Krimi dhe korrupcioni po e rrënojnë imazhin e dikurshëm pozitiv dhe besimin qytetar në policinë e Kosovës

Krimi dhe korrupcioni po e rrënojnë imazhin e dikurshëm pozitiv dhe besimin qytetar në policinë e Kosovës

Gani Qarri

  • 18 July 2022 - 18:59

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Vetëm gjatë këtij viti raportohet se qytetarët e Kosovës kanë dorëzuar mbi 900 ankesa në Inspektoratin Policor të shtetit, kundër sjelljeve provokuese dhe tejet agresive e të kundërligjshme, deri te përfshirja në korrupsion madje edhe në krim të organizuar, nga ana e vet zyrtarëve policor.

Mjerisht kjo është njëra prej sfidave më të rënda dhe shumë të vështira të kësaj qeverie, që krahas VEETTING-ut, në sistemin e drejtësisë, të fillojë urgjentisht edhe me spastrimin e kuadrove të inkriminuar, si dhe kthimin e disiplinës së plotë në radhët e policisë së Kosovës. Siç dihet, pikërisht ky institucion i sigurisë së vendit, ka kaluar nëpër faza të ndryshme të ndikimit politik që nga themelimi në ditët e para të pasluftës, e deri më sot dhe pasojat e këtyre ndikimeve nga grupet e interesit dhe krimo-politika po vërehen publikisht edhe tani, me dyshime serioze për imazhin dhe besimin e qytetarëve, në dëm të zbatimit të ligjit në vend. Kështu që, vetëm gjatë këtij viti, Inspektorati Policor i Kosovës, është detyruar të rekomandoi suspendimin e mbi 100 policëve, ndërkaq mbi 90 sish, janë të arrestuar, shifra këto, mjaft alarmante, të cilat vijnë nga të dhënat statistikore zyrtare të periudhës kohore prej 1 janarit deri në muajin korrik të këtij viti! Madje gjatë këtyre gjashtë muajve, siç raportohet edhe zyrtarisht, Inspektorati Policor, është detyruar ta zhvillojë edhe operacionin e gjerë të koduar me emrin “Pika 1” dhe “Pika 2”, ku mbi 70 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, janë arrestuar vetëm brenda një ore dhe suspenduar nga puna, kurse numri i përgjithshëm i të suspenduarve, vetëm gjatë këtyre muajve kalon shifrën prej 118 zyrtarëve, dhe mbi 90 zyrtarë tjerë, të arrestuar, gjë që flet më së miri, për problemet shumë serioze edhe në policinë e shtetit tonë të brishtë!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".