Rezoluta e PE-se për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, dhuratë e artë nga kancelari dhe shteti mik gjerman

Rezoluta e PE-se për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, dhuratë e artë nga kancelari dhe shteti mik gjerman

Gani Qarri

  • 15 July 2022 - 07:36

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Për fatin e mirë të Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, pas nismës së kancelarit gjerman edhe Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën ku thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen e ndërsjellë” .

Kjo është hera e parë që në një dokument të institucioneve evropiane përmendet njohja reciproke dhe përkundër faktit që pesë shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën, Parlamenti Evropian është institucioni i vetëm që e trajton Kosovën si shtet. Kjo do të ndikojë që të bëhet edhe presioni i shtuar ndërkombëtar, kryesisht nga ane e BE-së, ndaj Serbisë dhe Kosovës, për vazhdim të dialogut, me qartësi të finales së tij, për ta intensifikuar procesin dhe përfunduar atë me njohje e normalizim me ofrimin e perspektivës më të shpejtë evropiane, për anëtarësim në BE.

Madje Parlamenti Evropian miratoj së fundi edhe rezolutën që bën thirrje për njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si epilog përfundimtar i dialogut të deritashëm, që duhet të ndodhë në kohën që kanë përpara. Në seancën e PE-së u miratuan raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën dhe në të tri raportet u bë thirrje për mbështetje të perspektivës evropiane të këtyre vendeve. “Raportet me Serbinë duhet të normalizohen përmes marrëveshjes e cila duhet të bazohet në njohjen e ndërsjellë”, tha edhe deputetja gjermane, Viola von Cramon, e cila ka hartuar raportin për Kosovën.

Për aq më tepër, në raportin për Kosovën sërish bëhet thirrje edhe për liberalizimin e vizave, ndërsa votimi i PE-së, dëshmon përkushtimin e Parlamentit për integrimin e Kosovës në BE dhe jep një udhëzime se si mund të zbatohen standardet evropiane në Kosovë. Kosova ka dëshmuar në vazhdimësi përkushtimin për të avancuar në reformat e lidhura me BE-në dhe është pozicionuar qartë si një partner i besueshëm, i fuqishëm i lidhur me aleancën evropiane dhe transatlantike, por për fat të keq, BE-ja ka dështuar që të sigurojë lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës. Unë shpresoj vërtetë se ky është raporti i fundit ku përmendet dështimi i liberalizimit të vizave”, tha Viola von Cramon.

Votimi i raporteve për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën pason debatin e mbajtur një ditë më parë për këto dokumente. Megjithëse, rezolutat e miratuara nga Parlamenti Evropian nuk janë dokumente detyrimisht obliguese për shtetet e BE-së ato japin orientimin dhe qartësimin e definimit të politikave, finalja e të cilave duhet të ketë zbatim të pa kthyeshëm pa injorim. Megjithë deklarimin se kinse rezolutat e miratuara nuk janë dokumente obliguese për shtetet e BE-së, vet reagimi i menjëhershëm i presidentit serb Vuçiq, dësmon se në udhkryqin e nisur në procesin e anëtarsimit, njohja e Kosovës nga Serbia, tanimë ështër nxjerrë mbi tavolinë dhe do të jetë kushti kryesor i vendosur ndaj Serbisë për anëtarësim në BE.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".