Skandali i Kryeprokurorit Ramiz Buzhala e zbuloi fytyrën e turpshme të sistemit të drejtësisë

Skandali i Kryeprokurorit Ramiz Buzhala e zbuloi fytyrën e turpshme të sistemit të drejtësisë

Hajrullah Tërnava

  • 20 July 2022 - 07:58

Shkruan: ANALISTI-Hajrullah Tërnava 

 

Rasti i Kryeprokurorit të  Prokurorisë Themelore në Gjakovë fuqishëm dhe pa kontestueshëm e dëshmon  faktin se sa thellë është i kapur dhe i zhytur në krim e korrupsion vetë sistemi i drejtësisë në Kosovë, njësoj si KPK dhe KGJK, pasi që zyrtarët në këto institucione zgjidhen në prapaskena me mjete dhe procese kriminale informale, kurse procedurat tjera ligjore e më bazë konkursi janë vetëm improvizime formale. Këtë fakt e argumenton më së miri skandali i Kryeprokurorit të Gjakovës, Ramiz Buzhala i cili me bazë dhe i kapur në flagrancë po dyshohet se ka shpërndarë pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesional.

 Lidhur me këtë ka reaguar ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu por edhe Prokuroria e shtetit, duke kërkuar dhe duke u angazhuar për nxjerre para përgjegjësisë ligjore të kryeprokurorit Buzhala. Ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu ka thënë se lajmi dhe publikimi i të dhënave sipas të cilave kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i ka dërguar pyetjet një kandidati për bashkëpunëtor profesional (por që gabimisht ia ka dërguar gazetares), është arsye e mjaftueshme për nisjen e hetimeve ndaj kryeprokurorit dhe suspendim të tij. Tutje, Haxhiu tha se tejkalimi i detyrave, favorizimi i kandidatëve dhe keqpërdorimi i pozitës nuk duhet të tolerohen. Po ashtu, ajo ka thënë se nuk është ky rast i vetëm i izoluar, se  janë të shumta kërkesat që adresohen në Ministrinë e Drejtësisë, lidhur me procedurat e rekrutimit në sistemin e drejtësisë si dhe kandidatët ankohen për procese të ‘kurdisura’. Kryeprokurori Buzhala kur i ka shpërnda pyetjet i është drejtuar dikujt se “këto janë pyetjet e testit me shkrim. Shiko shfrytëzoje kohën deri në orën 13:00”. Pas këtij skandali të zbuluar ''aksidentalisht'' dhe reagimit të shpejtë të ministres Albulena Haxhiu, ka pasuar edhe reagimi i KPK-së, nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit Besim Kelmendi. Nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, janë zotuar se Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, pas pranimit të informacionit nga mediet lidhur me dyshimet e ngritura për shpërndarje të pyetjeve të testit për bashkëpunëtorë profesionalë nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala, në bazë të kompetencave që ka do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi, dhe në masë të parë është vendosur për anulimin e konkursit për rekrutimin e bashkëpunëtorëve profesional për prokuroritë themelore në Gjakovë, Pejë dhe Prizren duke e kthyer atë në pikën zero, për ta vazhduar tutje me procedurat tjera hetimore e të përgjegjësisë disiplinore ndaj Kryeprokurorit të Gjakovës Ramiz Buzhala. Duke vepruar urgjentisht dhe energjikisht, Kryeprokurori i Gjakovës Ramiz Buzhala  me një vendim të shpejtë të KPK-s është suspenduar nga puna. Ky është vetëm edhe një rast i zbuluar së fundi, dëshmi për dhjetëra e dhjetëra raste të tjera të tilla të manipuluar edhe në emërimet e gjyqtarëve dhe të prokurorëve nga nëntoka kriminale, prandaj është i domosdoshëm dhe urgjentë procesi i verifikimit nëpërmes kalimit në procesin e Vettingut që është duke u punuar, që të bëhet sa më shpejtë dhe pa u vonuar. Shpresat e popullit tani janë të përqendruara te ligji i Vettingut, dhe ky ligj është shpresa e vetme që populli me padurim po e pret jetësimin e këtij ligji, duke shpresuar se ligji i Vettingut, do ti spastroj institucionet shtetërore në mënyrë permanente, nga të kriminalizuarit nëpër  institucionet e shtetit tonë, dhe kjo është shpresa e fundit që njëherë e mirë do të fillohet me luftimin e të kriminalizuarëve nëpër institucionet e shtetit tonë, dhe me këto veprime të luftimit të krimit edhe shtetet e BE-së do të binden se Kosova është avancuar në luftimin e krimit dhe këtij shteti duhet ti hapen rrugët për anëtarësim  në BE dhe institucionet tjera të rëndësishme për vendin tonë.

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".