Vazhdon loja me krimin, rikthehet në pikën zero rasti TOKA , krye protagonisti Azem Syla

Vazhdon loja me krimin, rikthehet në pikën zero rasti TOKA , krye protagonisti Azem Syla

Gani Qarri

  • 12 June 2022 - 08:50

Shkruan:ANALISTI-Gani Qarri

Historiku i zvarritjes së rastit të njohur si "Toka" në të cilin krye personazhi kryesor është ish pjesëtari i SHIK-ut, dhe ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, njëherësh edhe ish deputet i PDK-së, siç dihet tanimë edhe nga opinioni, ka një histori të gjatë prej më shumë se 6 vitesh, histori e cila vazhdon që nga viti 2016, me pauza e ndërprerje, dhe çalon edhe sot me të njëjtin skenar të mos mbajtjes së seancave dhe shtyrjes së pafund të gjykimit.

Zvarritja e rasteve të tilla të shenjestruara të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, siç është rasti “Toka”, drejtësia e korruptuar me gjykatës e prokuror të inkriminuar të cilët për vite të tëra, po e shtynë gjykimin, duket që ka për qëllim, të fitojë kohë për zhdukjen dhe zhvlerësimin e provave, për shkak të bashkëjetesës së gjatë dhe lidhjes së ngushtë me krimin e organizuar. Madje për ta kthyer tërësisht në “legjendë” rastin e njohur si “Toka”, në arsyetimin konfuz të gjykatës, deklarohet se në mungesë të të akuzuarit kryesor Azem Syla, "pasi që gjykata nuk ka prova" që i akuzuari Azem Syla është ftuar në mënyrë të rregullt, ka dështuar edhe seanca e së enjtes së 9 qershorit të këtij viti, seancë e cilat ndoshta serish as që do të mbahet edhe në ditët në vijim. Në aktakuzën e ngritur, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Azem Syla, bashkë me 22 të paditur të tjerë, të cilët që të gjithë, qysh nga viti 2016 akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsion e krim të organizuar, megjithëse fillimisht ishin 22 të akuzuar, për N.U., dhe Sh.M., ka pushuar procedura ngase ata kanë ndërruar jetë, kurse për Ilaz Sylën, Mustafë Halitin dhe Hajrullah Berishë, është veçuar aktakuza, gjoja se gjykata nuk ka arritur të sigurojë prezencën e tyre në proces?! Në fillim kjo lëndë nisi të trajtohej nga gjykatësi Beqir Kalludra, por mu në momentin, kur gjykimi ishte fare afër përfundimit, gjyqtari Kalludra u avancua në pozitë, avancimi i cili duket se u bë pikërisht me qëllimin që kjo lëndë të zvarritej dhe mbetej pa u përfunduar asnjëherë. Madje në njëfarë mënyre, këtë e vërteton edhe fakti se Gjykata Themelore në Prishtinë, megjithëse po këtë lëndë, ia kishte ndarë për trajtim gjykatëses Shpresa Hasaj-Hyseni, ajo kurrë nuk ka e mbajtur as organizuar, asnjë seancë të vetme. Kështu që edhe pse rasti që gjykohej nga gjykatësi Kalludra ishte pothuajse në përfundim, tani i njëjti duhet të nis përsëri që nga e para, pasi që neni 311, paragrafi 3 i Kodit të Procedurës Penale përcakton se: “kur shtyrja ka zgjatur më shumë se tre (3) muaj ose kur procesi gjyqësor mbahet para një kryetari tjetër të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë rishtas dhe përsëri të shqyrtohen të gjitha provat!”. Prandaj bazuar në Kodin e Procedurës Penale, të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe provave të tjera që janë shqyrtuar nga gjykatësi Kalludra, duhet të rishqyrtohen edhe njëherë prej fillimit nga kryetari i ri i trupit gjykues, Arben Hoti, procedurë e cila përveçse merr shumë kohë, ajo mundë të qojë edhe deri të zhvlerësimi shtesë i provave, humbja e peshës së rastit në gjykim dhe afrimi i kohës ligjore, për parashkrimin e tij. Ndryshe, ky rast, që nga fillimi i gjykimit është karakterizuar me zvarritje, në masën më të madhe edhe në kohën kur gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it. Siç dihet, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, kurse në aktakuzën e fundit, që daton të jetë ngritur më 24 tetor të vitit 2016, përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi. Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj. Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe N.U., Sh.M., Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për ta është veçuar procedura, megjithatë gjykatësi Hoti, jashtë seancës ka bashkuar procedurën për të akuzuarin Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic, me arsyetimin se për këtë të fundit, provat janë të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë. Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve të kundërligjshme gjyqësore ”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”. Që të gjithë akuzohen se përmes veprimtarive kriminale në bashkëpunim me njëri tjetrin, i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive, hetime të cilat, duke qenë se në rast janë të involvuar edhe serb , të cilët jetojnë në Serbi, thuhet se janë kryer në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".