndës dhe shqyrtimit të tyre, më 11 nëntor 2021 ka marrë aktvendimin e habitshëm, për hedhje të aktakuzës dhe pushim të procedurës penale ndaj të akuzuarve Fetahu dhe Ademi për shkak se në gusht të këtij viti, kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale?!

Kurse ajo që habitë mbarë opinionin, është fakti se fillimisht, për këtë rast ishin të akuzuar hiq më pak se 24 persona, por Gjykata Themelore në Prishtinë, në shtator të vitit 2018, kishte hedhur poshtë aktakuzën për 17prej tyre, ani pse të gjithë të pandehurit, po akuzoheshin për blerjen e kundërligjshme të 36 hektarëve tokë të Komunës së Prishtinës dhe Graçanicës, të privatizuar me çmime shumë më të ulëta, se sa çmimi real i tregut. Gjykata e Apelit më 29 tetor të vitit 2018 kishte vërtetuar aktvendimin e Gjykatës themelores sa i përket të akuzuarve për shpëlarje parash, si dhe të akuzuarve për tokën, Prishtina, Emërllahu, Maxhuni dhe Sh.M., kurse, kishte kthyer në rivendosje lëndën sa i përket të akuzuarve Ademi, Hoti dhe Fetahu. Pas kthimit të rastit në rivendosje,prokurorja speciale, Merita Bina-Rugova, në shqyrtimin e dytë kishte bërë ri cilësimin e veprës penale ndaj të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe shpërdorimit të pozitës zyrtare nga neni 339, paragrafi 3 i Kodit të Përkohshëm Penal.

Mirëpo, gjykata e shkallës së parë, më 29 maj 2019 sërish i ka refuzuar si të pabazuara kundërshtimet e provave dhe kërkesën për hedhje të aktakuzës të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi, vendim i Themelores, që më 27 qershor ishte vërtetuar edhe nga Apeli duke i refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes. Gjithashtu, Apeli kishte pranuar pretendimet e shkallës së parë se tre të akuzuarit duhet të akuzoheshin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të KPRK-së pasi që ishte më i favorshëm, dhe jo si “shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit” nga neni 339 par.3 të ish-KPK-së, ashtu siç e kishte ri cilësuar prokuroria. Aktakuzë kjo e ngritur më 3 mars të vitit 2017, nga prokurori i EULEX-it, Danilo Ciccarelli, ndërsa më pas kjo lëndë i ishte bartur prokurorit vendës nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ku Mehmet Prishtina, Dukagjin Emerllahu e Nexharije Hoti e Avni Maxhuni, akuzohen për veprën penale “krim i organizuar”.

Ata aktakuza i ngarkon se qysh nga fillimi i vitit 2009 e deri në tetor të vitit 2014, në territorin e Kosovës, më qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, kanë kryer krime të rënda si pjesë e një grupi të mirëstrukturuar kriminal,ndërsa Prokuroria pretendon se Mehmet Prishtina ka qenë organizator, mbikëqyrës dhe menaxher i aktiviteteve të grupit kriminal të organizuar të përbërë nga Prishtina, Nexharije Hoti dhe Avni Maxhuni. Hoti e Maxhuni, sipas prokurorisë, dyshohet se i kanë menaxhuar aktivitetet kriminale të këtij grupi duke u dhënë udhëzime pjesëtarëve tjerë të këtij grupi se si të veprojnë, madje të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, “shpëlarja e parave në vazhdimësi” dhe bashkë me Emerllahun akuzohen edhe për veprat penale “ndihma në kryerjen e veprës penale të nxjerrjes së vendimeve të kundërligjshme gjyqësore”, “ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, “grabitja” dhe “shpëlarja e parave në vazhdimësi!”. Hoti akuzohet për krim të organizuar të ndërlidhur me veprat penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore dhe shpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi, Nexharije Hoti akuzohet se si gjyqtare e Gjykatës Komunale të Prishtinës, e caktuar në çështjen civile nr.724/2009, për të drejtat pronësore mbi ngastrat shoqërore, ka gjykuar lëndën në dobi të Dukagjin Emerllahut, i cili ka bashkëpunuar me Mehmet Prishtinën.

Dhe me qëllim që t’i shkaktojë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, ajo me dashje ka nxjerrë vendim të paligjshëm me të cilin ka aprovuar padinë e Emerllahut për të drejtat pronësore të mbi 45 ngastrave me një sipërfaqe prej 36.45 hektarë, që kanë qenë në posedim te të paditurave KBI “Kosova Export”, dhe zyra rajonale e Asgjësisë Kosovare të Privatizimit. Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi akuzoheshin edhe Reshat Fetahu, Gani Ademi, për veprën penale “shpëlarja e parave në vazhdimësi”, akuzoheshin Avni Maxhuni, Sh.M, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Bislim Bajrami, Albion Mulaku, Gëzim Rama, Agim Jerlija. Për “shpëlarje të parave”,akuzoheshin Basri Beka, Bajram Gashani, Arton Vila, Bejtullah Zhugolli, Dalip Brahimi, Lirim Zeka dhe Shaqip Krasniqi.

Përndryshe, lidhur me këto dallavere, në vitin 2016 është mbajtur seanca e veçantë hetuese, ndaj gjithsej 51 të dyshuarve, ndër ta edhe ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla dhe pas këtij hetimi, prokurori i EULEX-it, kishte ngritur dy aktakuza, njëra e njohur tani si rasti “Toka 1”, në të cilën akuzohet Azem Syla dhe të tjerët, kurse në tjetrën akuzoheshin 24 persona, që njihej si rasti “Toka”2. Që nga viti 2016, kur edhe kanë filluar hetimet dhe ngritja e aktakuzës në vitin 2017, ka vazhduar procesi me lojën e mbajtjes dhe dështimeve të seancave gjyqësore, konfirmimit dhe hedhjes së aktakuzave për individ të ndryshëm të grupit, pa rezultuar asnjëherë me një gjykim fuqiplotë dhe autor të dënuar për këtë mega aferë të madhe të krimit të organizuar, në të cilën është i përfshirë edhe figura qendrore e SHIK-ut Azem Syla.

Ky rast, pra rasti “Toka”, dhe rastet e ngjashme, janë model që duhet të shërbejnë për shpalosje me prioritet, sa më parë edhe nga procesi Vetting, për tu hetuar dhe zbuluar se si nuk ka funksionuar drejtësia, dhe po vazhdon të mos funksionojë as sot në mënyrë legale, duke i shkëputur hallkat e lidhjes zingjirore të institucioneve të deformuara të drejtësisë, Prokurorisë dhe gjyqësorit, me nëntokën e krimit të organizuar, për ti vendosur para përgjegjësisë penale dhe ndëshkuar të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët të cilët kanë qenë në lidhje të ngjashme, duke dëmtuar interesin publik të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës duke ndihmuar krimin e organizuar, mafien dhe rrjetet e nëntokës kriminale.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".