Amerika merr rol prijetar në dekriminalizimin e politikës së shteteve të Ballkanit nga lidhja me krimin

Amerika merr rol prijetar në dekriminalizimin e politikës së shteteve të Ballkanit nga lidhja me krimin

Gani Qarri

  • 08 August 2022 - 06:43

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Fatmirësisht, një grup senatorësh amerikanë, nga të dy krahët e partive më të mëdha politike në SHBA, si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët, paraqitën në senat një Projektligj që synon të mbështesë zhvillimin ekonomik e tregtinë, si dhe të luftojë korrupsionin në Ballkanin Perëndimor. Madje në Projektligjin e paraqitur nga senatorët, u përfshi edhe kërkesa e veçantë e tyre, mbi hartimin e një legjislacioni të posaçëm për sanksionimin e politikanëve përgjegjës, në mënyrë që përfundimisht, të frenohen aktivitetet destabilizuese, në Ballkanin Perëndimor.

-Me këtë akt të duhur, liderëve të korruptuar dhe të inkriminuar politik të Ballkanit do tu ngushtohet edhe më tepër rrethi i veprimit kriminal e mafioz, shumica e të cilëve janë edhe në listën e zezë të SHBA-ve, por që numri tyre pritet të shtohet, sidomos pas nismës më të re ligjore nga senatorët amerikan për Ballkanin Perëndimor. Dhe sipas raportimeve zyrtare, projektligji, i njohur ndryshe si Akti mbi Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor është paraqitur nga senatorja demokrate Jeanne Shaheen, kryetare e Nënkomisionit për Evropën dhe Bashkëpunimin mbi Sigurinë Rajonale, si dhe nga senatori republikan Roger Uicker. Kjo iniciativa vjen pikërisht në një nga situatat më kritike dhe mes shqetësimesh të rritura nga përhapja e rrezikut për ndikimi të sforcuar të Rusisë në rajon për shkak të luftës në Ukrainë. Senatorja Jeanne Shaheen deklaron se marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Ballkanin Perëndimor janë thelbësore në këto momente, ku duken qartë synimet e Presidentit Putin për të përhapur ndikimin keqdashës të Rusisë në të gjithë Evropën Lindore.

Prandaj, përmes këtij angazhimi amerikan në rajon, synohet që të parandalohet ndikimi i politikës ruse dhe lidhjeve të fuqishme të shërbimeve të fshehta ruse me të gjitha llojet e krimit, politik, ekonomik e ushtarak, me qëllim të destabilizimit të të gjithë rajonit. Projektligji i ri dypartiak forcon edhe më tepër tregtinë dhe investimet ndërmjet SHBA-ve dhe Ballkanit Perëndimor, duke luftuar njëkohësisht korrupsionin dhe krimin e organizuar, nëpërmjet miratimit të një legjislacioni të veçantë për sanksione kundër aktorëve të destabilizimit të gjendjes në rajon. E këto hapin rrugën për një integrim më të gjerë euro-atlantik”, ka deklaruara zonja Shaheen në prezantimin e iniciativës në faqen e saj në internet, Projekligj i cili udhëzon Sekretarin e Shtetit të ofrojë ndihmë teknike për çdo vend të Ballkanit Perëndimor për të zhvilluar një strategji shumë më efikase kombëtare kundër krimit dhe korrupsionit. Ai parashikon gjithashtu kthimin në ligj të dy urdhrave ekzekutivë, që do të garantonin kompetenca për sanksione kundër atyre që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe që janë të përfshirë në akte korruptive e kriminale.

Po ashtu, synohet edhe nxitja e partneritetin universitar, inkurajohet angazhimi i Korpusit të Paqes në rajon, ndihmohet krijimi i një iniciative për udhëheqësi rinore në Ballkan dhe nga Korporata Financiare për Zhvillim, kërkohet që të hapë një zyrë të shpallur,që më parë në rajon. Zonja Shaheen ishte në krye të një grupi senatorësh amerikanë që vizituan në muajin prill edhe Kosovën, Serbinë e Bosnje e Hercegovinën, mes shqetësimeve, nga ndikimi i përhapjes së luftës okupuese të Rusisë mbi Ukrainë edhe në Ballkanin Perëndimor. Vizita e senatorëve amerikan në Kosovë dhe vendet tjera të rajonit, kishte për qëllim forcimin e lidhjeve mes Uashingtonit dhe Ballkanit Perëndimor, përballë përpjekjeve ruse dhe serbe për të dëmtuar paqen, madje Senatori Uicker tha se projektligji “do të dërgojë edhe një sinjal të fortë dypartiak, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë plotësisht të përkushtuara për të mbështetur stabilitetin, diplomacinë dhe paqen në rajon.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".