Ndëshkimi që po e pret Aleksandër Vuçiq pas kundërshtimit të Rezolutës së Parlamentit Evropian, detyrim për njohjen e Kosovës

Ndëshkimi që po e pret Aleksandër Vuçiq pas kundërshtimit të Rezolutës së Parlamentit Evropian, detyrim për njohjen e Kosovës

Gani Qarri

  • 20 July 2022 - 16:14

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

 

Bashkimi Evropian dhe SHBA duhet të mendojnë seriozisht për të ushtruar presion  me paralajmërim të bllokimit politik, diplomatik dhe ekonomik të Serbisë, pas deklarimit të presidentit serb Vuçiq kundër opsionit të marrëveshjes finale për njohjen reciproke me Kosovën.

 

Pas miratimit të rezolutës nga parlamenti evropian e cila kërkon edhe zyrtarisht që dialogu ne Serbinë të përfundoj me njohjen reciproke mes dy shteteve, ka reaguar presidentit serb Aleksandër Vuçiq, duke thënë se Serbia nuk do të nënshkruajë marrëveshje për njohje reciproke me Kosovën, duke potencuar se refuzimi i marrëveshjes për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është çështje e ruajtjes së sovranitetit dhe dinjitetit të shtetit të tij. Deklarata e paturp e Vuçiqit, është një kundërpërgjigje shumë arrogante dhe e drejtpërdrejtë ndaj Parlamentit Evropian i cili me shumicë votash miratoi të mërkurën e kaluar një rezolutë, ku thuhet se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, duhet të “bazohet në njohjen reciproke ndërmjet të dy vendeve.  Rezoluta e PE-së vjen 11 vite pas fillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe është hera e parë që në një dokument zyrtar të një institucioni evropian futet edhe zyrtarisht njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Siç dihet Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011, por edhe përkundër dhjetëra marrëveshjeve të nënshkruara, rezultatet në terren lënë shumë për të dëshiruar. Madje Presidenti Serb nuk e ka përjashtuar as mundësinë e dështimit të një takimi të nivelit të lartë në mes tij dhe kryeministrit Kurti, për të cilin takim, para pushimeve të verës, ka një angazhim maksimal nga ana e ndërmjetësuesit të BE-së. Sipas Vuçiqit mesazhet që vijnë nga Prishtina për një takim të mundshëm me Kurtin, nuk janë të vërteta, duke konsiderua se marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë janë ashpërsuar skajshmërisht pasi Qeveria e Kosovës, më 29 qershor, ka marrë vendim për ndalimin e veturave me targat që i lëshojnë autoritetet e Serbisë dhe zëvendësimin e tyre me targa RKS (Republika e Kosovës). Po ashtu Beogradi është zemëruar pasi që Qeveria e Kosovës ka marrë vendim edhe për reciprocitet mbi dokumentet serbe, që do të thotë se të gjithë ata persona që hyjnë në territorin e Kosovës me dokumente të Serbisë, do të pajisen në kufi me një certifikatë që i zëvendëson ato dokumente, pikë për pikë sikur që vepron Serbia me qytetarët e Kosovës. Qeveria e Serbisë ka reaguar ashpër ndaj këtyre vendimeve, madje Vuçiq ka thënë se nuk do të lejojë zbatimin e këtyre masave për siç thotë ai   “persekutimin e serbëve”. Nga ana e tij, Kryeministri Kurti vazhdimisht këmbëngul se dialogu me Serbinë duhet të përfundojë vetëm me njohje reciproke. Pavarësisht situatës së tensionuar mes dy vendeve me masat e fundit të paralajmëruara nga pala kosovare, Bashkimi Evropian si ndërmjetësuesi kryesor i negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë është duke punuar që të organizojë një takim të nivelit të lartë Kurti-Vuçiq sa më shpejtë të jetë e mundur. Megjithatë ky takim thuhet se do të caktohet në momentin që pajtohen palët edhe për arritjen e rezultateve konkrete. “Ne po punojmë të organizojmë një takim në mes të Kosovës dhe Serbisë në nivelin më të lartë të dy shteteve. Kjo mund të ndodh kur dy palët pajtohen për datën, agjendën, por edhe arritjen e rezultateve të prekshme dhe të qëndrueshme”, kanë thënë në Bruksel nga zyra e ndërmjetësuesit Miroslav Lajcak. Nga Brukseli është theksuar se BE nuk dëshiron të organizojë një takim “vetëm për hir të dialogut”, pra pa perspektivën e arritjes së një marrëveshjeje,ndaj emisari i BE-së, Miroslav Lajcak, do të ketë diskutime gjatë kësaj jave me kryeministrin Albin Kurti dhe krye negociatorin Besnik Bislimi. Në anën tjetër shefi i diplomacisë së BE-së, Joseph Borell, ka bërë me dije se Bashkimi Evropian dëshiron një takim të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë para fillimit të pushimeve verore, por duket se nga Serbia, do të përdoret si arsye vendosja e masave të reciprocitetit nga pala kosovare si pretekst për ta dështuar dhe sabotuar zhvillimin e takimit të nivelit të lartë Kurti-Vuçiq.

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".