Ikja nga Atdheu mallkim historik i një populli!...

Ikja nga Atdheu mallkim historik i një populli!...
Ikja nga Atdheu mallkim historik i një populli!...

Ismail Muçiqi

  • 16 July 2022 - 08:53

Opinion me Shkas.

Shkruan Gazetari Ismail Muçiqi

Sindromi i të rinjve me gjenerata të tëra për ta lëshuar vendlindjen ka arritur majën e piramidës të boshatisjes nga Kosova. Statistikat të cilat oscilojn gjithnjë tregojnë se pothuajse gjysma e popullsisë që kishte Shteti i Kosovës pas lufte janë shpërngulur nëpër vendet e ndryshme të Evropës, Amerikës, Zelandës së Re, Kanadasë e deri tek Australia e largët për të kërkuar punë dhe një jetë më të mirë për të ardhmen. Pothuajse nuk ka familje në Kosovë që dikush nga anëtarët apo familjarët që nuk ka një dy ose më shumë djem dhe vajza jashtë Kosovës.

Ky fenomen i cili po vazhdon me një dinamikë marramendëse është shumë shqetësues për shoqërinë Kosovare, për institucionet e Shtetit dhe për të ardhmen e Republikës së Kosovës. I kuptoj njerëzit të cilët kanë aspirata për tu shkolluar, apo specializuar nëpër kolegjet e ndryshme të institucioneve arsimore të shteteve të zhvilluara, por asesi nuk mund të kuptoj largimin apo boshatisjen e vendlindjes duke ja kthyer shpinën Kosovës. Me shekuj ky vend ka ëndërruar dhe luftuar për ta fituar Lirinë,

Pavarësinë me qëllim të krijimit të Shtetit si ëndërr dhe sakrificë e shumë gjeneratave gjatë historisë. Këto veprime për të ikur nga atdheu kanë kuptim shumë dimensional. Këto po vërehen vite me radhë në zvogëlimin e numrit të nxënësve nëpër shkolla të ndryshme gjithandej Kosovës. Me qindra paralele në arsimin shkollor të niveleve të ndryshme nga shkolla fillore deri tek universiteti janë mbyllë. Përditë e më shumë po ndjehet mungesë e madhe e punëtoreve të zejeve dhe arti zanateve të ndryshme, të cilat dikur ishin shumë të zhvilluara në Kosovë. Përditë dëgjojmë nga pronarët e ndërmarrjeve të ndryshme, nga prodhuesit në ekonominë bujqësore dhe veprimtaritë e ndryshme duke kërkuar fuqi punëtore por nuk po arrijnë të gjejnë dot. Shtrohet pyetja si mund të zhvillohet Republika e Kosovës pa gjeneratën e re e cila ja ka mësyrë Evropës?.

Si dhe kush duhet ta mbrojë sovranitetin dhe integritetin e Shtetit të Kosovës nga rreziqet e sigurisë?. Janë edhe shumë pikëpyetje të cilat në jetën e përditshme kërkojnë përgjigjje të domosdoshme për ardhmërinë e këtij vendi. Mjerisht për të gjitha këto fenomene dhe paradokse të kohës dështuan politikat e mbrapshta të partive të cilat udhëhiqen me Institucionet e Kosovës. Pabarazia ndaj njerëzve duke i shkelur vlerat kulminante te  individit për ti dhënë përparësi anëtareve të klaneve partiake e në rend të parë përmes nepotizmit duke i punësuar familjarët e ngushtë janë dukuri të cilat më së shumti e kanë irrituar gjeneratën e re e cila në pamundësi për tu punësuar në vendin dhe Shtetin e vet është detyruar të kërkoj fatin në Shtetet e ndryshme të Evropës.

Është koha që për këtë fenomen problematik të ikjes nga Atdheu të vedisohen institucionet e shtetit, shoqëria civile, dhe të gjitha moshat e popullsisë për ta gjetur ilaçin e kësaj diagnoze të emigrimit [largimit nga atdheu]. Kjo duhet të jetë prioritet mbi prioritetet e Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës si detyrë dhe obligim nacional shtetëror dhe kombëtar. Nëse nuk parandalohet kjo dukuri e cila është futur thellë në mendësinë e njerëzve se vetëm jashtë Kosovës mund ta gjejnë fatin e tyre vajë halli për ne. Rrethanat politike dhe kërcënimet e ndryshme ndaj sigurisë së vendit na obligojnë të jemi syqelë dhe shumë më përgjegjës ndaj ruajtjes të paqes dhe sigurisë të Republikës së Kosovës detyrë dhe obligim ky që është i bekuar edhe me Kushtetutën e vendit.    

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".